Trupat gjykuese
Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë është instanca më e lartë ankimuese për çështjet civile, administrative dhe penale në Shqipëri, që gëzon kompetencën për të prishur (latinisht: “cassãre”) vendimet e gjykatave më të ulëta. Gjykata e Lartë shqyrton çështje lidhur me kuptimin dhe zbatimin e ligjit për të siguruar njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore, sipas ligjit. Gjykata nuk mund të vendosë zgjidhjen e ndryshme të çështjes duke marrë prova të reja, por ka të drejtë vetëm ta kthejë për gjykim çështjen në gjykatën kompetente, vendimi i së cilës shfuqizohet.
Gjykata e Kasacionit shqyrton dhe analizon ligjin dhe rrethanat e çështjes vetëm për aq sa i nevojitet asaj për të interpretuar ligjin ose një koncept të së drejtës, pa bërë një shqyrtim të ri të fakteve dhe provave. Në këtë kuptim, funksioni i Gjykatës së Lartë sot është të kontrollojë nëse ligji është interpretuar dhe zbatuar në mënyrë korrekte nga gjykatat më të ulta, vendimi i të cilave kundërshtohet. Gjykata e Lartë nuk ka si thelb të veprimtarisë së saj shqyrtimin e fakteve dhe të provave në një çështje konkrete, por në raste të caktuara kjo mund të bëhet vetëm në lidhje dhe për aq sa ndihmon Gjykatën të interpretojë ligjin e zbatueshëm.
TRUPAT GJYKUESE
Duke pasur parasysh rolin e rishikuar të Gjykatës së Lartë, risi në ndryshimet në procedurë është njësimi i përbërjes së trupit gjykues në Kolegjin Civil, Kolegjin Penal dhe Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë . Kështu, në varësi të fazës se ku ndodhet shqyrtimi i dosjes apo i çështjeve që ngrihen për shqyrtim, përbërja e trupave gjykues varion, si më poshtë:
GJYQTARI I VETEM
Plotësimin e të metave të rekursit në çështjet civile dhe administrative:
§ gjyqtari relator shqyrton rekursin e depozituar në lidhje me plotësimin e kushteve formale dhe afateve kohore sipas ligjit dhe vendos njoftimin e palëve për plotësimin e të metave; në rast mosplotësimi relatori vendos kthimin e rekursit;
Kërkesat për përjashtim gjyqtari:
§ një gjyqtar i gjykatës, i ndryshëm nga gjyqtarët e kolegjit të cilit i përket gjyqtari që kërkohet të përjashtohet, vendos për kërkesën e përjashtimit të gjyqtarit, për çështjet civile, administrative dhe penale .
KOLEGJI ME TRUP GJYKUES TË PËRBËRË NGA 3 (TRE) GJYQTARË
§ Rekurset për të gjitha çështjet civile, administrative dhe penale që shqyrtohen në themel, si dhe ndaj vendimeve jopërfundimtare;
§ Rekurset për masat e sigurimit në çështjet penale;
§ Kërkesat për pezullimin e ekzekutimit të një vendimi civil apo administrativ, kërkesat për revokimin e vendimeve të pezullimit, kërkesat për gjykimin e çështjes tej afateve të arsyeshme, kërkesat për heqjen e dënimit administrativ me gjobë për rekurse apo kërkesa abuzive etj.
§ Ankimet ndaj vendimeve për nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit, apo parashtrimet e gjykatave për ngritjen e mosmarrëveshjes së kompetencave.
KOLEGJ ME TRUP GJYKUES TË PËRBËRË NGA 5 (PESË) GJYQTARË
§ Rekurset në çështjet administrative e kundër vendimeve të Gjykatës Administrative të Apelit që kanë shqyrtuar padi ndaj aktit nënligjor normativ ;
§ Rekurset që gjykohen në kuadër të njësimit dhe zhvillimit të praktikës gjyqësore .
KOLEGJET E BASHKUARA TË GJYKATËS SË LARTË
Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, nënkupton Mbledhjen e Përbashkët të të gjithë gjyqtarëve të Kolegjit Civil, Kolegjit Penal dhe Kolegjit Administrativ. Me kërkesë të kolegjit ose të Kryetarit të Gjykatës së Lartë, mund të nisë procedura për ndryshimin e praktikës gjyqësore, kur konstatohet se është e nevojshme me qëllim zbatimin e drejtë të ligjit nga gjykatat më të ulëta. Me ndryshimet kushtetuese të 2016, neni 141 i Kushtetutës është riformuluar, duke parashikuar kompetencën e Kolegjeve të Bashkuara për ndryshimin e praktikës dhe jo për njësimin e saj, siç ka qenë para ndryshimeve të vitit 2016. Arsyeja për këtë qëndron në faktin se në thelb, vendimi i çdo kolegji të Gjykatës së Lartë është një vendim detyrues për gjykatat më të ulta dhe ka për qëllim konsolidimin dhe qëndrueshmërinë e praktikës gjyqësore.
