Pranim i kontrollit incidental të nisur nga Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë dhe Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm për shfuqizimin e nenit 377 të Kodit Civil, të ndryshuar, me përmbajtjen “Trashëgimlënësi që nuk lë të paslindur ose të paralindur, ose vëllezër apo motra ka të drejtë të disponojë me testament pasurinë e vet, në favor të çdo personi fizik apo juridik”. (Fjalë kyçe: Kontroll incidental, trashëgimi, trashëgimlënës, testament, të paralindur, të paslindur, rreth i trashëgimtarëve testamentarë, pronë private, interes publik, proporcionalitet, papajtueshmëri kushtetuese, interes familjar, marrëdhënie familjare)
- Parashtrimi i KCGJL për kontroll incidental
Me vendimin e datës 06.03.2023 KCGJL ka vendosur pezullimin e gjykimit të çështjes dhe ka kërkuar në Gjykatën Kushtetuese (GJK) shfuqizimin e nenit 377 të Kodit Civil, si të papajtueshëm me Kushtetutën, pasi bie ndesh me nenin 41 të Kushtetutës.
Sa i takon legjitimitetit të KCGJL si gjykatë referuese, prej saj është identifikuar norma juridike për zgjidhjen e çështjes, neni 377 i KC, që rregullon caktimin e trashëgimtarit testamentar, duke ndaluar disponimin me testament të pasurisë në favor të një personi të tretë, për sa kohë që trashëgimlënësi ka trashëgimtarë ligjorë sipas kësaj dispozite. KCGJL është shprehur se gjykimi nuk mund të përfundojë në mënyrë të pavarur nga gjykimi kushtetues dhe është i pamundur një interpretim pajtues i normës me Kushtetutën, pasi neni 377 i KC është kategorik në rregullimin e tij dhe nuk lë asnjë shteg për interpretim të zgjeruar. Pra, normës nuk mund t’i jepet një kuptim i ndryshëm.
Sa i përket themelit të gjykimit, KCGJL shprehet se neni 377 i KC cenon të drejtën e pronës dhe tagrat e pronësisë posedimin, gëzimin dhe disponimin, ku një nga mënyrat e disponimit është ajo nëpërmjet trashëgimisë ligjore apo me testament. Neni 372 i KC e kufizon lirinë e disponimit të pronës së testatorit pas vdekjes. KCGJL shprehet se, kufizimi i të drejtës së pronës bie ndesh me nenin 17 të Kushtetutës, pra parimin e proporcionalitetit, pasi nuk respektohet kriteri i interesit publik. Nuk ka asnjë interes publik që trashëgimia të kalojë te fëmijët që janë mbi moshën 25 vjeç, përderisa prindi nuk ka më asnjë detyrim ligjor, ndërsa fëmijët e mitur në trashëgimi mbrohen edhe nga parashikimet e rezervës ligjore sipas KC. Ligjvënësi ka kufizuar mundësinë e disponimit të të gjithë pasurisë trashëgimore, jo vetëm të një pjesë të saj, duke shtuar njëherazi edhe kufizimin përmes rezervës ligjore. Prandaj, neni 377 i KC kufizon në mënyrë absolute lirinë testamentare, duke cenuar vetë thelbin e kësaj të drejte dhe ky kufizim është bërë në mënyrë joproporcionale dhe pa një interes publik.
- Arsyetimi i përmbledhur i vendimit të GJK
Në vendimin nr. 69, datë 27.12.2023 të Gjykatës Kushtetuese, për shfuqizimin e nenit 377 të Kodit Civil, përmes kontrollit incidental të nisur nga Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë dhe Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, GJK vlerëson se dispozita e kundërshtuar për papajtueshmëri përmban boshllëk ligjor dhe shkel të drejtën e pronës, pasi rregullat e vendosura nga neni 377 i KC, që përcaktojnë kategorinë e rrethit të trashëgimtarëve testamentarë, kufizojnë në thelb të drejtën e trashëgimlënësit për të disponuar sipas vullnetit të tij pronën pas vdekjes. GJK thekson se në parim vjetrimi i normës nuk përbën per se shkak për antikushtetutshmërinë e saj, përveçse në rastin kur ajo nuk i përgjigjet zhvillimit social, kulturor, ekonomik dhe moral të shoqërisë në atë masë që nuk respekton thelbin e të drejtave dhe lirive të njeriut. Bashkëshorti pasjetues duhet të ketë një vend në rrethin e trashëgimtarëve testamentarë të barabartë me atë të fëmijëve. Për rrjedhojë, pamundësia e disponimit të pasurisë për të me testament është në kundërshtim me qëllimin e legjislatorit për të garantuar dhe siguruar interesin e familjes dhe për këtë shkak, nevoja e parashikimit të tij edhe si trashëgimtar testamentar përbën një mjet të nevojshëm për të siguruar një mbrojtje sa më efektive dhe për të forcuar qëndrueshmërinë e marrëdhënieve familjare edhe pas vdekjes së trashëgimlënësit. https://www.gjk.gov.al/include_php/previewdoc.php?id_kerkesa_vendimi=3971&nr_vendim=1
Kontakto:
Tel.: +355 4 2257304;
Fax: +355 (4) 228837;
Email: supremecourt@gjykataelarte.gov.al;
Adresa postare: Rruga: "Ibrahim Rugova", nr. 20, 1001, Tiranë, Shqipëri.