Të nderuar kolegë gjyqtarë,
Të nderuar këshilltarë ligjorë dhe punonjës të Gjykatës së Lartë,
Pas gjashtë vitesh në drejtimin e Gjykatës së Lartë, ka ardhur momenti të mbyll këtë etapë. Sot, përpara jush, ndiej emocion dhe mirënjohje për rrugën që kemi bërë së bashku.
Kujtoj shqetësimet që kemi ndarë, vështirësitë që kemi përballuar dhe kënaqësinë që kemi ndier kur puna jonë ka dhënë rezultat. Kujtoj gatishmërinë tuaj për të marrë përsipër edhe një detyrë më shumë, për të qëndruar përtej orarit dhe për t’iu gjendur njëri-tjetrit pranë kur ka qenë e nevojshme.
Ndaj dëshiroj ta nis me një falënderim të sinqertë për secilin prej jush. Për punën dhe përkushtimin, por edhe për durimin, mbështetjen dhe besimin që më keni dhënë. Jam mirënjohës që në ushtrimin e kësaj përgjegjësie ju kam pasur pranë.
Dëshiroj t’ju shpreh edhe mirënjohjen time për respektin dhe vlerësimin që më keni treguar gjatë këtyre viteve. Më keni bërë të ndihem i vlerësuar si drejtues dhe si koleg, dhe krenar që kam punuar me ju. Kjo do të mbetet një nga kujtimet më të çmuara të kësaj periudhe.
Kur mora detyrën e gjyqtarit dhe më pas përgjegjësinë e drejtimit, Gjykata e Lartë kishte vetëm një gjyqtar dhe rreth 35 mijë dosje në pritje. Këtyre vështirësive iu shtuan edhe kufizimet e pandemisë së COVID-19. Përpara nesh qëndronte detyra për të rimëkëmbur veprimtarinë e gjykatës dhe për t’u dhënë përgjigje mijëra qytetarëve që prej vitesh prisnin drejtësi.
Sot, kur vlerësojmë rrugën e përshkuar, kemi arsye të jemi krenarë për uljen e ndjeshme të çështjeve të prapambetura, për punën në drejtim të cilësisë së vendimmarrjes dhe për forcimin e transparencës e të komunikimit me publikun. Respekti institucional dhe vlerësimi ndërkombëtar që ka marrë puna e Gjykatës së Lartë janë një njohje e përpjekjeve tona të përbashkëta.
Këto rezultate janë fryt i punës së gjyqtarëve, këshilltarëve ligjorë, sekretarisë gjyqësore dhe të gjithë personelit teknik e administrativ. Secili, në përgjegjësinë që i është besuar, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm. Pas treguesve të punës qëndrojnë orë të zgjatura, ngarkesë e lartë dhe sakrifica personale, të cilat meritojnë vlerësim dhe mirënjohje.
Përgjegjësia e drejtimit më ka kërkuar të vendos kërkesa të larta për veten dhe për ju. Jam i vetëdijshëm se ka pasur raste kur mund të kisha dëgjuar me më shumë durim ose ta kisha shprehur më qartë vlerësimin për punën tuaj. Për këto raste, ju kërkoj ndjesë dhe ju falënderoj për mirëkuptimin që keni treguar, edhe në momentet kur kërkesat e mia kanë qenë të vështira për t’u përballuar.
Dëshiroj të falënderoj veçanërisht kolegët gjyqtarë për përgjegjësinë në vendimmarrje, bashkëpunimin profesional dhe kontributin në përmbushjen e rolit të Gjykatës së Lartë.
Falënderoj këshilltarët ligjorë për mbështetjen profesionale dhe për punën në përgatitjen e çështjeve. Falënderoj sekretarinë gjyqësore, personelin teknik dhe administrativ për saktësinë, përgjegjshmërinë dhe gatishmërinë në ushtrimin e detyrave. Funksionimi i përditshëm i gjykatës mbështetet në punën e secilit prej jush, edhe kur ajo nuk është e dukshme për publikun.
Sot ia kaloj detyrën kolegut Ilir Panda, të cilin e njoh dhe e vlerësoj prej shumë vitesh. Gjatë kësaj kohe kam pasur mundësi të njoh nga afër cilësitë e tij profesionale dhe njerëzore: qetësinë me të cilën përballon situatat e vështira, maturinë në gjykim dhe respektin në marrëdhëniet me të tjerët. Vlerësoj veçanërisht besnikërinë ndaj parimeve dhe njerëzve me të cilët bashkëpunon, si edhe qëndrueshmërinë në fjalën e dhënë.
Ilir,
Për mua ka rëndësi të veçantë që këtë përgjegjësi e merr një koleg tek i cili kam besim dhe me të cilin kemi ndarë sfidat e këtyre viteve. Të uroj sinqerisht suksese në drejtimin e Gjykatës së Lartë. Do të kesh mbështetjen time dhe gatishmërinë për të kontribuar në punën që na pret.
Puna që kemi përpara mbetet e konsiderueshme. Përvoja e fituar dhe kapacitetet profesionale të krijuara na japin besim se Gjykata e Lartë do të vijojë të përmbushë gjithnjë e më mirë misionin e saj.
Për mua përfundon sot detyra e kryetarit, ndërsa vijon përgjegjësia si gjyqtar i kësaj gjykate. Do të vazhdoj të punoj përkrah jush, me të njëjtin përkushtim ndaj institucionit dhe ndaj qytetarëve që presin drejtësi.
Ka qenë një nder i veçantë të drejtoj Gjykatën e Lartë dhe të punoj me ju. Ju falënderoj për besimin, bashkëpunimin dhe kontributin tuaj gjatë këtyre viteve.

Gjykata e Lartë