Buletini tematik Pavlefshmeria e Titullit Ekzekutiv

Buletini Tematik 

            Problematika të Fazës së Ekzekutimit të Detyrueshëm

  1. Pavlefshmëria e titullit ekzekutiv

Në këtë përmbledhje vendimesh janë trajtuar veçanërisht raste të pavlefshmërisë së titujve ekzekutivë që burojnë nga deklaratat noteriale të njohjes së detyrimit, kontratat  e kredisë bankare dhe faturat e energjisë elektrike të cilat ligji i njeh si tituj ekzekutivë. 

Nëpërmjet praktikës së saj, Gjykata e Lartë ka kontribuar në përcaktimin e kritereve për vlerësimin e vlefshmërisë së titullit ekzekutiv, duke balancuar nevojën për siguri juridike në ekzekutimin e detyrimeve me të drejtën e subjekteve për t'u mbrojtur nga ekzekutimi i bazuar në tituj të nxjerrë në kundërshtim me ligjin. 

Gjykata e Lartë ka mbajtur vazhdimisht qëndrimin se padia e bazuar në nenin 609 të KPC nuk synon kontrollin formal të procedurës së ekzekutimit, por verifikimin nëse titulli ekzekutiv dhe vetë detyrimi që ai përmban janë juridikisht të vlefshëm dhe të ekzekutueshëm. Ky qëndrim jurisprudencial kontribuon në njësimin e praktikës gjyqësore dhe në forcimin e garancive procedurale në fazën e ekzekutimit civil.

Jurisprudenca dhe praktika gjyqësore ka evidentuar gjithashtu dallimin ndërmjet padisë për pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv dhe asaj të kundërshtimit të veprimeve përmbarimore. Këto mjete procedurale të mbrojtjes  kanë objekt dhe shkak juridik të ndryshëm, ndaj zgjedhja e mjetit të duhur procedural është me rëndësi thelbësore për garantimin e mbrojtjes gjyqësore efektive të palëve.

 

  1. Vendimi njësues nr. 00-2024-5438 (191), datë 18.04.2024 i Kolegjit Civil

Maksima - Fatura e energjisë elektrike për pjesën e dëmit ekonomik të faturuar nga shoqëria e shpërndarjes së energjisë elektrike sipas ligjit nr.9072, datë 22.05.2003 “Për sektorin e energjisë elektrike”, i ndryshuar me ligjin nr.10362, datë 16.12.2010, dhe ajo e lëshuar sipas ligjit nr.43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike”, si dhe akteve nënligjore të ERE, të dala në zbatim të secilit ligj në këtë fushë, ka cilësinë e titullit ekzekutiv.

Fjalë kyçe - fatura e energjisë elektrike, shoqëria e shpërndarjes së energjisë elektrike, titull ekzekutiv, dëm ekonomik.

Përmbledhje - CEZ Shpërndarje SHA (sot OSHEE SHA), i ka faturuar abonentit jofamiljar dëmin ekonomik në rubrikën energji e pamatur të faturës. Ky i fundit ka kërkuar në gjykatë me padi pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv që është fatura e energjisë elektrike. Gjykatat më të ulëta kanë pranuar padinë duke deklaruar të pavlefshme faturën me arsyetimin se CEZ Shpërndarje nuk ka të drejtë të faturojë dëmin ekonomik dhe për këtë shkak kjo faturë nuk është titull ekzekutiv. OSHEE SHA ka paraqitur rekurs duke kërkuar ndryshimin e vendimeve të gjykatave dhe rrëzimin e kërkesëpadisë duke argumentuar të kundërtën. KCGJL ka evidentuar nevojën për njësimin e praktikës gjyqësore pas konstatimeve se në praktikën e gjykatave më të ulëta dhe në Gjykatën e Lartë mbahen qëndrime të ndryshme lidhur me cilësinë si titull ekzekutiv të faturës së energjisë elektrike për pjesën e dëmit ekonomik. Në qëndrimin e parë jurisprudenca e gjykatave mbështet arsyetimin se dëmi ekonomik në faturën e energjisë elektrike, nuk mund të jetë pjesë e faturës dhe fatura për këtë pjesë nuk ka cilësinë e titullit ekzekutiv. Në qëndrimin e dytë jurisprudenca e gjykatave mbështet arsyetimin se vlera e detyrimit të pasqyruar në faturën e energjisë elektrike, si dëm ekonomik, mund të vendoset në këtë faturë dhe të jetë pjesë e titullit ekzekutiv. KCGJL njëson praktikën gjyqësore duke vendosur se fatura e energjisë elektrike për pjesën e dëmit ekonomik të faturuar nga shoqëria e shpërndarjes së energjisë elektrike sipas ligjeve në këtë fushë dhe e përllogaritur sipas vendimeve të ERE ka cilësinë e titullit ekzekutiv.

 

  1. Vendim  nr. 00-2022-179 (36), datë 31.01.2022 i Kolegjit Civil

Maksima - Kur kemi kërkime për pavlefshmërinë e titujve ekzekutivë dhe si pasojë e kësaj pavlefshmërie të konstatuar nga gjykata ka ardhur dhe anulimi i veprimeve të përmbaruesit, si afat për kundërshtimin e vendimit përfundimtar do të merret afati i ankimit që përcaktohet për nenin 609 të KPC.

Fjalë kyçe - pavlefshmëri titulli ekzekutiv, kontratë dorëzanie, afat ankimi, anulim veprimesh përmbarimore.

Përmbledhje - Në këtë çështje, i padituri në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të një shoqërie tregtare ka lidhur me Bankën një kontratë huaje dhe më pas një shtesë huaje për financimin e ngritjes së një fabrike qumështi. Për garantimin e kthimit të kredisë është lidhur kontratë hipotekimi mbi pasurinë e paditësve, anëtarë të së njëjtës familjeje, të cilët kanë nënshkruar edhe një akt dorëzanie në favor të Agjencisë së Trajtimit të Kredive. Për shkak të mosshlyerjes së detyrimit nga debitori, Agjencia ka kërkuar ekzekutimin e titullit ekzekutiv dhe është vendosur sekuestro mbi pasurinë e paluajtshme të dorëzanësve. Paditësit iu drejtuan gjykatës duke kërkuar konstatimin e pavlefshmërisë absolute të kontratës së hipotekës dhe aktit të dorëzanisë si dhe duke kundërshtuar veprimet përmbarimore si të kryera pa dijeninë e tyre dhe në kundërshtim me ligjin. Gjykata e rrethit ka pranuar padinë, ndërsa gjykata e apelit ka vendosur mospranimin e ankimit të bërë Agjencia e Trajtimit të Kredive. KCGJL e vlerëson të gabuar arsyetimin dhe përfundimin e arritur nga Gjykata e Apelit Tiranë, për faktin se pala paditëse ka pretenduar pavlefshmërinë e titujve ekzekutivë. Në kushtet kur në çështjen objekt shqyrtimi kemi kërkime të cilat rregullohen sipas përcaktimeve të nenit 609 të KPC, dhe si pasojë e kësaj pavlefshmërie të konstatuar nga gjykata e shkallës së parë ka ardhur dhe anulimi i veprimeve të përmbaruesit, si afat për kundërshtimin e vendimit përfundimtar, do të merret afati i ankimit që përcaktohet për nenin 609 të KPC. Ankimi i veçantë ushtrohet kundër vendimeve të ndërmjetme të gjykatës së shkallës së parë, vetëm në ato raste kur ai është parashikuar shprehimisht. Për rastet e tjera, si mjet ankimi për goditjen e vendimeve të gjykatës së shkallës së parë ushtrohet ankimi, afati i të cilit është 15 ditor.

