Fjala e mbajtur nga Zëvendëkryetari i Gjykatës së Lartë Z. Sokol Sadushi, në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës së Këshillave të Shtetit dhe Juridiksioneve të Larta Administrative të Bashkimit Evropian (ACA Europe)

I nderuar Kryetar Frattini,

Të nderuar pjesëmarrës, anëtarë të ACA-Europe (Shoqata e Këshillave të Shtetit dhe Juridiksioneve të Larta Administrative të Bashkimit Evropian),

Kam nderin dhe kënaqësinë të jem këtu në Romë për të marrë pjesë në Mbledhjen e Përgjithshme të Shoqatës ACA-Europe. Ju lutem më lejoni të shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin tim të thellë kundrejt ACA-Europe lidhur me vendimin e Bordit, kundrejt të gjithë anëtarëve si dhe Kryesisë Italiane për pranimin e kandidaturës së Gjykatës së Lartë të Shqipërisë për t’u bërë anëtare e ACA-Europe si vëzhguese.

Juridiksioni administrativ, si një disiplinë e veçantë juridike dhe gjyqësore është risi në Shqipëri që në vitin 2013. Ka tre shkallë dhe Kolegji Administrativ në Gjykatë të Lartë është instanca më e lartë dhe përfundimtare. Gjykimi administrativ, që në themelimin e tij, ka hasur disa vështirësi në vendosjen e standardeve të juridiksionit administrativ dhe kufizimeve krahasuar me atë civil. Një sërë reformash ligjore kanë paraqitur mekanizma të rinj për parandalimin e rritjes së numrit të çështjeve të prapambetura në gjykatë, si dhe për të siguruar zgjidhje efektive ligjore për shkeljet e kryera nga institucionet publike.

Reforma më e gjerë dhe më e madhe gjyqësore që nga vitet ‘90 ishte ajo e vitit 2016, e cila solli një rikonceptim të shumicës së institucioneve gjyqësore, përfshirë Gjykatën e Lartë. Gjykata e Lartë aktualisht po përballet me stokun e çështjeve të prapambetura që presin për t’u gjykuar prej vitesh. Shumica prej tyre janë çështje administrative. Tashmë janë marrë disa masa për të reduktuar numrin e çështjeve të prapambetura, mekanizma të tjerë duhet të zbatohen për të arritur rezultate më të mira.

Për të gjitha arsyet e sipërpërmendura, besoj fort se të qenurit pjesë e kësaj shoqate profesionale të organeve më të rëndësishme të gjykimit administrativ në BE do të ndikojë pozitivisht në përpjekjet tona jo vetëm në përmirësimin e vendimmarrjes së gjykatës por gjithashtu në mësimin e praktikave më të mira, për të siguruar një gjykim administrativ efektiv në Shqipëri. Për një të ardhme evropiane është e domosdoshme të ndiqen shembujt më të mirë në BE.

Prandaj, jam mirënjohës dhe i privilegjuar për mundësinë e vlefshme dhe të jashtëzakonshme që i dhatë Gjykatës së Lartë të Shqipërisë për të përfituar nga pasurimi i dialogut mes Gjykatave të Larta Administrative në hapësirën ligjore evropiane. Ne ritheksojmë angazhimin tonë për forcimin dhe shumëfishimin e këtij partneriteti të ri nëpërmjet pjesëmarrjes në aktivitetet dhe shkëmbimet e ardhshme, si dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm gjyqësor.

Së fundmi, më lejoni të shpreh vlerësimin ndaj ACA Europe dhe Këshillit të Shtetit të Italisë lidhur me përpjekjet e tyre në organizimin e shkëlqyer të Mbledhjes së Përgjithshme dhe Seminarit.

Faleminderit!