German Association of Judges (Shoqata Gjermane e Gjyqtarëve), viziton Gjykatën e Lartë

Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë, sot, ka patur vizitorë një grup shumë special të përbërë nga gjyqtarë dhe prokurorë të disa niveleve të organizuar nga German Association of Judges (Shoqata Gjermane e Gjyqtarëve). 
Të ndodhur prej disa ditësh në Tiranë, gjyqtarët dhe prokurorët gjermanë shprehën dëshirën për të vizituar Gjykatën e Lartë dhe për t'u takuar me kolegët e tyrë shqiptarë dhe pjesë të stafit të gjykatës. 
Miqtë gjermanë vizituan nga afër ambjentet e gjykatës dhe ndoqën një Orë të Hapur diskutimi, në Sallën e Kolegjeve të Bashkuara, me Zëvendëskryetarin e Gjykatës së Lartë Z. Ilir Panda, gjyqtarin Sokol Ngresi, gjyqtaren e cila ushtron detyrën e ndihmës magjistrates Zj. Alda Sadiku dhe juristin e Qendrës së Dokumentacionit Z. Oltion Musaj. 
Takimi i organizuar në formën e një bashkëbisedimi, u fokusua në tema me interes për historinë e sistemit të drejtësisë dhe gjyqësorit në Shqipëri, ndarjen e pushteteve, ndryshimet ligjore dhe veçanërisht në organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë. 
Deutscher Richterbund (DRB), (Shoqata Gjermane e Gjyqtarëve) është shoqata më e madhe profesionale e gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë në Gjermani. E themeluar në vitin 1909, ajo sot numëron më shumë se 15,000 anëtarë.