Përmbledhje mbi ecurinë e qëndrimeve të Gjykatës së Lartë
Referuar jurisprudencës së përzgjedhur në këtë buletin tematik, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë ka mbajtur qëndrime lidhur me procedurat e prokurimit publik, ankimin administrativ në këtë fushë dhe kontratat administrative që lidhen me këto procedura. Nga vendimet e përfshira evidentohen tre drejtime kryesore: kontrolli gjyqësor ndaj masave administrative për shkeljet në procedurat e prokurimit publik, raporti ndërmjet ankimit administrativ dhe aksesit në gjykatë, si dhe cilësimi i kontratave administrative dhe vlerësimi i mosmarrëveshjeve që lindin nga zbatimi i tyre.
Në lidhje me masat administrative për shkeljet në procedurat e prokurimit publik, Kolegji ka theksuar se respektimi i rregullave të prokurimit është detyrim ligjor për çdo subjekt që administron fonde publike, përfshirë edhe shoqëritë tregtare me kapital shtetëror ose me kapital të njësive të vetëqeverisjes vendore. Nga këto vendime rezulton se shmangia e procedurave të prokurimit, në mungesë të kushteve ligjore që e justifikojnë, përbën shkak për marrjen e masave administrative ndaj personave përgjegjës. Po kështu, Kolegji ka vlerësuar se përgjegjësia nuk mund të analizohet vetëm në mënyrë formale, duke u kufizuar te titullari i autoritetit kontraktor, por duhet të shqyrtohet në raport me rolin konkret të secilit subjekt që merr pjesë në administrimin e procedurës, përfshirë edhe anëtarët e njësisë së prokurimit.
Sa i përket ankimit administrativ, vendimet pasqyrojnë qëndrimin e Kolegjit për respektimin e kërkesave procedurale të ligjit të posaçëm, pa cenuar aksesin efektiv në gjykatë. Në këtë drejtim, Kolegji ka vlerësuar se ankimi i paraqitur elektronikisht brenda afatit ligjor nuk mund të konsiderohet i vonuar vetëm për shkak të datës së mëvonshme të protokollimit nga organi administrativ. Nga ana tjetër, është theksuar se ligji i posaçëm i prokurimit publik parashikon kërkesa të veçanta për shterimin e rrugës administrative, mosrespektimi i të cilave mund të pengojë ushtrimin e padisë në gjykatë. Gjithashtu, kur operatorët ekonomikë marrin pjesë si bashkim operatorësh dhe kanë caktuar një përfaqësues të përbashkët, njoftimi i rregullt ndaj këtij të fundit konsiderohet i vlefshëm edhe për subjektet e tjera pjesë të bashkimit.
Në lidhje me kontratat administrative, jurisprudenca e përzgjedhur tregon se Kolegji ka mbajtur në vazhdimësi të njëjtin qëndrim për përcaktimin e natyrës administrative të kontratës, duke u mbështetur jo vetëm te subjekti që e lidh atë, por edhe te objekti, qëllimi dhe funksioni publik që ajo realizon. Në planin e zbatimit të këtyre kontratave, është theksuar se shtesat kontraktore duhet të respektojnë kushtet dhe formalitetet e parashikuara nga ligji i prokurimit publik. Njëkohësisht, nga vendimet rezulton se, në raste të caktuara, edhe veprimet konkrete të organit publik gjatë zbatimit të kontratës mund të merren në konsideratë për ekzistencën e detyrimit për pagesë. Po ashtu, Kolegji ka theksuar se përmbushja e detyrimeve në kontratat administrative nuk mund të vlerësohet vetëm mbi bazën e funksionalitetit të zakonshëm të mallit, por edhe në raport me qëllimin specifik të kontratës dhe interesin publik që ajo mbron. Ndërkohë, vonesa në pagesë nga autoriteti kontraktor, pas marrjes në dorëzim të mallit dhe pranimit të faturës, sjell përgjegjësinë e tij për penalitetet kontraktore përkatëse.
Në tërësi, vendimet e analizuara pasqyrojnë një qëndrim të konsoliduar të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë për respektimin e kërkesave të ligjshmërisë në fushën e prokurimeve publike, si në planin e përgjegjësisë administrative, ashtu edhe në drejtim të aksesit në gjykatë dhe të vlerësimit të marrëdhënieve kontraktore administrative. Më poshtë paraqiten vendimmarrjet konkrete të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, të përmbledhura sipas kësaj tematike.
I. Standardi i Kontrollit Gjyqësor Ndaj Masave Administrative Për Shkeljet në Procedurat e Prokurimit Publik
I. Vendimi nr. 00-2024-2553, datë 18.06.2024 i Kolegjit Administrativ
Maksima - 1. Administratori i një shoqërie tregtare me kapital shtetëror (me kapital të njësisë së vetëqeverisjes vendore) ka për detyrë që të zbatojë ligjin e prokurimit publik kur menaxhon fondet publike, si dhe ligjin nr. 9901/2008 “Për tregtarët dhe shoqërinë tregtare”, që rregullon organizimin dhe veprimtarinë e shoqërisë tregtare me kapital shtetëror. 2. Fondet publike përfshijnë edhe ndihmat apo kreditë. 3. Shmangia e procedurave të prokurimit nga ana e titullarit të autoritetit kontraktor, përbën shkak për marrjen e masave administrative ndaj tij.
Fjalë kyçe – Prokurime publike, administrator, shoqëri tregtare, fonde publike, titullar i autoritetit kontratktor, masë administrative.
