Kompetenca lëndore mbi shqyrtimin e kërkesës për rivendosjen në afat (Fjalë Kyçe: Kompetencë, kërkesë rivendosje në afat)
Në vendimin nr.00-2021-1079, datë 28.12.2021, KPGJL thekson se gjykata kompetente për shqyrtimin e kërkesës për rivendosje në afat është gjykata që ka dhënë vendimin ndaj të cilit ushtrohet ankimi (mbështetur edhe në vendimin unifikues nr.1, datë 19.6.2013, të Gjykatës së Lartë).
Kompetenca lëndore me pasojë humbjen e fuqisë së masës së sigurimit (Fjalë Kyçe: Kompetencë,humbje fuqie, masë sigurimi)
Në vendimin nr.213(45), datë 10.02.2022, KPGJL vendosi se, në rastin kur një prokuror ka disponuar për shpalljen e moskompetencës së saj tokësore apo lëndore, legjislacioni penal nuk ka parashikuar asnjë detyrim për verifikimin e masës së sigurimit të vendosur për llogari të këtij hetimi, prej gjykatës pranë së cilës ushtron funksionet prokuroria që ka pranuar aktet.
Kompetenca tokësore e ankesës mbi heqjen e sekuestros preventive (Fjalë Kyçe:Kompetencë, sekuestro preventive, gjyqtar i hetimeve paraprake, gjykata e apelit)
Në vendimin nr.83, datë 22.02.2022, KPGJL ka sqaruar se, gjykata kompetente për shqyrtimin e ankimit për heqjen e sekuestros preventive (në rastet kur sekuestrimi është urdhëruar nga prokurori është Gjykata e Shkallës së Parë (Gjyqtari për Hetime Paraprake). Në rastet kur sekuestrimi është disponuar nga gjykata, në vijim të kërkesës së prokurorit, gjykata kompetente për shqyrtimin e ankimit, është Gjykata e Apelit.
Kompetenca lëndore e kërkesa me objekt rehabilitimin e të dënuarit (Fjalë Kyçe:Kompetencë, rehabilitim i të dënuari)
Në vendimin njësues nr.1036(114), datë 07.04.2022, KPGJL zgjidhi çështjen e gjykatës kompetente për shqyrtimin e kërkesave me objekt rehabilitimin e të dënuarit sipas nenit 69 të KP, duke vendosur se gjykata kompetente do të jetë gjykata penale e rrethit gjyqësor që ka dhënë vendimin penal ndaj kërkuesit, e që pretendon rehabilitimin, pasi thelbi dhe lënda e mosmarrëveshjes përcaktojnë kompetencën lëndore të gjykatës. Nëse ndaj kërkuesit është dhënë më shumë se një vendim gjyqësor, gjykata kompetente do të jetë ajo që ka dhënë vendimin e fundit gjyqësor.
Kompetenca lëndore/funksionale, gjë e gjykuar (Fjalë Kyçe:Kompetencë, gjë e gjykuar,moskompetenca )
Në vendimin nr.788, datë 05.07.2022, KPGJL u shpreh se kur ka një vendim të GJL që ka zgjidhur në themel konfliktin e kompetencës lëndore, atëherë kjo konsiderohet si një çështje që në aspektin e parimit “res judicata”, e ka marrë një përgjigje ligjore, pra çështja e kompetencës lëndore/funksionale apo tokësore është gjë e gjykuar, duke konkluduar se moskompetenca për shqyrtimin e një çështjeje mund të shpallet vetëm një herë.
Kompetenca tokësore mbi shqyrtimin e kërkesës për shuarje dënimi (Fjalë Kyçe:Kompetencë, kërkesë shuarje dënimi)
Në vendimin nr.1113, datë 22.09.2022, KPGJL vendosi se në rastet kur investohet gjykata e vendit të ekzekutimit me kërkesë për shuarje dënimi dhe çështja ndodhet për gjykim pranë gjykatës së apelit (gjykata e rigjykimit ku ndodhen aktet), atëherë kjo e fundit është kompetente për shqyrtimin e kërkesës, pasi në këtë rast kompetenca është e lidhur më shumë me fazën procedurale ku ndodhet çështja sesa me objektin e kërkimit.
Kompetenca për gjykimin e çështjeve në fazën e ekzekutimit të vendimit dënimi (Fjalë Kyçe:Kompetencë, fazë ekzekutimi vendim gjyqësor)
Në vendimin nr.470(4), datë 12.01.2023, KPGJL njëson praktikën gjyqësore duke arsyetuar se, në rastet kur ka mosmarrëveshje kompetence midis gjykatës në të cilën i dënuari ka paraqitur kërkesën dhe gjykatës në territorin e së cilës ai ndodhet në kohën e shqyrtimit të çështjes, për gjykimin e çështjeve penale në fazën e ekzekutimit të vendimit gjyqësor, kompetenca tokësore i përket gjykatës ku i dënuari ka paraqitur kërkesën.
Kompetenca e GJKKO për gjykimin e veprave me qëllime terroriste dënimi (Fjalë Kyçe: Kompetencë,vepra me qëllime terroriste, kushtetuta)
Në vendimin nr.499, datë 23.03.2023, KPGJL vlerëson se përfshirja në kompetencën lëndore të gjykatave të posaçme e “Veprave me qëllime terroriste” nuk është në kundërshtim me Kushtetutën, pasi ligjvënësi me këtë ndërhyrje ka pasur në vëmendje qëllimin e normës kushtetuese (neni 135/2) për të kategorizuar brenda juridiksionit penal të posaçëm ato vepra penale që janë në të njëjtin nivel për nga rëndësia dhe natyra e tyre.
Gjyqtari kompetent në sigurimin e provës(Fjalë Kyçe: Kompetencë, sigurim prove, kërkesa të bashkuara në një çështje)
Në vendimin nr.589, datë 13.04.2023, KPGJL sqaron se kompetenca lëndore/funksionale për shqyrtimin e kërkesave penale (të bashkuara në një çështje) për sigurimin e provës, i përket gjyqtarit, i cili shqyrton kërkesat e paraqitura gjatë hetimit paraprak.
Kompetenca e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme për pranimin/kthimin e akteve(Fjalë Kyçe: Kompetencë, prokurori e posaçme, pranim akti, kompetencë përfundimtare)
Në vendimin nr.00-2023-1061, datë 22.06.2023, KPGJL vlerësoi se disponimi i prokurorisë së juridiksionit të përgjithshëm për deklarimin e moskompetencës lëndore, në rastet kur ajo përcakton si prokurori kompetente Prokurorinë e Posaçme, nuk është akti përfundimtar që shënon përfundimin e kompetencës së saj mbi procedimin, pasi drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme ka kompetencën përfundimtare për të miratuar ose jo këtë qëndrim, nëpërmjet pranimit ose kthimit të akteve, gjatë fazës së hetimit paraprak.
Kompetenca tokësore “Shqyrtim kërkese për ekzekutim letërporosie të autoriteteve të huaja” (Fjalë kyçe: Kompetencë tokësore, ekzekutim letërporosie)
Në vendimin nr.00-2023-1375(241), datë 14.09.2023, KPGJL vlerëson se kompetenca tokësore në rastin e kërkesave penale nga autoritete të huaja për ekzekutimin e letërporosisë i takon gjykatës pranë së cilës është dhe vendqëndrimi i të pandehurit.
Shënim: Duke marrë parasysh që faqja e Gjykatës së Lartë është ende në përpunim, linqet e vendimeve përkatëse nuk janë bashkëlidhur materialit të mësipërm.