Përmbledhje mbi ecurinë e qëndrimeve të Gjykatës së lartë
Referuar jurisprudencës së viteve të fundit, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë ka trajtuar në mënyrë të vazhdueshme çështje që lidhen me regjistrimin e pasurive të paluajtshme dhe kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve/akteve të organeve të regjistrimit, ku spikasin tri kategori: formimi i rregullt i ndërgjyqësisë pasive, raporti ndërmjet ankimit administrativ dhe aksesit në gjykatë, si dhe standardet e vlerësimit gjyqësor mbi ligjshmërinë e veprimeve administrative të regjistrimit/refuzimit të pasurive të paluajtshme. Në këtë buletin tematik paraqitet linja e qëndrimit të Kolegjit lidhur me ndërgjyqësinë e detyrueshme pasive në paditë që prekin të drejta bashkëpronësie (veçanërisht në çështjet për pavlefshmërinë e AMTP), me kushtet e shterimit (ezaurimit) të ankimit administrativ sipas ligjit të zbatueshëm, si dhe me kriteret e hetimit dhe provueshmërisë në proceset që kanë në fokus veprimet e regjistrimit të pronësisë.
Nga shqyrtimi i vendimeve rezulton se Kolegji ka vlerësuar se, kur e drejta e pronësisë pretendohet se rrjedh nga AMTP dhe ligji nr. 7501/1991 në kuadrin e bashkëpronësisë familjare, ndërgjyqësia pasive është e detyrueshme dhe në gjykim duhet të thirren të gjithë bashkëpronarët (anëtarët e familjes bujqësore), dhe jo vetëm kryefamiljari. Shkelja e rregullave procedurale për bashkëndërgjyqësinë e detyrueshme pasive është cilësuar si e metë procedurale që cenon rregullsinë e procesit gjyqësor. Në këtë kuadër, është theksuar se bashkëndërgjyqësia e detyrueshme, kur buron nga ligji për shkak të bashkëpronësisë, nuk mund të mbetet në disponibilitetin e paditësit. Po ashtu, është sqaruar se secili prej bashkëndërgjyqësve të detyrueshëm pasivë duhet të jetë palë kryesore në proces dhe jo të marrë pjesë në cilësinë e personit të tretë ndërhyrës dytësor, me qëllim garantimin e barazisë së palëve dhe të mbrojtjes efektive në kuadër të procesit të rregullt ligjor. Në këtë linjë, vendimi njësues i vitit 2024 ka shprehur qëndrimin se, në paditë administrative me objekt kundërshtimin e ligjshmërisë së akteve të marrjes së tokës në pronësi të ngritura nga prefekti (sot Agjencia Shtetërore e Kadastrës), duhet të thirren në cilësinë e të paditurit të gjithë përfituesit që rezultojnë në certifikatën e gjendjes familjare në datën 01.08.1991, si dhe ka trajtuar mënyrën e disponimit kur gjykatat e faktit kanë gjykuar në themel me ndërgjyqësi të parregullt.
Ndërkohë, në aspektin e ndërgjyqësisë së detyrueshme në gjykimin administrativ, një linjë tjetër e vendimeve thekson se ndërgjyqësia kryesore pasive e detyrueshme përfshin me domosdo organin publik që ka nxjerrë aktin, ka heshtur ose ka mosvepruar, pasi pikërisht ndaj këtij organi lidhet pretendimi për cenimin e të drejtave të paditësit. Thirrja në proces e subjekteve që nuk përbëjnë pjesë të domosdoshme të ndërgjyqësisë kryesore, në mungesë të kërkimeve konkrete ndaj tyre, nuk cilësohet domosdoshmërisht si shkelje e rëndë procedurale me ndikim thelbësor në vendimin përfundimtar.
Në drejtim të ankimit administrativ, vendimet pasqyrojnë se shterimi (ezaurimi) i ankimit administrativ është konsideruar parakusht procedural vetëm kur ligji i posaçëm e parashikon shprehimisht dhe përcakton organin kompetent të ankimit. Në rastet kur procedura administrative e verifikimit është në vijim dhe organi regjistrues nuk ka nxjerrë akt refuzimi, ose nuk ka krijuar heshtje administrative në kuptim të ligjit, është mbajtur qëndrim se nuk janë plotësuar ende kushtet për vënien në lëvizje të gjykimit. Nga ana tjetër, është theksuar se kur organi publik kompetent për ankimin nuk e shqyrton ankimin brenda afatit ligjor, palës mund t’i lindë e drejta për t’iu drejtuar gjykatës, në varësi të rrethanave të çështjes dhe kuadrit ligjor të zbatueshëm, përfshirë parashikimet përkatëse mbi mosveprimin.
Sa i përket regjistrimit të pasurisë, jurisprudenca ka theksuar dallimin ndërmjet mosmarrëveshjeve që, në thelb, përbëjnë konflikt mbi të drejtën e pronësisë dhe vlefshmërinë e titujve (që trajtohen sipas rregullave të juridiksionit civil), dhe mosmarrëveshjeve mbi ligjshmërinë e veprimeve administrative të regjistrimit/refuzimit (që shqyrtohen në juridiksionin administrativ). Në çështjet e refuzimit të regjistrimit, është evidentuar se regjistrimi kryhet vetëm kur titulli i pronësisë dhe dokumentacioni shoqërues përmbajnë elementet tekniko-juridikë të kërkuar nga ligji dhe se, kur procedura për regjistrimin e pasurisë nis me kërkesë të palës, paditësit i takon barra e provës për të provuar paraqitjen e dokumentacionit të domosdoshëm dhe paligjshmërinë e refuzimit. Në rastet e mbivendosjes, është mbajtur qëndrim se vetëm deklarimi i mbivendosjes dhe refuzimi i regjistrimit nuk mjafton dhe se, për orientimin e palës, organi publik duhet të identifikojë qartësisht pasurinë me të cilën pretendohet se krijohet mbivendosja dhe elementet e saj identifikues. Po ashtu, është theksuar se organi i regjistrimit të pasurive nuk ka kompetencë të vlerësojë mënyrën e fitimit të pronësisë apo të krijojë titull pronësie ndërsa gjykatat administrative, në vlerësimin e ligjshmërisë së refuzimit të regjistrimit, duhet të hetojnë dhe të arsyetojnë mbi përmbushjen e kërkesave ligjore të regjistrimit, përfshirë edhe analizën e origjinës dhe hallkave të zinxhirit provues të titullit, në përputhje me ligjin e zbatueshëm dhe pretendimet e palëve.
Në tërësi, vendimet e analizuara pasqyrojnë një prirje drejt forcimit të standardeve të procesit të rregullt ligjor, përmes formimit të rregullt të ndërgjyqësisë, verifikimit të kushteve procedurale kur kërkohet shterimi i ankimit administrativ, si dhe kërkesës për hetim të plotë në çështjet që lidhen me ligjshmërinë e veprimeve të regjistrimit/refuzimit të regjistrimit të të drejtave mbi pasuritë e paluajtshme.
