DEKLARATË PËR MEDIA

DREJTORIA E MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN (MEDIAN) DHE ME JASHTË

Kryetari i Gjykatës së Lartë, në emër të institucionit që ai drejton, në takimin periodik të fundvitit me median, si një nga format e komunikimit të kësaj Gjykate me publikun, dhe në përgjigje të interesit të vazhdueshëm të gazetarëve pjesëmarrës, mbi  numrin e lartë të rekurseve dhe njëkohësisht të vonesave në gjykim për këtë shkak, përmendi si një nga problematikat shqetësuese edhe numrin e lartë të rekurseve, të cilat nuk e kalojnë testin e pranueshmërisë. Ai u shpreh: “Moskalimi i testit të pranueshmërisë adreson shqetësimin tek avokatët privatë, Avokatura e Shtetit dhe prokuroria. Avokatët duhet të kuptojnë se Gjykata e Lartë është një gjykatë ligji dhe jo një gjykatë fakti. Nevojitet që ata të ndjekin praktikën gjyqësore, me qëllim që të mos e investojnë Gjykatën për çështje të panevojshme, me rekurse të pasuksesshme dhe haptazi të pabazuara”.

Ky shqetësim i shprehur prej tij ka qenë dhe është prezent, ndaj diskutimi i tij në publik, megjithëse jo për herë të parë, nuk i shton këtij fakti asgjë më shumë, veç shkallës së seriozitetit me të cilin ai duhet pritur dhe reflektuar.

Gjykata e Lartë vlerëson rolin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë, si entitet rregullator i pavarur dhe i përgjegjshëm për të adresuar këtë shqetësim të sajin, me qëllim dhënien e një drejtësie sa më cilësore e të shpejtë, si një nga garantët/dorëzanët për mbrojtjen e të drejtave të individit, si dhe ndihmesën në promovimin e profesionalizmit dhe etikës së shumicës së anëtarëve të saj, që japin çdo ditë kontribut në vendimmarrjen e kësaj Gjykate.

Gjithashtu, jo vetëm Dhoma Kombëtare e Avokatisë, por edhe institucione të tjerë publike, si prokuroria apo Avokatura e Shtetit, duhet të luajnë një rol më aktiv për të ngritur çështje të ligjit përpara Gjykatës së Lartë, me qëllim njësimin e praktikës gjyqësore, duke ndihmuar kështu jo vetëm në qëndrueshmërinë e saj, por edhe në pakësimin e backlogut/stokut të mbartur në vite si dhe parandalimin e një backlogu/stoku të ri. Kjo përgjegjësi nuk i takon vetëm Gjykatës së Lartë, por të gjithë aktorëve të sistemit të drejtësisë, brenda dhe jashtë tij, publikë apo privatë.

Rekurset abuzive apo haptazi të pabazuara, marrja e masave ndëshkuese për të cilat është e njohur edhe në legjislacionin e vendeve demokratike, ndikojnë negativisht në funksionimin e sistemit gjyqësor dhe në besimin e publikut në drejtësi. 

Kjo sjell një ngarkesë shtesë të panevojshme për Gjykatën e Lartë, e cila zgjat procesin e vendimmarrjes, duke dëmtuar kësisoj palët në proces.

Gjykata e Lartë do të vazhdojë të inkurajojë avokatët, të paraqesin rekurset e tyre në përputhje me rregullat dhe procedurat ligjore, si dhe vazhdimisht do të adresojë sjellje jo pozitive të palëve në gjykim, pavarësisht se kush i përfaqëson ato. Të gjithë këtë proces do ta ndihmojë dhe rikujtimi në mënyrë të vazhdueshme i udhëzimeve që jep Gjykata nëpërmjet vendimeve të saj si dhe publikimeve ndërgjegjësuese periodike.

IDA VODICA LASKA

DREJTOR I MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN (MEDIAN) DHE ME JASHTË


Për kontakt: Ida Vodica Laska
Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun (Median) dhe me Jashtë
Email: ida.vodica@gjykataelarte.gov.al
www.gjykataelarte.gov.al