LLOJET E REKURSEVE
“Rekursi zakonshëm”: paraqitet kundër një vendimi në themel të gjykatës së apelit.
“Rekursi i veçantë”: paraqitet kundër vendimeve jopërfundimtare, si dhe vendime të ndërmjetme të gjykatave më të ulta.
REKURSET E VEÇANTA NË ÇËSHTJET CIVILE DHE ADMINISTRATIVE
§ Një nga risitë e ndryshimeve ligjore ka qenë rregullimi i rolit të Gjykatës së Lartë në çështjet e juridiksionit dhe kompetencës, në drejtim të harmonizimit të parashikimeve procedurale në të drejtën civile dhe administrative si dhe të rritjes së efiçencës së procedimeve gjyqësore.
§Duke ndjekur modelin e nenit 9 të Ligjit për Gjykimin Administrativ, tashmë rekurs i veçantë lejohet vetëm ndaj vendimit jopërfundimtar të gjykatës civile që nxjerr çështjen jashtë juridiksionit të saj.
§ Ndaj vendimit të ndërmjetëm të gjykatës civile që rrëzon kërkesën e palës për nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit nuk mund të bëhet rekurs i veçantë.
(MOS)KOMPETENCA
§ E njëjta logjikë ligjore është ndjekur në lidhje me ushtrimin e ankimit ndaj vendimit gjyqësor që ka shpallur moskompetencën për gjykimin e mosmarrëveshjes, si dhe kundër vendimit për rrëzimin e kërkesës për shpalljen e moskompetencës. Për çdo disponim mbi kompetencën të lejohet vetëm ankim sipas rregullave të zakonshme të ankimit dhe jo rekurs i veçantë .
§ Gjykata e Lartë në vendimin e saj për rregullimin e kompetencës jep udhëzimet e nevojshme për procesin gjyqësor të zhvilluar dhe për vazhdimin e tij nga gjykata që deklarohet kompetente.
VENDIMI PËR KTHIMIN E REKURSIT TË GJYQTARIT TË VETËM TË GJYKATËS SË LARTË
Kundër vendimit të gjyqtarit të vetëm të Gjykatës së Lartë për kthimin e rekursit për mosplotësim/korrigjim të të metave të rekursit nuk mund të bëhet ankim/rekurs.
RASTET E TJERA KUR PARAQITET REKURSI I VEÇANTË
Në çështjet civile, rekursi i veçantë mund të paraqitet edhe kundër:
- vendimit të gjykatës së apelit për prishjen e vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhe pushimin e çështjes;
- vendimit të gjykatës së apelit për prishjen e vendimit të gjykatës së shkallës së parë, tërësisht ose pjesërisht dhe dërgimin e çështjes për rigjykim;
AFATET DHE MËNYRA E SHQYRTIMIT TË REKURSIT TË VEÇANTË
Afati për paraqitjen e rekurseve të veçanta kundër vendimeve jopërfundimtare ka ndryshuar dhe është 5 ditë. Gjykata e Lartë i shqyrton rekursin e veçantë brenda 30 ditëve në dhomë këshillimi me trup gjykues të përbërë nga 3 (tre) gjyqtarë.
REKURSET E VEÇANTA NË ÇËSHTJET PENALE
§ Në çështjet penale, është parashikuar ushtrimi i ankimit kundër vendimit për kërkesën e përjashtimit të gjyqtarit së bashku me vendimin përfundimtar, duke hequr mjetin e rekursit të veçantë. Rregullimet e reja kanë vendosur sanksione ndaj subjektit që parashtron kërkesa të padrejta dhe të papranueshme për përjashtimin e gjyqtarit. Subjekti detyrohet të paguajë shpenzimet gjyqësore përkatëse, si dhe një gjobë deri në 50 000 lekë.
PEZULLIMI I EKZEKUTIMIT TË VENDIMIT
Në çështjet civile është rregulluar problematika e mbivendosjes së kompetencës midis gjykatës së apelit dhe Gjykatës së Lartë lidhur me pezullimin e ekzekutimit të vendimit, duke shfuqizuar paragrafin e dytë të nenit 469 dhe duke ia lënë këtë kompetencë vetëm Gjykatës së Lartë.