Për një qasje më të plotë mbi trajtimin e formimit të ndërgjyqësisë pasive të detyrueshme, shterimin e ankimit administrativ dhe standardet e vlerësimit të ligjshmërisë së veprimeve të regjistrimit të pasurive, më poshtë paraqiten vendimmarrjet konkrete të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, të përmbledhura në funksion të analizimit të kësaj tematike.
1. Ndërgjyqësia e detyrueshme pasive në paditë për ligjshmërinë/pavlefshmërinë e AMTP
Vendimi nr. 00-2022-2252 datë 06.10.2022 i Kolegjit Administrativ
Maksima- 1. Shkelja e rregullave procedurale të bashkëndërgjyqësisë së detyrueshme pasive nga gjykatat e faktit, sjell një gjykim të pavlefshëm, me pasojë kthimin e çështjes për rigjykim në shkallë të parë. 2. Kur bashkëndërgjyqësia e detyrueshme për shkak të bashkëpronësisë buron nga ligji, ajo nuk mund mbetet në disponibilitetin e paditësit. 3. Mosrregullimi i bashkëndërgjyqësisë së detyrueshme pasive nga paditësi në shkallë të parë, sjell si pasojë pushimin e gjykimit.
Fjalë kyçe - bashkëndërgjyqësi e detyrueshme pasive, bashkëpronësi, anëtar i familjes bujqësore, akt i marrjes së tokës në pronësi (AMTP)
Përmbledhje- Në këtë çështje rezulton se, gjatë verifikimit të titujve të pronësisë sipas ligjit nr. 9948/2008, organi kompetent ka konkluduar se një AMTP për tokë bujqësore ishte dhënë në kundërshtim me ligjin nr. 7501/1991, VKM nr. 452/1992 dhe ligjin nr. 8053/1995, me arsyetimin se përfituesi nuk plotësonte kriteret pra nuk ishte banor në datën 01.08.1991 dhe nuk ishte punonjës i ndërmarrjes bujqësore përkatëse. Si pasojë, AMTP u shfuqizua administrativisht dhe u ngrit padi për pavlefshmërinë e saj. Në këtë vendim, KAGJL vlerëson se gjykatat më të ulëta kanë shkelur rregullat procedurale sa i përket bashkëndërgjyqësisë së detyrueshme pasive, duke vijuar gjykimin në mungesë të disa palëve të paditura bashkëpronare dhe për rrjedhojë çështja duhet të kthehet për rigjykim në shkallë të parë. Bashkëndërgjyqësia e detyrueshme për shkak të bashkëpronësisë buron nga ligji dhe si e tillë nuk mund të mbetet në disponibilitetin e paditësit. Mosrregullimi i saj nga paditësi sjell pushimin e gjykimit.
Vendimi nr. 00-2024-1359 (135) datë 04.04.2024 i Kolegjit Administrativ
Maksima -Në paditë për deklarimin e pavlefshmërisë së AMTP dhe kthimin e pasurisë në pronësi shtet, kur e drejta e pronësisë rrjedh nga AMTP dhe ligji nr. 7501/1991 në bashkëpronësi familjare, ndërgjyqësia pasive është e detyrueshme dhe në gjykim duhet të thirren të gjithë bashkëpronarët pra anëtarët e familjes bujqësore dhe jo vetëm kryefamiljari.
Fjalë kyçe – pavlefshmëri e AMTP, ndërgjyqësi pasive e detyrueshme, anëtarë i familjes bujqësore, bashkëpronarë, kryefamiljar
Përmbledhje- Në këtë çështje rezulton se pala paditëse Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë, ka kërkuar deklarimin e pavlefshmërisë së plotë të AMTP në emër të një përfaqësuesi të familjes bujqësore, dhe kthimin në pronësi shtet të pasurisë përkatëse. Gjykata e Shkallës së Parë e rrëzoi padinë, ndërsa Gjykata Administrative e Apelit e ndryshoi vendimin dhe e pranoi padinë, duke deklaruar pavlefshmërinë e AMTP dhe kthimin e pasurisë në pronësi shtet. Në këtë vendim KAGJL vlerësoi se gjykatat e faktit kanë gabuar në zbatimin e ligjit procedural, sepse nuk kanë kërkuar rregullimin e formimit të drejtë të ndërgjyqësisë passive. Në gjykim është thirrur vetëm kryetari i familjes, ndërkohë që anëtarët e tjerë të familjes, bashkëpronarë në pjesë me kryefamiljarin dhe të prekur drejtpërdrejt nga zhbërja e të drejtës së pronësisë që rrjedh nga AMTP dhe ligji nr. 7501/1991, nuk kanë qenë palë në proces. Kolegji arriti në përfundimin se, për shkak të natyrës së marrëdhënies (bashkëpronësi) dhe efektit që shtrihet mbi të gjithë bashkëpronarët, bashkëndërgjyqësia pasive është e detyrueshme për pasojë gjykata e shkallës së parë duhej të kërkonte rregullimin e ndërgjyqësisë, ndërsa gjykata e apelit duhej ta prishte vendimin për këtë metë dhe të orientonte rregullimin e saj. Në këto kushte, Kolegji çmoi se proceset e zhvilluara në gjykatat e faktit janë nul dhe vendosi prishjen e vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykatë me tjetër trup gjykues, me orientim për zbatimin e drejtë të ligjit material dhe procedural lidhur me padinë dhe ndërgjyqësinë pasive të detyrueshme.
Vendimi njësues nr. 00-2024-5505 (210) datë 14.05.2024 i Kolegjit Administrativ
Maksima-1- Në paditë administrative me objekt kundërshtimin e ligjshmërisë së akteve të marrjes së tokës në pronësi, të ngritura nga prefekti (pasuar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës), duhet të thirren në cilësinë e të paditurit të gjithë përfituesit e aktit të marrjes së tokës në pronësi që rezultojnë në certifikatën e gjendjes familjare të datës 01.08.1991. 2 - Në ato raste kur gjykatat administrative kanë shqyrtuar në themel padinë e cila paraqitet me bashkëndërgjyqësi pasive të detyrueshme të parregullt, neni 63, i ligjit nr. 49/2012, i ndryshuar, nuk pengon Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë të prishë të dy vendimet dhe ta kthejë çështjen për rishqyrtim në gjykatën e shkallës së parë.