  1. Vendim nr. 00-2023-790 (56), datë 08.02.2023 i Kolegjit Civil

Maksima - Në kërkimet për përmbushjen e detyrimit që rrjedh nga titulli ekzekutiv, kreditori ka të drejtë për të kërkuar përmbushjen e tij brenda tre viteve, afat ky që nis të llogaritet nga momenti kur detyrimi është bërë i kërkueshëm. Kur ky afat ka kaluar, detyrimi konsiderohet i shuar për shkaqe të lidhura me parashkrimin sipas legjislacionit të kohës. 

 

Fjalë kyçe - pavlefshmëri titulli ekzekutiv, kontratë kredie bankare, afat parashkrimi, shuarje detyrimi.

Përmbledhje - Në këtë çështje ka rezultuar se firma “E”, ka marrë një kredi bankare në vitin 1993 nga ish-Banka e Kursimeve, në masën 40 000 $, me afat 1 vjeçar. Paditësi ka paguar deri në datën 13.10.1993 një shumë prej 5800 $ dhe më tej nuk ka bërë asnjë pagesë. Pas ndryshimeve ligjore,  të drejtat e bankës i kaluan Agjencisë së Trajtimit të Kredive e cila në vitin 2003 ka paraqitur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan kërkesën për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit. Pasi nuk është përmbushur vullnetarisht detyrimi, zyra e përmbarimit ka filluar procedurat e ekzekutimit të detyrueshëm duke inventarizuar pasurinë e paditësit, një minifabrikë prodhimi buke, për të cilën ishte dhënë kredia e vitit 1993. Në datën 15.06.2010 kjo minifabrikë është vlerësuar nga ekspertë në shumën 1 000 000 lekë. Në datën 29.07.2010, pa u realizuar procedurat e shitjes së minifabrikës, paditësi ka paraqitur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan padinë për deklarimin e pavlefshëm si titull ekzekutiv, e cila është pranuar për shkak se detyrimi është shuar. Gjykata e Apelit Durrës ka vendosur ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan e rrëzimin e padisë.

Në zbatim të neneve 59 e vijues të Kodit Civil të vitit 1981, KCGJL vlerëson se kreditori, ish-Banka e Kursimeve ka patur të drejtën për të kërkuar përmbushjen e detyrimit brenda tre viteve, afat ky që nis të llogaritet nga momenti kur detyrimi është bërë i kërkueshëm. Kontrata e kredisë ka qenë me afat të caktuar një vit, pra detyrimi është bërë i kërkueshëm në datën 14.7.1994. Nga ky moment nis të llogaritet edhe afati i parashkrimit të padisë të kreditorit për të kërkuar përmbushjen e detyrimit, afat ky që është plotësuar. Në fakt kërkesa për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit është depozituar në gjykatë në vitin 2003, në kohën kur për efekt të ligjit, detyrimi konsiderohet i shuar, për shkaqe të lidhura me parashkrimin. Për këtë arsye kontrata e kredisë nuk mund të përbëjë më titull ekzekutiv, arsye për të cilën nuk duhet të ishte lëshuar urdhëri i ekzekutimit nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan. Për sa më sipër,  KCGJL vendosi prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit Durrës dhe lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

  1. Vendim nr. 00-2024-689(790), datë 09.01.2024 i Kolegjit Civil

Maksima - Fakti që kontrata e huasë është noteriale dhe përmban një detyrim në të holla, nuk i jep asaj cilësinë e titullit ekzekutiv sipas nenit 510/d të KPC. Qëndrimi pasiv i debitorit në përmbushje të detyrimit kontraktor i jep të drejtë kreditorit t’i drejtohet gjykatës me padi kundër tij dhe jo të kërkojë lëshimin e urdhrit të ekzekutimit, pasi kontrata e huasë nuk e ka një cilësi të tillë.

Fjalë kyçe - pavlefshmëri e titullit ekzekutiv, mospërmbushje e detyrimit kontraktor, detyrim në të holla, kontratë huaje.

Përmbledhje - Në këtë çështje paditësi kërkoi deklarimin e pavlefshëm si titull ekzekutiv të një kontrate noteriale huaje dhe anulimin e veprimeve përmbarimore të kryera mbi bazën e saj. Gjykatat e faktit e rrëzuan padinë, duke e konsideruar kontratën noteriale të huasë si titull ekzekutiv sipas nenit 510/d KPC. KCGJL vlerësoi se ky interpretim ishte i gabuar dhe në kundërshtim me vendimin njësues nr. 980/2000. Kolegji theksoi se kontrata e huasë është veprim juridik i dyanshëm dhe nuk përmban deklarim të njëanshëm, të pakushtëzuar dhe abstrakt të detyrimit, çka është kriter thelbësor për një akt noterial që të konsiderohet titull ekzekutiv. Ligji ka veçuar shprehimisht vetëm kreditë bankare dhe ato të institucioneve financiare jobankare si tituj ekzekutivë, për shkak të interesit publik. Për këto arsye KCGJL vendosi ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe deklarimin e pavlefshëm të titullit ekzekutiv kontratë huaje, anulimin e veprimeve përmbarimore të kryera nga përmbaruesi në zbatim të këtij titulli.

 

  1. Vendim nr. 00-2024-2090 (266), datë 14.05.2024 i Kolegjit Civil

Maksima   Në rastet e përllogaritjes së gabuar të detyrimit të pashlyer sipas kontratës bankare të ristrukturimit, debitori mund të kërkojë deklarimin e pavlefshëm të titullit ekzekutiv lidhur me këtë detyrim, si një nga mjetet e mbrojtjes kundër ekzekutimit të vendimeve gjyqësore civile.

 

Fjalë kyçe - pavlefshmëri  titulli ekzekutiv, kontratë bankare e ristrukturuar, përllogaritje detyrimi.

Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se paditësja, më datë 10.08.1995, kishte lidhur një kontratë kredie me ish-Bankën e Kursimeve në shumën 3 700 000 lekë. Pas ristrukturimit të huasë në vitin 1999 u konstatua se një pjesë e detyrimit ishte shlyer, ndërsa detyrimi i mbetur prej 3 402 555 lekësh u ripërcaktua me akt noterial, me afat të ri shlyerjeje. Mbi kërkesën e Agjencisë së Trajtimit të Kredive, në vitin 2009 u lëshua urdhër ekzekutimi për shumën 4 240 627 lekë. Paditësja kundërshtoi këtë titull ekzekutiv, duke pretenduar se kredia ishte shlyer dhe gjykatat e faktit pranuan padinë duke e deklaruar titullin ekzekutiv të pavlefshëm. KCGJL vlerësoi se gjykatat nuk kishin analizuar në mënyrë të plotë marrëdhënien kontraktore sipas kushteve të ristrukturimit të huasë dhe as pagesat e kryera nga paditësja. Nga akti i ekspertimit i kryer në gjykim, ka rezultuar se është marrë në konsideratë vetëm kontrata fillestare e huasë pa u përllogaritur kontrata e ristrukturimit e vitit 1999. Për këtë arsye, u çmua se vendimet për pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv ishin rezultat i zbatimit të gabuar të ligjit dhe se në rigjykim duhej të administroheshin provat e nevojshme, përfshirë ekspertimin kontabël, për të përcaktuar nëse ekzistonin detyrime të pashlyera sipas kontratës së ristrukturimit. Për këtë arsye KCGJL vendosi prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit Durrës dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm me tjetër trup gjykues.

        1. Vendim nr. 00-2024-2316(338), datë 30.05.2024 i Kolegjit Civil

Maksima - Në një procedurë ekzekutimi, ligji i ka njohur si mjet mbrojtje paditësit edhe padinë për pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv, sipas nenit 609 të KPC, padi e cila ka në thelb kontestimin e debitorit për fuqinë ekzekutive të titullit ekzekutiv dhe që  ndryshon nga padia për pavlefshmërinë e veprimit juridik. Për sa kohë ka mbivendosje të shkaqeve të artikuluara të padisë, ashtu sikundër dhe kërkimeve të saj, gjykata ka për detyrë të sqarojë këtë moment procedural.

Fjalë kyçe - pavlefshmëria e veprimit juridik, procedurë ekzekutimi, 
pavlefshmëri titulli ekzekutiv, mbivendosje të shkaqeve të padisë, kontratë huaje .

Përmbledhje - Në këtë çështje paditësi me të paditurin ka lidhur një kontratë huaje datë 24.09.2010, për shumën 1 600 000 lekë. Kjo kontratë për të cilën gjykata ka lëshuar urdhër ekzekutimi, është kundërshtuar nga pala paditëse si nga vlefshmëria ligjore dhe nga elementet e saj. Palët kanë lidhur një kontratë shitblerjeje apartamenti datë 05.10.2010 me të cilën është blerë nga paditësi një apartament me vlerë prej 56 000 euro. Kjo shumë është likuiduar në këste në shumën prej 2 400 000 lekë në momentin e nënshkrimit të kontratës. Shuma prej 2 590 000 lekë është paguar nga kredia e përfituar nga paditësi, ndërkohë diferenca e mbetur do të shlyhej me vonë me këste. Sipas paditësit në padijeni të plotë të akteve që po nënshkruante pranë zyrës së noteres, ka firmosur në aktin e datës 24.09.2010, ku ndër të tjera rezultonte se kishte marrë hua të paditurit 1 600 000 lekë. Prej tij është theksuar fakti se në të vërtetë kjo kontratë nuk ka përmbushur elementet thelbësore të një akti noterial, i cili ka në objektin e saj përfitimin e një shume të hollash e konkretisht që i referohen pikërisht dëftesës së lëshuar nga i padituri kundrejt paditësit, ku të dokumentonte derdhjen e shumës së dhënë hua. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë ka vendosur pranimin e kërkesëpadisë dhe deklarimin e pavlefshëm të titullit ekzekutiv, kontratë huaje ndërsa Gjykata e Apelit Tiranë ndryshoi vendimin dukerrëzuar kërkesëpadinë.

KCGJL vlerëson se, për sa kohë ka mbivendosje të shkaqeve të artikuluara të padisë dhe kërkimeve të saj, gjykata duhet të kishte sqaruar këtë moment procedural. Kontrata e huasë përbën një veprim juridik, që për çdonjërën nga palët nuk ka pengesë për të kërkuar nga gjykata anulimin e tij si të pavlefshëm brenda afatit kohor të parashkrimit. Lëshimi i urdhrit të ekzekutimit për kontratën noteriale të huasë, nuk pengon paditësin të kontestojë këtë veprim juridik dhe të kërkojë anulimin e tij si të pavlefshëm nga gjykata. Nga ana tjetër, paditësi, si palë debitore në një procedurë ekzekutimi, ka si mjet mbrojtjeje edhe padinë për pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv, padi kjo e ndryshme nga padia për pavlefshmërinë e veprimit juridik.

  1. Vendim nr. 00-2024-214(40), datë 31.01.2024 i Kolegjit Civil 

Maksima - Padia për pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv dhe kundërshtimi i veprimeve përmbarimore janë mjete juridike të ndryshme me objekt dhe funksion të ndryshëm. Kundërshtimi i veprimeve përmbarimore shqyrtohet vetëm nëse paraqitet brenda afatit 5-ditor të nenit 610 KPC, ndërsa gjykata ka detyrimin të identifikojë saktë objektin real të padisë dhe të shqyrtojë në themel pretendimet për masën ose ekzistencën e detyrimit që buron nga titulli ekzekutiv.

Fjalë kyçe  - Pavlefshmëri e titullit ekzekutiv, kontratë kredie bankare, kundërshtim i veprimeve përmbarimore, afat ankimi.

Përmbledhje - Në këtë vendim paditësja kundërshtoi ekzekutimin e një detyrimi që rridhte nga kontrata e kredisë bankare, duke kërkuar pavlefshmërinë e titullit të detyrimit dhe kundërshtimin e veprimeve të përmbaruesit. Gjykatat e faktit rrëzuan padinë, duke arsyetuar se shkresa e bankës që konfirmonte shumën e detyrimit nuk përbënte titull ekzekutiv dhe se kundërshtimi i veprimeve përmbarimore ishte paraqitur jashtë afatit ligjor. KCGJL vlerësoi se për pjesën që lidhet me kundërshtimin e veprimeve përmbarimore vendimet e gjykatave ishin të drejta, pasi ankimi ishte bërë jashtë afatit 5-ditor të nenit 610 KPC dhe pa identifikuar konkretisht veprimet e kundërshtuara. KCGJL, çmoi se gjykatat kishin zbatuar gabim ligjin procedural lidhur me kërkimin për pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv, pasi nuk kishin analizuar në thelb mosmarrëveshjen që lidhej me kontratën e kredisë si titull ekzekutiv dhe me pretendimin se detyrimi ekzistonte në një masë më të vogël. Gjykata theksoi se objekti i padisë duhet të vlerësohet në tërësinë e pretendimeve dhe jo vetëm nga formulimi formal i saj, si dhe se në raste të tilla është i nevojshëm hetim i plotë gjyqësor, përfshirë verifikimin kontabël të detyrimit. Për rrjedhojë, Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin për rrëzimin e kundërshtimit të veprimeve përmbarimore, por prishi pjesërisht vendimin e apelit dhe e ktheu çështjen për rishqyrtim lidhur me pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv.