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se pala paditëse, në cilësinë e administratorit të shoqërisë Ujësjellës Kanalizime SHA Korçë, ka kundërshtuar vendimin e Agjencisë së Prokurimit Publik, me të cilin ishte gjobitur në masën 1.000.000 lekë, si personi përgjegjës për nënshkrimin e një aktmarrëveshjeje për financimin dhe instalimin e një sistemi elektronik për matësit e ujit, pa ndjekur procedurat e prokurimit publik. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë e kishte pranuar padinë dhe kishte shfuqizuar vendimin e APP, ndërsa Gjykata Administrative e Apelit e kishte lënë në fuqi këtë vendim. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerësoi se qëndrimi i mbajtur nga të dyja gjykatat e faktit nuk ishte në përputhje me ligjin material dhe procedural. Kolegji arsyetoi se, edhe pse marrëveshja ishte miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës i shoqërisë dhe nga Këshilli Bashkiak si aksionar i vetëm, administratori i shoqërisë kishte detyrimin të zbatonte ligjin për prokurimin publik në ushtrimin e funksioneve të tij. Kolegji vlerësoi se marrëveshja e lidhur për financimin dhe instalimin e 22.000 matësve elektronikë përbënte një detyrim financiar që do të përballohej nga vetë shoqëria, ndaj fondet e përdorura në këtë rast kishin natyrën e fondeve publike. Në këtë kuptim, Kolegji çmoi se përfundimi i gjykatave të faktit, sipas të cilit marrëveshja nuk i nënshtrohej procedurave të prokurimit publik për shkak të natyrës së saj si marrëveshje e vetme financimi dhe instalimi, ishte i pabazuar në ligj. Kolegji theksoi se shoqëria, si subjekt me kapital publik dhe me aksionar njësinë e qeverisjes vendore, administronte fonde publike dhe, për rrjedhojë, duhej t’u nënshtrohej rregullave të ligjit nr. 9643/2006 “Për prokurimin publik”. Po kështu, Kolegji vuri në dukje se në rastin konkret nuk provohej ekzistenca e ndonjë prej kushteve ligjore që do të justifikonin mosndjekjen e procedurave të prokurimit apo përdorimin e procedurës me negocim pa shpallje paraprake. Mbi këtë bazë, Kolegji arriti në përfundimin se APP kishte vepruar brenda kompetencave të saj dhe në zbatim të drejtë të ligjit, kur kishte vendosur masën administrative ndaj palës paditëse, si personi përgjegjës për nënshkrimin e marrëveshjes në kundërshtim me nenin 4 të ligjit për prokurimin publik. Për këtë arsye, Kolegji Administrativ ndryshoi vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit dhe atë të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, duke vendosur rrëzimin e padisë.
II. Vendimi nr. 00-2024-2633 (257), datë 20.06.2024 i Kolegjit Administrativ
Maksima - Anëtari i njësisë së prokurimit nuk përjashtohet nga përgjegjësia për shkeljet në procedurat e prokurimit publik vetëm për faktin se urdhri i prokurimit firmoset nga titullari i autoritetit kontraktor.
Fjalë kyçe – Anëtar i njësisë së prokurimit publik, përgjegjësi e anëtarit të njësisë së prokurimit publik, urdhër prokurimi, titullar i autoritetit kontraktor.
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se paditësja, në cilësinë e anëtares së njësisë së prokurimit pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, ishte gjobitur nga Agjencia e Prokurimit Publik për përzgjedhjen e procedurës “me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës” në tetë procedura prokurimi, në kundërshtim me ligjin “Për prokurimin publik”. Gjykatat e faktit kishin pranuar padinë, duke vlerësuar se përgjegjësia për përzgjedhjen e llojit të procedurës i takonte titullarit të autoritetit kontraktor dhe se paditësja nuk mund të ngarkohej me përgjegjësi për këtë shkak. Në këtë vendim, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë arsyetoi se njësia e prokurimit është një strukturë e specializuar me përgjegjësi të vazhdueshme në administrimin e procesit të prokurimit publik, ndaj përgjegjësia e anëtarit të saj nuk përjashtohet vetëm për faktin se urdhri i prokurimit firmoset nga titullari i autoritetit kontraktor. Kolegji theksoi se urdhri i prokurimit nuk mund të vlerësohet i shkëputur nga e gjithë procedura prokuruese dhe se gjykatat duhet të analizojnë konkretisht detyrat e paditëses si anëtare e njësisë së prokurimit, mënyrën e ushtrimit të tyre dhe nëse procedurat ligjore janë respektuar. Për këtë arsye, Kolegji prishi vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit dhe e ktheu çështjen për rishqyrtim në këtë gjykatë me tjetër trup gjykues.
Për më tepër mund të shihni edhe vendimin nr. 00-2024-3079 (327), datë 16.07.2024, të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, i cili mban të njëjtën linjë arsyetimi lidhur me përgjegjësinë e anëtarit të njësisë së prokurimit dhe nevojën që gjykata të analizojë konkretisht detyrat, veprimet dhe mosveprimet e tij, pa e përjashtuar automatikisht nga përgjegjësia vetëm për faktin se urdhri i prokurimit firmoset nga titullari i autoritetit kontraktor.
III. Vendimi nr. 00-2024-3401 (342), datë 10.09.2024 i Kolegjit Administrativ
Maksima - Titullari i autoritetit kontraktor ka detyrimin të arsyetojë në urdhrin e prokurimit përdorimin e procedurës përkatëse, veçanërisht kur zbatohet procedura me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit, por mosrespektimi i këtij detyrimi nuk përjashton nga përgjegjësia edhe anëtarët e njësisë së prokurimit, të cilët, për shkak të rolit të tyre në administrimin e fazave të ndryshme të procesit prokurues, mbajnë përgjegjësi për zbatimin e rregullave të prokurimit publik.
Fjalë kyçe – Titullar i autoritetit kontraktor, urdhër prokurimi, procedure me negocim pa shpallje paraprake, përgjegjësi e titullarit të autoritetit kontraktor, përgjegjësi e anëtarit të njësisë së prokurimit.
