MISIONI DHE FUNKSIONET E KËSHILLIT TË EMËRIMEVE NË DREJTËSI
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është organ i ri kushtetues, kolegjial, i cili është krijuar me hyrjen në fuqi të ndryshimeve në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të ndodhura me miratimin në vitin 2016 të paketës legjislative të reformës në drejtësi.
Organizimi, funksionimi dhe kompetencat e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi parashikohet në nenin 149/d të Kushtetutës dhe në mënyrë më të hollësishme në ligjin nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përbëhet nga 9 anëtarë të përzgjedhur me short, nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj të cilëve nuk është dhënë masë disiplinore.
Presidenti i Republikës përzgjedh me short, midis datave 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik, dy gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, një gjyqtar nga Gjykata e Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë dhe dy prokurorë nga gjykatat e apelit, si dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative. Nëse Presidenti i Republikës nuk arrin të zgjedhë anëtarët deri në datën 5 dhjetor, Kryetari i Kuvendit i zgjedh ata me short brenda datës 10 dhjetor të atij viti kalendarik.
Gjithashtu, zgjidhen me short si anëtarë zëvendësues për nivelin përkatës, një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, një gjyqtar i Gjykatës së Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, një gjyqtar nga gjykatat e apeleve, një prokuror nga prokuroritë pranë gjykatave të apelit dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative.
Anëtarët e zgjedhur të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi e ushtrojnë detyrën më kohë të pjesshme, pa u shkëputur nga funksionet e tyre të zakonshme, për një mandat njëvjeçar, që fillon në datën një janar të çdo viti kalendarik.
Gjykata e Lartë siguron mbështetjen e nevojshme organizative, administrative dhe financiare për realizimin e funksioneve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, të parashikuara në Kushtetutë dhe në ligj.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi mblidhet sa herë është e nevojshme, për të kryer verifikimin e kushteve ligjore dhe për vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, si dhe të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Ky Këshilli shqyrton dhe i rendit kandidatët sipas meritës profesionale. Renditja e kandidatëve nuk është e detyrueshme
Organet e emërtesës, Presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë, emërojnë dhe zgjedhin gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese ndërmjet tre kandidateve të renditur në tri vendet e para nga Këshilli. Kuvendi zgjedh Inspektorin e Lartë të drejtësisë ndërmjet pesë kandidatëve të renditur në pesë vendet e para nga Këshilli.
Në rastin kur këto organe të emërtesës nuk arrijnë të emërojnë dhe zgjedhin kandidatin, i emëruar në detyrë është kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.