  1. Vendim nr. 00-2024-858(100), datë 06.03.2024 i Kolegjit Civil

Maksima - Akti noterial si titull ekzekutiv duhet të përmbajë në vetvete, një veprim juridik me detyrim të njëanshëm dhe abstrakt për pagimin e një shume të caktuar në para, pa përcaktuar në këtë akt afate apo kushte detyrimi. 2. Lëshimi i urdhrit të ekzekutimit që ka konsideruar një akt titull ekzekutiv nuk përbën “gjë të gjykuar”, në kuptimin që gjykata e cila shqyrton në themel padinë me objekt pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv, mund të vlerësojë lirisht dhe e pakushtëzuar nga urdhri i ekzekutimit, faktin nëse akti përbën apo jo titull.

Fjalë kyçe - pavlefshmëri e titullit ekzekutiv, kundërshtim i veprimeve përmbarimore, gjë e gjykuar, akt noterial, urdhër ekzekutimi.

Përmbledhje - Në këtë çështje pala paditëse nëpërmjet padisë objekt gjykimi ka pretenduar pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv, deklaratë noteriale dhe kundërshtimin e veprimeve përmbarimore të kryera për ekzekutimin e tij, për shkak se deklarata noteriale në fjalë nuk përbën titull ekzekutiv. Kolegji vlerëson se në rastin konkret nuk jemi përpara një veprimi juridik të njëanshëm, por kemi të bëjmë me një marrëdhënie juridike huaje (veprim juridik i dyanshëm). Për rrjedhojë ky akt nuk përfaqëson titull ekzekutiv në kuptim të nenit 510/d të Kodit të Procedurës Civile, si akt noterial i cili përmban detyrime në të holla. Kolegji shprehet se i takon gjykatës e cila shqyrton padinë me objekt pavlefshmërinë e titullit që në rastin kur pretendohet se akti nuk përbën titull, të vlerësojë nëse ai përbën apo jo titull ekzekutiv, pavarësisht nga çfarë është trajtuar me vendimin për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit. Kundërshtimi i veprimeve përmbarimore, nuk bëhet si një kërkim i mëvetësishëm, por si një kërkim aksesor i atij për pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv, për sa kohë pretendohet se akti në tërësinë e tij nuk përbën titull ekzekutiv. Për këto arsye KCGJL vendosi ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë dhe të Gjykatës së Apelit, Tiranë duke pranuar padinë dhe duke konstatuar pavlefshmërisë si titull ekzekutiv të Deklaratës Noteriale.

 

  1. Vendim nr. 00-2024-5471(646), datë 20.11.2024 i Kolegjit Civil

 

Maksima - Kur paditësi ka kërkuar pavlefshmërinë e titullit, jo për shkak të parashkrimit të detyrimit, por për shkak se detyrimi është më i vogël se ai i ekzekutuar nga përmbaruesi, ai ka të drejtë të kërkojë pavlefshmëri të titullit sipas nenit 609 të KPC edhe kur detyrimi është ekzekutuar, me kusht që ngritja e kësaj padie të mos jetë parashkruar. 

Fjalë kyçe - pavlefshmëri e titullit ekzekutiv, detyrimi më i vogël se detyrimi i ekzekutuar, parashkrim i afatit të  padisë,  kontratë e kredisë bankare, 

Përmbledhje – Në këtë çështje jemi para një titulli ekzekutiv që ka të bëjë me kontratën e kredisë bankare e cila nuk është shlyer rregullisht nga paditësit kredimarrës. Meqenëse detyrimi nuk është përmbushur vullnetarisht, përmbaruesi ka nxjerrë urdhrin për vendosjen e sekuestros konservative mbi pasurinë e vënë garanci. Pala paditëse ka ngritur padinë e pavlefshmërisë së titullit dhe atë të kundërshtimit të veprimeve përmbarimore duke iu referuar disa shkaqeve që i kundrejtohen në rradhë të parë vlerës së titullit ekzekutiv, e cila sipas paditësit ka qenë më e vogël se ajo e ekzekutuar nga përmbaruesi, si dhe shkaqe që i referohen kundërshtimit të veprimeve përmbarimore për shitjen në ankand të sendit. Paditësit kanë pretenduar se kanë interes të ligjshëm që të paraqesin padinë, për sa kohë kanë shlyer një pjesë të kredisë. Gjykatat e faktit rrëzuan padinë për pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv pa shqyrtuar në themel pretendimet e paditësve, duke arsyetuar se këta nuk kishin më interes të ligjshëm për ngritjen e saj, pasi detyrimi ishte ekzekutuar dhe ata nuk gëzonin më cilësinë e debitorit. Kolegji e vlerëson të pabazuar këtë konkluzion. Padia për pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv është mjeti mbrojtës i debitorit në fazën e ekzekutimit, por ngritja e kësaj padie nuk kushtëzohet me faktin nëse titulli ekzekutiv është apo jo në ekzekutim, apo ekzekutimi ka përfunduar. Pala debitore është në pamundësi për të kërkuar kthimin e shumës, nëse nuk godet më parë për pavlefshmëri, titullin ekzekutiv. Kjo lloj padie duhet të ngrihet brenda 30 ditëve nga kalimi në ekzekutim të detyrueshëm. Gjykatat e faktit nuk kanë vlerësuar pretendimet e ngritura nga paditësat duke mos lejuar marrjen e provës me ekspert për të rakorduar saktësisht se cili ka qenë detyrimi në titullin ekzekutiv, sa prej këtij detyrimi është shlyer dhe sa prej tij ka mbetur ende i pashlyer dhe nëse ka diferenca midis vlerës reale të detyrimit dhe asaj të përfituar nga kreditori. KCGJL vlerëson se vendimi i gjykatës së apelit duhet të prishet dhe çështja të kthehet për rigjykim me qëllim që të vlerësohen në themel provat e paraqitura nga palët dhe në përputhje me to të disponohej për zgjidhjen e mosmarrëveshjes objekt gjykimi. 

