Tryezë e përbashkët e gjyqtarëve, me rastin e 10 Majit, Ditës Kombëtare të Drejtësisë.

DREJTORIA E MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN (MEDIAN) DHE ME JASHTË

Me rastin e Ditës Kombëtare të Drejtësisë, 10 maj 2024, Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë, në 111 vjetorin e krijimit të saj, në vazhdën e aktiviteteve të organizuara me këtë rast, mblodhi në një tryezë të përbashkët pjesëmarrës nga trupa e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, gjykatave të apelit, të gjykatave të shkallës së parë, si dhe anëtarë gjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Konceptuar në formën e një tryezë diskutimesh mes kolegësh, me temën: Dialog mes gjyqtarëve, në funksion të mirëadministrimit të drejtësisë”, të pranishmit u fokusuan kryesisht në trajtimin e marrëdhënieve mes gjykatave dhe organeve të qeverisjes së sistemit si edhe në kontrollin rishikues të vendimeve gjyqësore, çështje që lidhen ngushtësisht me administrimin e drejtësisë, si një shqetësim jo vetëm i gjyqtarëve, por i të gjithë shoqërisë shqiptare.
Në fjalën e tij, Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Sokol Sadushi, duke u kthyer pas në kohë, renditi problematikat dhe sfidat më të cilat u përball trupa prej tre gjyqtarësh emëruar në prill të vitit 2020. Ai theksoi: “Megjithëse Gjykata e Lartë ka një përmirësim të ndjeshëm të situatës post-reformë, falë punës dhe angazhimit maksimal të gjyqtarëve dhe stafit administrativ, por edhe Këshillit të Lartë Gjyqësor që ka plotësuar numrin e gjyqtarëve dhe gradualisht po vijon edhe me këshilltarët e stafin administrativ, ajo vijon të ketë pamjaftueshmëri të burimeve njerëzore, materiale dhe financiare. Në fakt, kjo është situata në të gjitha gjykatat e Republikës, që do ta konsideroja problematike, në mos edhe kritike, për shkak të nivelit të performancës së administrimit të drejtësisë, mangësive në kryerjen e analizës dhe të diagnostikimit të problemeve, mungesës së vizionit në planifikimin strategjik për të kuptuar se çfarë duhet bërë, por edhe për të ndërgjegjësuar pushtetet e tjera se në çfarë gjendje ndodhemi dhe se ku duhet të shkojmë.”
Duke vendosur theksin mbi thelbin e administrimit të drejtësisë, Z. Sadushi u shpreh se kjo konsiston në premtimin për një drejtësi të barabartë para ligjit dhe respektimin e garancive kushtetuese që kërkon një proces i rregullt. Kjo e bën të domosdoshme nevojën e gjykatave për mirëmenaxhim, që nuk mund t’ia japin gjyqtarët e mbingarkuar me një vëllim çështjesh në rritje drastike. “Ne kemi nevojë për një trupë administratorësh të aftë për të menaxhuar dhe drejtuar, në mënyrë që gjyqtarët të përqendrohen në detyrën parësore, të gjykuarit. Gjykatat nuk mund të kryejnë siç duhet misionin e tyre, nëse struktura, qeverisja, vizioni strategjik, programet dhe veprimet që ndërmerren, nuk krijojnë një perceptim të merituar në publik se gjyqësor është i përgjegjshëm”.
Tre drejtimet kryesore, që evidentojnë mirë apo keq administrimin e drejtësisë, sipas drejtuesit të Gjykatës së Lartë, janë: mangësi të theksuara në infrastrukturë, mungesa të ndjeshme në burime njerëzore dhe trajtimi i buxhetit financiar.
Në lidhje me situatën aktuale, mbingarkesën me dosje gjyqësore të gjykatave dhe infrastrukturën e munguar, Z. Sadushi u shpreh: “Referuar problematikave të shumta, në të cilat gjendet sistemi, nuk rezulton të jetë kryer ndonjë planifikim strategjik për mirëfunksionimin e gjykatave dhe miradministrimin e proceseve gjyqësore. Duket sikur ecim në një rrugë pa krye, në pritje se çfarë mund të bëjnë të tjerët për gjyqësorin. Megjithatë, është vendi dhe momenti për të drejtuar gishtin nga vetja, pasi të gjithë Ne, ndihemi përgjegjës për mirë apo keqadministrimin e drejtësisë, por edhe për të shprehur kritika konstruktive ndaj organeve që kanë përgjegjësinë për mirëqeverisjen e sistemit”. 
Në vijim të fjalës së tij, drejtuar kolegëve pjesëmarrës, Z. Sadushi renditi edhe disa problematika me të cilat përballet sot gjyqësori shqiptar në rang vend, duke ftuar gjyqtarët të ndanin opinionet e tyre për të gjetur rrugë e mënyra të adresimit të këtyre çështjeve. 
Ju ftoj të lexoni këtu, fjalën e plotë të Kryetarit të Gjykatës së Lartë Z. Sokol Sadushi, mbajtur me rastin e 10 majit.  


 


Për kontakt: Ida Vodica Laska
Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun (Median) dhe me Jashtë
Email: ida.vodica@gjykataelarte.gov.al
www.gjykataelarte.gov.al