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se pala paditëse, në cilësinë e ish-titullarit të autoritetit kontraktor, ka kundërshtuar aktin administrativ të Agjencisë së Prokurimit Publik, që e gjobiste për shkelje të konstatuara në dymbëdhjetë procedura prokurimi publik. Sipas këtij akti, përgjegjësia e paditësit lidhej me nënshkrimin e urdhrave të prokurimit me procedurë negocimi pa shpallje paraprake të njoftimit, me miratimin e raportit përmbledhës, me nënshkrimin e shtesave të kontratave në tejkalim të kufirit ligjor dhe me nënshkrimin e një kontrate pa formularët e sigurimit të kontratës. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë e kishte konstatuar aktin si absolutisht të pavlefshëm, ndërsa Gjykata Administrative e Apelit kishte arritur në përfundimin se akti ishte relativisht i pavlefshëm për pjesën që lidhej me gjobën ndaj paditësit, me arsyetimin se organi publik nuk kishte paraqitur bazën e plotë provuese mbi të cilën ishte mbështetur vendimmarrja e tij dhe se nuk ishte provuar konkretisht gabimi në përzgjedhjen e procedurës së prokurimit dhe përgjegjësia e paditësit për secilin rast. Në arsyetimin e tij, Kolegji evidentoi se ligji për prokurimin publik dhe aktet nënligjore përcaktojnë qartë përgjegjësitë si të titullarit të autoritetit kontraktor, ashtu edhe të njësisë së prokurimit. Titullari i autoritetit kontraktor është subjekti që inicion procedurën me urdhrin e prokurimit dhe ka detyrimin që në këtë akt të arsyetojë përdorimin e procedurës së zgjedhur, veçanërisht kur bëhet fjalë për procedurën me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit, e cila përbën përjashtim nga rregulli i përgjithshëm dhe mund të përdoret vetëm në rrethana të veçanta, të dokumentuara dhe të argumentuara bindshëm. Nga ana tjetër, edhe njësia e prokurimit nuk përjashtohet nga përgjegjësia, pasi ligji e ngarkon me detyrime të posaçme që lidhen me hartimin e akteve dhe administrimin e procedurës së prokurimit. Kolegji konstatoi gjithashtu se, në kundërshtim me atë që kishte arritur në përfundim Gjykata Administrative e Apelit, nga Agjencia e Prokurimit Publik nuk ishin depozituar vetëm urdhrat e prokurimit, por edhe aktet përkatëse që i kishin shërbyer autoritetit kontraktor për identifikimin e procedurës dhe të llojit të saj. Për këtë arsye, gjykata e apelit duhej të shqyrtonte për secilën procedurë nëse përzgjedhja e procedurës me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit ishte bërë në përputhje me nenin 33 të ligjit nr. 9643/2006, nëse arsyet e përdorimit të saj gjenin mbështetje në dokumentacionin përkatës, si dhe duhej të vlerësonte edhe shkeljet e tjera të pretenduara nga organi publik, përfshirë miratimin e raportit përmbledhës, nënshkrimin e shtesave të kontratës në tejkalim të kufirit ligjor dhe nënshkrimin e kontratës pa sigurimin përkatës. Në përfundim, Kolegji Administrativ çmoi se hetimi gjyqësor nuk kishte qenë i plotë dhe i gjithanshëm, pasi gjykatat nuk kishin analizuar të gjitha provat dhe nuk u kishin dhënë përgjigje të plotë pretendimeve të palëve. Për këtë arsye, ai prishi vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit dhe e dërgoi çështjen për rishqyrtim në po atë gjykatë, me tjetër trup gjykues, me udhëzimin që në rigjykim të kryhej një hetim i plotë, të zbatohej drejt barra e provës dhe të jepej zgjidhje në themel e mosmarrëveshjes në përputhje me ligjin.
II. Ankimi Administrativ dhe Kontrolli Gjyqësor në Procedurat e Prokurimit Publik
IV. Vendimi nr. 00-2024-2179 (225), datë 21.05.2024 i Kolegjit Administrativ
Maksima - Kur ankimi administrativ në procedurat e prokurimit publik paraqitet elektronikisht brenda afatit ligjor, ai nuk mund të konsiderohet i vonuar vetëm për shkak të datës së mëvonshme të protokollimit nga organi administrativ. Në rast paqartësie mbi datën e depozitimit të ankimit, kjo paqartësi duhet të interpretohet në favor të palës ankuese, duke garantuar aksesin efektiv në gjykatë.
Fjalë kyçe – ankim administrativ, procedurë e prokurimit publik, platformë elektronike, datë protokolli, akses në gjykatë.
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se pala paditëse, operator ekonomik pjesëmarrës në një procedurë prokurimi të zhvilluar nga IEVP Shkodër, ka kundërshtuar vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik, me të cilin nuk ishte pranuar ankesa e saj ndaj anulimit të procedurës së prokurimit, me arsyetimin se ankimi ishte paraqitur jashtë afatit 7-ditor të parashikuar nga ligji nr. 162/2020 “Për prokurimin publik”. Gjykata Administrative e Apelit kishte rrëzuar padinë, duke vlerësuar se ankesa ishte depozituar pranë KPP-së në datën 13.01.2023, pra pas përfundimit të afatit që llogaritej nga data 06.01.2023, kur ishte publikuar anulimi i procedurës në sistemin elektronik të prokurimeve. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerësoi se ky arsyetim nuk ishte i bazuar në ligj. Kolegji theksoi se në rastin konkret ankesa e palës paditëse rezultonte të ishte paraqitur në formë elektronike dhe formulari i ankesës mbante dy data, përkatësisht datën elektronike 12.01.2023, ora 12:31, si dhe vulën e protokollit të KPP me datë 13.01.2023. Kolegji çmoi se Gjykata Administrative e Apelit nuk kishte verifikuar siç duhej këtë mospërputhje dhe kishte marrë të mirëqenë vetëm datën e protokollimit të brendshëm të ankimit nga pala e paditur, pa i dhënë vlerë datës elektronike të depozitimit, ndonëse vetë pala e paditur kishte pranuar gjatë gjykimit se ankesa ishte dorëzuar elektronikisht dhe se, kur ajo dërgohet në sistemin e brendshëm, konsiderohet e paraqitur në afat. Në vijim, Kolegji theksoi se kur ka paqartësi lidhur me datat e paraqitjes së ankimit, ato duhet të interpretohen në favor të palës ankuese, me qëllim garantimin e aksesit efektiv në gjykatë. Kolegji arsyetoi se procedurat e prokurimit publik zhvillohen nëpërmjet platformës elektronike pikërisht për të siguruar komunikim të shpejtë, transparencë dhe respektim të afateve të shkurtra, ndaj pala ankuese nuk mund të penalizohet për mënyrën se si organi administrativ protokollon apo administron nga brenda dokumentet e marra në sistem. Për sa kohë vetë sistemi i brendshëm i palës së paditur provonte se ankimi ishte depozituar brenda afatit, Gjykata Administrative e Apelit duhej ta konsideronte ankimin në afat dhe të shprehej mbi themelin e mosmarrëveshjes. Për këto arsye, Kolegji Administrativ prishi vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit dhe e dërgoi çështjen për rishqyrtim në po atë gjykatë, me tjetër trup gjykues.
V. Vendimi nr. 00-2024-5423 (534), datë 11.12.2024 i Kolegjit Administrativ
Maksima - Operatori ekonomik që nuk paraqet argumente kundër ankesës së një operatori tjetër ekonomik në procedurën administrative pranë Komisionit të Prokurimit Publik humbet të drejtën për të kundërshtuar më pas në gjykatë vendimmarrjen e KPP për atë procedurë prokurimi. Moskonstituimi i tij në procedurën administrative përbën mosshterim të rrugës administrative dhe pamundëson shqyrtimin në themel të padisë.
Fjalë kyçe - operator ekonomik, kundërshtimi i ankesës, Komisioni i Prokurimit Publik, mosshterimi i rrugës administrative, moskonstituimi në procedurën administrative.