  1. Vendim nr. 00-2025-2045 (277), datë 21.05.2025 i Kolegjit Civil

Maksima - Në çështjet e kërkimit të pavlefshmërisë së titullit ekzekutiv dhe kundërshtimit të veprimeve përmbarimore, me pretendimin e përmbushjes vullnetarisht prej organit administrativ, gjykata kryesisht duhet të shpallë moskompetencën lëndore, meqë gjykimi vazhdon pas miratimit të rregullimeve ligjore në lidhje me këtë kompetence.

Fjalë kyçe  - pavlefshmëri e titullit ekzekutiv, kundërshtim i veprimeve përmbarimore, përmbushje vullnetarisht e detyrimit, moskompetencë lëndore. 

Përmbledhje - Në këtë rast ka rezultuar se midis të paditurit dhe palës paditëse DRSSH Tiranë, është zhvilluar një gjykim për rillogaritjen e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi si ushtarak. Në përfundim të tij  Gjykata e Apelit Tiranë në vitin 2013 ka vendosur pranimin e pjesshëm të padisë së paditësit, detyrimin e palës së paditur DRSSH Tiranë të bëjë rillogaritjen e pensionit. Këtë vendim kreditori e ka dërguar për ekzekutim pranë palës se paditur Zyra Përmbarimore “L”. Kjo e fundit ka filluar menjëherë veprimet për ekzekutimin e vendimit dhe pas disa njoftimeve ka vazhduar veprimet përmbarimore duke bllokuar llogaritë bankare të DRSSH Tiranë. Pala paditëse nuk ka qenë dakord me veprimet e kryera nga përmbaruesi, duke kërkuar kundërshtimin e veprimeve përmbarimore dhe pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv - vendimit gjyqësor. Sipas saj detyrimi që përmban ky vendim është përmbushur vullnetarisht prej saj. Për këtë i ka paraqitur gjykatës shkresën e datës 19.11.2013 me të cilën ajo ka njoftuar kreditorin të paraqitet të tërheqë përfitimin e njohur me vendim gjykate. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur pranimin e pjesshëm të padisëanulimin e veprimeve përmbarimore, detyrimin e zyrës së përmbarimit për të kthyer të gjitha shumat e marra padrejtësisht si dhe për të zhbllokuar llogarinë bankare si dhe rrëzimin e padisë për pjesën e pavlefshmërisë së titullit ekzekutiv. Kolegji vëren se duke u bazuar në nenin 7, shkronja “a” të ligjit nr. 49/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”, çështja ka patur natyrë administrative dhe Gjykata e Apelit Tiranë ka dhënë vendim për një çështje të tillë pas datës 04.11.2013, në një kohë kur kishin filluar veprimtarinë e tyre gjykatat administrative. Për shkak të kësaj natyre dhe meqenëse gjykimi nuk kishte përfunduar akoma këto gjykata kanë qenë të detyruara të vendosnin moskompetencën lëndore dhe dërgimin e çështjes për shqyrtim në gjykatën kompetente. Për këtë arsye KCGJL vendosi prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.

  1. Vendim nr. 00-2024-3324 (428), datë 17.07.2024 i Kolegjit Civil

Maksima – Kur interesat e palëve cenohen nga ekzekutimi i titullit ekzekutiv kontratë huaje me barrë siguruese, dorëzani e hipotekë, për të cilën pretendohet pavlefshmëria, këto interesa mund të mbrohen nëpërmjet padisë së pavlefshmërisë së titullit sipas nenit 609 të KPC dhe jo nëpërmjet padisë së konstatimit si abolutisht të pavlefshëm të kësaj kontrate si veprim juridik.

Fjalë kyçe - pavlefshmëri e titullit ekzekutiv, kontratë huaje me barrë siguruese, dorëzani, hipotekë, pavlefshëri kontrate huaje.

Përmbledhje - Nga gjykimi i çështjes rezulton se midis huadhënësit X dhe huamarrësve e dorëzanësve është lidhur kontrata e huasë e siguruar me barrë siguruese, dorëzani sipas të cilët huamarrësit kanë përfituar kredinë me vlerë 1 000 000 lekë nga huadhënësi. Paditësit nëpërmjet padisë kanë kërkuar të deklarohet e pavlefshme kontrata e huasë që personat me cilësinë e humarrësit kanë lidhur me të paditurin “N” SHA, për shkak të mungesës së vullnetit të paditësit Y për të patur cilësinë e dorëzanësit në këtë kontratë, të garantuar me dorëzaninë si pjesë integrale e kontratës së huasë. Për shkak se kontrata e huasë në rastin konkret identifikohet sipas një cilësimi të dyfishtë, edhe si veprim juridik edhe si titull ekzekutiv, paditësit kanë kërkuar nëpërmjet dy kërkimeve të diferencuara pavlefshmërinë e secilës prej këtyre cilësimeve që mbart kjo kontratë. Gjykata e shkallës së parë duke konstatuar mungesën e nënshkrimit në cilësinë e dorëzanësit të paditësit Y, ka disponuar për pranimin në tërësi të padisë duke konstatuar si të pavlefshme kontratën e huasë në tërësi, në dy kuptimet, edhe si veprim juridik, edhe si titull ekzekutiv, pa u kufizuar vetëm tek shkaku i pavlefshmërisë që lidhet me mungesën e vullnetit të këtij paditësi për të patur cilësinë e dorëzanësit në këtë kontratë.

Kolegji vlerëson se paditësit në thelb të kërkimeve të tyre kërkojnë pavlefshmërinë e kontratës së huasë, për pjesën e dorëzanisë së paditësit Y në fazën e ekzekutimit të detyrueshëm të kësaj kontrate që për shkak të ligjit gëzon cilësinë e titullit ekzekutiv. Kolegji vlerëson se me të drejtë Gjykata e Apelit Vlorë ka arritur në përfundimin se interesat e paditësve cenohen nga ekzekutimi i titullit ekzekutiv kontratë huaje me barrë siguruese, dorëzani e hipotekë, për të cilën ata pretendojnë se është i pavlefshëm dhe se për rrjedhojë këto interesa mund të mbrohen në rastin konkret nëpërmjet padisë së pavlefshmërisë së titullit sipas nenit 609 të KPC dhe jo nëpërmjet padisë së konstatimit si abolutisht të pavlefshëm të kësaj kontrateje si veprim juridik. Për këto arsye KCGJL vendosi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë në lidhje me deklarimin e pavlefshëm të titullit ekzekutiv dhe prishjen e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier dhe vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe pushimin i gjykimit të çështjes për pjesën tjetër.

  1. Vendim nr. ­­­­­­00-2025-2857(367), datë 16.07.2025 i Kolegjit Civil

Maksima - Kur vlera e detyrimit objekt ekzekutimi nga titulli ekzekutiv kontratë bankare nuk përkon me vlerën fillestare të paraqitur në kontratë, por me atë që do të rezultojë nga llogaritja në momentin kur ky titull synohet të vihet në ekzekutim, mjeti i përshtatshëm i mbrojtjes për debitorin është padia për pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv sipas nenit 609 të KPC.

