DREJTORIA E MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN (MEDIAN) DHE ME JASHTË
Kryetarja e Gjykatës së Lartë të Kasacionit të Italisë Zj. Margherita Cassano, është pritur në një takim të veçantë të premten nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Sh. T. Z. Bajram Begaj.
Zj. Cassano shoqërohej në këtë takim nga Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Sokol Sadushi dhe Sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës së Kasacionit Z. Stefano Mogini.
Presidenti i Republikës vlerësoi thellimin dhe vazhdimësinë e marrëdhënieve shumë të mira në gjyqësor mes Shqipërisë dhe Italisë, duke theksuar se shkëmbime të tilla vizitash ndikojnë pozitivisht në këtë drejtim.
Z. Begaj i përcolli Zj. Cassano falënderimet për rolin e Italisë si avokatja më e mirë e Shqipërisë në integrimin evropian, proces për të cilin shqiptarët shpresojnë të finalizohet sa më shpejt.
Nga ana e saj Kryetarja e Gjykatës së Lartë të Kasacionit të Italisë Zj. Margherita Cassano, u shpreh e nderuar për mundësinë e këtij takimi, duke i shprehur Presidentit të Republikës së Shqipërisë, se marrëdhënia mes dy vendeve do të jetë gjithmonë e shëndetshme duke prezantuar njëkohësisht edhe idenë e përbashkët me Kryetarin e Gjykatës së Lartë Z. Sokol Sadushi, për nënshkrimin zyrtar të një marrëveshje bashkëpunimi mes dy gjykatave të larta.
Për kontakt: Ida Vodica Laska
Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun (Median) dhe me Jashtë
Email: ida.vodica@gjykataelarte.gov.al
www.gjykataelarte.gov.al