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se pala paditëse kishte kundërshtuar në gjykatë një vendim të Komisionit të Prokurimit Publik, të marrë në kuadër të një procedure prokurimi, duke pretenduar paligjshmërinë e vendimmarrjes së këtij organi administrativ. Gjykata Administrative e Apelit e kishte shqyrtuar çështjen në themel, por Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerësoi se vendimi i saj ishte marrë në zbatim jo të drejtë të ligjit procedural, pasi nuk ishte verifikuar siç duhej plotësimi i kushteve formale të padisë, në veçanti shterimi i rrugës administrative përpara aktivizimit të juridiksionit gjyqësor. Kolegji arsyetoi se neni 113 i ligjit nr. 162/2020 “Për prokurimin publik” parashikon një rregullim të posaçëm për operatorët ekonomikë të interesuar, sipas të cilit ata duhet të paraqesin argumente që kundërshtojnë ankesën e një operatori tjetër ekonomik në procedurën administrative pranë Komisionit të Prokurimit Publik, nëse duan të ruajnë më pas të drejtën për të kundërshtuar gjyqësisht vendimin përfundimtar të këtij organi. Në vlerësimin e Kolegjit, ky parashikim përbën një formë të veçantë të shterimit të rrugës administrative, e cila i ngarkon operatorit ekonomik barrën që të konstituohet si palë aktive në procedurën ankimore administrative, përpara se t’i drejtohet gjykatës. Në rastin konkret, Kolegji konstatoi se pala paditëse nuk kishte paraqitur argumente kundër ankesës së një operatori tjetër ekonomik, edhe pse kjo ankesë prekte drejtpërdrejt interesat e saj në procedurën e prokurimit, pasi kërkohej jo vetëm kualifikimi i operatorit ankimues, por edhe skualifikimi i palës paditëse. Për këtë arsye, Kolegji vlerësoi se pala paditëse kishte humbur cilësinë e subjektit të interesuar, në kuptim të neneve 113 dhe 121 të ligjit nr. 162/2020, dhe për pasojë nuk legjitimohej të vinte në lëvizje juridiksionin gjyqësor me padinë objekt gjykimi. Kolegji theksoi se moskonstituimi i operatorit ekonomik në procedurën administrative të iniciuar nga një operator tjetër barazohet për efekt të ligjit të posaçëm me mosshterimin e rrugës administrative dhe përbën një pengesë procedurale që godet vetë ushtrimin e padisë. Në këto kushte, Kolegji Administrativ prishi vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit dhe vendosi pushimin e gjykimit të çështjes.
VI. Vendimi nr.00-2024-4428 (468), datë 07.11.2024 i Kolegjit Administrativ
Maksima - Kur në një procedurë prokurimi operatorët ekonomikë marrin pjesë si bashkim operatorësh dhe kanë caktuar me marrëveshje e prokurë një përfaqësues të përbashkët me tagër për të ndjekur ankimimet administrative dhe gjyqësore, njoftimi i vendimit gjyqësor ndaj këtij përfaqësuesi konsiderohet njoftim i rregullt edhe për operatorin tjetër pjesë të bashkimit.
Fjalë kyçe - bashkimi i operatorëve ekonomikë, përfaqësuesi i bashkimit, njoftimi i vendimit gjyqësor, rivendosja në afat, humbja e afatit të ankimit, shkak i arsyeshëm, njoftimi i rregullt.
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se pala kërkuese, Bashkimi i Operatorëve Ekonomikë “Curri” SHPK dhe “Geci” SHPK, kishte marrë pjesë në një procedurë prokurimi të zhvilluar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe, pas pranimit të ankesës së një bashkimi tjetër operatorësh nga Komisioni i Prokurimit Publik, i ishte drejtuar gjykatës me padi për shfuqizimin e vendimit të KPP dhe akteve të nxjerra në zbatim të tij. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë e kishte rrëzuar padinë me vendimin nr. 5220, datë 08.11.2016. Kundër këtij vendimi nuk ishte ushtruar ankim brenda afatit, ndërsa më pas pala kërkuese kishte kërkuar rivendosjen në afat të ankimit, duke pretenduar se vendimi nuk ishte njoftuar rregullisht, pasi i ishte dorëzuar një punonjësi të shoqërisë “Curri” SHPK dhe nuk i ishte njoftuar shoqërisë “Geci” SHPK. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë dhe më pas Gjykata Administrative e Apelit e kishin pranuar kërkesën për rivendosje në afat, duke arsyetuar se mungesa e njoftimit të veçantë ndaj shoqërisë “Geci” SHPK përbënte shkak të arsyeshëm për humbjen e afatit të ankimit. Këto gjykata kishin vlerësuar se fakti që palët ishin paraqitur si bashkim operatorësh nuk justifikonte cenimin e të drejtave procedurale të secilës shoqëri pjesëmarrëse. KAGJL vlerësoi se ky qëndrim nuk ishte në përputhje me ligjin procedural dhe material. Kolegji arsyetoi se, sipas nenit 130 të KPC, njoftimi i akteve procedurale personave juridikë privatë është i rregullt edhe kur i dorëzohet një punonjësi që punon në qendrën e personit juridik, në mungesë të administratorit ose personit të ngarkuar për të marrë aktet. Në rastin konkret, vendimi gjyqësor i ishte dorëzuar një punonjësi të shoqërisë “Curri” SHPK, i cili rezultonte i punësuar rregullisht pranë saj, ndaj njoftimi ishte kryer në përputhje me ligjin. Më tej, Kolegji theksoi se, në kuadër të procedurës së prokurimit, shoqëritë “Curri” SHPK dhe “Geci” SHPK kishin vepruar si bashkim operatorësh ekonomikë dhe, me marrëveshje bashkëpunimi dhe prokurë të posaçme, kishin caktuar shoqërinë “Curri” SHPK si përfaqësuese të bashkimit, me të drejtë të paraqiste ankime administrative e gjyqësore dhe të kryente të gjitha veprimet procedurale në emër të bashkimit. Për këtë arsye, Kolegji çmoi se njoftimi i vendimit për shoqërinë përfaqësuese “Curri” SHPK ezauronte edhe njoftimin ndaj shoqërisë “Geci” SHPK si pjesë e të njëjtit bashkim operatorësh. Në këto kushte, Kolegji arriti në përfundimin se pala kërkuese nuk ndodhej përpara një shkaku të arsyeshëm në kuptim të nenit 152 të Kodit të Procedurës Civile për t’u rivendosur në afat, pasi humbja e afatit të ankimit nuk kishte ardhur si pasojë e një njoftimi të pavlefshëm apo e një pamundësie objektive. Për rrjedhojë, Kolegji Administrativ ndryshoi vendimin nr. 184, datë 23.05.2017 të Gjykatës Administrative të Apelit dhe vendimin nr. 15, datë 01.03.2017 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, duke rrëzuar kërkesën për rivendosje në afat të ankimit.
VII. Vendimi nr. 00-2025-87 (16), datë 21.01.2025 i Kolegjit Administrativ
Maksima - Mungesa e një vendimi deklarativ të Komisionit të Prokurimit Publik nuk përbën kusht thelbësor për ngritjen e padisë për shpërblimin e dëmit të shkaktuar në procedurat e prokurimit publik.
