Gjykata e Lartë njofton fillimin e procedurës për zgjedhjen e Kryetarit të Gjykatës së Lartë, në zbatim të nenit 51, të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe të vendimit nr. 485, datë 21.09.2023, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, “Për miratimin e rregullave për zgjedhjen e Kryetarit të Gjykatës së Lartë”.
Procedura fillon në respektim të afatit 60-ditor, duke qenë se mandati trevjeçar i Kryetarit aktual, të zgjedhur më 17.10.2023, përfundon më 17.10.2026.
Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë që plotësojnë kriteret ligjore dhe dëshirojnë të kandidojnë për funksionin e Kryetarit mund të paraqesin shprehjen e interesit nga data e publikimit të njoftimit dhe jo më vonë se data 11.09.2026, së bashku me dokumentacionin e përcaktuar në vendimin nr. 485, datë 21.09.2023, të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Procedura e zgjedhjes do të përfundojë përpara mbarimit të mandatit të Kryetarit aktual, me qëllim që Kryetari i ri i Gjykatës së Lartë të fillojë ushtrimin e detyrës më 18.10.2026, duke garantuar vijimësinë institucionale.

Gjykata e Lartë