
DREJTORIA E MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN (MEDIAN) DHE ME JASHTË
Kryetari i Gjykatës së Lartë, z. Sokol Sadushi, mori pjesë në mbledhjen e përbashkët të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, me temë vlerësimet etiko-profesionale të magjistratëve dhe masat për uljen e backlog-ut.
Në fjalën e tij, z. Sadushi theksoi se vlerësimi etik dhe profesional i magjistratëve nuk është një procedurë formale, por një mekanizëm thelbësor për meritokracinë, karrierën dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë.
Ai nënvizoi se vlerësimi në kohë ndikon drejtpërdrejt në emërimet, ngritjet në detyrë, lëvizjet paralele, transferimet, komandimet dhe delegimet e magjistratëve. Sipas tij, vonesat në këtë proces nuk janë thjesht problem administrativ, por ndikojnë në plotësimin e vakancave, në funksionimin e gjykatave dhe prokurorive, si dhe në uljen e çështjeve të prapambetura.
Kryetari i Gjykatës së Lartë u shpreh se reforma në drejtësi nuk synoi vetëm krijimin e institucioneve të reja, por ndryshimin e mënyrës se si sistemi vetëqeveriset, promovon, kontrollon dhe mban përgjegjësi. Në këtë kuptim, ai theksoi se institucionet e reja nuk mund të përsërisin dobësitë që karakterizuan sistemin para reformës.
Në fjalën e tij, z. Sadushi evidentoi edhe vonesat në plotësimin e dy vendeve vakante në Gjykatën e Lartë, duke theksuar se një gjykatë më e lartë e paplotësuar në kohë humbet kapacitet vendimmarrës dhe e ka më të vështirë të vijojë me ritmin e uljes së backlog-ut.
Në përfundim, Kryetari i Gjykatës së Lartë bëri thirrje që vlerësimi etiko-profesional të trajtohet si prioritet strategjik nga KLGJ dhe KLP, përmes një plani konkret veprimi, me afate të qarta, objektiva të matshme, përgjegjësi të përcaktuara dhe raportim periodik publik.
Mesazhet kryesore të fjalës
- Vlerësimi etik dhe profesional nuk është formalitet, por kusht për meritokraci.
- Vlerësimi i vonuar nuk i shërben në kohë karrierës së magjistratit.
- Pa vlerësim në kohë, vonohen promovimet, transferimet dhe plotësimi i vakancave.
- Pa gjykata të plotësuara, nuk mund të ketë ulje të qëndrueshme të backlog-ut.
- Reforma në drejtësi duhet të matet me funksionimin real të institucioneve, jo vetëm me krijimin e tyre.
Për kontakt: Ida Vodica Laska
Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun (Median) dhe me Jashtë
Email: ida.vodica@gjykataelarte.gov.al
www.gjykataelarte.gov.al

Gjykata e Lartë


