Të nderuar gjyqtarë,
10 maji shënon një datë të rëndësishme për gjyqësorin shqiptar. E njohim si “Dita e Drejtësisë”, por në fakt është e lidhur ngushtësisht me krijimin për herë të parë të Gjykatës së Lartë. Kjo e bën edhe më të veçantë. Në 10 maj 1913 nuk u dha ndonjë vendim gjyqësor, por cilësimi si Dita e Drejtësisë synon të lartësojë dhe rrënjosë thellë nevojën dhe rëndësinë që ka gjyqësori në 111 vjet të ekzistencës së shtetit shqiptar.
Tashmë është bërë e zakontë, që nën aureolën që mban kjo ditë e shënuar, të organizohen takime ose veprimtari që lidhen me drejtësinë dhe posaçërisht me sistemin gjyqësor. Ato mund të jenë me natyrë ndërgjegjësuese, përkujtimore, festive, kritike, ose të gjitha bashkë. Secili prej nesh, natyrshëm, bën një bilanc të arritjeve, vështirësive, mos realizimeve, objektivave të vëna dhe atyre të munguara, vlerësimeve a pakënaqësive, të shprehura e të nënkuptuara, të cilat janë pjesë e pandarë e procesit të punës në sistem.
Sot, në këtë takim mes gjyqtarëve, fokusi do të jetë në dy çështje kryesore: marrëdhëniet mes gjykatave dhe organeve të qeverisjes së sistemit dhe kontrolli rishikues i vendimeve gjyqësore. Të dy çështjet janë lidhura ngushtë me mënyrën se si administrohet drejtësia. Në fjalën time do të përqendrohem kryesisht te e para.
Është fakt i pakundërshtueshëm që vështirësitë në administrimin e drejtësisë kanë qenë të konsiderueshme, ashtu siç vijojnë të jenë të pranishme. E kujtoj përherë rinisjen e punës së Gjykatës së Lartë në prill 2020, në kulmin e pandemisë së shkaktuar nga Covid-19, me vetëm 3 gjyqtarë, me gjysmën e administratës në dispozicion dhe me 36.000 çështje në pritje për t’u gjykuar! Megjithëse Gjykata e Lartë ka një përmirësim të ndjeshëm të situatës post-reformë, falë punës dhe angazhimit maksimal të gjyqtarëve dhe stafit administrativ, por edhe Këshillit të Lartë Gjyqësor që ka plotësuar numrin e gjyqtarëve, ajo vijon të ketë pamjaftueshmëri të burimeve njerëzore, materiale dhe financiare.
Në fakt, kjo është situata në të gjitha gjykatat e Republikës, që do ta konsideroja problematike, në mos edhe kritike, për shkak të nivelit të performancës së administrimit të drejtësisë, mangësive në kryerjen e analizës dhe diagnostikimit të problemeve, mungesës së vizionit në planifikimin strategjik për të kuptuar se çfarë duhet bërë, dhe në veçanti për të ndërgjegjësuar dy pushtetet e tjera se në çfarë gjendje ndodhemi dhe se ku duhet të shkojmë. Përgjegjësia rëndon mbi të gjithë Ne gjyqtarët e Republikës, ashtu, si edhe mbi Këshillin e Lartë Gjyqësor, që nëpërmjet reagimit institucional dhe legjitimitetit të vendimmarrjes duhet t´i dëshmojmë ekzekutivit dhe legjislativit se sistemi i drejtësisë nuk zgjat dorën për lëmoshë, por kërkon prej tyre përmbushjen e detyrimeve kushtetuese e ligjore, në funksion të parimeve dhe vlerave, mbi të cilat vepron një shtet i së drejtës.
Thelbi i administrimit të drejtësisë konsiston në premtimin për një drejtësi të barabartë para ligjit dhe respektimin e garancive kushtetuese që kërkon një proces i rregullt. Kjo e bën të domosdoshme nevojën e gjykatave për mirëmenaxhim, që nuk mund t’ia japin gjyqtarët e mbingarkuar me një vëllim çështjesh në rritje drastike. Ne kemi nevojë për një trupë administratorësh të aftë për të menaxhuar dhe drejtuar, në mënyrë që gjyqtarët të përqendrohen në detyrën parësore, të gjykuarit. Gjykatat nuk mund të kryejnë siç duhet misionin e tyre, nëse struktura, qeverisja, vizioni strategjik, programet dhe veprimet që ndërmerren, nuk krijojnë një perceptim të merituar në publik se gjyqësor është i përgjegjshëm.
Tri janë drejtimet kryesore, që evidentojnë mirë apo keq administrimin e drejtësisë.