Fjalë kyçe - bashkëndërgjyqësi e detyrueshme pasive, ligjshmëri e AMTP, prefekti, Agjencia Shtetërore e Kadastrës
Përmbledhje - Në këtë vendim Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë është shprehur për njësimin e praktikës gjyqësore lidhur me natyrën e bashkëndërgjyqësisë në paditë administrative të ngritura nga prefekti (sot Agjencia Shtetërore e Kadastrës) për pavlefshmërinë e akteve të marrjes së tokës në pronësi (AMTP), si dhe për mënyrën e veprimit të Kolegjit kur gjykatat e faktit kanë zhvilluar procesin me bashkëndërgjyqësi të parregullt. Kolegji vlerësoi se sipas ligjit nr. 7501/1991 “Për tokën” dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, toka bujqësore është dhënë në bashkëpronësi ndërmjet anëtarëve të familjes, në përpjestim me numrin e frymëve, dhe aktet e marrjes së tokës në pronësi janë nxjerrë në emër të kryefamiljarit vetëm për arsye formale. Këto akte, të cilët kanë natyrë administrative individuale, krijojnë të drejtë pronësie për të gjithë anëtarët e familjes që rezultojnë në certifikatën familjare në datat 01.08.1991 ose 01.10.1992. Për këtë arsye, në rastet kur prefekti paraqet padi për shfuqizimin e AMTP, duhet të thirren në gjykim si të paditur të gjithë bashkëpronarët përfitues të aktit, pasi vendimi gjyqësor që shfuqizon titullin ndikon drejtpërdrejt në të drejtat e tyre. Thirrja vetëm e kryefamiljarit nuk e përmbush kërkesën e ligjit dhe përbën shkelje të parimit të kontradiktoritetit dhe të procesit të rregullt ligjor. Kolegji çmoi se në këto raste kemi të bëjmë me bashkëndërgjyqësi pasive të detyrueshme (të nevojshme), e cila duhet të perfeksionohet që në gjykatën e shkallës së parë. Mosrespektimi i saj sjell pavlefshmërinë absolute të procesit gjyqësor, pasi gjykimi nuk mund të zhvillohet kundër një pjese të bashkëpronarëve pa u dhënë mundësia për t’u dëgjuar edhe të tjerëve. Në lidhje me mënyrën e disponimit nga Gjykata e Lartë në raste të tilla, Kolegji arriti në përfundimin se neni 63, shkronja “ç”, e ligjit nr. 49/2012, i ndryshuar, nuk e pengon Gjykatën e Lartë të prishë të dy vendimet e gjykatave të faktit dhe ta kthejë çështjen për rishqyrtim në gjykatën e shkallës së parë, aty ku është lejuar e meta procedurale. Ky interpretim siguron zbatimin e parimit të procesit të rregullt ligjor, të shkallësisë së gjykimit dhe të të drejtës për t’u dëgjuar në gjykatë, duke shmangur vonesat e panevojshme dhe formalizmin e tepruar procedural. Në rastin konkret, Kolegji konstatoi se padia e paraqitur nga Prefekti i Qarkut Tiranë për shfuqizimin e AMTP ishte ngritur vetëm ndaj kryefamiljarit, pa thirrur bashkëpronarët e tjerë që përfitonin nga akti, ndaj ndërgjyqësia ishte ndërtuar në mënyrë të parregullt. Për këtë shkak, vendimet e të dy gjykatave të faktit u prishën dhe çështja iu kthye për rigjykim Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë me tjetër trup gjykues.
Vendimi nr. 00-2024-4729(519) datë 03.12.2024 i Kolegjit Administrativ
Maksima -Marrëdhënia juridike materiale civile apo administrative e cila lidhet me bashkëndërgjyqësi të detyrueshme pasive është e tillë që përjashton çdo mundësi legjitimimi të ndërgjyqësve në proces në pozitat e personit të tretë, ndërhyrës dytësor. Secili prej bashkëndërgjyqësve të detyrueshëm pasivë duhet të jetë palë kryesore në gjykim, në mënyrë që të mbrojë të drejtat e tij nën parimin e barazisë së palëve, parim i cili është vlerësuar element thelbësor për respektimin e procesit të rregullt ligjor.
Fjalë kyçe – bashkëndërgjyqësi e detyrueshme pasive, legjitimimi i ndërgjyqësve, person i tretë, ndërhyrës dytësor, akt i marrjes së tokës në pronësi (AMTP)
Përmbledhje- Nga objekti i mosmarrëveshjes rezulton se, në cilësinë e palës së paditur është thirrur në gjykim vetëm kryetari i familjes, ndërkohë që anëtarët e tjerë të familjes bujqësore që janë bashkëpronarë në pjesë me kryefamiljarin, nuk kanë qenë palë të paditura në këtë gjykim, ndonëse gjykimi kishte për objekt mbarimin e bashkëpronësisë së tyre, d.m.th. zhbërjen e të drejtës së tyre të pronësisë që rrjedh nga AMTP. Në këtë vendim KAGJL vlerësoi se qëndrimi i mbajtur nga gjykatat e faktit është në një linjë të gabuar arsyetimi me parashikimet e ligjit procedural në lidhje me ndërgjyqësinë. Nëse paditësi kërkon zhveshjen nga pronësia të disa personave dhe thërret në gjykim si të paditur vetëm njërin nga bashkëpronarët në pjesë, atëherë ndërgjyqësia pasive vlerësohet se është e metë, pasi ky gjykim mund të iniciohet vetëm kundrejt të gjithë bashkëpronarëve, të cilët eventualisht preken nga vendimmarrja e gjykatës. KAGJL vlerësoi se si rrjedhojë proceset e zhvilluara në gjykatat e faktit janë nul dhe për rrjedhojë duhet të prishen dhe çështja të kthehet për rishqyrtim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, si gjykata kompetente për shqyrtimin e mosmarrëveshjes objekt gjykimi dhe riparimin e mëtejshëm procedural të këtij gjykimi, konform kompetencave që i jep ligji në përputhje kjo me vendimin njësues të KAGJL nr. 00-2024-5505, të datës 14.05.2024.
Vendimi nr. 00-2025-1647 (184) datë 30.05.2025 i Kolegjit Administrativ
Maksima - Në gjykimin administrativ, ndërgjyqësia kryesore pasive e detyrueshme përfshin domosdoshmërisht organin publik që ka nxjerrë aktin, ka heshtur ose ka mosvepruar, pasi pikërisht ndaj këtij organi lidhet pretendimi për cenimin e të drejtave të paditësit. Thirrja e një personi në gjykimin administrativ, që nuk është në mënyrë të domosdoshme pjesë e ndërgjyqësisë kryesore të detyrueshme, nuk përbën shkelje të rëndë procedurale që ka ndikim thelbësor në vendimin përfundimtar.
Fjalë kyçe - ndërgjyqësi kryesore pasive e detyrueshme, organ publik, heshtje e organit publik, mosveprim i organit publik, shkelje e rëndë procedurale
Përmbledhje- Në këtë çështje rezulton se pala paditëse ka kërkuar shfuqizimin e urdhrit të kufizimit, të vendosur nga ASHK dhe pajisjen me certifikatë pronësie, kartelë pasurie dhe hartë treguese për pasuritë objekt gjykimi. Gjykata e shkallës së parë e ka pranuar padinë, ndërsa Gjykata Administrative e Apelit ka prishur vendimin dhe e ka kthyer çështjen për rigjykim, duke orientuar palën paditëse për thirrjen në gjykim të bashkisë X dhe shoqërisë “X”. KAGJL ka vlerësuar se mosmarrëveshja administrative është vetëm me organin publik ASHK, i cili ka nxjerrë veprimin administrativ të kundërshtuar dhe pasojat e të cilit pretendohet se kanë cenuar të drejtat e ligjshme të paditësit. Kolegji ka çmuar se as bashkia X dhe as shoqëria tregtare “X” SHPK nuk përbëjnë subjekte të ndërgjyqësisë pasive të detyrueshme dhe thirrja e tyre nuk është e lidhur me kërkime konkrete në proces. Kolegji ka theksuar dallimin midis ndërgjyqësisë së detyrueshme dhe asaj fakultative, duke përcaktuar se thirrja e një personi në proces, i cili nuk është ndërgjyqës i detyrueshëm, nuk përbën shkelje të rëndë procedurale që të justifikojë kthimin e çështjes për rigjykim.