Fjalë kyçe - shpërblimi i dëmit, procedura e prokurimit publik, vendimi deklarativ i KPP, pezullimi i procedurës së prokurimit, zbatimi i vendimit të KPP, përgjegjësia jashtëkontraktore.
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se pala paditëse, shoqëria “X” SHPK, ka marrë pjesë në një procedurë prokurimi të zhvilluar nga Universiteti “Y” me objekt “Loti II - Shërbim me roje civile për qarkun e Durrësit”, ku ishte skualifikuar. Pas ankimit administrativ, Komisioni i Prokurimit Publik, me vendimin nr. 579/3, datë 28.06.2013, pranoi ankesën, urdhëroi anulimin e vendimit të KVO në pjesën që lidhej me skualifikimin e saj dhe detyroi autoritetin kontraktor të korrigjonte shkeljet e konstatuara duke e kualifikuar palën paditëse. Megjithatë, autoriteti kontraktor kishte vijuar procedurën dhe kishte lidhur kontratën me një operator tjetër ekonomik. Për këtë shkak, pala paditëse iu drejtua gjykatës duke kërkuar shpërblimin e dëmit pasuror dhe jopasuror që pretendonte se i ishte shkaktuar. Gjykatat e faktit e rrëzuan padinë, duke vlerësuar se pala e paditur nuk kishte kryer veprim të paligjshëm dhe se për ti hapur rrugë padisë për dëmshpërblim, duhej më parë një vendim deklarativ i KPP sipas nenit 64 pika 4 shkronja “b” të ligjit për prokurimin publik. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerësoi se ky përfundim ishte i gabuar. Kolegji arsyetoi se gjykatat e faktit nuk kishin kryer një hetim të plotë dhe të gjithanshëm mbi të gjithë veprimtarinë administrative të autoritetit kontraktor dhe pasojat e ardhura nga veprimet apo mosveprimet e tij pas paraqitjes së ankimit. Kolegji theksoi se, sipas ligjit për prokurimin publik, autoriteti kontraktor ka detyrimin të pezullojë procedurën me paraqitjen e ankesës dhe të zbatojë vendimet administrativisht përfundimtare të KPP. Në rastin konkret, pas vendimit të KPP që e kualifikonte palën paditëse, autoriteti kontraktor kishte detyrimin të zbatonte urdhërimet e këtij vendimi. Kolegji vlerësoi gjithashtu se marrja e një vendimi deklarativ nga KPP[1] nuk është kusht thelbësor për ngritjen e padisë për dëmshpërblim, pasi padia për shpërblimin e dëmit jashtëkontraktor është proceduralisht e pavarur, edhe pse në plan material mund të ndërvaret nga paligjshmëria e veprimit ose mosveprimit administrativ. Për rrjedhojë, gjykatat duhej të kishin analizuar në themel vendimet e KPP dhe të kishin vlerësuar nëse përmbusheshin kushtet e përgjegjësisë për dëmshpërblim. Në këto kushte, Kolegji prishi vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit dhe e dërgoi çështjen për rishqyrtim në këtë gjykatë me tjetër trup gjykues.
Theksojmë se vendimi më lart shërben si urë lidhëse me vendimet më poshtë sepse lidhet me pasojat e paligjshmërisë administrative për shkak të moveprimeve nga ana e autoriteteve kontraktore. Ky është një vendim i marrë në të njëjtën linjë me vendimin njësues nr. 00-2024-1494 (154) datë 22.09.2023 i KAGJL.
III. Kontratat Administrative të Prokurimit Publik dhe Mosmarrëveshjet që Lindin nga Zbatimi i Tyre
VIII. Vendimi nr. 00-2025-2149, datë 05.06.2025 i Kolegjit Administrativ
Ky vendim kompetence sqaron kriteret për cilësimin e një kontrate si administrative dhe kompetencën lëndore të gjykatës administrative.
Maksima - Kontrata e lidhur nga një shoqëri shtetërore që ushtron funksione publike, si OSHEE, mbi bazën e një ligji të posaçëm, ka natyrë administrative kur qëllimi dhe objekti i saj lidhen me garantimin e shërbimit publik dhe mbrojtjen e pasurisë shtetërore, pra kur ajo rregullohet nga norma të së drejtës publike.
Fjalë kyçe - kontratë administrative, kompetenca lëndore, subjekt publik, shërbim publik, OSHEE, procedurë prokurimi publik, pasuri shtetërore.
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë ka shqyrtuar mosmarrëveshjen për kompetencën lëndore ndërmjet Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër dhe Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Shkodër, aktualisht Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, lidhur me padinë e paraqitur nga shoqëria “X” SHPK kundër OSHEE SHA, Drejtoria Rajonale Shkodër, për pagesën e kostove shtesë dhe kamatës ligjore të krijuara pas rritjes së pagës minimale sipas VKM nr. 809, datë 26.12.2018. Në vendim, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerësoi se kontrata ndërmjet palëve, e lidhur përmes një procedure prokurimi publik për ruajtjen dhe shoqërimin e vlerave monetare të OSHEE, përmbush kriterin organik, pasi OSHEE, megjithëse shoqëri aksionare, është shoqëri shtetërore që ushtron funksione publike në bazë të ligjit nr. 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike”. Po ashtu, përmbushet edhe kriteri material, pasi kontrata lidhet me ruajtjen e pasurisë shtetërore, garantimin e funksionimit të një shërbimi publik dhe rregullohet nga norma të së drejtës publike, duke i njohur autoritetit kontraktor epërsi juridike. Për këtë arsye, Kolegji vendosi rregullimin e kompetencës lëndore, duke përcaktuar si gjykatë kompetente Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, prishi vendimin nr. 156 (205), datë 03.03.2023 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Shkodër dhe dërgoi çështjen për vazhdimin e gjykimit pranë kësaj gjykate, me të njëjtën trupë gjykuese.
IX. Vendimi nr. 00-2022-1866 (297), datë 08.09.2022 i Kolegjit Administrativ
Maksima - Shtesat që bëhen mbi kontratat e prokurimit publik (kontratat administrative) deri në 20% të vlerës së prokurimit, duhet të respektojnë formalitetet dhe rregullat e prokurimit publik, me qëllim që ato të jenë të vlefshme dhe të prodhojne pasoja juridike. Kushti penal vlerësues duhet të kërkohet brenda 6 muajsh, pasi përndryshe parashkruhet.
Fjalë kyçe - kontratë administrative, prokurim publik, autoritet kontraktor, kontratë shtesë, procedurë me negocim pa shpallje, formalitetet e prokurimit, punime shtesë.
