Vizita e delegacionit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Gjykatën e Lartë

DREJTORIA E MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN (MEDIAN) DHE ME JASHTË

Një delegacion me gjyqtarë dhe prokuror të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili ndodhet prej disa ditësh në Tiranë, ka zhvilluar një takim në mjediset e Gjykatës së Lartë. Delegacioni i përbërë nga Trina Higgins, Prokurore e SHBA-së për Distriktin e Utah, Kryegjyqtarin Robert Shelby nga Gjykata e Qarkut të Utah dhe gjyqtaren Paige Petersen e Gjykatës së Lartë të Utah, u pritën në një takim të vecantë nga Kryetari i Gjykatës së Lartë z. Sokol Sadushi dhe anëtarët z. Ilir Panda, z. Artur Kalaja, zj. Albana Boksi, z. Asim Vokshi dhe zj. Margarita Buhali. 
 

Bisedimet gjatë takimit u përqëndruan në organizimin dhe funksionimin e sistemit gjyqësor, sfidat e përbashkëta me të cilat përballen gjyqtarët, pavarësisht vendit ku e ushtrojnë detyrën e tyre, arritjet dhe përpjekjet e vazhdueshme për të dhënë drejtësi dhe për të qenë sa më transparent, duke ruajtur pavarësinë dhe integritetin gjyqësor. 
 

Z. Sadushi vlerësoi kontributin e deritanishëm të qeverisë së SHBA, për të asistuar Gjykatën e Lartë në uljen e numrit të çështjeve te prapambetura, rezultatet e së cilës sot janë mjaft të dukshme dhe të mirëpritura nga publiku shqiptar. Ai gjithashtu shprehu dëshirën për një rritje të shkëmbimit profesional mes gjyqësorit të të dy vendeve, si një nga mënyrat për të marrë përvojat më të mira dhe efikase në drejtim të administrimit të drejtësisë, sipas zhvillimeve më të fundit të teknologjisë së informacionit.


Për kontakt: Ida Vodica Laska
Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun (Median) dhe me Jashtë
Email: ida.vodica@gjykataelarte.gov.al
www.gjykataelarte.gov.al