1. Jurisprudencë e përzgjedhur
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë
1. Formimi i bashkëndërgjyqësisë së detyrueshme pasive në çështjet kur kërkohet rikthimi në shërbimin civil. (Fjalë kyçe: Ndërgjyqësi e detyrueshme, bashkëndërgjyqësi e detyrueshme pasive, kthim në detyrë, nëpunës civil, proces i pavlefshëm gjyqësor, vendim i pavlefshëm gjyqësor)
Në vendimin nr.00-2024-1391(141), datë 04.04.2024, KAGJL vlerëson se, kur paditësi kërkon kthimin në detyrën e mëparshme si nëpunës civil, bashkëndërgjyqësia pasive e detyrueshme përbëhet nga organi publik punëdhënës dhe Departamenti i Administratës Publike. Mosrespektimi i bashkëndërgjyqësisë së detyrueshme pasive në të tilla raste, sjell si pasojë pavlefshmërinë e procesit dhe të vendimit gjyqësor.
2. Largimi nga detyra si masë proporcionale për ndërprerjen e menjëhershme të marrëdhënieve të punës. (Fjalë kyçe: Kontratë pune, ndërprerje e menjëhershme e marrëdhënieve të punës, largim nga detyra, masë proporcionale, humbje e raportit të besimit)
Në vendimin nr.00-2024-1486(148), datë 11.04.2024, KAGJL çmon se marrja e masës ekstreme të largimit nga detyra në mënyrë të menjëhershme, është një akt diskrecionar i punëdhënësit në kushtet e humbjes së raportit të besimit me punëmarrësin. Gjykata duhet të hetojë dhe vlerësojë proporcionalitetin e shkeljes së punëmarrësit në raport me masën e ndërmarrë nga punëdhënësi, pasi ndërprerja e menjëhershme e marrëdhënieve të punës bëhet vetëm në ato raste kur ekzistojnë rrethanat objektive që e bëjnë tërësisht të pamundur vijimin e saj.
3. Metoda e vlerësimit të pronës kur objekt shpronësimi është prona që shërben si “njësi shërbimi”. (Fjalë kyçe: Shpronësim për interes publik, metoda e vlerësimit të pronës, kosto ndërtimi, njësi shërbimi, ndërtim industrial, ndërtim bujqësor, shpërblim i drejtë, shpërblim i plotë, vlerë tregu, veçoritë e pronës)
Në vendimin nr.00-2024-1495(161), datë 16.04.2024, KAGJL vlerëson se shpërblimi i drejtë që i jepet pronarit për pronën e shpronësuar për interes publik varet si nga faktorët individualë të pronës ashtu edhe nga faktorët e zonës ku ndodhet prona. Në gjetjen e vlerës reale të sendit dhe përcaktimin e shpërblimit të drejtë ndikojnë cilësia, forma, pozicionimi i pronës, afërsia me qendrën e qytetit, lidhja me rrugët kombëtare dhe ato urbane, perspektiva, qëllimi i përdorimit të pronës, destinacioni i saj, etj. Aplikimi i metodës së kostos së ndërtimit, duke zbritur amortizimin, sipas pikës 3 të VKM nr.138/2000, nuk është ligjor dhe proporcional, në kushtet kur objekti që shpronësohet është “njësi shërbimi”, pasi nuk ndodhemi përpara një ndërtimi industrial apo bujqësor.
4. Regjimi i posaçëm doganor i përpunimit aktiv dhe kompetenca e autoriteteve doganore për të ushtruar kontrolle ndaj subjekteve nën këtë regjim. (Fjalë kyçe: Regjim i posaçëm doganor, regjim i përpunimit aktiv, kontroll aposteriori, kontroll doganor, detyrim doganor, gjobë doganore, kundërvajtje administrative doganore)
Në vendimin nr.00-2024-1614(174), datë 23.04.2024, KAGJL vlerëson se regjimi i përpunimit aktiv lejon që mallrat të përdoren në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë, në një ose më shumë operacione përpunimi, me qëllim që mallrat jo shqiptare të destinuara për t'u rieksportuar nga territori doganor i Republikës së Shqipërisë në formën e produkteve kompensuese, të mos i nënshtrohen detyrimeve të importit ose masave të politikës tregtare. Autoritetet doganore pajisin me autorizim për regjimin e përpunimit aktiv subjektin tregtar. Në autorizim shënohen mallrat që i nënshtrohen këtij regjimi, produktet kompensuese, si dhe afati brenda të cilit produktet kompensuese duhet të eksportohen ose rieksportohen apo të caktohen në një destinacion tjetër doganor. Edhe kur subjekti ushtron aktivitet të autorizuar nën regjimin e përpunimit aktiv për një afat të caktuar, ai nuk përjashtohet nga kontrollet, detyrimet apo penalitetet doganore. Kur mallrat nuk gjenden në ambientet e mbajtësit të autorizimit të regjimit të përpunimit aktiv, ndodhemi përpara kundërvajtjes administrative doganore.