Në çështjet penale janë parashikuar ndryshime mbi pezullimin e ekzekutimit të vendimit, duke sanksionuar se vendimi mund të pezullohet nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, vetëm në rastet e mëposhtme:
§ kur i dënuari vuan nga një sëmundje që pengon ekzekutimin e vendimit (ekzekutimi shtyhet deri në shërimin e të dënuarit);
§ kur e dënuara është shtatzënë ose me fëmijë nën një vjeç (ekzekutimi shtyhet derisa fëmija të bëhet një vjeç);
§ kur vuajtja e menjëhershme e dënimit mund të sjellë pasoja të rënda për të dënuarin ose familjen e tij (shtyrja e ekzekutimit në këto raste nuk mund të zgjatet më tepër se gjashtë muaj);
§ në çdo rast tjetër që çmohet nga gjykata si i veçantë, duke u shtyrë ekzekutimi gjer në tre muaj.
REKURSI I ZAKONSHËM REKURSI I ZAKONSHËM
Shkaqet për rekurs
§ Shkaqet e rekursit që parashikohen në ligjet procedurale nuk kanë qenë objekt i ndryshimeve ligjore. KPC, KPP dhe LGjA parashikojnë shkaqet për rekurs në Gjykatën e Lartë, të cilat mund të grupohen si më poshtë:
§ për mosrespektimin ose për zbatim të gabuar të ligjit material ose procedural, të një rëndësie themelore për njësimin, sigurinë dhe/ose zhvillimin e praktikës gjyqësore;
§ kur vendimi i ankimuar është i ndryshëm ose vjen në kundërshtim me praktikën gjyqësore të Kolegjit përkatës ose të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë;
§ për shkelje të rënda të normave procedurale me pasojë pavlefshmërinë e vendimit, të procedurës së gjykimit, pavlefshmërinë absolute të akteve ose papërdorshmërinë e provave, sipas ligjit.
Depozitimi i rekursit
§ Rekursi depozitohet në gjykatën që ka dhënë vendimin (pra Gjykata Administrative e Apelit dhe jo në gjykatën administrative të shkallës së parë.
§ Rekursi hartohet sipas formatit të miratuar nga Këshilli i Gjykatës së Lartë. Në çdo rast, rekursi duhet të përmbajë jo vetëm shkaqet për te cilat kundërshtohet vendimi i dhënë, por edhe argumentet që mbështesin pretendimin se ekzistojnë domosdoshmërisht shkaqet për rekurs që ligji përcakton shprehimisht.
Jo vetëm rekursi por të gjitha kërkesat e tjera duhet të nënshkruhen nga.
REKURS ÇËSHTJET CIVILE DHE ADMINISTRATIVE
BRENDA 30 DITËVE REKURS
Rekursi së bashku me dokumentet e tjera të nevojshme të parashikuara në ligj depozitohet në sekretarinë e gjykatës që ka dhënë vendimin brenda 30 ditësh nga njoftimi i vendimit. Rekursuesi ka disa mundësi për të plotësuar/korrigjuar të metat e rekursit:
§ Kur rekursi nuk plotëson kushtet e parashikuara në ligj (pra nuk është nënshkruar ose nuk është paraqitur në përputhje me kërkesat ligjore), njoftohet rekursuesi për të plotësuar të metat e rekursit;
§ Afati për të plotësuar/korrigjuar të metat është 5 ditë;
§ Plotësimi ose jo i të metave vendoset nga gjyqtari i vetëm.
Në rast se rekursuesi nuk plotëson ose korrigjon të metat brenda afatit, gjyqtari vendos kthimin e rekursit. Kundër vendimit të gjyqtarit për kthimin e rekursit nuk bëhet rekurs.
Kur të metat e rekursit janë plotësuar në afatin caktuar, rekursi konsiderohet formalisht i rregullt dhe i regjistruar në datën e depozitimit në gjykatë.
ÇËSHTJET PENALE
BRENDA 45 DITËSH
Rekursi së bashku me dokumentet e tjera të nevojshme të parashikuara në ligj depozitohet në sekretarinë e gjykatës që ka dhënë vendimin brenda 45 ditësh nga njoftimi i vendimit.
§ Kur rekursi ka të meta, Gjykata e Lartë njofton palën për të plotësuar të metat e rekursit.
§ Në rast se rekursuesi nuk plotëson ose korrigjon të metat, Kolegji Penal vendos mospranimin e rekursit.
§ Kur të metat e rekursit janë plotësuar, rekursi konsiderohet formalisht i rregullt dhe i regjistruar në datën e depozitimit në gjykatë.