2. Shterimi (ezaurimi) i ankimit administrativ në çështjet e regjistrimit të pronësisë
Vendimi nr. 00-2020-17 datë 11.05.2020 i Kolegjit Administrativ
Maksima - Në mosmarrëveshjet që kanë për objekt detyrimin e ZVRPP për regjistrim fillestar/kalim pronësie, shterimi i ankimit administrativ është kusht paraprak për t’iu drejtuar gjykatës vetëm kur ligji i posaçëm e parashikon shprehimisht dhe përcakton organin kompetent të ankimit. Kur pala e interesuar nuk ka ndjekur rrugën e ankimit administrativ sipas procedurës së ligjit nr. 33/2012 dhe organi regjistrues nuk ka nxjerrë akt refuzimi apo nuk ka heshtur, çështja nxirret jashtë juridiksionit gjyqësor.
Fjalë kyçe – shterim i ankimit administrativ, ligj i posacëm, organ kompetent, organ regjistrues, akt refuzimi, juridiksion gjyqësor
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se pala paditëse, shoqëria “X” SHA, pas ekzekutimit përmbarimor dhe shpalljes fituese në ankand të një pasurie të paluajtshme, iu drejtua ZVRPP Tiranë për regjistrimin e pasurisë dhe kalimin e pronësisë në emrin e saj, duke paraqitur aplikime përkatëse. Nga korrespondenca administrative rezultoi se ZVRPP Tiranë kishte kërkuar plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm për regjistrim, pra procedura administrative e verifikimit ishte në vijim dhe organi nuk kishte dalë me propozim refuzimi, as kishte nxjerrë urdhër refuzimi nga Kryeregjistruesi, e as nuk rezultonte heshtje në kuptim të ligjit. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë e nxori çështjen jashtë juridiksionit gjyqësor, duke arsyetuar se nuk ishte shteruar ankimi administrativ dhe se pala paditëse kërkonte jo thjesht detyrimin e organit për të disponuar, por detyrimin për të regjistruar në favor të saj pa u përmbyllur procedura administrative dhe pa u plotësuar dokumentacioni i kërkuar. Në këtë vendim KAGJL vlerësoi se vendimi i shkallës së parë ishte i drejtë, pasi ligji nr. 33/2012 parashikon rrugën administrative të ankimit dhe vetëm pas kësaj palës i lind e drejta për t’iu drejtuar gjykatës për rrjedhojë la në fuqi vendimin për nxjerrjen jashtë juridiksionit gjyqësor.
Vendimi nr. 00-2021-149 datë 15.02.2021 i Kolegjit Administrativ
Maksima- 1. Shterimi i ankimit administrativ në çështjet e regjistrimit të pronësisë është parakusht procedural për detyrimin e organit publik për të vepruar. 2. Nuk mund të shqyrtohet në juridiksionin gjyqësor kërkesëpadia për detyrimin e kadastrës për të vepruar, për sa kohë që ky organ publik nuk është shprehur ende për ankimin administrativ të palës në procedurën administrative.
Fjalë kyçe - shterim i ankimit administrativ, regjistrim prone, organ publik
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se pala paditëse X pretendon se është gjyqfituese në një proces civil ndaj palëve të paditura Y dhe Z dhe ka nisur procedurat e ekzekutimit. Më pas, Agjencia Shtetërore e Kadastrës (drejtoria vendore) ka njoftuar palën paditëse se pasuritë objekt mosmarrëveshjeje janë transaksionuar dhe se është regjistruar kalimi i pronësisë nga Y në emër të Z. Për këtë arsye, pala paditëse ka ushtruar ankim administrativ pranë Agjencisë Shtetërore e Kadastrës (drejtoria qendrore) dhe, njëkohësisht, ka paraqitur padi në gjykatë, duke kërkuar marrjen e masës së sigurimit të padisë, ndalimin e veprimeve të mëtejshme të regjistrimit dhe anulimin e certifikatave të pronësisë, deri në zgjidhjen e çështjes në themel. Gjykata e shkallës së parë ka vendosur nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit gjyqësor dhe dërgimin e akteve organit kompetent administrativ, duke arsyetuar se padia ndaj akteve/mosveprimeve kadastrale mund të ngrihet vetëm pas shterimit të ankimit administrativ dhe, në rastin konkret, ankimi administrativ ishte ende në proces shqyrtimi. Kundër këtij vendimi, pala paditëse X ka paraqitur ankim të veçantë, duke pretenduar se ishte konsumuar afati i shqyrtimit të ankimit administrativ dhe se, për rrjedhojë, gjykata nuk duhej ta nxirrte çështjen jashtë juridiksionit. Në këtë vendim KAGJL ka vlerësuar se pretendimet e ankimit të veçantë nuk kanë mbështetje ligjore dhe se vendimi i gjykatës së shkallës së parë është i drejtë. Sipas Kolegjit, gjykata ka detyrimin të verifikojë juridiksionin në çdo fazë dhe kur konstaton mungesën e juridiksionit gjyqësor, të dërgojë aktet organit kompetent. Në çështjen konkrete, për sa kohë pala paditëse X kishte zgjedhur rrugën e ankimit administrativ pranë organit epror të Agjencisë Shtetërore e Kadastrës dhe ky organ ende nuk kishte disponuar me vendim përfundimtar (ose nuk ishte konstatuar, në kushtet e ligjit, mosveprimi pas përfundimit të afateve), palës paditëse nuk i kishte lindur e drejta t’i drejtohej gjykatës. Për këtë arsye, vendimi për nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit gjyqësor është lënë në fuqi.
Vendimi nr. 00-2022-434 datë 17.02.2022 i Kolegjit Administrativ
Maksima -Kur organi më i lartë publik nuk shqyrton ankimin administrativ brenda afatit të caktuar, ankuesit i lind e drejta e padisë për t`ju drejtuar gjykatës kompetente dhe me ushtrimin e padisë çështja bëhet pjesë e juridiksionit gjyqësor.