5. Gjykata kompetente për shqyrtimin e pretendimeve të pronësisë mbi pasuritë në proces legalizimi. (Fjalë kyçe: Legalizim prone, pasuri në legalizim, mosmarrëveshje civile)
Në vendimin nr.00-2024-1788, datë 25.04.2024, KAGJL çmon se, kur palët pretendojnë të drejta bashkëpronësie/pronësie mbi pasuri që janë në proces legalizimi nga një subjekt tjetër, ndodhemi përpara një mosmarrëveshje me natyrë civile, kompetente për shqyrtimin e të cilës është gjykata civile.
6. Procedurat disiplinore ndaj magjistratit prokuror dhe ankimet gjyqësore e kushtetuese ndaj vendimeve të KLP. (Fjalë kyçe: Magjistrat prokuror, procedim disiplinor ndaj prokurorit, masë disiplinore ndaj prokurorit, vendim i KLP, shkarkim i prokurorit, juridiksion gjyqësor i zakonshëm, juridiksion kushtetues, ankim kushtetues individual, kompetencë e KPA)
Në vendimin nr.00-2024-1882(185), datë 25.04.2024, KAGJL vlerëson se kompetente për të shqyrtuar vendimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për shkarkimin e magjistratit prokuror nga detyra është vetëm Gjykata Kushtetuese. Në rastet e masave të tjera disiplinore që KLP mund të japë ndaj magjistratit prokuror (përveç shkarkimit nga detyra), Gjykata Kushtetuese mund të vihet në lëvizje me ankim kushtetues individual nga prokurori, vetëm pasi të jetë shteruar më parë juridiksioni i zakonshëm gjyqësor në lëndë administrative. Kur procedura disiplinore përfundon nga KLP pa dhënien e një mase disiplinore ndaj magjistratit prokuror, subjektet pjesëmarrëse në procedurën administrative si magjistrati apo Inspektori i Lartë i Drejtësisë mund të kundërshtojnë vendimin e KLP në Gjykatën Administrative të Apelit. Ndërkohë, neni 148/d i Kushtetutës, të ndryshuar, si dispozitë kalimtare, legjitimon vetëm magjistratin prokuror që të kundërshtojë vendimet e KLP për dhënien e masave disiplinore ndaj tij pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA), për sa kohë që ky i fundit do të jetë funksional në bazë të mandatit kushtetues.
7. Gjykata kompetente për vërtetimin e faktit juridik. (Fjalë kyçe: Vërtetim fakti juridik, mosmarrëveshje civile)
Në vendimin nr.00-2024-1880, datë 29.04.2024, KAGJL çmon se vërtetimi i faktit juridik të mbarimit të shkollës 8-vjeçare në vitin 1993, përbën një kërkim me natyrë civile, kompetente për shqyrtimin e të cilit është gjykata civile.
8. Fuqia provuese e aktit të ekspertimit. (Fjalë kyçe: Akt ekspertimi, ekspert, mendim eksperti, kontradiktoritet, parimi i barazisë së armëve)
Në vendimin nr.00-2024-1872(189), datë 30.04.2024, KAGJL vlerëson se akti i ekspertimit është mendimi i specialistit të fushës me njohuri të posaçme për konstatimin ose sqarimin e fakteve të mosmarrëveshjes gjyqësore. Mendimi i dhënë nga eksperti në një gjykim tjetër me të tjera palë, nuk mund të shërbejë si provë e plotë për faktet e përmendura apo të pranuara në të, kundër një subjekti jopjesëmarrës në proces, pasi ky i fundit nuk ka pasur mundësi që t`i drejtojë pyetje ekspertit. Eksperti e mbështet mendimin e tij mbi provat e paraqitura nga palët në gjykim, të cilat kanë mundur t`i debatojnë gjyqësisht në përputhje me parimin e kontradiktoritetit dhe të barazisë së armëve.
