Studentë të Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit Europian të Tiranës, në bashkëpunim me Gjykatën e Lartë organizuan një praktikë mësimore në ambientet e gjykatës.

Studentë të Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit Europian të Tiranës, në bashkëpunim me Gjykatën e Lartë organizuan një praktikë mësimore në ambientet e gjykatës, dhe ndoqën një “Orë të Hapur” me gjyqtarin i cili ushtron detyrën e ndihmës magjistratit në këtë gjykatë Z. Elton Frashëri dhe juristin e Qendrës së Dokumentacionit Z. Oltion Musaj.
Studentët zhvilluan një orë mësimore, pasi kanë përfunduar ciklin e leksioneve në lëndën e procedurës civile dhe administrative, e cila kësaj herë u zhvillua ndryshe nga një orë e zakonshme në auditor. Diskutimi u fokusua në tema me interes mbi historikun e sistemit të drejtësisë dhe gjyqësorit në Shqipëri, mbi ndarjen e pushteteve, ndryshimet ligjore dhe veçanërisht në organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë. 


"Dita e Hapur në Gjykatën e Lartë", është konceptuar si një ditë dialogu mes nxënësve të të gjitha moshave, studentëve dhe gjyqtarëve. Gjatë kësaj dite gjyqtarët i përgjigjen me detaje çështjeve apo pyetjeve të shtruara nga të ftuarit, bëjnë një panoramë të sistemit gjyqësor në Shqipëri dhe testojnë njohuritë e përgjithshme të nxënësve dhe studentëve mbi sistemin gjyqësor, trajtimin e temave të ndryshme me interes sipas grupeve që vizitojnë gjykatën, si edhe vizita në ambjente të ndryshme të godinës, sallave të gjyqeve, sallës së mbledhjes së gjyqtarëve, etj.


Kushdo që ka interes për të vizituar Gjykatën e Lartë, (qytetarë, studentë, nxënës shkollash) duhet të regjistrohet në faqen zyrtare të kësaj gjykate www.gjykataelarte.gov.al/sq/akreditimi  ku do të vendosë emrin dhe mbiemrin, adresën e emailit, si edhe një tekst të shkurtër mbi arsyen apo qëllimin e vizitës. Më pas stafi organizator, Drejtoria e Marrëdhënieve me Publikun, Median dhe me Jashtë, do të marrë të gjitha masat e nevojshme për organizimin e vizitës.
Duke shpresuar se kjo mundësi do të shërbejë për të arritur qëllimin tonë, për një gjykatë më pranë publikut, më transparente dhe miqësore, ftojmë të gjithë të interesuarit të bëhën pjesë e saj.