Së pari: Ne të gjithë e dimë se gjykatat kanë mangësi të theksuara në infrastrukturë, që evidentohet me:
- godina të amortizuara dhe me kufizime të ndjeshme të hapësirës së duhur për punë,
- zyra të pamjaftueshme dhe më e rënda, në disa gjykata, pa salla gjykimi, ku seancat gjyqësore zhvillohen në zyrat e gjyqtarëve dhe pa regjistrimin e procesit në audio,
- një sistem elektronik, pothuajse anakronik, që nuk siguron informacion menaxherial, por vetëm informacion të kufizuar statistikor mbi numrin e çështjeve të regjistruara e të përfunduara,
- problematika të ndjeshme në mënyrën e administrimit dhe të arkivimit të dosjeve, të çështjeve të sigurisë, apo të krijimit të hapësirave të përshtatshme për publikun etj.
Nuk arrihet të kuptohet se përse është në atë gjendje kritike Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë (dhoma Penale dhe Civile), që detyron zhvillimin e seancave gjyqësore në zyrë dhe gjyqtari nuk guxon të dalë prej saj, sepse në çdo moment do të ndeshet në korridoret e gjykatës me palët dhe me avokatët? Përse duhet të pranojmë Ne gjyqtarët të kemi drejtësi, që perfomon me dy standarde, ku në një gjykatë, qoftë edhe periferike, seancat gjyqësore zhvillohen në salla gjykimi, ndërsa në gjykatën e kryeqytetit seancat zhvillohen në zyrat e gjyqtarëve? Përse në Gjykatën e Posaçme kemi rregulla standarde për hyrjen e palëve në godinë dhe solemnitetin e zhvillimit të seancave gjyqësore, ndërsa në gjykatat e tjera palët përballen me një tjetër standard, që veçse e delegjitimon drejtësinë? Si është e mundur që është pranuar nga të gjithë Ne dhe, në veçanti nga KLGJ, që dy gjykatat e apelit të kryeqytetit të mos kenë mjaftueshëm zyra dhe salla gjykimi për gjyqtarët? A kemi ndonjë zgjidhje afatshkurtër apo afatgjatë për to?
Së dyti: Gjykata kanë mungesa të ndjeshme në burime njerëzore, kryesisht në këshilltarë/ndihmës ligjorë, sekretarë gjyqësorë dhe stafin ndihmës administrativ. Menaxhimi i burimeve njerëzore nuk duhet parë si një rol administrativ, por si rol strategjik e thelbësor për suksesin e gjyqësorit.
Mungon një strategji e qartë se si mund të realizohet përmbushja e këtij detyrimi nga KLGJ, kur pengesat për të shtuar numrin e ndihmësve ligjorë, sekretareve gjyqësore apo të stafit administrativ rezultojnë të jenë sa ligjore, aq edhe financiare e strukturore, sidomos kur planifikohet buxheti dhe nuk parashikohet dhe as insistohet te ekzekutivi dhe legjislativi për nevojën e rritjes së numrit të punonjësve në gjykata.
Së treti: Mbetet ende shqetësim trajtimi i buxhetit financiar që Kuvendi i akordon Gjykatës së Lartë dhe të gjithë gjykatave, nëpërmjet KLGJ, e cila nuk duket se e ka kuptuar drejt pavarësinë buxhetore të gjyqësorit. Në disa raste janë vënë re prirje për të konfonduar mbikëqyrjen administrative me mbikëqyrjen gjyqësore. KLGJ sipas kushtetutës është organ administrativ, ndërsa Gjykata e Lartë dhe të gjitha gjykatat janë organ gjyqësor. I pari është krijuar për të lehtësuar punën dhe mirëfunksionimin e të dytit, i cili duhet të fokusohet tek dhënia e drejtësisë. Një pjesë e madhe e kohës dhe energjisë së gjykatave shpenzohet me komunikime të përsëritura për çështje të buxhetit, gjë e cila jo vetëm është konsumim i kohës, por mbi të gjitha nuk pajtohet me kulturën institucionale në një shtet demokratik.
Pikërisht, këto tri tregues thelbësorë që dëshmojnë për gjendjen e gjykatave, nuk i përshtaten nevojave dhe kërkesave që imponon koha për të pasur një drejtësi eficente dhe funksionale. Shqetësimi publik për efektivitetin e sistemit gjyqësor, problematika e gjykatave për të përballuar ritmin e lartë të çështjeve, aksesi në drejtësi, transparenca, solemniteti, respektimi i afateve kohore të gjykimit, cilësia në vendimmarrje etj, janë faktorë që kontribuojnë në administrimin e drejtësisë.