Fjalë kyçe - shterim i ankimit administrativ, organ publik, juridiksionit gjyqësor
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se pala paditëse X dhe pala paditëse Y kanë aplikuar pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Drejtoria Vendore Korçë, për kalimin në pronësi të një ndërtimi të ngritur para datës 10.08.1991 dhe të truallit funksional/oborrit në përdorim, për një pasuri që figuron në pronësi të shtetit. Gjatë shqyrtimit të kërkesës, ASHK ka kryer verifikimin në terren, ka hartuar gentplanin dhe ka bërë afishimin publik për 30 ditë në mungesë kundërshtimesh nga të tretët, ASHK ka marrë vendim duke pranuar kërkesën, por vendimi është nxjerrë në emër të vetëm njërit prej aplikuesve. Pala paditëse X dhe pala paditëse Y kanë paraqitur ankim administrativ pranë Drejtorisë së Përgjithshme të ASHK, duke kundërshtuar vendimin dhe duke kërkuar që prona (ndërtesa dhe trualli përkatës) të regjistrohet në bashkëpronësi edhe me bashkëshortet e tyre, sipas pjesëve që pretendojnë. Pa u dhënë vendim mbi këtë ankim administrativ, ata kanë paraqitur padi në gjykatën administrative, me të njëjtat kërkime për ndryshimin e vendimit të ASHK dhe për detyrimin e saj të kryejë regjistrimin në bashkëpronësi. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Korçë e ka nxjerrë çështjen jashtë juridiksionit gjyqësor, me arsyetimin se, për sa kohë ankimi administrativ ishte zgjedhur dhe nuk ishte shqyrtuar ende nga struktura e posaçme për ankimet, çështja duhej të vazhdonte në rrugë administrative. Në këtë vendim KAGJL ka vlerësuar se, në kushtet kur ankimi administrativ nuk është shqyrtuar brenda afatit ligjor, palëve u lind e drejta t’i drejtohen gjykatës, si në rastin e mosveprimit sipas ligjit për kadastrën, ashtu edhe sepse ligji nr. 20/2020 parashikon se paraqitja e ankimit administrativ nuk është kusht për ngritjen e padisë në gjykatë. Këto përfundime janë në përputhje edhe me praktikën e unifikuar gjyqësore, sipas vendimeve nr. 1, datë 26.11.2010 dhe nr. 4, datë 30.05.2011, të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, si dhe me praktikën aktuale të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë (shih vendimin 00-2020-17, datë 11.05.2020; vendimi 00-2020-19, datë 11.05.2020).
3. Regjistrimi i pasurisë pranë organit të regjistrimit (ZVRPP/ASHK)
Vendimi nr. 00-2021-1771 (235) datë 16.11.2021 i Kolegjit Administrativ
Maksima -Mosmarrëveshjet që lidhen me titujt e pronësisë dhe kundërshtimin e AMTP, kur titulli është i regjistruar dhe në thelb diskutohet e drejta e pronësisë, kanë natyrë civile dhe janë jashtë kompetencës lëndore të gjykatave administrative.
Fjalë kyçe – regjistrim prone, titull pronësie, kundërshtimi AMTP, kompetencë lëndore
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se pala paditëse ka kundërshtuar AMTP e lëshuar në emër të palës së paditur, duke pretenduar mbivendosje sipërfaqesh toke dhe duke kërkuar pavlefshmërinë e akteve të marrjes së tokës në pronësi, çregjistrimin e pasurisë dhe kalimin e saj në emër të tij. Gjykatat e faktit kanë pranuar padinë, duke konstatuar se AMTP e vitit 1992 e paditësit ishte më e hershme dhe se komisioni i ndarjes së tokës kishte disponuar në mënyrë të përsëritur mbi të njëjtën sipërfaqe. Në këtë vendim KAGJL konstatoi se, pavarësisht formës së padisë, mosmarrëveshja ka natyrë civile, sepse në themel të saj qëndron pretendimi për të drejtë pronësie dhe vlefshmëria e titujve të pronësisë ndërmjet dy subjekteve privatë, edhe kur në proces është përfshirë ASHK për efekt të regjistrimit. Në këto raste, padia administrative nuk mund të zgjidhë konfliktin, i cili duhet trajtuar si mosmarrëveshje civile sipas KC. Për këtë arsye, Kolegji vlerëson se Gjykata Administrative e Apelit ka shqyrtuar një çështje jashtë kompetencës së saj lëndore dhe ka marrë vendim në zbatim të gabuar të ligjit procedural. Si rrjedhojë, vendimi i saj prishet dhe çështja i dërgohet për rishqyrtim Gjykatës së Apelit Durrës, si gjykata kompetente për natyrën civile të mosmarrëveshjes.
Vendimi nr. 00-2023-145 datë 26.01.2023 i Kolegjit Administrativ
Maksima -KAGJL vlerëson se kufizimet e vendosura nga organi publik për shkak të mbivendosjes së pronës me pronat kufitare, janë rezultat i ushtrimit të drejtë të diskrecionit, si dhe përputhen me qëllimin e ligjit organik të regjistrimit të pasurive të paluajtshme.
Fjalë kyçe - regjistrim prone, mbivendosje prone, ushtrim i diskrecionit, ligj organik
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se pala paditëse, si bashkëpronar në dy pasuri të regjistruara në zonën kadastrale nr. 8642 në Sarandë, kërkoi shfuqizimin/konstatimin e pavlefshmërisë së urdhrit nr. 17/1, datë 06.09.2007 të regjistruesit, me të cilin ishte vendosur kufizim regjistrimi mbi pasuritë nr. 1/225 dhe nr. 1/226. Gjykatat e faktit e pranuan padinë dhe shfuqizuan kufizimin. Kolegji Administrativ, duke zbatuar nenin 44 të ligjit nr. 7843/1994 (ligji i kohës së nxjerrjes së aktit), vlerësoi se regjistruesi ka kompetencë të vendosë kufizim dhe ta lidhë atë me realizimin e një ngjarjeje të caktuar, dhe se në rastin konkret kufizimi ishte vendosur në përputhje me ligjin për shkak të situatës së krijuar nga planvendosja dhe regjistrimet ekzistuese që sillnin mbivendosje. Për rrjedhojë, u ndryshuan vendimet e gjykatave të faktit dhe padia u rrëzua.
Vendimi nr. 00-2023-1509 datë 04.04.2023 i Kolegjit Administrativ
Maksima -Vetëm fakti se organi publik refuzon regjistrimin e pronës së paditësit, pasi krijohet mbivendosje, nuk përligj rrëzimin e padisë. Për zgjidhjen e mbivendosjes, duke verifikuar vlefshmërinë e titujve të pronësisë, duhet të saktësohen qartësisht pronat që krijojnë mbivendosje dhe aktet përkatëse të pronësisë, duke përcaktuar pasurinë me të cilën krijohet mbivendosja me të gjithë elementet identifikues, pronarin/bashkëpronarët, aktin e fitimit të pronësisë dhe sa është mbivendosja.
