Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, në konferencën e organizuar me rastin e 30-vjetorit të pranimit të Shqipërisë në Këshillin e Evropës

DREJTORIA E MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN (MEDIAN) DHE ME JASHTË

Në konferencën e organizuar me rastin e 30-vjetorit të pranimit të Shqipërisë në Këshillin e Evropës, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Prof. Sokol Sadushi, mbajti një fjalim të fortë dhe reflektues mbi rrugëtimin e drejtësisë shqiptare, nga reforma te konsolidimi institucional. 

Ai theksoi se “Reforma në drejtësi nuk ka dështuar. Ajo është ngadalësuar nga mungesa e vullnetit për ta zbatuar me të njëjtin idealizëm dhe ndershmëri me të cilën u ndërtua. Ajo lindi nga konsensusi më i gjerë politik në historinë e pluralizmit shqiptar, me 140 vota ‘pro’ dhe me dakordësinë e plotë të Komisionit të Venecias, që u bë garancia ndërkombëtare e legjitimitetit të saj.”

Kryetari Sadushi vuri në dukje se reforma nuk është një projekt vetëm i drejtësisë, por një sfidë kombëtare që përfshin politikën, administratën dhe çdo institucion që mban përgjegjësi ndaj qytetarit.

“Reformimi nuk është vetëm detyrë e drejtësisë, por edhe e politikës, e administratës dhe e çdo institucioni që mban përgjegjësi ndaj qytetarit. Është vetë politika ajo që duhet të tregojë ndryshim dhe përgjegjshmëri, sepse vetëm një politikë e pjekur dhe një drejtësi me integritet mund të garantojnë së bashku një sistem të qëndrueshëm dhe të pavarur.”

Sadushi theksoi se drejtësia shqiptare duhet të hyjë në fazën e vetëpërmirësimit dhe të konsolidimit, duke e çliruar veten nga “kompleksi i reformave” dhe duke fituar besimin përmes sjelljes dhe vendimeve të ndershme. “Qytetari nuk kërkon drejtësi të përsosur, por drejtësi që përpiqet çdo ditë të jetë më e drejtë. Besimi nuk fitohet me fjalë, por me sjellje dhe me vendime që mbrojnë ligjin dhe dinjitetin njerëzor.”

Në fjalën e tij, Kryetari i Gjykatës së Lartë kujtoi rolin historik të Komisionit të Venecias si udhërrëfyes moral dhe intelektual në rrugën e reformave shqiptare. Ai nënvizoi se bashkëpunimi ndërkombëtar mbetet një shtyllë themelore e drejtësisë shqiptare, por maturia e sistemit matet me aftësinë për ta kthyer bashkëpunimin në përgjegjësi të brendshme.

“Komisioni i Venecias nuk ka qenë thjesht ndihmë teknike, por një udhëzim moral që e bëri drejtësinë shqiptare pjesë të familjes evropiane të ligjit. Drejtësia e vërtetë nuk ndërtohet nga të tjerët për ne, por ndërtohet bashkë, me përkushtim, guxim dhe besim.”
 

Në përfundim, Kryetari Sadushi u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë dhe politikës që të mbajnë gjallë frymën e reformës përmes integritetit, guximit dhe përulësisë para ligjit: “Le ta bëjmë drejtësinë pasqyrë të më të mirës që kemi si komb, me integritet që nuk blihet, me dinjitet që nuk përkulet dhe me etikë që nuk komprometohet.”

Në vijim është fjala e plotë.

 


Për kontakt: Ida Vodica Laska
Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun (Median) dhe me Jashtë
Email: ida.vodica@gjykataelarte.gov.al
www.gjykataelarte.gov.al