MËNYRA E SHQYRTIMIT (DHOMË KËSHILLIMI/ SEANCË GJYQËSORE)
Si rregull, shqyrtimi i çështjes bëhet në dhomë këshillimi mbi bazë dokumentesh, pa praninë e palëve. Për rrjedhojë gjykimi në seancë publike bëhet në raste të veçanta kur:
a) Çështja paraqet rëndësi nga pikëpamja e së drejtës për njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore;
b) Vlerësohet e nevojshme nga kolegji thirrja dhe dëgjimi i palëve për shkak të problematikës ose kompleksitetit të çështjes.
c) Shqyrtohet rekursi ndaj vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit lidhur me ligjshmërinë e aktit nënligjor normativ. Vendimi për shqyrtimin e çështjes në seance gjyqësore merret në dhomë këshillimi nga kolegji përkatës i përbërë nga 3 gjyqtarë.
Afati i shqyrtimit në çështjet civile është 60 ditë nga depozitimi i rekursit.
Afati i shqyrtimit në çështjet administrative është 90 ditë nga data e ardhjes së rekursit.
Afati për shyqrtimin e rekursit ndaj vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit lidhur me gjykimin e aktit nënligjor normativ, është 45 ditë.
Afati i shqyrtimit në çështjet penale është jo më vonë se 2 muaj nga momenti i rregjistrimit në sekretarinë gjyqësore.
Data dhe ora e shqyrtimit të çështjes në dhomë këshillimi vendoset nga gjyqtari relator, ndryshe nga më parë kur caktohej nga kryetari i kolegjit. Po kështu, tashmë palët mund të kërkojnë me shkrim pranë gjyqtarit relator përshpejtimin e shqyrtimit të çështjes për shkaqe veçanërisht të rënda dhe të motivuara, kur një gjë e tillë nuk vjen në kundërshtim me ligjin.
Njoftimi për shqyrtimin
Data, ora, si dhe përbërja e trupit gjykues që shqyrton rekursin bëhet me njoftim individual, kur palët ose përfaqësuesit e tyre kane lënë të dhënat e tyre elektronike të kontaktit në shkallët e tjera të gjykimit, si dhe me shpallje në mjediset dhe faqen e zyrtare të internetit të Gjykatës së Lartë. Një tjetër parashikim i ri ligjor është edhe rrethana kur Gjykata e Lartë vë në themel të vendimit çështje ligjore, të cilat merren në shqyrtim kryesisht dhe palët nuk i kanë debatuar më parë.
Në këto raste:
§ urdhërohet njoftimi i palëve, i cili kryhet sipas rregullave te përgjithshme;
§ u caktohet palëve një afat për depozitimin në sekretari të parashtresave mbi atë çështje të së drejtës;
§ vetëm më pas procedohet me shqyrtimin e çështjes.
Heqja dorë nga rekursi
Pala mund të heqë dorë nga rekursi derisa kolegji përkatës apo Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë nuk janë tërhequr për vendim. Heqja dorë bëhet me shkrim, e nënshkruar nga vetë pala ose avokati i saj, i pajisur me prokurë për këtë qëllim.
Njësimi ose ndryshimi i praktikës gjyqësore
Njësimi i praktikës gjyqësore mund të iniciohet nga kolegji përkatës, kryesisht ose me kërkesë të palëve.
Ndryshimi i praktikës gjyqësore mund të inicohet nga kolegji ose Kryetari i Gjykatës së Lartë, kryesisht ose me kërkesë të palëve.
Vendimi i kolegjit dhe/ose Kolegjeve të Bashkuara për njësimin ose ndryshimin e praktikës gjyqësore është i detyrueshëm për të gjithë gjykatat në gjykimin e çështjeve të ngjashme. Këto vendimeve botohen në Fletoren Zyrtare.
§ Kur është rasti, Gjykata e Lartë mund të kërkojë mendim me shkrim nga Avokatura e Shtetit, si dhe nga persona juridikë publikë ose privatë që çmohet se kanë njohuri të posaçme për çështjet ligjore të shtruara për njësim ose ndryshim të praktikës gjyqësore. Caktohet një afat brenda të cilit mund të paraqitet mendimi, në çdo rast jo më pak se 14 ditë. Mendimet me shkrim nuk janë detyruese dhe publikohen në faqen elektronike të Gjykatës së Lartë.
Procedimet paragjykimore
Procedurat paragjykimore përfshijnë rastet kur gjatë shqyrtimit të çështjes kolegji ose Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, në dhomë këshillimi ose në seancë gjyqësore, mund të vendosin t’i drejtohen GjEDNJ-së ose gjykatave të tjera ndërkombëtare sipas detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet ndërkombëtare të rati kuara nga Republika e Shqipërisë.
