Në kuadër të nismës “Dita e Hapur në Gjykatë”, një traditë që synon të afrojë studentët me sistemin e drejtësisë, Gjykata e Lartë mirëpriti sot studentët e Fakultetit të Drejtësisë nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë.
Vizita u zhvillua në kuadër të njohurive dhe leksioneve mbi të Drejtën Publike, si pjesë e përpjekjeve për të lidhur teorinë me praktikën dhe për t’u ofruar studentëve një përvojë konkrete mbi funksionimin e sistemit gjyqësor.
Studentët u pritën nga magjistrati Renis Sheshi dhe specialistja e Qendrës së Dokumentacionit, Edis Mustafa, të cilët ndanë me ta aspekte të rëndësishme të veprimtarisë së Gjykatës, organizimit të brendshëm dhe rolit të saj në garantimin e interpretimit dhe zbatimit të njëtrajtshëm të ligjit.
Takimi u shoqërua me diskutime të hapura dhe pyetje nga studentët, duke e kthyer këtë vizitë në një moment të vlefshëm reflektimi dhe frymëzimi për të ardhmen e tyre profesionale.

Gjykata e Lartë



