Njoftim për njësim të praktikës gjyqësore - 21.7.2026

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në datën 21.07.2026, mori në shqyrtim në dhomë këshillimi çështjen penale me Nr. Regj. Them. 51091-00556-00-2025 që u përket palëve: Kërkues - Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Kundër – Të gjykuar: E.D., etj., Akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i  detyrës”, i parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal.

Në mbështetje të nenit 141/1 të Kushtetutës, njësimi dhe zhvillimi i praktikës gjyqësore përbën funksionin kryesor kushtetues të Gjykatës së Lartë. Duke qenë se çështja paraqet rëndësi nga pikëpamja e së drejtës, Kolegji vlerëson se çështja duhet të shqyrtohet në seancë gjyqësore me trup gjykues prej pesë gjyqtarësh, me qëllim njësimin e praktikës gjyqësore dhe përcaktimin e standardeve të qarta lidhur me çështjen e parashtruar në pjesën urdhëruese të këtij vendimi. Për këto arsye, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, bazuar në nenin 438 të Kodit të Procedurës Penale, vendosi: 

1. Kalimin e çështjes penale nr. 51091-00556-00-2025 datë regjistrimi 12.09.2025, për shqyrtim në seancë gjyqësore me qëllim njësimin e praktikës gjyqësore në lidhje me çështjen:

a.       “Në kuptim të nenit 248 të Kodit Penal, shprehja 'në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës', a i përfshin edhe veprimet ose mosveprimet e kryera në kundërshtim me rregullat e përcaktuara nga aktet nënligjore, të nxjerra në bazë dhe për zbatim të ligjit?"