Fjalë kyçe - regjistrim prone, mbivendosje prone, organ publik, bashkëpronar
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se pala paditëse ka blerë me kontratën e shitjes, objektin “ish-Depo dinamiti” dhe truallin 260 m² në zonën kadastrale 1722, Sarandë, pasuri e regjistruar në regjistrat hipotekorë më datë 13.02.2005. Paditësi kërkoi kalimin e pasurisë nga hipoteka në sistem dhe pajisjen me certifikatë pronësie, por pala e paditur (ZVRPP/ASHK Sarandë) refuzoi regjistrimin duke pretenduar se krijohej mbivendosje me pasurinë, e llojit “ullishte”, në bashkëpronësi, dhe nxori urdhrin nr. 121, datë 03.02.2014 për vendosjen e masës së kufizimit mbi pasuritë që krijonin mbivendosje. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë e pranoi padinë, ndërsa Gjykata Administrative e Apelit e ndryshoi vendimin dhe rrëzoi padinë, duke vlerësuar se kufizimi ishte vendosur për shkak të mbivendosjes dhe se zgjidhja kërkonte proces gjyqësor për verifikimin e titujve. Në këtë vendim KAGJL vlerësoi se përfundimi i Gjykatës Administrative të Apelit është pasojë e një hetimi jo të plotë dhe e një interpretimi të gabuar të ligjit material. Kolegji çmoi se vetëm fakti që organi publik deklaron mbivendosje dhe refuzon regjistrimin nuk përligj rrëzimin e padisë. Për të orientuar palën dhe për të mundësuar ndjekjen e rrugës së duhur, organi publik duhet të përcaktojë qartësisht pasurinë me të cilën krijohet mbivendosja dhe elementet e saj identifikues, emrat e pronarëve/bashkëpronarëve, aktin e fitimit të pronësisë, si dhe të dhëna të sakta mbi mbivendosjen. Kolegji konstatoi se këto të dhëna nuk rezultonin të paraqitura nga ASHK Vendore Sarandë dhe, për rrjedhojë, vendimi i apelit duhej prishur dhe çështja kthyer për rigjykim.
Vendimi nr. 00-2024-457 (33) datë 18.01.2024 i Kolegjit Administrativ
Maksima -1.Regjistrimi i fitimit të pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme, edhe kur mbështetet në vendim gjyqësor të formës së prerë, kryhet vetëm nëse titulli i pronësisë përmban elementet tekniko-juridikë të kërkuar nga ligji mungesa e tyre sjell detyrimisht refuzimin e regjistrimit nga organi kadastral. 2. Në gjykimin administrativ për ligjshmërinë e refuzimit të regjistrimit, kur procedura kadastrale ka nisur me kërkesë të palës, barra e provës i takon paditësit për të provuar se ka paraqitur dokumentacionin e domosdoshëm dhe se, pavarësisht përmbushjes së këtij detyrimi, organi publik ka refuzuar në kundërshtim me ligjin. 3. Në mungesë të dokumentacionit identifikues të pasurisë, refuzimi vlerësohet i ligjshëm.
Fjalë kyçe – regjistrim prone, titull pronësie, refuzim regjistrimi, barra e provës, mungesë dokumentacioni
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se paditësi, si trashëgimtar i ish-pronarëve, kërkoi shfuqizimin e urdhrit, me të cilin Kryeregjistruesi kishte refuzuar regjistrimin e pasurisë së përfituar me vendimet gjyqësore të formës së prerë, si edhe detyrimin e organit të regjistrimit për regjistrim e pajisje me certifikatë pronësie. Gjykatat administrative të faktit e pranuan padinë dhe detyruan organin publik të regjistrojë pasurinë dhe të lëshojë certifikatën. Në këtë vendim KAGJL arriti në përfundimin se vendimet e gjykatave më të ulëta përbënin keqzbatim të ligjit material për regjistrimin e pasurive të paluajtshme dhe të rregullave të barrës së provës në gjykimin administrativ. Nga KAGJL u vlerësua se titullit gjyqësor që kërkohej të regjistrohej i mungonin elementë thelbësorë identifikues, konkretisht harta treguese dhe kufijtë e saktë të pasurisë, çka e pengonte organin kadastral të vijonte me regjistrimin, pasi regjistrimi pa këto elemente do të sillte pasiguri të regjistrimeve dhe rrezik cenimi të vërtetësisë së veprimeve kadastrale. Kolegji theksoi se ligji parashikon kërkesa të qarta për dokumentacionin dhe se, kur procedura nis me kërkesë, paditësit i takon të provojë se ka paraqitur dokumentacionin e plotë dhe se refuzimi është i paligjshëm. Po ashtu u konstatua se harta e paraqitur nga paditësi ishte hartë e pronës së pretenduar dhe jo harta e pronës për të cilën kishte disponuar vendimi gjyqësor, ndërsa vendimi nr. 3860, datë 07.12.2000 u vlerësua se nuk siguronte përcaktim të kufijve dhe planimetrinë në formë të përshtatshme për regjistrim. Për këto arsye, u çmua se organi publik kishte refuzuar në mënyrë të përligjur për shkak të mungesës së dokumentacionit tekniko-juridik dhe se prezumimi i ligjshmërisë së veprimit kadastral nuk ishte përmbysur. Në përfundim, Kolegji ndryshoi vendimet e gjykatave më të ulëta dhe rrëzoi padinë.
Vendimi nr. 00-2024-434 (55) datë 08.02.2024 i Kolegjit Administrativ
Maksima- Korrigjimi i gabimeve materiale, kur ndërhyrja e organit publik është substancialisht e drejtë, nuk kualifikohet automatikisht si shkak pavlefshmërie absolute, edhe nëse nuk është respektuar në mënyrë rigoroze procedura në këto raste shkeljet i përkasin regjimit të paligjshmërisë/pavlefshmërisë relative.
Fjalë kyçe – gabime materiale, pavlefshmëri absolute, fshirje e regjistrimeve
Përmbledhje- Në këtë çështje rezulton se u kërkua konstatimi i pavlefshmërisë absolute të vendimit të regjistruesit dhe fshirja e regjistrimeve të bëra në zbatim të tij, lidhur me pasurinë nr. 4/90, zk 8250 Tiranë, si edhe rikthimi i regjistrimit sipas gjendjes hipotekore para vitit 2012. Vendimi administrativ kishte korrigjuar sipërfaqen e pasurisë nga 317 m² truall dhe 101 m² ndërtim në 200 m² truall dhe 90 m² ndërtim, kishte mbyllur kartelën ekzistuese dhe kishte ndarë pasurinë në dy pasuri prej 100 m² (secila) dhe një pjesë të regjistruar në pronësi shtet. Gjykatat e faktit konstatuan pavlefshmërinë absolute, duke vlerësuar se korrigjimi ishte kryer pa kërkesë nga bashkëpronarët dhe pa njoftimin e personave të shënuar në regjistër, në kundërshtim me procedurën për korrigjimin e gabimeve materiale. Në këtë vendim KAGJL vlerësoi se ky përfundim ishte rrjedhojë e zbatimit të gabuar të regjimit të pavlefshmërisë absolute, pasi jo çdo shkelje e procedurës sjell nulitet dhe pavlefshmëria absolute kërkon shkelje flagrante në kuptim të nenit 115/a dhe rasteve të nenit 116 të KPA. Kolegji çmoi se shkeljet e konstatuara kanë natyrë të paligjshmërisë (pavlefshmëri relative) dhe jo të pavlefshmërisë absolute për rrjedhojë ndryshoi vendimet e gjykatave më të ulëta dhe rrëzoi padinë.