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se pala paditëse ka lidhur me autoritetin kontraktor kontratën nr. 24, datë 30.07.2012, me objekt rikonstruksionin e godinës së institucionit, me vlerë 113.116.608 lekë me TVSH dhe me afat përfundimi 6 muaj, si dhe më pas ka paraqitur në gjykim një amendament shtesë kontrate, datë 01.04.2013, me objekt sistemet e jashtme të kësaj godine, me vlerë 18.249.696 lekë. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë ka pranuar pjesërisht padinë dhe ka rrëzuar kërkimin që lidhej me kontratën shtesë, ndërsa Gjykata Administrative e Apelit ka ndryshuar këtë zgjidhje. Njëkohësisht, kundërpadia e palës së paditur për pagimin e kushtit penal është rrëzuar si e paraqitur jashtë afatit ligjor. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerësoi se Gjykata Administrative e Apelit e ka zgjidhur drejt çështjen vetëm për sa i përket rrëzimit të kundërpadisë, pasi kërkimi për kushtin penal vlerësues është paraqitur rreth dy vjet pas kolaudimit të objektit, ndërkohë që neni 115, shkronja “a” i Kodit Civil parashikon afat 6-mujor për ushtrimin e kësaj të drejte. Për pjesën tjetër, Kolegji çmoi se vendimi i Apelit duhej prishur. Kolegji arsyetoi se kontrata shtesë datë 01.04.2013 nuk plotësonte kushtet e parashikuara nga neni 33, pika 5 e ligjit nr. 9643/2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, pasi për lidhjen e saj nuk ishte nxjerrë urdhri i prokurimit për shtesën 20% të kontratës, nuk ishin pasqyruar shkaqet e paparashikuara në kontratën kryesore që do të justifikonin këtë shtesë dhe nuk ishte respektuar detyrimi për publikimin e saj pranë APP-së. Kolegji theksoi se procedura me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit, përjashton vetëm rregullat për njoftimin paraprak të procedurës së prokurimit, por jo formalitetet e tjera të domosdoshme të parashikuara nga ligji i posaçëm. Në këto kushte, paditësit nuk mund t’i njiheshin të drejta në lidhje me këtë kontratë shtesë. Nga ana tjetër, Kolegji vlerësoi të bazuar arsyetimin e gjykatës së shkallës së parë se nga pjesa e mbetur pa paguar e kontratës fillestare duhej zbritur shuma 2.460.692 lekë, e përcaktuar nga ekspertja gjatë gjykimit, pasi rezultoi se zbatimi i kontratës ishte shoqëruar me punime të pakryera, por të situacionuara dhe të faturuara. Në këtë pikë, Kolegji çmoi se Gjykata Administrative e Apelit kishte ndryshuar zgjidhjen e gjykatës së shkallës së parë pa arsyetim bindës dhe pa marrë në konsideratë mangësitë e konstatuara nga ekspertja. Për këto arsye, Kolegji Administrativ la në fuqi vendimin nr. 1388, datë 03.04.2018 të Gjykatës Administrative të Apelit vetëm për pjesën e rrëzimit të kundërpadisë, ndërsa për pjesën tjetër e prishi atë dhe la në fuqi vendimin nr. 68, datë 15.01.2016 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, për sa i përket pranimit të pjesshëm të padisë.
X. Vendimi nr. 00-2024-5479 (304), datë 08.07.2024 i Kolegjit Administrativ
Maksima – 1. Kur, në një kontratë sipërmarrjeje për punë publike, punimet shtesë në kuptim të nenit 33/5 të ligjit për prokurimin publik janë të domosdoshme, nuk tejkalojnë 20% të vlerës së kontratës dhe kryhen me propozimin e sipërmarrësit, të pranuar nga organi publik me sjellje konkludente, lind detyrimi kontraktor i këtij të fundit për pagesën e vlerës së tyre. 2. Organi publik nuk mund t’i shmanget këtij detyrimi duke pretenduar mungesën e autorizimit formal të punonjësit që ka nënshkruar aktet përkatëse, kur sjellja e tij ka krijuar mirëbesim tek sipërmarrësi për vlefshmërinë e marrëdhënies.
Fjalë kyçe - kontratë sipërmarrjeje, punime shtesë, detyrim kontraktor, mirëbesim, organ publik, veprime konkludente, prokurim publik, prokurim me vlera të vogla.
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se pala paditëse dhe pala e paditur kanë lidhur kontratën e sipërmarrjes nr. 2627/8 prot., datë 29.07.2011, me objekt rikonstruksionin e fasadës dhe kafazit të shkallëve të Spitalit nr. 1 pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Gjatë zbatimit të kontratës, pala paditëse ka kërkuar miratimin e punimeve shtesë në masën 20% të vlerës së saj, me pretendimin se gjatë realizimit të veprës ishin konstatuar ndryshime të domosdoshme të preventivit sipas gjendjes faktike të objektit. Punimet sipas projektit fillestar dhe projektit të ndryshuar janë përfunduar, janë kolauduar dhe janë marrë në dorëzim, por pala e paditur ka likuiduar vetëm vlerën e kontratës bazë, pa paguar vlerën e punimeve shtesë. Po kështu, pala paditëse kishte kryer edhe tre punime të tjera me vlerë të vogël, në bazë të urdhrave të prokurimit nr. 2, datë 10.01.2012 dhe nr. 7 e 8, datë 30.01.2012, për të cilat kishte lëshuar faturat përkatëse, por edhe këto nuk ishin likuiduar nga pala e paditur. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë e kishte rrëzuar padinë, duke vlerësuar se kërkimi nuk mbështetej në dëmin jashtëkontraktor dhe se për punimet shtesë nuk ishte ndjekur procedura ligjore e parashikuar nga ligji për prokurimin publik, ndërsa për punimet me vlerë të vogël aktet ishin nënshkruar nga një punonjës i paautorizuar. Në apel, kjo vendimmarrje u ndryshua dhe padia u pranua, duke u vlerësuar se mosmarrëveshja kishte burim kontratën e sipërmarrjes dhe se kërkimi i palës paditëse lidhej me përmbushjen e detyrimit kontraktor dhe shpërblimin e dëmit kontraktor. Në këtë vendim, KAGJL vlerësoi se marrëdhënia juridike mes palëve kishte të gjitha elementet e kontratës së sipërmarrjes për punë publike dhe se, në kushtet e nenit 33/5 të ligjit për prokurimin publik dhe të udhëzimit nr. 2, datë 13.05.2005, ndryshimi i projektit dhe kryerja e punimeve shtesë ishte dakordësuar mes palëve përmes procesverbaleve, preventivit të rishikuar dhe veprimeve të kryera gjatë ekzekutimit të kontratës. Kolegji çmoi se pala paditëse kishte vepruar me mirëbesim, duke patur bindjen se po përmbushte një detyrim të vlefshëm kontraktor, ndërsa pala e paditur nuk mund t’i shmangej detyrimit me pretendimin se aktet ishin nënshkruar nga një punonjës i paautorizuar, për sa kohë ky person ishte pranuar prej saj si përfaqësues në raste të tjera dhe sjellja e saj e vinte në kushtet e keqbesimit sipas nenit 674 të Kodit Civil. Për të njëjtat arsye, Kolegji vlerësoi të drejtë edhe pranimin e kërkimit për tri procedurat me vlerë të vogël, pasi punimet ishin realizuar, urdhrat e prokurimit ishin miratuar nga titullari dhe mungesa e dorëzimit të dokumentacionit në zyrën e financës nuk mund t’i ngarkohej palës paditëse. Për këtë arsye, Kolegji la në fuqi vendimin nr. 4710, datë 27.12.2016 të Gjykatës Administrative të Apelit.
