NJOFTIM- VENDIM PËR ZHVILLIM DHE NJËSIM TË PRAKTIKËS GJYQËSORE - 23.7.2026

Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në datë 23.07.2026, mori në shqyrtim në dhomë këshillimi çështjen administrative nr. 31003-00717-2026 akti, që u përket palëve: Kërkues - Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Lushnjë, Objekt - Parashtrimin e qëndrimit mbi kompetencën lëndore përpara Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, Ankues – L. K., me Objekt - Anulimin e veprimit përmbarimor të përmbaruesit  gjyqësor privat B. Sh., pranë Zyrës Përmbarimore “.......” sh.p.k., etj..”.

Gjatë shqyrtimit, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerësoi se çështja në shqyrtim paraqet njëkohësisht nevojën për zhvillimin e praktikës gjyqësore dhe për njësimin e saj. Zhvillimi i praktikës kërkon sqarimin e një çështjeje procedurale të patrajtuar më parë në jurisprudencën e Gjykatës së Lartë, që lidhet me mundësinë e gjykatës së cilës çështja i është dërguar për rigjykim nga një gjykatë më e lartë për të ngritur mosmarrëveshje kompetence. Ndërsa njësimi i praktikës kërkohet për shkak të ekzistencës së qëndrimeve të ndryshme lidhur me kriterin përcaktues të kompetencës lëndore për shqyrtimin e ankimit kundër vendimit të përmbaruesit gjyqësor për vendosjen e gjobës sipas nenit 606 të Kodit të Procedurës Civile.

Për rrjedhojë, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë çmon se është e nevojshme të nisë procedurën për zhvillimin e praktikës gjyqësore lidhur me rastin kur, pasi një gjykatë  më e lartë, ka prishur vendimin dhe e ka dërguar çështjen për rigjykim në një gjykatë të një juridiksioni tjetër, gjykata së cilës i është dërguar çështja çmon t’i drejtohet Gjykatës së Lartë për rregullimin e kompetencës. Meqenëse në jurisprudencën e Gjykatës së Lartë nuk rezulton të jetë trajtuar më parë kjo çështje procedurale, Kolegji çmon se ajo duhet të shqyrtohet në funksion të zhvillimit të praktikës gjyqësore.

Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë konstaton gjithashtu se, në çështjet që lidhen me kundërshtimin e vendimit të përmbaruesit gjyqësor për vendosjen e gjobës sipas nenit 606 të Kodit të Procedurës Civile, janë mbajtur qëndrime të ndryshme lidhur me përcaktimin e kompetencës lëndore. Sipas njërit qëndrim, kompetenca përcaktohet nga natyra e funksionit publik të ushtruar nga përmbaruesi gjyqësor gjatë vendosjes së sanksionit, ndërsa sipas qëndrimit tjetër, nga natyra e procedurës së ekzekutimit të detyrueshëm dhe e titullit ekzekutiv që vihet në ekzekutim (vendimet nr. 00-2020-830, datë 23.11.2020; nr. 00-2024-792, datë 29.02.2024; nr. 00-2025-670, datë 13.02.2025, të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë).

Për këto arsye, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 12, pika 3, në nenin 62, pika 1, shkronja “b” të ligjit nr. 62/a të ligjit nr. 49/2012 “Për Gjykatat Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative” (i ndryshuar), vendosi:

1. Kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë gjyqësore më datë 06.10.2026, ora 10:00, me trup gjykues të përbërë nga pesë gjyqtarë, me qëllim zhvillimin dhe njësimin e praktikës gjyqësore.

2. Në funksion të zhvillimit të praktikës gjyqësore, shtrohet për zgjidhje çështja e mëposhtme:
A. Kur Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka prishur vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe e ka dërguar çështjen për rigjykim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, duke përcaktuar se kjo e fundit ka kompetencën lëndore për shqyrtimin e saj, a ka të drejtë Gjykata Administrative e Shkallës së Parë të ngrejë pranë Gjykatës së Lartë mosmarrëveshje për kompetencën?

3. Në funksion të njësimit të praktikës gjyqësore shtrohet për zgjidhje çështja e mëposhtme:
B. Për përcaktimin e kompetencës lëndore për shqyrtimin e ankimit kundër vendimit të përmbaruesit gjyqësor për vendosjen e gjobës sipas nenit 606 të Kodit të Procedurës Civile, a është kriter përcaktues natyra e funksionit publik të ushtruar nga përmbaruesi gjyqësor dhe e sanksionit të vendosur prej tij, apo natyra e procedurës së ekzekutimit të detyrueshëm dhe e titullit ekzekutiv në kuadër të të cilit është vendosur gjoba?

4. Njoftimin e palëve ndërgjyqëse për kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë gjyqësore.