Kryetari i Gjykatës së Lartë prezanton përvojën shqiptare në Konferencën e Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore dhe Lindore.

DREJTORIA E MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN (MEDIAN) DHE ME JASHTË

Kryetari i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, Sokol Sadushi, po merr pjesë në Konferencën e Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore dhe Lindore, e cila po zhvillohet në Shkup, Maqedonia e Veriut.

Konferenca organizohet nga Gjykata Supreme e Maqedonisë së Veriut, në bashkëpunim me Institutin CEELI dhe me mbështetjen e Projektit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit. Në këtë aktivitet marrin pjesë kryetarë, nënkryetarë dhe gjyqtarë të gjykatave të larta nga 13 vende të rajonit, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare të angazhuara në forcimin e sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit.

Konferenca fokusohet në disa prej temave më të rëndësishme me të cilat përballen sot sistemet gjyqësore evropiane, duke përfshirë besimin e publikut te gjyqësori, pavarësinë dhe llogaridhënien e gjyqësorit, zbatimin në rendin juridik të brendshëm të jurisprudencës së gjykatave evropiane, përdorimin aktual dhe të ardhshëm të inteligjencës artificiale në procedurat gjyqësore dhe administrimin e gjykatave, si dhe komunikimin publik të gjyqtarëve mbi çështje me interes publik.

Në kuadër të diskutimeve të konferencës, Kryetari Sadushi paraqiti përvojën shqiptare dhe zhvillimet e fundit të sistemit gjyqësor në Shqipëri, me fokus në forcimin e besimit të publikut te drejtësia, garantimin e pavarësisë së gjyqësorit, harmonizimin e praktikës gjyqësore me standardet evropiane dhe sfidat që lidhen me modernizimin e administrimit të drejtësisë në epokën digjitale.

Konferenca shërben si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave, praktikave më të mira dhe perspektivave mbi sfidat e përbashkëta të gjyqësorit në rajon, duke kontribuar në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet gjykatave të larta dhe në promovimin e parimeve të shtetit të së drejtës, pavarësisë gjyqësore dhe mbrojtjes efektive të të drejtave të njeriut.

📸 Photo credits: EU Support for Rule of Law


Për kontakt: Ida Vodica Laska
Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun (Median) dhe me Jashtë
Email: ida.vodica@gjykataelarte.gov.al
www.gjykataelarte.gov.al