
DREJTORIA E MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN (MEDIAN) DHE ME JASHTË
Në vijim të bashkëpunimit të nisur më herët mes Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë dhe Gjykatës së Lartë të Mbretërisë së Holandës, u zhvillua sot workshop-i i dytë me temë “Procedura paragjykimore përpara Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian”.
Workshop-i u hap me fjalët përshëndetëse të Kryetarit të Gjykatës së Lartë z. Sokol Sadushi, Kryetares së Gjykatës së Lartë të Mbretërisë së Holandës, znj. Dineke de Groot, dhe Zëvendësambasadores së Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, znj. Asli Çetinel.
Gjatë punimeve u trajtua kuadri juridik i procedurës së vendimmarrjes paraprake sipas nenit 267 të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian, roli i gjykatave kombëtare dhe i Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, detyrimi dhe përjashtimet për paraqitjen e kërkesave për vendimmarrje paraprake, si dhe aspektet praktike të hartimit të kërkesave dhe zbatimit të vendimeve paraprake në procesin gjyqësor. Nëpërmjet diskutimeve të bazuara në raste konkrete dhe shkëmbimit të përvojës krahasuese, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë morën pjesë aktive në diskutime, duke shkëmbyer përvoja dhe pikëpamje mbi zbatimin praktik të kësaj procedure në funksion të forcimit të dialogut gjyqësor dhe kapaciteteve institucionale.
Për kontakt: Ida Vodica Laska
Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun (Median) dhe me Jashtë
Email: ida.vodica@gjykataelarte.gov.al
www.gjykataelarte.gov.al

Gjykata e Lartë






