DREJTORIA E MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN (MEDIAN) DHE ME JASHTË
Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë, paraqiti raportin vjetor për veprimtarinë e saj gjatë vitit 2023.
Fokusi kryesor i këtij raporti ishte pasqyrimi i ecurisë së vendimmarrjes gjatë një viti mjaft dinamik sa i takon plotësimit të përbërjes së kësaj Gjykate me numrin e plotë të gjyqtarëve si edhe me këshilltarë ligjorë e staf ndihmës. Sfida kryesore gjatë vitit 2023, mbetet koordinimi i masave organizative dhe institucionale në funksion të rritjes së efektivitetit të vendimmarrjes së kësaj gjykate.
Edhe gjatë vitit 2023, Gjykata e Lartë është përpjekur që nëpërmjet vendimeve të realizojë misionin bazë të saj, që është ai i dhënies së drejtësisë në nivelin më të lartë, si dhe të garantojë zhvillimin e një procesi të rregullt gjyqësor, si një prej shtyllave të rëndësishme mbi të cilat bazohet mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të garantuara nga Kushtetuta e vendit dhe instrumentet ndërkombëtare.
Viti 2023 u karakterizua nga një dinamizëm i lartë i veprimtarisë gjyqësore të Gjykatës së Lartë, si rezultat i disa shkaqeve të cilat mundësuan rritjen e efikasitetit dhe përmirësimin e disa parametrave që shërbejnë si indikatorë të vlerësimit të kësaj veprimtarie. Këtë vit Gjykata e Lartë dha në total 7914 vendime gjyqësore, ndërsa stoku (backlog) me çështje të prapambetura përbëhet nga 23.811 çështje gjyqësore.
Një ngjarje e rëndësishme në veprimtarinë institucionale të Gjykatës së Lartë që u verifikua në vitin 2023 ishte dhe zgjedhja e Kryetarit të Gjykatës së Lartë, z. Sokol Sadushi (tetor 2023) dhe e Zëvendëskryetarit të saj z. Ilir Panda (nëntor 2023) nga Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Gjykatës. Zgjedhja e Kryetarit dhe e Zëvendëskryetarit në vitin 2023 do të sigurojë një fizionomi më të plotë ligjore të strukturave drejtuese të Gjykatës së Lartë, një udhëheqje më aktive të institucionit, dhe një imazhit institucional më të plotë.
Buletini i vendimeve të Gjykatës së Lartë ka vazhduar të publikohet dhe të shpërndahet periodikisht në rrugë elektronike. Aty raportohen vendimet e Gjykatës së Lartë që mbartin një rëndësi jurisprudenciale, për arsye të qëndrimeve juridike që përmbajnë lidhur me mënyrën e interpretimit dhe zbatimit të ligjit në çështje të rëndësishme gjyqësore.
Një risi në vitin 2023, që përkoi edhe me 110 vjetorin e themelimit të Gjykatës së Lartë, ishte publikimi i plotë i librit prezantues të Gjykatës së Lartë nga koha e themelimit (viti 1913) deri në ditët e sotme, ku pasqyrohen materiale me vlera historike dhe juridike të jetës institucionale të Gjykatës së Lartë ndër vite dhe që shërben si një burim i pasur dhe i rëndësishëm informacioni për studiues, juristë, historianë dhe publikun në përgjithësi. Gjithashtu, për herë të parë në vend u botua një përmbledhje e vendimeve më të spikatura nga themelimi i Gjykatës së Lartë deri në ditët e sotme, në nderim të veprimtarisë së saj 110 vjeçare.
Lexoni këtu: Analiza vjetore e performances së Gjykatës së Lartë 2023
Për kontakt: Ida Vodica Laska
Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun (Median) dhe me Jashtë
Email: ida.vodica@gjykataelarte.gov.al
www.gjykataelarte.gov.al