
DREJTORIA E MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN (MEDIAN) DHE ME JASHTË
Kryetari i Gjykatës së Lartë, z. Sokol Sadushi, mori pjesë në Seminarin Ndërkombëtar të organizuar nga Këshilli i Shtetit të Greqisë, në kuadër të Presidencës Helene të ACA-Europe, i zhvilluar në Rodos.
Seminari u fokusua në dy tematika me rëndësi të veçantë për të drejtën administrative bashkëkohore:
(1) modelet e reja të organizimit dhe funksionimit të Administratës Publike, përfshirë delegimin e funksioneve administrative tek subjektet private dhe integrimin e metodologjive të sektorit privat në administrimin publik;
(2) metodat alternative të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve administrative, përmes ndërmjetësimit dhe arbitrazhit.
Diskutimet trajtuan sfidat themelore që lidhen me garantimin e ligjshmërisë dhe aksesit efektiv në drejtësi, në një kohë kur administrata publike po adopton struktura dhe mekanizma gjithnjë e më inovativë. Në veçanti, seminari vuri theksin tek balancimi ndërmjet rritjes së efikasitetit administrativ dhe ruajtjes së parimeve themelore të shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes së interesit publik.
Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë, që prej anëtarësimit të saj në ACA-Europe në vitin 2021, ka luajtur një rol aktiv në veprimtaritë dhe forumet e organizuara nga kjo rrjetë evropiane, duke kontribuar në shkëmbimin e eksperiencave dhe praktikave më të mira mbi çështje që lidhen me organizimin, funksionimin dhe modernizimin e juridiksioneve administrative në Evropë.
Për kontakt: Ida Vodica Laska
Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun (Median) dhe me Jashtë
Email: ida.vodica@gjykataelarte.gov.al
www.gjykataelarte.gov.al

Gjykata e Lartë