Vendimi nr. 00-2024-1735 (128) datë 28.03.2024 i Kolegjit Administrativ
Maksima- ASHK nuk ka kompetencë që të vlerësojë ligjshmërinë e titullit të pronësisë, të verifikojë mënyrën e fitimit të pronësisë, të korrigjojë titullin e pronësisë apo të krijojë titull pronësie. Shqyrtimi i titullit të pronësisë bëhet nga gjykata civile, që mund të investohet përmes një padie civile njohjeje. Vetëm pasi të jetë zgjidhur mosmarrëveshja në themel nga gjykata civile, individi mund t`i drejtohet ASHK, e cila ka si kompetencë regjistrimin e titujve të pronësisë në regjistrin e pasurive të paluajtshme.
Fjalë kyçe – regjistrim prone, padi njohje, mosmarrëveshje civile, regjistër i pasurive të paluajtshme
Përmbledhje- Në këtë çështje, rezulton se paditësi kërkoi detyrimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) për ta pajisur me certifikatë pronësie për një ndërtim dykatësh dhe për truallin përkatës, si dhe çregjistrimin e një prone të regjistruar në emër të personit të tretë, për një sipërfaqe trualli prej 120 m² që mbivendosej me pronën e tij. Në vendimin e saj, KAGJL: a) Konstatoi se çështja ka në themel një mosmarrëveshje pronësie mes paditësit dhe personit të tretë dhe jo një konflikt administrativ mbi regjistrimin e pasurive të paluajtshme; b) Theksoi se ASHK nuk ka kompetencë të vendosë mbi titujt e pronësisë, por vetëm të administrojë regjistrin e pronave sipas akteve ligjore; c) Sqaroi se konflikti për të drejtën e pronësisë duhet të zgjidhet përmes një padie civile dhe jo me një padi administrative; ç) Vlerësoi se padia e ngritur nuk mund të vijonte, pasi nuk kishte legjitimitet procedural dhe interes të ligjshëm në raport me kompetencën e ASHK.
Vendimi nr. 00-2024-1515 (162) datë 16.04.2024 i Kolegjit Administrativ
Maksima -Në mosmarrëveshjet që burojnë nga refuzimi i organit të regjistrimit për të regjistruar një pasuri të paluajtshme, gjykatat administrative duhet të hetojnë dhe të arsyetojnë mbi zinxhirin provues të titullit të pronësisë origjinën dhe hallkat e tij, duke e lidhur vlerësimin me ligjin e zbatueshëm për regjistrimin, dhe jo të kufizohen vetëm në vërtetimin e gjendjes faktike pra kufij, posedim, mungesë mbivendosjeje.
Fjalë kyçe - regjistrim prone, titull pronësie, refuzim i organit administrative
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se pala paditëse ka kërkuar shfuqizimin e vendimit të ZVRPP Shkodër, me të cilin është refuzuar regjistrimi i pasurisë, si dhe detyrimin e organit të regjistrimit për ta regjistruar atë. Gjykatat e faktit kanë pranuar padinë, duke vlerësuar se pronësia dhe individualizimi i pasurisë provoheshin nga kufijtë e përcaktuar, zotërimi i pandërprerë, mungesa e mbivendosjes me pronat kufitare dhe përfundimet e aktit të ekspertimit. Në këtë vendim KAGJL ka vlerësuar se vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit është i cenueshëm, pasi në gjykimin në dy shkallët e faktit nuk është zbatuar drejt parimi i hetimit të plotë dhe të gjithanshëm dhe vendimi nuk është bazuar e arsyetuar në provat e administruara e të debatuara gjatë hetimit gjyqësor. Sipas Kolegjit, gjykatat nuk kanë hetuar mbi origjinën e titullit të pronësisë dhe çështja, prima facie, duket si një gjykim vërtetim fakti, ndërkohë që duhej t’i referoheshin shkakut ligjor që është refuzimi i palës së paditur për të regjistruar pronën. Gjykatat duhej të analizonin dhe të arsyetonin titullin e pronësisë dhe jo vetëm gjendjen e faktit, për të kuptuar nëse kishte hallka munguese të zinxhirit provues të pronësisë, sepse vetëm fakti se kufijtë e pronës përkojnë me ato të notës së transkriptimit dhe kontratës së shitjes, nuk do të thotë se origjina e pronësisë është e provuar. Në këto kushte, Kolegji çmoi se vendimeve të gjykatave të faktit u mungon arsyetimi mbi shkaqet e vëna në themel të pranimit të padisë. Për pasojë, Kolegji ka vendosur prishjen e vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në këtë gjykatë me tjetër trup gjykues, duke kërkuar në rigjykim hetim të plotë dhe të gjithanshëm, në përputhje me ligjin, zbatimin e rregullave të barrës së provës dhe analizë tërësore dhe objektive të provave, me përgjigje për pretendimet e palëve.
Vendimi nr. 00-2024-5444 (432) datë 22.10.2024 i Kolegjit Administrativ
Maksima- Regjistrimi i pasurisë së paluajtshme në kundërshtim me nenin 193 të Kodit Civil dhe ligjin nr. 7843/1994, pa titull të vlefshëm pronësie për sipërfaqen totale të truallit dhe kur një pjesë e tij është në bashkëpronësi, si dhe dhënia e lejes së ndërtimit mbi këtë truall pa pëlqimin e bashkëpronarëve, e bëjnë certifikatën e pronësisë dhe lejen e ndërtimit akte relativisht të pavlefshme, të cenueshme në gjykimin administrativ.
Fjalë kyçe – regjistrim prone, titull pronësie, bashkëpronësi, certifikatë pronësie, leje ndërtimi
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se pala paditëse kundërshtoi regjistrimin e një pasurie në favor të një subjekti privat nga ZVRPP Shkodër (sot Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Shkodër) dhe kërkoi edhe shfuqizimin e lejes së ndërtimit të dhënë nga KRT i Bashkisë Shkodër. Gjykata Administrative e Apelit pranoi padinë, detyroi ZVRPP Shkodër të bëjë fshirjen e shënimeve të pronësisë të kryera në favor të subjektit privat dhe shfuqizoi lejen e ndërtimit. Gjykata e apelit arsyetoi se veprimet e regjistrimit ishin kryer në kundërshtim me ligjin nr. 7843/1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, pa titull të vlefshëm dhe mbi truall që rezultonte pjesërisht në bashkëpronësi. U vlerësua se në kushtet e një regjistrimi të kundërligjshëm, edhe certifikata e pronësisë e lëshuar mbi bazën e tij është e kundërligjshme dhe nuk mund të shërbejë si bazë për leje ndërtimi. Në këtë vendim çmoi se Gjykata Administrative e Apelit ka zhvilluar proces të rregullt ligjor dhe hetim të plotë e të gjithanshëm, në përputhje me parimet e gjykimit administrativ dhe rregullat procedurale. U vlerësua se veprimet administrative të regjistrimit analizohen edhe në dritën e rregullave të KPA (ligji i kohës), ndërsa për aktet e ndërtimit zbatohet ligji nr. 8405/1998 “Për urbanistikën” dhe aktet nënligjore përkatëse. Kolegji vlerësoi se subjekti në emër të të cilit ishte lëshuar leja nuk provoi pronësinë mbi sipërfaqen totale të truallit, pasi mungonte akt kalimi pronësie në kuptim të nenit 193 të KC, ndërsa vërtetimi gjyqësor i faktit të pronësisë nuk regjistrohet. Në përfundim, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë la në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit.
