Kur Gjykata e Lartë vepron me procedurë të përshpejtuar

GJYKATA E LARTË MUND TË SHQYRTOJË ME PROCEDURË TË PËRSHPEJTUAR ÇËSHTJET SI VIJOJNË :

Përveç çështjeve që parashikon vendimi nr.78 datë 30.05.2019 “Për kalendarin e shqyrtimit të çështjeve në gjykatën e apelit” (i ndryshuar). Gjykata e Lartë do shqyrtojë me procesë të përshpejtuar edhe çështjet si më poshtë (në bazë të vendimit të Këshillit të Gjykatës nr.9 datë 03.06.2024)

A) Çështje civile

  1. Çështjet për të cilat është vendosur pezullimi i ekzekutimit të vendimit nga Gjykata e Lartë;
  2. Çështjet që duhen shqyrtuar për shkak të vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut;
  3. Çështjet që kanë të bëjnë me lëshimin e menjëhershëm dhe lëshimin e urdhrit të mbrojtjes;
  4. Çështje që kanë të bëjnë me shpërblimin e dëmit si rezultat i dëmtimeve të shëndetit apo humbje të jetës;
  5. Çështje që kanë ardhur për herë të dytë ose të tretë në Gjykatën e Lartë;
  6. Prishje e vendimit dhe kthim për rigjykim ose prishje e vendimit dhe vazhdimin e gjykimit ose prishje e vendimit dhe pushim gjykimi;
  7. Çështje me objekt pavlefshmërinë e titujve ekzekutivë si dhe kundërshtimin e veprimeve përmbarimore;
  8. Çështjet që kanë të bëjnë me pavlefshmërinë e njoftimeve;
  9. Çështje që kanë të bëjnë me ndreqje/korrigjim gabimi, sqarim apo interpretim të vendimit gjyqësor;
  10. Çështjet me objekt rivendosjen në afat të ankimit;
  11. Ankimi kundër vendimit me ekzekutim të përkohshëm.

B) Çështje penale

  1. Kërkesat për masat e sigurimit personal;
  2. Kërkesat që kanë të bëjnë me fazën e hetimeve paraprake; 
  3. Kërkesat dhe vendimet e pushimit të çështjes në seancë paraprake;
  4. Rastet e ekstradimeve, të njohjes së vendimeve penale të huaja apo raste të tjera që përshihen në fushën e marrëdhënieve juridiksionale në fushën penale;
  5. Prishje e vendimit dhe kthim për rigjykim ose prishje e vendimit dhe vazhdimin e gjykimit ose prishje e vendimit dhe pushim gjykimi;
  6. Kundërshtim të vendimeve të ndërmjetme;
  7. Kërkesat në fazën e ekzekutimit të vendimit gjyqësor;
  8. Çështjet me të pandehur të mitur/të mitur në konflikt me ligjin si dhe me viktima të veprës penale që janë të mitur;
  9. Çështje që kanë të bëjnë me ndreqje/korrigjim gabimi, sqarim apo interpretim të vendimit gjyqësor;
  10. Çështje që duhen shqyrtuar për shkak të vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut;
  11. Çështje që kanë ardhur për herë të dytë ose të tretë në Gjykatën e Lartë;
  12. Çështje që kanë të bëjnë me sekuestrimin e pasurisë në kuadër të zbatimit të masave parandaluese kundër pasurisë;
  13. Çështjet me objekt rivendosjen në afat të ankimit;
  14. Çështjet për të cilat është vendosur pezullimi i ekzekutimit të vendimit nga Gjykata e Lartë.

C) Çështje administrative

  1. Mosmarrëveshjet që kanë si objekt aktet nënligjore normative;
  2. Çështje të cilat gjykohen në Gjykatën e Apelit Administrativ si shkallë e parë;
  3. Çështje që kanë të bëjnë me ndreqje/korrigjim gabimi, sqarim apo interpretim të vendimit gjyqësor;
  4. Çështje që duhen shqyrtuar për shkak të vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut;
  5. Kërkesat për pezullim të zbatimit të aktit administrativ;
  6. Ankimet e paraqitura për shkelje procedurale nga kandidatë që konkurojnë për tu zgjedhur/emëruar në organet e sistemit të drejtësisë kundër vendimeve të organeve shtetërore të ngarkuara nga ligji me zhvillimin e procesit të përzgjedhjes së kandidatëve;
  7. Çështjet që parashikohen në pikën 2, rubrika “A. Çështje Civile”, të këtij vendimi, për aq sa ato janë të zbatueshme në rastin e shqyrtimit të çështjeve me natyrë administrative;
  8. Çështjet për të cilat është vendosur pezullimi i ekzekutimit të vendimit nga Gjykata e Lartë;
  9. Çështje që kanë ardhur për herë të dytë ose të tretë në Gjykatën e Lartë;
  10. Çështjet me objekt rivendosjen në afat të ankimit;
  11. Prishje e vendimit dhe kthim për rigjykim ose prishje e vendimit dhe vazhdimin e gjykimit ose prishje e vendimit dhe pushim gjykimi.  

Përveç çështjeve gjyqësore të përcaktuara në vendimin e KLGJ të cilat shqyrtohen me procedurë të përshpejtuar, në listën e çështjeve të cilat shqyrtohen me procedurë të përshpejtuar të përfshihen në rend kronologjik, sipas datës së regjistrimit në Gjykatën e Lartë, edhe kategoritë e çështjeve gjyqësore të reja të përcaktuara në këtë vendim.