DREJTORIA E MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN (MEDIAN) DHE ME JASHTË
Harmonizimi i praktikës gjyqësore vendase, në përputhje me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), është thelbësor për forcimin e sigurisë juridike dhe parimeve të shtetit të së drejtës. Ky harmonizim përfaqëson një nga prioritetet e projektit të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Përmirësimi i mbrojtjes së të drejtës së pronës dhe lehtësimi i ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ në Shqipëri (D-REX III)". Duke qenë një nga përfituesit dhe partnerët kryesorë të Projektit, bashkëpunimi me Gjykatën e Lartë të Shqipërisë përmban një sërë ndërhyrjesh, përfshirë edhe pasurimin e burimeve të brendshme për vendime historike me vlerë unifikuese.
Në vazhdim të iniciativave të mëparshme, të suksesshme, botimi i përmbledhjes së vendimeve të praktikës gjyqësore shqiptare, i treti material kërkimor që përfshin periudhën 2021-2023 është përgatitur për gjyqtarët shqiptarë të shkallës së parë dhe të apelit, prokurorët dhe juristët, si një mjet për të përforcuar zbatimin e njësuar të vendimeve më të rëndësishme të Gjykatës së Lartë, si edhe për të sjellë precedentë ligjorë ndërmjet institucioneve gjyqësore dhe profesionistëve të tjerë të së drejtës.
Një vend të rëndësishëm në botim zënë vendimet e rëndësishme dhe njësuese të Gjykatës për të drejtën e pronës, në përputhje me Nenin 1, Protokolli 1 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Praktika gjyqësore e përzgjedhur është shpërndarë në tre seksione të veçanta të botimit, që rregullojnë një grup të gjerë institutesh juridike, si shpronësimi publik, vlerësimi financiar i pronës, regjistrimi i titujve të pronësisë etj.
Me këtë rast, në ambientet e Gjykatës së Lartë u organizua të hënën, më 13 maj, një ceremoni dorëzimi, ku Kryetarja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Giulia Re dhe Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, theksuan rëndësinë e kësaj nisme.
Për kontakt: Ida Vodica Laska
Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun (Median) dhe me Jashtë
Email: ida.vodica@gjykataelarte.gov.al
www.gjykataelarte.gov.al