9. Marrja e provave në dokument duhet bërë sipas formës së kërkuar nga ligji procedural i gjykimit. (Fjalë kyçe: Vendim gjyqësor në orgjinal, vendim gjyqësor i njësuar me origjinalin, shqyrtim i ankimit, prova dokumentare)
Në vendimin nr.00-2024-1888(200), datë 09.05.2024, KAGJL çmon se, kur gjykata e administrative e shkallës së parë shqyrton pranueshmërinë e ankimit, ajo ka detyrimin që të administrojë vendimin ndaj të cilit ushtrohet ankimi dhe praktikën shoqëruese të tij/fashikullin gjyqësor në formën e kërkuar nga ligji procedural, në origjinal apo të njësuar me origjinalin. Mosrespektimi i rregullave procedurale për administrimin e provave dokumentare, sjell si pasojë pavlefshmërinë e gjykimit.
10. Ligjshmëria e akteve administrative të nxjerra nga autoritetet doganore dhe kontrabanda si kundërvajtje administrative. (Fjalë kyçe: Detyrim doganor, gjobë doganore, kontrabandë, kundërvajtje administrative, zonë doganore, deklaratë doganore, regjim doganor)
Në vendimin nr.00-2024-1912(204), datë 09.05.2024, KAGJL vlerëson se largimi i automjetit nga zona doganore pa shlyer më parë detyrimet doganore dhe pa plotësuar deklaratën doganore për regjimin doganor të mallit, përbën kundërvajtjen administrative të kontrabandës.
11. Zgjidhja e kontratës së punës në kohë të papërshtatshme dhe masat joproporcionale disiplinore. (Fjalë kyçe: Masë joproporcionale disiplinore, shkelje e rregullave të etikës, zgjidhje e kontratës së punës, zgjidhje e menjëhershme, zgjidhje pa shkak të justifikuar, zgjidhje në kohë të papërshtatshme, dëmshpërblim me paga, dëmshpërblim i trashëgueshëm)
Në vendimin nr.00-2024-2065(221), datë 16.05.2024, KAGJL vlerëson se shkelja e rregullave të etikës nga punonjësi i Policisë së Burgjeve gjatë kryerjes së veprimtarive private jashtë vendit të punës, nuk përbën shkak për t`i dhënë masën disiplinore të largimit nga detyra, pasi një gjë e tillë nuk parashikohet në ligj dhe mbetet joproporcionale në rrethanat e çështjes. Zgjidhja e kontratës së punës nga punëdhënësi në kohë të papërshtatshme (gjatë kohës që ai ka qenë i sëmurë me raport mjekësor dhe i shtruar në spital) bie ndesh me nenin 147(1), të Kodit të Punës(KPu) dhe konsiderohet zgjidhje e kontratës së punës në mënyrë të menjëhershme dhe pa shkak të justifikuar. Dëmshpërblimin me paga të punëmarrësit në rastin e zgjidhjes së padrejtë të kontratës së punës, e përfitojnë edhe trashëgimtarët e tij kur ai ndërron jetë.
12. Dallimi midis aktit administrativ absolutisht të pavlefshëm dhe aktit administrativ relativisht të pavlefshëm dhe kushtet për asgjësimin e produkteve të prishura. (Fjalë kyçe: Akt administrativ absolutisht i pavlefshëm, akt administrativ relativisht i pavlefshëm, akt administrativ i paligjshëm, shkelje flagrante e ligjit, akt nul, asgjësim i produktit të prishur, detyrim doganor, akcizë, produkt që paguhet akcizë, magazinë fiskale)
Në vendimin nr.00-2024-2075(219), datë 16.05.2024, KAGJL çmon se akti administrativ absolutisht i pavlefshëm përbën një akt të nxjerrë në kundërshtim flagrant me ligjin. Akti administrativ absolutisht i pavlefshëm nuk krijon pasojat juridike për të cilat ai është nxjerrë dhe përbën një nulitet të plotë. Shkeljet procedurale të njoftimit të akteve administrative dhe veprimeve procedurale në fushën doganore, nuk përbëjnë gjithnjë shkelje flagrante të ligjit me pasojë pavlefshmërinë e akteve administrative. Autoritetet doganore janë strukturat kompetente për administrimin e akcizës, që e vjelin atë pasi kanë kontrolluar magazinat fiskale ku gjendet produkti për të cilin paguhet akciza. Shkatërrimi apo asgjësimi i produkteve të prishura bëhet nën kontrollin dhe mbikëqyrjen e autoriteteve doganore dhe jo nga vetë subjekti që zotëron produktin.
