Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në datën 12.03.2026, mori në shqyrtim në dhomë këshillimi çështjen administrative me nr. 31003-00404-00-2025 akti, që i përket palëve: Paditës: E.L., I paditur: Këshilli i Lartë Gjyqësor, Objekti: Shfuqizimin pjesërisht të vendimit nr. 694, datë 26.11.2024 “Për fillimin e procedurës së verifikimit të kritereve ligjore të kandidimit për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm për pozicionet e lira në fushën e të drejtës civile të shpallura me vendimet nr. 635 - nr. 646 datë 31.10.2024 dhe në fushën e të drejtës penale të shpallura me vendimet nr. 647 - nr. 654, datë 31.10.2024
të Këshillit të Lartë Gjyqësor”. Detyrimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor që të përfshijë kandidaten E.L., në procedurën e ngritjes në detyrë për pozicionin nr. 645, datë 31.10.2024.
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në bazë të neneve 58, 62(b), 62/a të ligjit nr. 49/2012 "Për Gjykatat Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative" (i ndryshuar), vendosi: Kalimin e çështjes administrative nr. 3100300404-00-2025 akti, datë regjistrimi 29.05.2025, për shqyrtim në seancë gjyqësore nga Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga 5 gjyqtarë.
Çështja e shtruar për njësimin e praktikës gjyqësore në gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative:
• Referuar parashikimit të neneve 43(5) dhe 48(6) të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, kufizimi i kandidimit të magjistratit për jo më shumë se tri pozicione të lira, që janë në proces, a zbatohet kumulativisht për të dy procedurat e zhvillimit të karrierës, (lëvizjen paralele dhe ngritjen në detyrë), apo veçmas për secilën prej tyre??
• Seanca gjyqësore caktohet në datën 12.05.2026, ora 10:00 dhe palët do njoftohen për datën dhe orën e gjykimit nga sekretaria gjyqësore.

Gjykata e Lartë