Fjalë kyçe  - pavlefshmëri e titullit ekzekutiv, kontratë bankare, vlera e detyrimit real.

Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se paditësi ka lidhur me Bankën “A” SHA një kontratë huaje bankare për shumën 300 000 euro. Për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve kontraktore, banka iu drejtua Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit, i cili u lëshua për pjesën e pashlyer të kredisë, pa përcaktuar konkretisht shumën që duhej të shlyenin debitori dhe dorëzanësit. Më pas kreditori nisi procedurat e ekzekutimit fillimisht pranë Zyrës Shtetërore të Përmbarimit dhe më vonë pranë një shoqërie përmbarimore private.

Paditësi kundërshtoi vlerën e detyrimit të kërkuar për ekzekutim, duke pretenduar se ajo ishte më e lartë se detyrimi real dhe se kërkesa e kreditorit binte ndesh me nenin 609 të KPC. Kolegji vlerësoi të gabuar qëndrimin e gjykatës së shkallës së parë, sipas të cilit padia për pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv mund të ngrihej vetëm kur debitori kishte shlyer pjesërisht detyrimin. Sipas Kolegjit, në rastin e kontratave të kredisë bankare, detyrimi objekt ekzekutimi nuk përkon domosdoshmërisht me shumën fillestare të kredisë, por me vlerën që rezulton në momentin e ekzekutimit, duke marrë parasysh pagesat e kryera, interesat, penalitetet dhe vonesat.

Kolegji arsyetoi se kur vlera e detyrimit përcaktohet gjatë fazës së ekzekutimit nga përmbaruesi mbi bazën e dokumentacionit të kreditorit, mjeti i përshtatshëm i mbrojtjes për debitorin është padia për pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv sipas nenit 609 të KPC. Akti i përmbaruesit që përcakton vlerën e detyrimit nuk përbën një veprim të pavarur përmbarimor, por një akt që i bashkëngjitet titullit ekzekutiv dhe mundëson ekzekutimin e tij. Duke vlerësuar se gjykata e apelit kishte mundësi të plotësonte vetë mangësitë e hetimit gjyqësor, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vendosi prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm me tjetër trup gjykues.

  1. Vendimi nr . 00-2025-3457(446), date 10.10.2025 i Kolegjit Civil

Maksima - Pavlefshmëria e titullit ekzekutiv dhe rishikimi i vendimit gjyqësor të formës së prerë janë dy institute të ndryshme të së drejtës procedurale civile dhe shfrytëzimi i njërit apo tjetrit për rivendosjen e të drejtës sipas disponibilitetit të palës, nuk është me karakter alternativ, por përjashtues, sipas kushteve dhe kritereve të ndryshme ligjore që parashikohen për secilin prej tyre.

Fjalët kyçe - Pavlefshmëri titulli ekzekutiv,  rishikimi i vendimit gjyqësor, karakteri i përjashtues i institutive, shkelje procedurale.

Përmbledhje - Ka rezultuar që pala paditëse ka pretenduar se është pronar i një depoje bimësh ndodhur në Ujin e Ftohtë, Vlorë, për të cilën Agjencia Kombëtare e Privatizimit ka lëshuar në kohë të ndryshme dy kontrata shitjeje, nga të cilat kanë rrjedhur dy akte noteriale. Për të realizuar privatizimin e truallit të këtij objekti, i është drejtuar gjykatës së shkallës së parë, e cila ka vendosur pranimin e padisë. Më pas ka vijuar ankimi në Gjykatën e Apelit Vlorë, e cila ka vendosur ndryshimin e vendimit të gjykatës së rrethit dhe duke e gjykuar çështjen në fakt dhe rrëzimin e padisë. Nga ana tjetër, rezulton se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me kërkesë të prokurorisë, me vendimin penal të formës së prerë ka konstatuar se dokumenti “shtesë-kontratë” i datës 05.10.1995 ishte i falsifikuar. Nga gjykimi në fakt ka rezultuar se paditësi, duke pretenduar se ka zbuluar fakte të reja të dhëna pas vendimit datë 15.09.2000 të Gjykatës së Apelit Vlorë, legjitimohet të kërkojë pavlefshmërinë e tij si titull ekzekutiv, në bazë të nenit 609 të KPC. Fakt i ri është vendimi i formës së prerë i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, ku është konstatuar se dokumenti “shtesë-kontratë” ishte i falsifikuar. Paditësi në këtë gjykim ka pretenduar se duke qenë se vendimi është mbështetur mbi këto prova që janë konstatuar të falsifikuara, atëherë ai duhet të shpallet i pavlefshëm si titull ekzekutiv. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka arritur në konkluzionin se pretendimet e paditësit nuk mund të bazohen në nenin 609 të KPC, ndërsa Gjykata e Apelit Vlorë ka arsyetuar se paditësi legjitimohet të kërkojë pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv. KCGJL thekson se pavlefshmëria e titullit ekzekutiv dhe rishikimi i vendimit gjyqësor të formës së prerë janë dy institute të ndryshme të së drejtës procedurale civile dhe dy mjete të dallueshme të goditjes së vendimit gjyqësor të formës së prerë. Ajo që i dallon këto dy institute të ndryshme nga njëri-tjetri është se rishikimi synon të rivendosë me karakter retrospektiv drejtësinë në marrëdhënien juridike mes palëve ndërgjyqëse për situatën faktike para dhënies së vendimit gjyqësor, ndërsa pavlefshmëria e titullit ekzekutiv synon të rregullojë dhe rivendikojë drejtësinë për situatën faktike pas dhënies së vendimit. Për këto arsye, shqyrtimi i çështjes konkrete do të duhet të vijojë nga Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

  1. Vendim nr.  00-2026-357(36), datë 27.01.2026 i Kolegjit Civil

Maksima - Për aq kohë sa “deklarata noteriale” nuk e ka cilësinë e titullit ekzekutiv, pasi është një akt me natyrë kontraktore e realizuar me marrëveshje të palëve, atëherë edhe detyrimi i përmbajtur në të nuk e ka cilësinë e një detyrimi të ekzekutueshëm forcërisht sipas neneve 510 e vijues të Kodit të Procedurës Civile.

Fjalë kyçe - pavlefshmëri e titullit ekzekutiv, deklaratë noteriale, kontratë huajeurdhër ekzekutimi, detyrim kontraktor. 

Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se me deklaratën noteriale datë 28.02.2014, shoqëria “M” SHPK ka deklaruar se i detyrohet kërkuesit A.K. në shumën monetare prej 1 780 000 lekë që do t’i paguhej kërkuesit në dy këste, pa interes dhe brenda afatit të përcaktuar në deklaratë. Edhe pse ka kaluar afati për pagimin e këtij detyrimi, pala debitore nuk e ka përmbushur atë, prandaj kërkuesi i është drejtuar gjykatës për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për këtë akt noterial me qëllim që të kërkojë ekzekutimin e këtij detyrimi nga shërbimi përmbarimor. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur pranimin e kërkesës dhe lëshimin e urdhrit të ekzekutimit. Pala e paditur shoqëria përmbarimore private “E” SHPK ka filluar ekzekutimin e detyrueshëm. Në këto kushte paditësi i është drejtuar gjykatës me kërkesëpadi për pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv. Pas shqyrtimit gjyqësor Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka rrëzuar kërkesëpadinë e palës paditëse me arsyetimin se deklarata noteriale e datës 28.02.2014 është titull ekzekutiv, pasi ajo përmban një detyrim në të holla dhe është realizuar me akt noterial. Gjykata e apelit ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së rrethit.

Kolegji vlerëson të gabuar qëndrimin e të dyja gjykatave të faktit, duke pranuar se megjithëse akti noterial titullohet deklaratë noteriale ajo është një kontratë huaje pasi është nënshkruar nga të dyja palët dhe janë vendosur klauzola mbi mënyrën e shlyerjes së detyrimit.  Kolegji vlerëson se cilësia si titull ekzekutiv e një akti duhet të provohet nëpërmjet një deklarimi të njëanshëm noterial pranues të debitorit dhe jo nëpërmjet qëndrimit të tij pasiv për mosshlyerjen e detyrimeve të përcaktuara në një akt noterial me detyrime të dyanshme (pavarësisht se palët e kanë quajtur “Deklaratë noteriale”, në thelb ka të bëjë me elemente të kontratës së shitjes).

Kolegji vlerëson se gjykatat e faktit para se të vlerësonin në themel nëse detyrimi i përmbajtur në deklaraten noteriale ekzistonte apo jo, apo ishte shuar, duhet të kishin vlerësuar në mënyrë primare nëse ndodheshim apo jo para një titulli ekzekutiv në kuptim të nenit 510 të KPC. Padia për pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv sipas nenit 609 të KPC ngrihet jo vetëm për të kundërshtuar ekzistencën e një detyrimi të përmbajtur në një titull ekzekutiv, por edhe për të kundërshtuar cilësimin si titull ekzekutiv, të një akti të paqenë ose të panjohur nga ligji si të tillë. Në këtë rast titulli ekzekutiv është i paqenë dhe si i tillë nuk mund të krijojë efekte detyruese për ekzekutim mbi debitorin. Për rrjedhojë Kolegji vlerëson se duhet të pranohet padia për deklarimin e pavlefshëm të cilësisë si titull ekzekutiv të deklaratës noteriale e datës 28.02.2014, pasi ndodhemi para një titulli të paqenë. Për këto arsye, KCGJL vendosi ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe atij të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë duke bërë deklarimin e pavlefshëm të titullit ekzekutiv deklaratës noteriale. 

 

  1. Vendim nr. 00-2026-529 (75) datë 12.02.2026 i Kolegjit Civil 

Maksima – 1. Deklarata noteriale e lëshuar vetëm nga një prej bashkëshortëve, ka fuqinë e titullit ekzekutiv ndaj të dyve vetëm kur plotësohen në mënyrë kumulative dy kushte; a-debitori deklarues është i martuar në kohën e lëshimit të saj dhe b- detyrimi i pranuar në deklaratë rrjedh nga një marrëdhënie detyrimi e cila është krijuar gjatë martesës, në interes të familjes. 2. Kur deklarata noteriale titull ekzekutiv lëshohet nga njëri prej ish-bashkëshortëve pas zgjidhjes së martesës, atëherë detyrimi është i kërkueshëm vetëm ndaj ish-bashkëshortit deklarues dhe jo ndaj ish-bashkëshortit tjetër, megjithëse detyrimi mund të rrjedhë nga ndonjë marrëdhënie detyrimi e lindur gjatë martesës.

Fjalë kyçe - Deklarata noteriale, titull ekzekutiv, detyrim i lindur gjatë martesës, marrëdhënie detyrimi.

Përmbledhje - Në thelb të kësaj çështjeje qëndron konflikti lidhur me pronësinë e një apartamenti të fituar gjatë martesës dhe vlefshmërinë e procedurave përmbarimore të ndjekura për këtë pasuri. Palët kanë qenë të martuara nga viti 2001 deri në vitin 2013, ndërsa gjatë martesës, në vitin 2010, i padituri ka blerë një apartament të regjistruar vetëm në emrin e tij. Pas zgjidhjes së martesës, paditësja ka kërkuar pjesëtimin e pasurisë së përbashkët, duke konstatuar se apartamenti ishte kaluar në pronësi të motrës së ish-bashkëshortit, B.H., nëpërmjet një procedure ekzekutimi të bazuar në një deklaratë noteriale për njohje detyrimi. E paditura B.H. pretendoi se apartamenti ishte financuar me një hua të dhënë prej saj ndaj të vëllait dhe për shkak të mospërmbushjes së detyrimit, kishte realizuar ekzekutimin përmbarimor, duke fituar pronësinë e pasurisë në ankand. Paditësja, ish-bashkëshorte, kundërshtoi këto veprime duke pretenduar se pasuria ishte pjesë e bashkësisë ligjore martesore dhe se kalimi i saj në pronësi të së paditurës cenonte të drejtat e saj si bashkëpronare. Gjykatat e faktit pranuan kërkesëpadinë, duke vlerësuar se apartamenti, i fituar gjatë martesës, prezumohej pasuri e përbashkët, pavarësisht regjistrimit formal vetëm në emër të bashkëshortit. Kolegji ka vlerësuar se duhet të trajtohen çështjet e vërtetimit të së drejtës së bashkëpronësisë së palës paditëse dhe nëse pala paditëse gëzon cilësinë e debitores solidare në procedurën ekzekutive të ndjekur nga përmbaruesi për përmbushjen e detyrimit në ekzekutim të titullit ekzekutiv. Pasuria në fjalë, e blerë gjatë martesës prezumohet e përbashkët, ndërsa përmbaruesi ka vijuar ekzekutimin sikur pasuria të ishte pronë individuale. Në këto kushte pala paditëse legjitimohet të kundërshtojë veprimet përmbarimore për shitjen në ankand në shkelje të të drejtës së bashkëpronësisë. KCGJL konkludon se kur deklarata noteriale titull ekzekutiv për njohjen e detyrimit lëshohet nga njëri prej ish-bashkëshortëve pas zgjidhjes së martesës, atëherë detyrimi i përmbajtur në të është i kërkueshëm vetëm ndaj ish-bashkëshortit deklarues dhe jo ndaj ish-bashkëshortit tjetër, megjithëse detyrimi mund të rrjedhë nga ndonjë marrëdhënie detyrimi e lindur gjatë martesës. Duke mbajtur në konsideratë faktin se pala paditëse është cenuar në të drejtat e saj si bashkëpronare e pasurisë, megjithëse nuk ka pasur cilësinë e bashkëdebitores sipas titullit ekzekutiv ndaj palës së paditur kreditore, KCGJL vendosi se vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë duhet të lihet në fuqi. 