XI. Vendimi nr. 00-2022-1851 (284), datë 18.07.2022 i Kolegjit Administrativ
Maksima - Në kontratat administrative, vlerësimi i mospërmbushjes së detyrimeve kontraktore nuk mund të mbështetet vetëm tek funksionaliteti i mallit, por duhet të bëhet edhe në raport me qëllimin specifik të kontratës dhe interesin publik që ajo mbron. Kur mallrat e dorëzuara nuk përputhen me specifikimet teknike të përcaktuara për një funksion publik të posaçëm, këto mospërputhje, edhe pse nuk cenojnë përdorimin e zakonshëm të tyre, nuk përbëjnë mospërmbushje të parëndësishme dhe i japin organit publik të drejtën për zgjidhjen e kontratës.
Fjalë kyçe - kontratë administrative, mospërmbushje kontraktore, specifikime teknike, uniforma e Policisë së Shtetit, interes publik, zgjidhja e kontratës, mirëbesim kontraktor, funksionaliteti i mallit.
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se pala paditëse, në cilësinë e bashkimit të operatorëve ekonomikë, ka kërkuar detyrimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të paguar vlerën e faturave të papaguara dhe shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga vonesa në pagesë, në zbatim të kontratës nr. 49/1, datë 12.01.2016, me objekt furnizimin me uniforma për Policinë e Shtetit. Gjatë ekzekutimit të kontratës, autoriteti kontraktor ka konstatuar në mënyrë të përsëritur mospërputhje të mallrave të dorëzuara me specifikimet teknike të përcaktuara në kontratë, që lidhen me përmasat, etiketimin, paketimin, montimin e elementeve të veçanta dhe tregues të tjerë teknikë të artikujve të uniformës. Nga aktet e administruara në gjykim ka rezultuar se pala e paditur ka kryer një sërë veprimesh për verifikimin, ritestimin, matjen dhe kolaudimin e mallrave, si edhe i ka dhënë palës kontraktore mundësi të përsëritura për ndreqjen e të metave, por këto të fundit kanë vijuar të mbeten të pranishme edhe pas ndërhyrjeve të kryera. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë e ka rrëzuar padinë, ndërsa Gjykata Administrative e Apelit e ka ndryshuar këtë vendim, duke e pranuar pjesërisht atë, me arsyetimin se të metat e konstatuara nuk cenonin funksionalitetin e mallrave dhe se zgjidhja e kontratës ishte kryer jashtë afateve të parashikuara nga Kodi Civil. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në shqyrtim të rekursit, ka vlerësuar se në rastin e një kontrate administrative me objekt furnizimin e uniformave të Policisë së Shtetit, përmbushja e detyrimit kontraktor nuk mund të analizohet vetëm nga këndvështrimi i funksionalitetit të zakonshëm të mallrave, por duhet të vlerësohet edhe në raport me përdorimin specifik të tyre, me standardet teknike të paracaktuara dhe me interesin publik që mbart kontrata. Kolegji ka çmuar se uniformat e Policisë së Shtetit, për shkak të funksionit të tyre zyrtar dhe protokollar, nuk mund të trajtohen si veshje të zakonshme, pasi ato lidhen drejtpërdrejt me imazhin, autoritetin dhe dinjitetin e shtetit. Për këtë arsye, mospërputhjet e shumta dhe të përsëritura me specifikimet teknike, edhe pse nuk i bënin artikujt plotësisht të papërdorshëm, nuk mund të konsideroheshin si mospërmbushje të parëndësishme. Kolegji ka vlerësuar gjithashtu se organi publik kishte vepruar në mirëbesim, duke bërë përpjekje të vazhdueshme për ekzekutimin e kontratës dhe për ndreqjen e të metave të konstatuara, ndërsa pala kontraktore nuk kishte garantuar përmbushjen e plotë të kushteve teknike të kërkuara. Në këto kushte, Kolegji ka arritur në përfundimin se vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit ishte marrë në zbatim të gabuar të ligjit material dhe procedural, pasi kishte vlerësuar gabimisht si të parëndësishme mospërputhje që, për shkak të natyrës së posaçme të kontratës administrative dhe funksionit publik të uniformës, ndikonin në vetë përshtatshmërinë e mallrave për qëllimin e posaçëm të përdorimit të tyre. Për rrjedhojë, Kolegji vendosi prishjen e vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, me të cilin ishte rrëzuar padia.
XII. Vendimi nr. 00-2024-5498 (377), datë 25.09.2024 i Kolegjit Administrativ
Maksima - Në mosmarrëveshjet që lindin nga kontratat administrative, rrethanat e pretenduara nga kontraktuesi si shkak për vonesën në ekzekutimin e detyrimit nuk mund të kualifikohen si forcë madhore kur ato nuk përfshihen në mënyrë të shprehur në përcaktimet e kontratës dhe të dokumenteve standarde të tenderit ndërsa mospagesa në afat nga autoriteti kontraktor, pas marrjes në dorëzim të mallit dhe pranimit të faturës, e ngarkon këtë të fundit me përgjegjësi për pagimin e penaliteteve të parashikuara në kontratë.
