Konferenca e përbashkët mes anëtarëve të Gjykatave Kushtetuese dhe Gjykatave të Larta të Kosovës dhe Shqipërisë

DREJTORIA E MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN (MEDIAN) DHE ME JASHTË

Tiranë, 14.12.2023

                                                                                  NJOFTIM PËR MEDIAN

Anëtarët e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë morën pjesë në konferencën e përbashkët me temë: “Ekuilibri ndërmjet kontrollit të ligjshmërisë dhe të kushtetutshmërisë, kufijtë e juridiksionit dhe qasja në drejtësi”. Ky aktivitet u organizua me nismën e Kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Znj. Gresa Caka-Nimani, dhe mbështetjen e Fondacionit Gjerman për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar (IRZ), në datën 14 dhjetor, në Prishtinë, Kosovë.
Gjatë punimeve të konferencës, ku pjesëmarrës ishin anëtarët e Gjykatave Kushtetuese dhe Gjykatave të Larta të Kosovës dhe Shqipërisë, gjyqtarët diskutuan mbi ekzistencën e praktikave të ndryshme se si sistemet përkatëse ligjore, rregullojnë çështjen e vlerësimit të kushtetutshmërisë së ligjeve dhe akteve të tjera të autoriteteve publike.

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Z. Sokol Sadushi, u shpreh se në takime të tilla evidentohen problematikat, por edhe shkëmbehen përvojat më të mira, në çështjet e juridiksionit kushtetues dhe juridiksionit gjyqësor, të cilat i shërbejnë konsolidimit të qëndrimeve që orientohen drejt jurisprudencës gjyqësore ndërkombëtare, e në veçanti të jurisprudencës që vjen nga Gjykata Kushtetuese Federale Gjermane, e cila ka qenë dhe mbetet shembulli më i mirë i mënyrës se si duhet realizuar misioni i drejtësisë kushtetuese.

Gjatë konferencës Z. Sadushi duke theksuar se ka praktika të ndryshme se si sistemet përkatëse ligjore rregullojnë çështjen e vlerësimit të kushtetutshmërisë së ligjeve dhe akteve të tjera të autoriteteve publike, prezantoi për pjesëmarrësit prespektivën e Gjykatës së Lartë në lidhje me ekuilibrin e kontrollit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, ndërsa gjyqtari Asim Vokshi u ndal tek prespektiva e Gjykatës së Lartë, mbi të drejtën e qasjes në gjykatë nëpërmjet vlerësimit të kushtetutshmërisë dhe/apo ligjshmërisë së vendimeve të autoriteteve të larta publike dhe vendimeve të gjykatave.

Në përfundim të konferencës, drejtuesit e Gjykatave Kushtetuese dhe të Gjykatave të Larta të Shqipërisë dhe të Kosovës ndanë të njëjtin mendim se aktivitete të tilla i shërbejnë forcimit të kapaciteteve, praktikës gjyqësore dhe rritjes së cilësisë së vendimeve të gjykatave përkatëse nëpërmjet debateve konstruktive, shkëmbimit të përvojave e të njohurive, diskutimit të sfidave të përbashkëta dhe identifikimit të zgjidhjeve të tyre.

 

Për kontakt: Ida Vodica Laska
Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun (Median) dhe me Jashtë
Email: ida.vodica@gjykataelarte.gov.al
www.gjykataelarte.gov.al


Për kontakt: Ida Vodica Laska
Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun (Median) dhe me Jashtë
Email: ida.vodica@gjykataelarte.gov.al
www.gjykataelarte.gov.al