  1. Vendim nr. 00-2026-1104 (157), datë 31.03.2026 i Kolegjit Civil

 

Maksima – 1. Kontrata e furnizimit me energji elektrike nuk përmban të drejta dhe detyrime me natyrë personale që shuhen me vdekjen e abonentit, por këto  të drejta dhe detyrime pasurore kalojnë te trashëgimtarët. 2. Në rastin e mosekzekutimit në kohë të faturave tatimore të shitjes midis personave juridikë privatë që ushtrojnë veprimtari tregtare kamatat janë pjesë e titujve ekzekutivë dhe përfshihen në ekzekutimin e detyrimit kryesor.

 

Fjalë kyçe - pavlefshmëri e titullit ekzekutiv, kontratë furnizimi me energji elektrike, kamatë ligjore, shuarje detyrimi. 

Përmbledhje - Në këtë çështje paditësja T.I., trashëgimtare ligjore e abonentit të ndjerë O.I., ka kërkuar pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv, faturat e energjisë elektrike të lëshuara nga OSHEE për periudhat 23.09.2011–25.10.2011 dhe 25.10.2011–25.11.2011, si dhe detyrimin total prej 37 861 lekësh, duke pretenduar se pagesat ishin kryer dhe se faturimi ishte bërë pas vdekjes së abonentit. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë e pranoi pjesërisht padinë, ndërsa Gjykata e Apelit Gjirokastër e ndryshoi vendimin duke pranuar padinë tërësisht dhe duke konstatuar pavlefshmërinë e faturave, me arsyetimin se kontrata e furnizimit me energji elektrike kishte përfunduar me vdekjen e abonentit. Në shqyrtim të rekursit të OSHEE, Kolegji i Gjykatës së Lartë vlerësoi se gjykata e apelit kishte kualifikuar gabim marrëdhënien juridike. Sipas Kolegjit, kontrata e furnizimit me energji elektrike nuk përmban të drejta dhe detyrime me natyrë personale që shuhen me vdekjen e abonentit, por të drejta dhe detyrime pasurore që kalojnë te trashëgimtarët. Për sa kohë pasuria ekziston dhe furnizohet me energji elektrike, detyrimet përkatëse, përfshirë faturat e lëshuara pas vdekjes së trashëgimlënësit, rëndojnë mbi trashëgimtarët brenda kufijve të pasurisë trashëgimore. Gjithashtu, Kolegji çmoi të gabuar qëndrimin e gjykatave të faktit lidhur me kamatëvonesat, duke arsyetuar se ato janë pjesë përbërëse e faturës së energjisë elektrike dhe, si të tilla, pjesë e titullit ekzekutiv. Për rrjedhojë, Gjykata e Lartë prishi vendimin e gjykatës së apelit, la në fuqi vendimin e shkallës së parë vetëm për pjesën që lidhej me shuarjen e detyrimit principal të paguar dhe rrëzoi kërkimin për pavlefshmërinë e titujve ekzekutivë në pjesën që përfshinte kamatat ligjore.

  1. Vendimi nr. 00-2026-1129 (159), datë 31.03.2026 i Kolegjit Civil

 

Maksima - Padia për pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv ngrihet jo vetëm për të kundërshtuar ekzistencën e një detyrimi të përmbajtur në një titull ekzekutiv, por edhe për të kundërshtuar cilësimin si titull ekzekutiv të një akti të paqenë ose të panjohur nga ligji si të tillë.

 

Fjalë kyçe - pavlefshmëri e titullit ekzekutiv, cilësim si titull ekzekutiv, kontratë huaje.

 

Përmbledhje - Në këtë çështje midis palës paditëse J.H. (huamarrëse) dhe palës së paditur Xh.P. (huadhënëse) është formalizuar me aktin noterial një “kontratë huaje”. Mbi kërkesën e palës së paditur, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, ka vendosur lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për aktin e sipërcituar, duke e konsideruar atë titull ekzekutiv për detyrimin në shumën 50 000 euro. Paditësja është vënë në dijeni për fillimin e procedurës përmbarimore dhe për faktin se kontrata e huasë është trajtuar si titull ekzekutiv. Në vijim, ajo ka ushtruar të drejtën e saj duke paraqitur padi në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë, brenda afatit ligjor 5-ditor duke kundërshtuar vlefshmërinë juridike të trajtimit të kontratës së huasë si titull ekzekutiv, si dhe duke kërkuar anulimin e veprimeve përmbarimore të ndërmarra. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka vendosur pranimin e padisë dhe deklarimin e pavlefshëm të cilësimit si titull ekzekutiv të veprimit juridik kontratë huaje. Gjykata e Apelit Korçë, ka vendosur ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë duke rrëzuar kërkesë-padinë. Kundër këtij vendimi, pala paditëse ka depozituar pranë Gjykatës së Lartë kërkesë për pezullimin e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Apelit Korçë.

Kolegji vlerëson të gabuar qëndrimin e gjykatës së apelit, e cila e ka konsideruar titull ekzekutiv kontratën e huasë  i cili bie ndesh me nenin 510/d të KPC dhe me interpretimin e bërë kësaj dispozite në vendimin njësues nr. 980 dt.29.09.2000 të Kolegjeve të Bashkuara lidhur me llojin e natyrën e akteve noteriale, që gëzojnë cilësinë e titullit ekzekutiv.  Gjithashtu Kolegji e vlerëson pjesërisht të gabuar arsyetimin e vendimit të gjykatës së shkallës së parë e cila e lidh cilësinë si titull ekzekutiv të kontratës jo vetëm me cilësitë formale të saj, por edhe me mungesën e parashikimit në përmbajtje të saj të faktit nëse kontrata e gëzon apo jo cilësinë e titullit ekzekutiv. Vullneti i palëve nuk mund të jetë kriter përcaktues ose krijues i cilësisë së një akti si titull ekzekutiv sikurse e ka trajtuar në mënyrë të pjesshme në arsyetim gjykata e shkallës së parë. Ky vullnet mund t’i japë aktit cilësinë e titullit ekzekutiv vetëm kur në tërësinë e tij përmbajtësore dhe formale ai shfaqet në një akt noterial, që ligji ia njeh në mënyrë të qenësishme një natyrë të tillë. Për rrjedhojë vullneti i palëve, qoftë edhe i shfaqur në mënyrë të shprehur në përmbajtjen e një kontrate huaje, nuk mund t’i japë kontratës së huasë fuqinë e titullit ekzekutiv. Për këtë arsye KCGJL vendosi prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë.