
DREJTORIA E MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN (MEDIAN) DHE ME JASHTË
Prof. Sokol Sadushi: Të vendosësh sipas ligjit kur publiku pret diçka tjetër
Në Konferencën Kombëtare të organizuar nga Shkolla e Magjistraturës, Prof. Sokol Sadushi, Kryetar i Gjykatës së Lartë dhe Kryetar i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, referoi në panelin e parë me temën “Të vendosësh sipas ligjit kur publiku pret diçka tjetër”.
Në fjalën e tij, Prof. Sadushi u ndal te një nga sfidat më të forta të drejtësisë bashkëkohore: presioni që krijohet kur opinioni publik, media, rrjetet sociale apo politika presin një përgjigje tjetër nga ajo që mund të diktojë ligji, provat dhe procesi i rregullt.
“Drejtësia nuk jepet nga pritshmëria, por nga ligji, provat dhe procesi i rregullt,” theksoi ai, duke nënvizuar se gjykata nuk mund të zëvendësohet nga studiot televizive, portalet, rrjetet sociale apo foltoret politike.
Prof. Sadushi vlerësoi se kritika ndaj gjykatave është pjesë e demokracisë, por paralajmëroi se rreziku fillon kur debati publik merr formën e gjykimit paralel dhe kur perceptimi kërkon të zërë vendin e provave.
“Një shoqëri nuk largohet nga shteti i së drejtës kur kritikon gjykatat, por kur krijon bindjen se gjykatat janë të panevojshme dhe se vendimet mund të merren diku tjetër,” u shpreh Kryetari i Gjykatës së Lartë.
Një mesazh i veçantë i fjalës lidhej me prezumimin e pafajësisë dhe procesin e rregullt ligjor. Kryetari Sadushi theksoi se këto garanci nuk duhen respektuar vetëm kur na shërbejnë neve, por edhe kur mbrojnë dikë që nuk na pëlqen.
“Ata që sot flasin me lehtësi për fajësinë e dikujt duhet të kujtojnë se nesër mund të jenë vetë pjesë e një procesi gjyqësor. Dhe atë ditë do të kërkojnë, me të drejtë, që të mos gjykohen nga perceptimi, por nga ligji,” theksoi ai.
Sipas Kryetarit Sadushi, pavarësia e gjykatës nuk është privilegj i gjyqësorit, por garanci publike për çdo qytetar.
“Fjala e fundit për të drejtat, liritë, fajësinë apo pafajësinë e njeriut nuk thuhet në studio televizive, në portale, në rrjete sociale apo në foltore politike, por në sallën e gjyqit, nga një gjykatë e pavarur, mbi bazën e provave dhe procesit të rregullt,” u shpreh ai.
Në hapje të Konferencës, Kryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi iu drejtua edhe magjistratëve të sapodiplomuar, duke theksuar se hyrja në këtë profesion nuk është vetëm marrje e një titulli, por pranimi i një përgjegjësie publike që kërkon dije, karakter dhe integritet.
“Sot Shkolla e Magjistraturës ju jep diplomën. Nesër sistemi i drejtësisë do t’ju japë kompetencën, por besimin nuk do t’jua japë askush. Atë do ta fitoni vetë, çdo ditë,” ishte mesazhi i tij për magjistratët e rinj.
Fjalët e plota të Kryetarit të Gjykatës së Lartë Sokol Sadushit në hapje të Konferencës dhe në panelin e parë janë bashkëlidhur këtij njoftimi.
- Fjala e plotë e Kryetarit të Gjykatës së Lartë, z.Sokol Sadushi
- Fjala në panel e Kryetarit të Gjykatës së Lartë, z.Sokol Sadushi
Për kontakt: Ida Vodica Laska
Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun (Median) dhe me Jashtë
Email: ida.vodica@gjykataelarte.gov.al
www.gjykataelarte.gov.al

Gjykata e Lartë

