Gjykata e Lartë: Ulje e backlogut 61%, 429 vendime për gjyqtar dhe 273% normë likuidimi të çështjeve

DREJTORIA E MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN (MEDIAN) DHE ME JASHTË

Gjykata e Lartë paraqet bilancin e vitit 2025, me fokus rezultatet konkrete dhe sinjalizimin e problematikave strukturore që prodhojnë backlog të ri në hallkat e tjera të sistemit. 

Në pesë vitet e fundit janë dhënë 39.269 vendime, duke e ulur backlogun në 14.081 çështje – një reduktim 61%. Vetëm në vitin 2025 janë dhënë 6.876 vendime

Në raport me 2.513 çështje të reja, norma e likuidimit në 2025 ka arritur 273%, me mesatarisht rreth 429 vendime për gjyqtar. Këto shifra nuk përfaqësojnë “normalitet” – janë stërmundim profesional dhe tregues i funksionimit të sistemit nën presion. 

Një problem serioz mbetet cilësia e dobët e rekurseve: nuk kalojnë testin e pranueshmërisë 60% (Civil), 71% (Administrativ) dhe 82% (Penal), duke konsumuar kohë gjyqësore për ankime që s’plotësojnë standardin kasacional. 

Në fushën administrative (dhe pjesërisht civile), rekurset e papranueshme u përkasin kryesisht organeve publike; në 2025 organet publike rezultojnë gjyq-humbëse në 55% të çështjeve administrative. Paralelisht, filtri kasacional i Kolegjit Administrativ ka frenuar stokun artificial: 32% e rekurseve administrative janë konstatuar haptazi të pabazuara. 

Gjykata e Lartë vijon të forcojë transparencën (përfshirë bazën e të dhënave JUDIX) dhe besueshmërinë ndërkombëtare, e reflektuar edhe te besimi që I është dhënë Shqipërisë për organizimin e World Law Congress 2027

Megjithatë, nyja e sistemit mbetet mungesa e gjyqtarëve: aktualisht 307 efektivë përballë 417 të parashikuar (mungojnë 110), ndërsa gjykatat e apelit janë hallka më kritike, me vetëm 55.9% të trupës së parashikuar. 


Për kontakt: Ida Vodica Laska
Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun (Median) dhe me Jashtë
Email: ida.vodica@gjykataelarte.gov.al
www.gjykataelarte.gov.al