Procedurat dhe rregullat e ndarjes së çështjeve me short

1. Çështjet gjyqësore, me paraqitjen në gjykatë, regjistrohen menjëherë në sistemin elektronik të menaxhimit të çështjeve nga sekretaria gjyqësore, sipas kategorive të sistemit, nën mbikëqyrjen e kryesekretarit dhe kancelarit.

2. Kryetari i Gjykatës merr masa për organizmin e ndarjes së çështjeve gjyqësore nëpërmjet shortit elektronik, duke përcaktuar orën në të cilën realizohet procedura e shortit elektronik. Vendimi publikohet në faqen zyrtare të internetit të gjykatës.

3. Ndarja e çështjeve me short, si rregull, realizohet çdo ditë pune në rrugë elektronike me anë të sistemit të menaxhimit të çështjeve gjyqësore.

4. Në rast pamundësie të realizimit të shortit brenda ditës së punës, çështjet e regjistruara shortohen jo më vonë se dita e nesërme e punës.

5. Në short përfshihen të gjitha çështjet e regjistruara në sistemin e menaxhimit të çështjeve deri në momentin e orës së publikuar të shortit.

6. Procesi i shortimit për ndarjen e çështjeve realizohet në sallë gjykimi dhe shfaqet në kohë reale në monitorët e vendosur në ambientet e hyrjes së gjykatës për aq sa është e mundur.

7. Raporti i shortimit është publik dhe pasqyrohet menjëherë në faqen zyrtare të internetit të gjykatës.

8. Shorti elektronik cakton gjyqtarin e çështjes, i cili është kryetari i trupit gjykues ose gjyqtarin relator, në rastet kur çështja gjykohet me trup gjykues.

9. Çështjet gjyqësore u ndahen në mënyrë të barabartë gjyqtarëve, sipas organizimit të brendshëm të gjykatës.

10. Barazia në ndarjen e çështjeve nënkupton ndarjen në numër të barabartë mes gjyqtarëve të seksionit përkatës, të çështjeve të regjistruara për short, pavarësisht nga ngarkesa individuale e çdo gjyqtari në kohën e hedhjes së shortit.

11. Në çështjet penale me të mitur në konflikt me ligjin ose të mitur viktimë nga vepra penale, shorti për caktimin e gjyqtarit të çështjes, hidhet ndërmjet gjyqtarëve të 3 seksionit përkatës. Në mungesë të këtij të fundit, shorti hidhet ndërmjet gjyqtarëve të caktuar për gjykimin e këtyre çështjeve penale.

12. Tërësia e veprimeve të shortimit në sistemin elektronik të menaxhimit të çështjeve dokumentohet dhe vendoset në çdo rast në dosjen gjyqësore dhe bëhet pjesë përbërëse e saj.

13. Kancelari i gjykatës mbikëqyr procesin e shortimit dhe nënshkruan kalimin e praktikës së regjistrimit të çështjes, sipas formës standarde bashkëlidhur kësaj rregulloreje.

14. Ndarja e çështjeve gjyqësore me short pezullohet gjatë procesit të mbartjes së dosjeve si dhe gjatë lejes vjetore në muajin gusht. Afati i pezullimit përcaktohet me vendim të arsyetuar të Kryetarit të Gjykatës.

 

Për më tepër konsultohuni me vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor bashkëlidhur