SANDËR SIMONI

Anëtar i Gjykatës së Lartë

 

Sandër Simoni u lind më 4 shkurt 1974 në Shkodër. Është i martuar dhe ka dy fëmijë. Ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë në vitet akademike 1992 – 1996. Ka kryer studimet në Shkollën e Magjistraturës me brezin e parë të saj në vitet 1997 - 2000 dhe është titulluar “Magjistrat“. Mban gradën shkencore “Doktor”.

Në vitet 1996 – 1997 ka punuar si ndihmës – gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqsor Shkodër. Në vitin 1999 – 2000 ka kryer stazhin profesional si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër ku dhe është emëruar gjyqtar në vitin 2000. Në dhjetor të vitit 2003 është dekretuar gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe në të njëjtën kohë është komanduar si Kryetar i saj, pozicion në të cilin është emëruar më tëj në vitin 2004, duke u zgjedhur në këtë funksion drejtues disa mandate rradhazi deri në dhjetor të vitit 2019. Në dhjetor të vitit 2019 me krijimin e Gjykatës së Posacme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është emëruar si gjyqtar në këtë Gjykatë, duke u caktuar në të njëjtën kohë si Kryetar i kësaj Gjykate, pozicion të cilin e ka mbajtur deri me datën 19 mars 2021.

Është pedagog i jashtëm në Shkollën e Magjistraturës lënda “Procedurë Penale”, ekspert, trajnues, udhëheqës stazhi e punimesh të studentëve të kësaj Shkolle. Është autor i disa manualeve kryesisht për veprat penale të trafikimit të qënieve njerëzore e mbrojtjen e viktimave të trafikimit të hartuara në bashkëpunim me disa organizata ndërkombëtare, autor i shumë shkrimeve, botimeve në revistat kombëtare e ndërkombëtare, studimeve, pjesmarrës e referues në shumë Konfererenca Ndërkombëtare brenda e jashtë vendit. Ka marrë pjesë në shumë aktivitete kombëtare e ndërkombëtare në fushën e së drejtës e në të njëtën kohë ka qenë anëtar në shumë komisione, borde, grupe pune në lidhje me ndryshimet legjislative dhe projektet në fushën e drejtësisë.

Me dekretin 12032 datë 19.03.2021 të Presidentit të Republikës është dekretuar gjyqtar në Gjykatën e Lartë.