Fjalë kyçe - kontratë administrative, forcë madhore, vonesë në ekzekutimin e detyrimit, mospagesa në afat, penalitete kontraktore, marrja në dorëzim e mallit, kusht penal vlerësues
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se pala paditëse, një shoqëri tregtare, ka lidhur me palën e paditur një kontratë administrative me objekt furnizimin me makineri dhe pajisje për laboratorin kimik doganor. Gjatë zbatimit të kontratës, pala paditëse e ka dorëzuar mallin me 15 ditë vonesë, duke pretenduar se shkaku i vonesës lidhej me kushtet e këqija atmosferike, reshjet e borës dhe bllokimin e rrugëve në Europë, për të cilat ka kërkuar shtyrje afati. Pala e paditur nuk e ka pranuar këtë rrethanë si forcë madhore, ka aplikuar penalitet ndaj shoqërisë furnizuese për vonesën në dorëzim, por njëkohësisht, megjithëse ka marrë në dorëzim mallin dhe ka pranuar faturën, nuk e ka likuiduar në afat të plotë vlerën e kontratës, duke kryer vetëm pagesa të pjesshme. Në shqyrtimin e çështjes, Kolegji Administrativ ka vlerësuar se kushtet atmosferike të pretenduara nga pala paditëse nuk përfshihen në mënyrë shteruese në rrethanat e forcës madhore, sipas nenit 13 të kontratës dhe dokumenteve standarde të tenderit, ku janë parashikuar shprehimisht raste të tilla si lufta, zjarri, përmbytja, tërmeti, epidemitë, embargo apo lufta civile. Për rrjedhojë, Kolegji ka çmuar se pala paditëse nuk provoi ekzistencën e forcës madhore dhe se mosamendimi me shkrim i kontratës për zgjatjen e afatit e ngarkonte atë me përgjegjësi për vonesën në përmbushjen e detyrimit kontraktor. Nga ana tjetër, Kolegji ka vlerësuar se pala e paditur, pasi ka marrë në dorëzim mallin dhe ka pranuar faturën, kishte detyrimin kontraktor ta paguante atë brenda 15 ditëve nga data e procesverbalit të pranimit. Mosshlyerja në kohë e këtij detyrimi dhe kryerja e pagesave të pjesshme e kanë vendosur palën e paditur në vonesë, duke sjellë si pasojë detyrimin për pagimin e penaliteteve sipas nenit 9 të kontratës. Në lidhje me natyrën e këtij penaliteti, Kolegji ka arsyetuar se bëhet fjalë për një kusht penal vlerësues dhe jo gjobor, pasi ai synon të paracaktojë mënyrën e përllogaritjes së dëmit nga vonesa në ekzekutimin e detyrimit. Në përfundim, Kolegji Administrativ ka vlerësuar se Gjykata Administrative e Apelit ka zbatuar drejt ligjin material dhe ka lënë në fuqi vendimin e saj, duke pranuar vetëm kërkimin e palës paditëse për penalitetet që rrjedhin nga vonesa e palës së paditur në pagesë, ndërsa ka rrëzuar kërkimet e lidhura me përjashtimin e furnizuesit nga përgjegjësia për vonesën në dorëzimin e mallit dhe me detyrimin e të paditurit për të paguar pjesën e mbetur të kontratës së bashku me penalitetet përkatëse pas datës 01.05.2014.
XIII. Vendimi nr. 00-2026-294 (3), datë 14.01.2026 i Kolegjit Administrativ
Ky vendim thekson detyrimin e autoritetit kontraktor për të garantuar kapacitetet e plota teknike të sistemit elektronik të prokurimeve, duke saktësuar se operatorët ekonomikë nuk mund të ngarkohen me përgjegjësi për pasojat që burojnë nga mangësitë ose defektet e infrastrukturës dixhitale të sistemit.
Maksima - Në procedurat e prokurimit, kur kërkohet dorëzimi i dokumentacionit në format elektronik, organi publik ka detyrimin të sigurojë kapacitetet e nevojshme teknike, pasi operatori ekonomik nuk mund të penalizohet për gabime teknike në mosfunksionimin e sistemit. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve që lidhen me kapacitetin e sistemeve online kërkon verifikim përmes ekspertimit informatik, si dhe arsyetim të plotë për çdo pretendim thelbësor.
Fjalë kyçe - procedurë prokurimi, dorëzimi elektronik i dokumentacionit, operator ekonomik, sistem publik elektronik, kapacitete teknike, gabime teknike, ekspertim informatik, mungesë arsyetimi
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se pala paditëse, Bashkimi i Operatorëve Ekonomikë “X” SHA dhe “Y” SHPK, ka kërkuar ndryshimin e njoftimit të skualifikimit nga procedura konkurruese e koncesionit, njohjen e saj si fituese, shfuqizimin e vendimeve të Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) dhe konstatimin e pavlefshmërisë absolute të kontratës koncesionare të lidhur me palët e paditura. Skualifikimi i palës paditëse ka ardhur pasi u konsiderua se nuk kishte dorëzuar dokumentacionin në formatin elektronik në formën e kërkuar, konkretisht studimin e fizibilitetit dhe vlerësimin e ndikimit në mjedis, ndërkohë që paditësi ka pretenduar se dalja e studimit me njolla nga sistemi tregon se materiali ka shkuar në APP, por ishte bërë i palexueshëm, sepse faqja online e APP nuk kishte kapacitetin e plotë për ta pranuar atë dhe kërkonte që skanimi të bëhej më me pak file dhe me rezolucion më të ulët. Gjykata e Shkallës së Parë e ka rrëzuar padinë, ndërsa Gjykata Administrative e Apelit e ka lënë në fuqi këtë vendim, pa dhënë përgjigje për pretendimet thelbësore të ngritura në ankim, duke pohuar thjesht se qëndronte në të njëjtën linjë arsyetimi me Gjykatën e Shkallës së Parë. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë ka theksuar se Gjykata Administrative e Apelit kishte detyrimin të analizonte në mënyrë të pavarur shkaqet e ankimit dhe të jepte përgjigje të qarta për pretendimet që kishin rëndësi për zgjidhjen e çështjes. Kolegji ka vlerësuar se gjykatat e faktit kishin të gjitha mundësitë të hetonin dhe të kryenin një aktekspertimi në fushën e informatikës, për të verifikuar nëse sistemi elektronik i APP kishte kapacitetin e plotë për të pranuar dhe transmetuar në mënyrë të qartë materialin e dërguar nga operatori ekonomik, pasi pala pjesëmarrëse nuk mund të penalizohet për gabime teknike në mosfunksionimin e sistemit publik. Për shkak të këtyre shkeljeve të rënda procedurale, mungesës së arsyetimit të mjaftueshëm dhe arritjes në përfundime të njëanshme të karakterit teknik, pa thirrur ekspertë të fushës, Kolegji Administrativ vendosi prishjen e vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykatë, me tjetër trup gjykues.
1. Abonohu në buletinin informativ elektronik
Abonohu në buletinin informativ elektronik, duke plotësuar formularin në linkun https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/buletini dhe njihu me përmbajtjen e tyre në linkun https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/buletini
2. Njihu me jurisprudencën në JUDIX
Abonohu në JUDIX për t`u njohur me jurisprudencën e përzgjedhur të Gjykatës së Lartë, duke plotësuar të dhënat në linkun: https://judix.gjykataelarte.gov.al/

Gjykata e Lartë