Një vit pas fillimit të funksionimit të hartës gjyqësore, perceptimi i opinionit publik për administrimin e drejtësisë nuk rezulton të jetë i kënaqshëm. U krijua një Gjykatë Apeli e Juridiksionit të Përgjithshëm për të gjithë Republikën, me një organikë prej 78 gjyqtarësh, ndërkohë që rezulton me vetëm 26 gjyqtarë, ose 30% e kapacitetit, shifër kjo tepër e ulët, krahasuar me gjykatat e tjera. Për këtë gjykatë situata paraqitet më kritike edhe për shkak të infrastrukturës së papërshtatshme të saj, në të cilën zyrat dhe sallat e gjykimit nuk mjaftojnë as për 30 gjyqtarë. E njëjta situatë është edhe në gjykatat e tjera.
Gjykatat e apelit dhe ato të shkallës së parë po përballen me një backlog të frikshëm në shifra që rriten përditë. Është e vërtetë që modeli i zbatuar në Gjykatën e Lartë për uljen e backlogut pati sukses, falë edhe ndihmës së dhënë nga projekti me INL, por nevojitej një strategji konkrete për të ditur si do të vijohet më tej, pas përfundimit të projektit në vitin 2025, ndërkohë që nuk po kuptohet se backlogu prej 60.000 çështjesh, po çon drejt kolapsit dy gjykatat e apelit, që pas disa viteve do transferohet përsëri në Gjykatën e Lartë.
Vonesat e akumuluara prodhojnë punë të prapambetur që çon dëm burimet e gjykatës, rrit tarifat e avokatëve në mënyrë të panevojshme dhe krijon konfuzion në caktimin e orareve dhe të sallave të gjykimit. Publiku pret dhe meriton drejtësi të shpejtë dhe të përballueshme ekonomikisht. Vonesa sinjalizon dështimin e drejtësisë dhe e vendos gjykatën nën kritikë dhe në humbjen e besimit publik. Çdo gjykatë duhet të monitorojë rregullisht nëse e përballon vëllimin e çështjeve që regjistrohen për gjykim. Ato duhet të synojnë të përfundojnë në një vit, të paktën aq çështje sa regjistrohen. Kërkesat për shtyrje të gjykimeve mund të zvogëlohen nëse ka një planifikim të saktë dhe të arsyeshëm të çështjeve. Toleranca e tepruar e gjyqtarëve ndaj çdo kërkese të palëve sjell shtyrje të seancave dhe vonesë. Një monitorim i kompjuterizuar i çështjeve mund të japë informacionin që nevojitet për të nxjerrë në pah shembujt e abuzimit, ashtu si vendosja e sanksioneve duhet të konsiderohet nga gjykata si një mekanizëm që demotivon kërkesat për shtyrje të paarsyeshme të seancave gjyqësore.
Referuar problematikave të shumta, në të cilat gjendet sistemi, jemi shumë të vonuar në kryerjen e planifikimit strategjik për mirëfunksionimin e gjykatave dhe miradministrimin e proceseve gjyqësore. Duket sikur ecim në një rrugë pa krye, në pritje se çfarë mund të bëjnë të tjerët për gjyqësorin. Megjithatë, është vendi dhe momenti për të drejtuar gishtin nga vetja, pasi të gjithë Ne, ndihemi përgjegjës për mirë apo keqadministrimin e drejtësisë, por edhe për të shprehur me kurajo kritika konstruktive ndaj organeve që kanë përgjegjësinë për mirëqeverisjen e sistemit.