Vendimi nr. 00-2025-188 (43) datë 28.01.2025 i Kolegjit Administrativ
Maksima -Në procedurën e regjistrimit fillestar, kur pasuria për të cilën kërkohet regjistrimi është në pronësi shtetërore, përpara refuzimit të kërkesës me arsyetimin se e drejta e pronësisë së palës shitëse nuk rezulton e regjistruar pranë zyrës së regjistrimit, organi kompetent ka detyrimin të identifikojë specifikisht organin shtetëror që gëzon të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e paregjistruar dhe të hetojë nëse pala kontratore e ka pasur ose jo tagrin e pronarit. Mospasqyrimi i kësaj gjendjeje në regjistrat e zyrës së regjistrimit nuk mund të përbëjë, pa një hetim të tillë, shkak për refuzimin e regjistrimit.
Fjalë kyçe – regjistrim prone, refuzim regjistrimi, identifikim i organit, leje ndërtimi, kontratë shitblerje
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se paditësi ka blerë objektin së bashku me truallin 36 m² me kontratë të datës 27.04.1994 dhe më pas ka blerë truallin 84 m² me kontratë noteriale të datës 12.06.1996. Në vijim, me vendimin e KRRT të Bashkisë Sarandë është miratuar leja e ndërtimit për “shtesë dhe ngritje kati për magazinë frigoriferike”, ndërsa në datën 25.03.2011 është lëshuar leja për shfrytëzimin dhe dokumentacioni i është dërguar ZVRPP për regjistrim. Pas kërkesës së paditësit për regjistrim fillestar, ZVRPP Sarandë ka propozuar refuzimin dhe ZQRPP Tiranë, me urdhrin nr. 759, datë 05.10.2011, ka refuzuar regjistrimin e objektit dhe të truallit 36 m² dhe 84 m². Gjykata e shkallës së parë e ka pranuar padinë, ndërsa Gjykata Administrative e Apelit e ka rrëzuar, duke arsyetuar ndër të tjera se kontratat e shitjes së truallit janë absolutisht të pavlefshme dhe se leja e ndërtimit është e pavlefshme për shkak të inkompetencës së organit që e ka dhënë. Në vendim KAGJL vlerësoi se vendimi i gjykatës së apelit është rezultat i një hetimi jo të plotë dhe i një arsyetimi të mangët, pasi nuk është hetuar në mënyrë të gjithanshme origjina e të drejtës së pronësisë së truallit, nuk janë dhënë sqarime të argumentuara për pavlefshmërinë e kontratave dhe të lejes së ndërtimit, si dhe është konkluduar për kundërshtim me ligjin nr. 7980/1995 pa hetuar nëse bëhej fjalë për troje të lira apo të zëna, ndërkohë që vlerësimi për pavlefshmërinë e lejes është bërë pa treguar bazën ligjore dhe pa analizuar konkretisht kompetencat përkatëse sipas ligjit në fuqi në kohën e dhënies së saj. Për këto arsye, Kolegji vendosi prishjen e vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit dhe kthimin e çështjes për rigjykim në atë gjykatë me tjetër trup gjykues, duke kërkuar që në rigjykim të garantohet hetim i plotë e i gjithanshëm, cilësim i saktë i fakteve, zbatim i rregullave të barrës së provës dhe analizë tërësore e provave, me përgjigje për pretendimet e palëve.
Vendimi nr. 00-2025-3714 (395) datë 30.10.2025 i Kolegjit Administrativ
Maksima- Për lëshimin e certifikatës së pronësisë për një pasuri në bashkëpronësi, kërkesa pranë ZVRPP/ASHK duhet të shoqërohet me autorizim të posaçëm nga bashkëpronarët e tjerë pasi mungesa e këtij autorizimi përbën shkak për refuzimin e lëshimit të certifikatës së pronësisë (origjinale), ndërkohë që secilit bashkëpronar i njihet e drejta të pajiset me kopje të njësuar me origjinalin.
Fjalë kyçe – regjistrim vendimi gjyqësor, bashkëpronësi, certifikate e pronësisë, autorizim i bashkëpronarëve
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se paditësja, si trashëgimtare dhe bashkëpronare, ka kërkuar detyrimin e ZVRPP për regjistrimin e urdhrit të ekzekutimit dhe të vendimit civil të formës së prerë, si edhe pajisjen me certifikata pronësie. Nga kartelat e pasurive rezultoi se vendimi gjyqësor ishte regjistruar me shënimet përkatëse dhe po ashtu ishte regjistruar edhe dëshmia e trashëgimisë, ndaj për kërkimet e regjistrimit u çmua se padia nuk mund të ngrihej, pasi ajo që kërkohej rezultonte e realizuar vullnetarisht nga organi publik. Për kërkimin e lëshimit të certifikatave të pronësisë, Kolegji vlerësoi se, në kushtet e bashkëpronësisë, kërkesa për pajisje me certifikatë duhej të shoqërohej me autorizim të posaçëm nga bashkëpronarët e tjerë, në zbatim të nenit 32, paragrafët 2 dhe 3, të ligjit nr. 33/2012, pasi certifikata lëshohet vetëm një herë në origjinal dhe i jepet vetëm pronarit të vetëm ose njërit prej bashkëpronarëve të autorizuar rregullisht. Në këtë kuadër, mungesa e autorizimit përbën shkak për refuzimin e lëshimit të certifikatës së pronësisë. Për këto arsye, Kolegji ndryshoi vendimet e gjykatave më të ulëta dhe rrëzoi padinë.
1. Abonohu në buletinin informativ elektronik
Abonohu në buletinin informativ elektronik, duke plotësuar formularin në linkun https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/buletini dhe njihu me përmbajtjen e tyre në linkun https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/buletini
2. Njihu me jurisprudencën në JUDIX
Abonohu në JUDIX për t`u njohur me jurisprudencën e përzgjedhur të Gjykatës së Lartë, duke plotësuar të dhënat në linkun: https://judix.gjykataelarte.gov.al/
Kontakto:
Tel.: +355 4 2257304;
Fax: +355 (4) 228837;
Email: supremecourt@gjykataelarte.gov.al;
Adresa postare: Rruga: "Ibrahim Rugova", nr. 20, 1001, Tiranë, Shqipëri.

Gjykata e Lartë