Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Sokol Sadushi merr pjesë në punimet e Konferencës së Kryetarëve të Gjykatave të Larta të BE

DREJTORIA E MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN (MEDIAN) DHE ME JASHTË

Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Sokol Sadushi merr pjesë në punimet e Konferencës së Kryetarëve të Gjykatave të Larta të BE-së, e cila  zhvillohet në Athinë, Greqi në datat 3-5 tetor 2024. Pjesëmarrja e Gjykatës së Lartë në këtë konferencë të nivelit të lartë, realizohet me ftesë të Presidentit të Rrjetit Z. Anders Eka dhe Kryetares së Gjykatës së Lartë të Greqisë Zj. Ioanna Klapa- Christodoulea. 
Konferenca në Athinë, e cila mbledh Kryetarët e Gjykatave të Larta të Bashkimit Evropian, trajton këtë vit dy tema kryesore: “Ndikimi i së drejtës evropiane në legjislacionin kombëtar” dhe “Shkalla e interesit tek gjyqësori”. Gjykata e Lartë ka dhënë kontributin e saj në trajtimin e këtyre dy tematikave gjatë konferencës si edhe pyetësorët përkatës gjatë fazës përgatitore të saj.
Punimet e konferencës konsiderohen shumë të rëndësishme për shkëmbim idesh dhe përvojash mes kryetarëve të Gjykatave të Larta dhe vendosjen e urave të bashkëpunimit për të ardhmen. Kryetari Sadushi pati disa takime të veçanta me Presidentin e Rrjetit Z. Anders Eka, Kryetaren e Gjykatës së Lartë të Greqisë Zj. Ioanna Klapa- Christodoulea, Kryetarin e Gjykatës së Kasacionit të Francës Z. Christophe Soulard, Kryetaren e Gjykatës së Kasacionit të Italisë Zj. Margherita Cassano, Kryetarin e GJEDNJ-së Z. Marko Bošnjak. (Në foto) 
Në përfundim të punimeve Asambleja e Përgjithshme e këtij Rrjeti do të trajtojë kërkesat e reja për anëtarësim. Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë ka statusin e anëtarit vëzhgues në Rrjetin e Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Bashkimit Evropian prej nëntorit 2016.


Për kontakt: Ida Vodica Laska
Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun (Median) dhe me Jashtë
Email: ida.vodica@gjykataelarte.gov.al
www.gjykataelarte.gov.al