KLGJ duhet të fokusohet tek misioni dhe funksioni i saj për të qenë bashkëpunuese me gjykatat, që të mirëadministrojnë dhënien e drejtësisë. Ky organ është formatuar me përbërje mikse, gjyqtarë dhe jo gjyqtarë. Me sa duket, ky miksim përvojash, megjithëse me gjyqtarë në shumicë, nuk po arrin të ketë eficencën e dëshiruar. Gjyqtarët që zgjidhen si anëtarë të Këshillit, në platformat që paraqesin për këtë qëllim, mbi të cilin marrin edhe besimin e kolegëve, përfshijnë edhe çështje të administrimit më të mirë të gjykatave. Konstatohet se një pjesë e çështjeve të ngritura dhe të premtuara si të rëndësishme për t’u trajtuar prej tyre, veniten me kalimin e kohës ose bëhen dytësore, duke mos sjellë kështu ndonjë ndryshim në situatën aktuale të gjykatave. Indiferenca, zvarritjet, mungesa e reagimit ndaj çështjeve sensitive për shkak të konformizmit ose interesit të çastit, apatia burokratike, mungesa e vizionit apo demotivimi nuk duhet të jenë të pranishme tek anëtarët gjyqtarë, sepse ata zgjidhen pikërisht për të përçuar zërin dhe nevojat e kolegëve të tyre në organin qeverisës. Gjyqtarët duhet të kenë një zë më të fuqishëm për të ndërgjegjësuar organin ku janë zgjedhur, për tu përballur me dy pushtetet e tjera dhe për t’i imponuar atyre zgjidhjet e domosdoshme. Këshilli i Lartë Gjyqësor është ngritur për të krijuar kushtet e nevojshme dhe të përshtatshme për gjykatat, që të mund të kryejnë misionin e dhënies së drejtësisë. Sot, në vitin e gjashtë të formatimit të KLGJ, gjendemi para fakteve se:
- të gjitha gjykatat e Republikës, përjashtimisht Gjykatës së Lartë, nuk drejtohen nga kryetarë të zgjedhur, por nga zëvendëskryetarë, të cilët nuk po e marrin përgjegjësinë e plotë të drejtimit për shkak të mospasjes së legjitimitetit nga e gjithë trupa;
- kancelarët e gjykatave, që janë personat përgjegjës dhe me peshë kryesore në miradministrimin e gjykatave, vazhdojnë të jenë ende të pakonfirmuar në detyrë;
- gjykatat kanë vështirësi në administrimin e buxhetit, për shkak të konceptit se çdo shpenzim duhet të miratohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, ndërkohë që një ndër kolonat e gjyqësorit të pavarur lidhet me vetadministrimin e buxhetit;
- gjyqtarët vijojnë të trajtohen me koeficentin 0.36% të pagës së Presidentit të Republikës që është dukshëm jo vetëm nën nivelin 0.925% të pagës së kryetarit të Kuvendit dhe të Kryeministrit, por edhe nën nivelin prej 0.45% të pagës së anëtarëve të enteve rregullatore që varen nga parlamenti;
- një pjesë e konsiderueshme e gjyqtarëve janë detyruar të marrin cilësinë e paditësit në procese gjyqësore, duke kërkuar detyrimin e Këshillit dhe të gjykatave për të respektuar standardin kushtetues të mos prekjes së pagës dhe shpërblimin sipas ligjit;
- vonesa e pajustifikuar në procesin e vlerësimit etiko-profesional po kthehet në një nga shkaqet kryesore dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në administrimin e drejtësisë;
- mosrespektimi i afatit ligjor për përfundimin brenda muajit qershor të çdo viti të procedurave të transferimit paralel dhe ngritjes në detyrë e ka kthyer në rregull mosshpalljen brenda muajit korrik të vendeve të lira dhe caktimin në pozicion të magjistratëve të sapo diplomuar; Një lloj ngurrimi vihet re edhe për shpalljen e vendeve të lira me qëllim kryerjen e procedurave të lëvizjes paralele, ngritjes së detyrë, transferimit të përkohshëm, delegimit, komandimit etj;
- përfshirja në procedurë e miratimit të normës mesatare të ngarkesës së gjyqtarëve, pa përgatitur më parë një studim të detajuar dhe gjithpërfshirës që përcakton qartësisht dhe në mënyrë të arsyeshme standarde kohore për zgjidhjen e një çështje, duke marrë në konsideratë si gjendjen normale, ashtu edhe specifikën që paraqet sot sistemi, nuk është zgjidhja e përshtatshme për një administrim eficent të drejtësisë;
- nuk ka një planifikim strategjik mbi numrin e përgjithshëm të gjyqtarëve këshilltarëve/ndihmësve ligjorë e stafit administrativ për 5 vitet e ardhshme, ndërkohë që sistemi ynë nuk plotëson as gjysmën e numrit mesatar të gjyqtarëve për 100.000 banorë;
- mungesa e një platformë komunikimi efiçente, ku adresohen në kohë reale shqetësimet e përditshme të trupës gjyqësore që duhet të marrin zgjidhje nga Këshilli, pa i kanalizuar në procedura burokratike, thellon hendekun dhe ndikon negativisht në marrëdhëniet mes tyre;
- mungesa e një sistemi elektronik të vetëm për të gjithë gjykatat, që siguron informacion menaxherial dhe që shmang proceset manuale tejet të vjetëruara, është një pengesë serioze e një sistemi efikas për menaxhimin e vëllimit të çështjeve gjyqësore, etj, etj.
