Anëtar i Gjykatës së Lartë - Kryetar i Kolegjit Administrativ
Sokol SADUSHI u lind më 27 korrik 1963. Është i martuar dhe ka tre fëmijë. Në vitin 1986 kreu studimet në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës. Ka ushtruar profesionin e juristit në pozicionin si prokuror, pedagog universitar, avokat dhe anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Në vitin 1991 fillon mësimdhënien si lektor i të drejtës administrative pranë Fakultetit të Drejtësisë dhe nga viti 1997 e në vijim në Shkollën e Magjistraturës, Tiranë. Në vitin 2006 merr gradën shkencore "Doktor i Shkencave Juridike" dhe në vitin 2013 merr titullin Prof. Asoc. Dr.
Është autor i shumë punimeve dhe artikujve me karakter studimor në fushën e të drejtës administrative, të drejtës kushtetuese dhe të drejtave të njeriut. Ka botuar librat “E Drejta Administrative 2”, “Kontrolli kushtetues”, “Drejtësia kushtetuese në zhvillim”, “Gjykata adminitrative dhe kontrolli ligjor mbi adminitratën, “E drejta administrative procedurale”. Është gjithashtu bashkëautor në librat “Komentar i Kodit të Procedurës Administrative”, “Vështrim krahasues mbi procedurën civile”, “Çështje të së drejtës administrative në vështrimin krahasues”, Komentar “Mbi reformën kushtetuese në sistemin e drejtësisë (2016)”.
Në muajin prill të vitit 1998, Sokol Sadushi zgjidhet nga Kuvendi i Shqipërisë si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, detyrë të cilën e përfundon në korrik të vitit 2011. Nga muaji maj 2013 deri në korrik të vitit 2014 kryen detyrën e Rektorit të Shkollës së Lartë JoPublike “Luarasi”. Në muajin nëntor 2014 zgjidhet Drejtor i Shkollës së Magjistraturës, detyrë të cilën e ushtron deri në mars 2020.
Me dekretin Nr.11452 të Presidentit të Republikës, datë 11 mars 2020 emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë.