
DREJTORIA E MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN (MEDIAN) DHE ME JASHTË
Karlsruhe, 14 korrik 2026 – Një delegacion i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, i kryesuar nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, dhe Ilir Panda, Zëvendëskryetar, si dhe gjyqtarët Sokol Ngresi, Arbena Ahmeti, Sandër Simoni dhe Enton Dhimitri, zhvilloi një vizitë pune në Karlsruhe, Republika Federale e Gjermanisë.
Në kuadër të kësaj vizite, delegacioni u prit në Gjykatën Federale të Drejtësisë (Bundesgerichtshof – BGH) nga Presidentja e gjykatës Bettina Limperg, me të cilën u zhvillua një takim i zgjeruar mbi çështje me rëndësi për funksionimin e gjykatave supreme dhe zhvillimin e jurisprudencës.
Gjatë diskutimeve u trajtuan temat që lidhen me rolin e gjykatës supreme në njësimin dhe zhvillimin e jurisprudencës, mekanizmat për garantimin e unitetit të praktikës gjyqësore, marrëdhëniet ndërmjet Gjykatës Federale të Drejtësisë dhe Gjykatës Federale Kushtetuese, si dhe dialogu gjyqësor me Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian në kuadër të procedurës së referimit paraprak.
Delegacioni shqiptar prezantoi përvojën e Gjykatës së Lartë në ushtrimin e funksionit kushtetues për njësimin dhe zhvillimin e praktikës gjyqësore, rëndësinë e vendimeve njësuese dhe sfidat që lidhen me konsolidimin e standardeve të qëndrueshme të jurisprudencës. Gjithashtu, u diskutua mbi përgatitjet institucionale të Gjykatës së Lartë në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe rolit që ajo do të ushtrojë pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Në vijim të vizitës, delegacioni zhvilloi një takim edhe në Gjykatën Federale Kushtetuese të Gjermanisë (Bundesverfassungsgericht – BVerfG), ku diskutimet u përqendruan në kufirin ndërmjet gabimit ligjor dhe shkeljes kushtetuese, standardet e vetëpërmbajtjes gjyqësore, zbatimin e parimit të proporcionalitetit, dialogun ndërmjet gjykatave kushtetuese dhe Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian.
Takimet u zhvilluan në frymën e bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet dy sistemeve gjyqësore, duke ofruar një mundësi të vlefshme për diskutimin e praktikave më të mira në funksion të forcimit të rolit të gjykatave supreme dhe kushtetuese, rritjes së sigurisë juridike dhe përgatitjes së sistemit gjyqësor shqiptar për sfidat që lidhen me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Për kontakt: Ida Vodica Laska
Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun (Median) dhe me Jashtë
Email: ida.vodica@gjykataelarte.gov.al
www.gjykataelarte.gov.al

Gjykata e Lartë




