Sokol Sadushi i dorëzon detyrën e Kryetarit të Gjykatës së Lartë Ilir Panda

DREJTORIA E MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN (MEDIAN) DHE ME JASHTË

Në një ceremoni të zhvilluar sot në Sallën e Kolegjeve të Bashkuara, z. Sokol Sadushi i dorëzoi zyrtarisht detyrën e Kryetarit të Gjykatës së Lartë z. Ilir Panda. Në këtë moment të rëndësishëm institucional morën pjesë gjyqtarët e trupës, këshilltarët ligjorë si dhe punonjësit e administratës.

Ceremonia shënoi përmbylljen e një periudhe gjashtëvjeçare të drejtimit nga z. Sadushi, gjatë së cilës institucioni u përball me sfida të mëdha, ndërsa punoi për uljen e stokut të dosjeve, rritjen e cilësisë së vendimeve dhe forcimin e transparencës me publikun.

Në fjalën e tij, z. Sadushi falënderoi ekipin për përkushtimin dhe bashkëpunimin gjatë këtyre viteve, duke kujtuar fillimet me vetëm një gjyqtar e mijëra dosje në pritje. Duke konfirmuar se do të vijojë kontributin e tij pranë këtij institucioni si gjyqtar, ai u shpreh:

“Për mua përfundon sot detyra e kryetarit, ndërsa vijon përgjegjësia si gjyqtar i kësaj gjykate. Do të vazhdoj të punoj përkrah jush, me të njëjtin përkushtim ndaj institucionit dhe ndaj qytetarëve që presin drejtësi.”

Nga ana e tij, Kryetari i ri, z. Ilir Panda, e cilësoi marrjen e detyrës si një angazhim të lartë ndaj Kushtetutës dhe qytetarëve, duke vlerësuar punën e bërë për ringritjen e Gjykatës së Lartë. Ai nënvizoi se besimi i publikut ndërtohet përmes standardeve të larta dhe punës së përditshme, duke theksuar:

“Besimi i publikut ndërtohet përmes cilësisë së vendimmarrjes, arsyetimit të qartë e të qëndrueshëm gjyqësor, administrimit efikas të proceseve dhe përgjegjësisë institucionale.”

Kalimi i detyrës shënon vazhdimësinë e punës institucionale për garantimin e një drejtësie cilësore, të paanshme dhe të besueshme për të gjithë qytetarët.


Për kontakt: Ida Vodica Laska
Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun (Median) dhe me Jashtë
Email: ida.vodica@gjykataelarte.gov.al
www.gjykataelarte.gov.al