Në këto raste, kolegji ose Kolegjet e Bashkuara vendosin pezullimin e shqyrtimit të çështjes. Vendimi i pezullimit zgjat deri në marrjen e vendimit nga gjykata ndërkombëtare.
Llojet e vendimeve
Është zgjeruar gama e disponimeve të Gjykatës dhe është unifikuar vendimmarrja në çështjet civile, penale dhe administrative. Kolegji përkatës ose Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, pas shqyrtimit të çështjes, mund të vendosë:
§ mospranimin e rekursit, në rastet kur është bërë për shkaqe të ndryshme nga ato që parashikon ligji;
§ prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës të shkallës së parë;
§ prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në këtë gjykatë me tjetër trup gjykues;
§ prishjen e vendimeve të gjykatës së apelit dhe të gjykatës të shkallës së parë dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në shkallë të parë, kur vendimi jopërfundimtar i gjykatës së shkallës së parë është marrë në kundërshtim me ligjin dhe kjo shkelje nuk është konstatuar nga gjykata e apelit;
§ prishjen e vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhe të gjykatës së apelit dhe pushimin e gjykimit të çështjes;
§ ndryshimin e vendimit të shkallës së parë dhe të vendimit të gjykatës së apelit dhe zgjidhjen përfundimisht të çështjes, kur zbatimi i ligjit procedural apo material nuk diktohet nga nevoja për rishqyrtimin dhe rivlerësimin e fakteve apo të provave të çështjes;
§ lënien në fuqi të vendimit të apelit.
§ Vlen të theksohet që parashikimi i “ndryshimit të vendimit të shkallës së parë dhe të vendimit të gjykatës së apelit dhe zgjidhjen përfundimisht të çështjes” nuk duhet kuptuar si një vendimmarrje që e “shndërron Gjykatën e Lartë në një gjykatë fakti”. Kjo lloj vendimmarrje duhet kuptuar si një drejtë e kufizuar e Gjykatës për të zgjidhur përfundimisht çështjen me qëllim shmangien e zvarritjeve të panevojshme të qytetarëve në kërkim të drejtësisë. Prandaj, në raste përjashtimore, pa qenë e nevojshme marrja e provave të reja ose rishqyrtimi apo rivlerësimi i tyre, me qëllim zbatimin e njësuar të ligjit material ose procedural, çështja zgjidhet në një mënyrë të ndryshme nga sa është vendosur nga gjykatat më të ulta.
Kur Gjykata vendos dërgimin e çështjes për rigjykim, në vendim përcaktohet se cila pjesë e vendimit ose gjykimit të faktit prishet dhe për cilën pjesë të mosmarrëveshjes duhet të zhvillohet rigjykimi.
Njoftimi i vendimeve
Mosnjoftimi i vendimeve të Gjykatës ka qenë një problematikë që gjeti zgjidhje me ndryshimet e reja ligjore. Afati i njoftimit për vendimet civile dhe administrative është 3 ditë nga marrja e vendimit ose në rast se vendimi i arsyetuar shpallet më vonë, brenda tre ditëve pas shpalljes së vendimit të arsyetuar.
Vendimi për shfuqizimin e aktit nënligjor normativ, pas përfundimit të gjykimit në Gjykatën e Lartë, publikohet i plotë në të njëjtën mënyrë me atë të parashikuar nga legjislacioni në fuqi për botimin e aktit.
Depozitimi i rekursit
Depozitimi i rekursit në gjykatën që ka dhënë vendimin dhe nënshkrimi i tij vetem nga avokati.
Ndryshimet e fundit përcaktojnë tashmë më qartë detyrimin për nënshkrimin e rekursit vetëm nga avokati, si dhe depozitimin e tij në gjykatën që ka dhënë vendimin dhe jo direkt në Gjykatën e Lartë.
Ligjvënësi ka parashikuar të drejtën dhe detyrimin primar të gjykatës që ka dhënë vendimin, për të vlerësuar nëse rekursi plotëson kushtet për t’u shqyrtuar nga Gjykata e Lartë. Dosja gjyqësore dhe rekursi i verifikuar nga gjykata më e ulët, pasi është garantuar njoftimi i tij dhe paraqitja e kundërrekursit nga pala kundërshtare, kalon për gjykim në Gjykatën e Lartë, në të cilën i nënshtrohet një tjetër verifikimi të kushteve formale nga gjyqtari i vetëm i kësaj Gjykate.
Kjo është një procedurë që vlerësohet se i shërben më mirë ekonomizimit të procesit gjyqësor, si dhe rritjes së efektivitetit të gjykimit.