Fjala e Kryetarit të Gjykatës së Lartë, Prof. Dr. Sokol Sadushi, në Konferencën Kombëtare organizuar në kuadër të diplomimit të brezit të ri të magjistratëve.

KONFERENCË KOMBËTARE

Dimensioni i integritetit në funksionin e magjistratit. Angazhimi ndaj drejtësisë

 

Prof. Dr. Sokol Sadushi

Kryetar i Gjykatës së Lartë dhe Kryetar i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës

 

I nderuar Drejtor i Shkollës së Magjistraturës, 

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, 

Të nderuar magjistratë të sapodiplomuar, 

Zonja dhe zotërinj,

 

Organizimi i kësaj Konference Kombëtare përkon me një moment të veçantë për sistemin e drejtësisë shqiptare: diplomimin e brezit më të ri të magjistratëve, të përgatitur për t’u bërë gjyqtarë dhe prokurorë në shërbim të ligjit, drejtësisë dhe shoqërisë.

Tema e Konferencës – “Dimensioni i integritetit në funksionin e magjistratit. Angazhimi ndaj drejtësisë” – nuk është një zgjedhje rastësore. Ajo përfaqëson sfidën më të madhe të sistemit tonë: formimin dhe mbështetjen e një trupe gjyqtarësh dhe prokurorësh të cilëve nuk u mjafton vetëm dija, por u kërkohet edhe aftësia për t’u përballur me tundimin e konformizmit, me trysnitë e opinionit publik apo të interesave të ndryshme, dhe për të treguar në çdo hap të karrierës së tyre integritet, ndershmëri, profesionalizëm dhe guxim moral – jo me fjalë, por përmes veprimit të përditshëm.

Të nderuar të diplomuar!

Sot është një ditë solemniteti institucional, por edhe gëzimi njerëzor. Diplomimi juaj është jo vetëm një moment festimi, por edhe një çast reflektimi mbi përgjegjësinë që shoqëria shqiptare ju ka ngarkuar, juve që keni zgjedhur të jeni në shërbim të drejtësisë. 

Keni ndjekur një rrugëtim të gjatë, intensiv dhe sfidues. Nuk jeni formuar thjesht si zbatues të ligjit, por si magjistratë që pritet të tregoni integritet, ndjeshmëri shoqërore dhe aftësi për të analizuar e vendosur drejt edhe në kushtet më të vështira.

Ju përfaqësoni një brez që vjen në një moment vendimtar për reformimin dhe forcimin e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri. U përgatitët në një kohë ndryshimesh të mëdha dhe pritshmërish të larta. 

Si Kryetar i Këshillit Drejtues, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për stafin pedagogjik dhe të gjithë bashkëpunëtorët institucionalë që kanë udhëhequr me përkushtim dhe profesionalizëm këtë proces formimi.

Reforma në drejtësi ka tronditur strukturat e vjetra dhe ka ndërtuar një bazë të re institucionale. Por qytetarët ende presin drejtësi. Ju do të jeni gjyqtarë dhe prokurorë të një epoke që kërkon standarde të reja, një ndjenjë më të lartë përgjegjësie dhe një vizion të qartë mbi rolin tuaj si shërbyes të së drejtës. Shoqëria shqiptare është ende në kërkim të një drejtësie të besueshme, dhe ju jeni brezi që duhet të vendosë themelet e një kulture të re gjyqësore. Ky është një privilegj i madh, por edhe një barrë e rëndë. Shpresojmë dhe besojmë se do ta përmbushni me dinjitet këtë mision.

Në rrugën që keni zgjedhur do të përballeni me presione nga shumë drejtime: nga opinioni publik, nga media, nga politika, nga institucionet ku do të punoni, nga kolegët, dhe shpesh edhe nga pritshmëritë që i keni vendosur vetes. Në këtë udhëtim profesional do të ketë momente kur një vendim i drejtë do të jetë i papëlqyer, kur ndjekja e një çështjeje do të kërkojë jo vetëm prova, por edhe guxim për të mos u ndalur në gjysmë të rrugës. Dhe pikërisht në ato çaste, nuk do t’ju shpëtojnë as kodi, as ligji e as struktura, por integriteti juaj – ai zë i brendshëm që ju thotë: “Vepro sipas ndërgjegjes, edhe nëse kjo do të të kushtojë”.

Prandaj, ju ftoj të mos harroni kurrë se funksioni i magjistratit është, mbi të gjitha, një mision. Sfida juaj më e madhe do të jetë të ruani profesionalizmin dhe ndershmërinë, edhe kur është më e lehtë të heshtësh, të pranosh kompromisin ose të shmangësh përgjegjësinë.

Të nderuar të diplomuar!

Me fillimin e detyrës, ju përfaqësoni idealin e shoqërisë shqiptare për drejtësinë. Nuk jeni më kandidatë për magjistratë, por mbajtës të pushtetit më delikat dhe më të ndjeshëm në një shtet të së drejtës: do të vendosni për lirinë, pronën, jetën dhe dinjitetin e njerëzve. Ky pushtet nuk ka vlerë nëse nuk ushtrohet me ndërgjegje, drejtësi dhe kurajo.

Sot festoni arritjen tuaj. Nesër nis për ju misioni më fisnik dhe më i vështirë që një profesionist i drejtësisë mund të ketë: t’i shërbeni ligjit me ndërgjegje, qytetarëve me dinjitet dhe të vërtetës me guxim. 

Më shumë se kurrë, drejtësia shqiptare ka nevojë për një brez të ri magjistratësh që të mos jenë vetëm të formuar profesionalisht, por edhe moralisht të palëkundur. Integriteti, përgjegjshmëria dhe guximi moral nuk janë cilësi që mësohen një herë e përgjithmonë – ato provohen përditë, në çdo vendim dhe në çdo sjellje tuajën. Sigurisht, nuk mund të ndryshoni gjithçka menjëherë, por çdo ditë do të keni mundësinë të bëni një zgjedhje: të mos heshtni kur duhet të flisni, të mos nënshkruani kur nuk bindeni, të mos veproni verbërisht kur shkelja është e dukshme. Ju inkurajoj të lexoni me vëmendje historinë gjyqësore, shqiptare dhe ndërkombëtare. Do të zbuloni se figurat më të mëdha nuk janë ata që kanë ndjekur rrjedhën, por ata që i kanë qëndruar përballë saj kur ajo ka devijuar nga drejtësia.

Puna juaj nuk do të jetë e lehtë. Do të përballeni me dilema, me zhgënjime, me vështirësi, dhe ndonjëherë me vetminë që sjell vendimi i drejtë. Por do të keni gjithmonë një aleat të fuqishëm: ndërgjegjen tuaj. Uroj të mos e tradhtoni kurrë. Dhe që në çdo moment të marrjes së vendimeve, të dëgjoni zërin që ju fton të bëni atë që është e drejtë, jo atë që është më e lehtë.

Ju uroj suksese në rrugën që nisni. Të keni gjithmonë forcën për të qëndruar të drejtë në kohë të vështira, për të mbrojtur të vërtetën dhe për të mbajtur lart besimin se drejtësia, sado e vështirë, është gjithmonë e mundur.

Mos harroni kurrë: qytetarët nuk presin prej jush të jeni të përsosur, por të jeni të drejtë, të ndershëm dhe të besueshëm. Uroj të jeni gjithmonë të përulët përpara përgjegjësisë dhe krenarë për misionin tuaj.

Suksese në këtë rrugë që kërkon jo vetëm dije, por karakter, ndeshmëri dhe integritet.

Ju falëminderit!

Tiranë, më 30.06.2025