Anëtarët e KLGJ, të cilëve duhet tu rikujtojmë se janë zgjedhur për të ushtruar këtë funksion me kohë të plotë, duhet të rritin maksimalisht tempin e punës, ashtu si kolegët e tyre gjyqtarë, që për shkak të mbingarkesës kanë humbur nocionin e ditëve të pushimit ditor e javor. Nevojat që ka sistemi i drejtësisë nuk janë vetëm të gjyqtarëve, por ato shkojnë në drejtim të shërbimit që u jepet qytetarëve. Ne jemi të vetëdijshëm se një pjesë e çështjeve kërkojnë veprime konkrete nga ekzekutivi e legjislativi, por nëse nuk ka një presion të fortë dhe të vazhdueshëm nga gjyqtarët dhe nëpërmjet nesh nga KLGJ, edhe administrimi i drejtësisë nuk do ketë performancën që nevojitet.
Nga ana tjetër, gjykatat kanë nevojë për administratorë profesionistë për të organizuar, menaxhuar çështjet jogjyqësore nën udhëzimin e gjyqtarëve. Gjyqtarët që janë të mbingarkuar dhe me presionin në rritje për të dhënë më shumë vendime, u duhet të ndajnë kohën e tyre për të përmbushur funksione administrative dhe gjyqësore. Ne kemi shumë juristë në gjykatë, por pak administratorë të mirë që dinë të kryejnë menaxhim të burimeve njërëzore, administrim fiskal, menaxhim të çështjeve gjyqësore e të teknologjisë, marrëdhënie me komunitetin dhe informacione për publikun, shërbime të sekretarisë, menaxhim të hapësirës fizike, koordinim ndërqeveritar, etj. Të gjitha këto janë përgjegjësi e organeve të ngarkuara me administrimin gjyqësor, nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Gjykatës, Kryetari i Gjykatës, Kancelari dhe deri te kategoritë e ndryshme të nëpunësve civilë gjyqësorë.
Prandaj, le ta shfrytëzojmë këtë takim të sotëm, në kujtim të Ditës së Drejtësisë, si një mundësi për të dialoguar mes gjyqtarëve, duke ftuar secilin prej jush të ndajë opinionet për të gjetur rrugë e mënyra të adresimit të këtyre çështjeve.
Si Kryetar i Gjykatës së Lartë, por edhe si kolegu juaj ndjej përgjegjësinë për të përcjell hapur dhe drejtpërdrejt problemet dhe vështirësitë me të cilat përballemi sot dhe nëse nuk jemi Ne të parët që i pranojmë dhe i adresojmë aty ku duhet, nuk kemi pse presim nga të tjerët të kujdesen për miradministrimin e drejtësisë.
Ky forum mes gjyqtarësh është vendi më i përshtatshëm për t’u shprehur dhe për të nxitur KLGJ për të adresuar me forcë tek qeveria dhe parlamenti nevojat imediate të sistemit gjyqësor. Askush më mirë se gjyqtarët nuk i di problemet e gjyqësorit, askush më mirë se gjyqtarët nuk e kupton dhe ndjen peshën e padrejtësisë, cenimin e pavarësisë dhe presionin për shkak të saj. Ne jemi ata që duhet ta bëjmë sistemin gjyqësor të besueshëm, profesional dhe me integritet.
Duke i’u referuar temës së këtij takimi, të titulluar “Dialog mes gjyqtarëve”, në mbyllje të fjalës time, po paraqes një ide për të realizuar forumin e gjyqtarëve në të gjitha format dhe mjetet e teknologjisë bashkëkohore. Ngritja e një platforme elektronike do të jetë një hapësirë e dedikuar vetëm gjyqtarëve të të gjitha niveleve, ku secili të ketë mundësinë të shprehë mendimet dhe shqetësimet e tij, lidhur me miradministrimin e gjykatave, opinione të cilat më pas i adresohen KLGJ për zgjidhje. Gjykata e Lartë e ka të gatshme infrastrukturën për ngritjen e kësaj platforme, por për këtë nevojitet vullneti juaj dhe i KLGJ. Një forum i tillë ndihmon për ngritjen në kohë reale të të gjitha problematikave që shqetësojnë gjyqtarët, duke lejuar shkëmbimin e përvojave, mendimeve dhe sfidave profesionale që përballen çdo ditë, pa pritur domosdoshmërisht organizimin e mbledhjeve të tilla, të cilat do shërbejnë për vendimmarrjet përkatëse.
Duke shpresuar se takime të tilla ndërgjegjësuese i shërbejnë mirëadministrimit të drejtësisë dhe vlejnë edhe më tepër në përkujtimin e kësaj dite të veçantë, më lejoni t’ju uroj të gjithëve,
Gëzuar ditën e drejtësisë.