Mbivendosje e masave të sigurimit (Fjalë kyçe: mbivendosje mase sigurimi, efekt mase sigurimi)
Në vendimin nr.205(44), datë 10.02.2022, KPGJL vendosi se, kur ka mbivendosje të masave të sigurimit, momenti i fillimit të efekteve të masës së re të sigurimit është momenti kur mbarojnë efektet e masës së parë ose pasi personi ka kryer të gjithë dënimin me burgim për të cilin ishte vendosur masa e parë e sigurimit.
Deklarimi i shuarjes së masës së sigurimit në raport me kërkesën për rivendosjen në afat (Fjalë kyçe: shuarje mase sigurimi, rivendosje në afat e ankimit)
Në vendimin nr.650(172), datë 21.06.2022, KPGJL vlerëson se gjykata e faktit nuk mund të shqyrtojë kërkesën për deklarimin e shuarjes e masës së sigurimit personal të caktuar ndaj kërkuesit, pa shqyrtuar më parë kërkesën për rivendosjen në afat të së drejtës së ankimit (e regjistruar më herët), pra pa u prononcuar lidhur me “formën e prerë” të vendimit të gjykimit të themelit të akuzës.
Forma e prerë e vendimit për masën e sigurimit (Fjalë kyçe: ndryshim qëndrimi i prokurorit, ankim për masën e sigurimit)
Në vendimin nr.1823(332), datë 15.12.2022, KPGJL u shpreh se, vendimi i gjykatës së shkallës së parë që ka disponuar për masën e sigurimit duhet konsideruar i formës së prerë për prokurorin që nuk ka ushtruar ankim dhe mendimi apo ndryshimi i qëndrimit të tij nuk është i detyrueshëm për gjykatën e apelit, në drejtim të disponimit në lidhje me çështjen. Ky vendim i shkallës së parë do të ndryshojë vetëm në rast se, gjykata e apelit do ta ndryshojë atë pas ankimit të ushtruar nga pala tjetër.
Kompetenca e gjykatës për shqyrtimin e kërkesës për zëvendësim mase sigurimi në rast bashkimi të procedimeve penale (Fjalë kyçe: gjykatë kompetente, zëvendësim mase, bashkim procedimi)
Në vendimin nr. 435, datë 13.03.2023, KPGJL vendos se në kushtet kur procedimi penal është një i vetëm pasi është vendosur bashkimi i dy procedimeve penale, gjykatë kompetente për shqyrtimin e kërkesës për zëvendësimin e masës së sigurimit, do të jetë gjyqtari i hetimit paraprak i procedimit të bashkuar.
Konstatimi i shuarjes/zëvendësimit të masës së sigurimit bëhet në prezencë të palëve, duke respektuar kontradiktoritetin (Fjalë kyçe: Kontradiktoritet, shuarje mase sigurimi, zëvendësim mase sigurimi)
Në vendimin nr.00-2023-1329(222), datë 25.07.2023, KPGJL arsyeton se gjykimi i konstatimit të shuarjes dhe zëvendësimit të masës së sigurimit duhet të realizohet duke respektuar kontradiktoritetin e palëve, të cilët, nëse e çmojnë, paraqesin provat përkatëse dhe kundërshtojnë ato të paraqitura nga pala tjetër.
Kriteret për caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” (Fjalë kyçe: Sekuestro preventive, caktim mase sigurimi)
Në vendimin nr.00-2023-1602(272), datë 12.10.2023, KPGJL vendosi se vërtetimi i veprës penale kundër të cilës kërkohet caktimi i një mase sigurimi pasuror, përcaktohet në gjykimin në themel të çështjes, gjatë të cilës prokurori duhet të provojë akuzën përtej çdo dyshimi të arsyeshëm. Kolegji rithekson se, për caktimin e masës së sekuestros preventive mjafton të krijohet një dyshim se vepra penale ekziston, pra kërkohet ekzistenca e një minimumi provash që lidhen me elementet objektive të veprës penale.
Shënim: Duke marrë parasysh që faqja e Gjykatës së Lartë është ende në përpunim, linqet e vendimeve përkatëse nuk janë bashkëlidhur materialit të mësipërm.