MEDI BICI

Anëtar i Gjykatës së Lartë
 

Medi Bici ka lindur në qytetin e Durrësit, është i martuar dhe ka tre fëmijë. Në vitin 1994 është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës me rezultate shumë të mira. Më pas ka kryer edhe dy studime pasuniversitare, njërin prej të cilëve e ka përfunduar me medalje ari. Ka një karrierë prej më shumë se 25 vjetësh në sistemin e drejtësisë, duke filluar që në vitin 1993 si nd/gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Pas diplomimit në vitin 1994 është emëruar në detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, të cilën e ka kryer për afro dhjetë vjet rrjesht, ndërsa në periudhën 2004-2010 ka kryer detyrën e gjyqtarit, pranë Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda.

Me Dekretin nr. 6579, datë 25.05.2010 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë është emëruar Anëtar i Gjykatës së Lartë, detyrë të cilën e ka kryer deri me datën 12.12.2018, kohë kur nga Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë e ka zgjedhur si Anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, për një mandat tre vjeçar. Në periudhën Janar-Dhjetor 2019 ka qenë njëkohësisht edhe anëtar zëvendësues në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

Gjatë karrierës së tij si gjyqtar, ka kryer shumë trajnime dhe vizita pune në vende të ndryshme. Kështu në muajin Maj të vitit 1997 ka kryer një trajnim afat shkurtër për të Drejtën e Punës, në Universitetin e Gjenevës Zvicër. Më pas ka qenë në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe të Gjykatën e Apelit në Kopenhagen Danimarkë (Shtator 2000), në Pragë Çeki (Dhjetor 2006), në Gjykatën Europiane të të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut në Strasburg Francë (Qershor 2013), në Gjykatën e Lartë të SHBA-ve në Ëashington D.C (Tetor 2013), në Gjykatën e Lartë të Shtetit të Ëashingtonit dhe Gjykatën e Lartë të Shtetit Minesotas SHBA (Tetor 2013), në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Shtutgard dhe Gjykatën Administrative të Apelit Manhain Gjermani (Dhjetor 2014), në Fondacionin “Konrad Adenhauer” Komo Itali (Korrik 2015), në Gjykatën e Shkallës së Parë Lugano Zvicër (Korrik 2015), në Gjykatën Europiane të Drejtësisë në Luksemburg (Tetor 2016), në Gjykatën e Lartë të Apelit në Laipsig Gjermani (Mars 2017), në Këshillin e Lartë të Shtetit në Ankara Turqi (Tetor 2018), etj.. Edhe në kuadrin e trajnimeve vazhduese në Shkollën e Magjistraturës ka kryer shumë trajnime në fushat e të drejtës civile, administrative dhe penale, ku krahas Shkollës së Magjistraturës organizator të këtyre trajnimeve kanë qenë edhe DANIDA, Fondacioni IRZ, ABA CEELI, Fondacioni “SOROS”, USAID, PAMEKA, UNICRI, OSCE, OSBE, OPDAT, IOM, Universiteti i Napolit Itali, etj. Gjatë vitit 2019 ka qenë trajnues në dy seminare zhvilluara nga Shkolla e Magjistraturës në fushat administrative dhe penale, etj....