13. Njoftimi publik i vlerësimit financiar të pronës në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare. Afati 1-vjeçar për ngritjen e padisë, kur akti administrativ nuk tregon qartë për të drejtën dhe afatin e ankimit në gjykatë. (Fjalë kyçe: Vlerësim financiar i pronës, pronë e njohur për kompensim, afat i ngritjes së padisë, njoftim publik i aktit administrativ, njoftim në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare)
Në vendimin nr. 00-2024-2203(227), datë 22.05.2024, KAGJL çmon se vlerësimi financiar i pronës së njohur për kompensim nga Agjencia e Trajtimit të Pronës njoftohet publikisht në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare, referuar nenit 161 të KPA, vetëm nëse marrësi është vënë në dijeni paraprakisht për datën e saktë kur bëhet publikimi. Në rast se në këtë njoftim akti administrativ nuk tregon qartë për të drejtën dhe afatin e ankimit në gjykatë, afati për ngritjen e padisë është 1 vit.
14. Diskriminimi në marrëdhëniet e punës. (Fjalë kyçe: Diskriminim, marrëdhënie pune, barrë prove)
Në vendimin nr.00-2024-2548, datë 18.06.2024, KAGJL çmon se, kur pretendohet largimi nga detyra për shkaqe diskriminuese, barra e provës për diskriminim i përket fillimisht punëmarrësit, por nëse ky i fundit paraqet fakte që mbështesin në mënyrë të arsyeshme një prezumim për diskriminim, barra e provës kalon te punëdhënësi.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë
1. Detyrat e gjykatës në shqyrtimin e kërkesave për njohjen e vendimit penal të huaj (Fjalë kyçe: Njohje e vendimit penal të huaj, kushtet e njohjes, identifikim i veprës, masë dënimi, konvertim dënimi)
Në vendimin nr.00-2024-592(89), datë 04.04.2024, KPGJL arsyeton se detyra e gjykatës në shqyrtimin e kërkesave për njohjen e vendimit penal të huaj është ajo e identifikimit dhe vlerësimit të kushteve të njohjes që duhet të plotësojë vendimi i huaj. Më tej, gjykata identifikon veprën penale dhe masën e dënimit, e më pas mund të vijohet me aplikimin e ligjeve për falje apo llogaritjen e paraburgimit të kaluar për efekt të këtij dënimi. Vendimi konsiderohet i paarsyetuar nëse gjykata nuk identifikon qartë dispozitën që ka zbatuar në respektim të rregullimeve ligjore mbi konvertimin e dënimit.
2. Akti i pavlefshëm mund t’i shtrijë pasojat edhe në aktet e mëpasme që kanë lidhje funksionale dhe juridike me të, por jo atë të papërdorshmërisë së provës që prodhohet nga akti pasues (Fjalë kyçe: Akt i pavlefshem, papërdoshmëri e provës, sekuestrim i provave materiale, paligjshmëri e aktit të kontrollit)
Në vendimin nr.00-2024-1129(97), datë 11.04.2024, KPGJL vlerëson se një akt i pavlefshëm mund t’i shtrijë pasojat edhe në aktet e mëpasme që kanë lidhje funksionale dhe juridike me të, por jo atë të papërdorshmërisë së provës që prodhohet nga akti pasues. Sekuestrimi i provave materiale dhe i sendeve që kanë lidhje me krimin, duke qenë një akt i detyrueshëm për policinë gjyqësore, nuk mund të ndikohet në drejtim të efikasitetit të tij nga verifikimi i paligjshmërisë së “aktit të kontrollit” që ka çuar në realizimin e këtij sekuestrimi, përsa kohë që bëhet fjalë për dy akte të pavarura nga njëri-tjetri, të lidhur thjesht prej raportit të vazhdimësisë. Kjo edhe për shkakun se kushtet për ligjshmërinë e kontrollit nga ai i sekuestrimit janë të ndryshme.
3. Përdorimi i deklaratave të dhëna në fazën paragjyqësore është i lejueshëm në mënyrë përjashtimore, përsa kohë respektohen të drejtat e mbrojtjes (Fjalë kyçe: Kundërshtim i dëshmisë, deklarim dëshmitarësh, mbrojtje efektive, hetim paraprak, çmuarje provash, aktet e hetimit paraprak)
Në vendimin nr.00-2024-732(106), datë 18.04.2024, KPGJL çmon se deklarimet e dhëna në fazën e hetimit paraprak/paragjyqësore, megjithëse nuk përbëjnë provë në vetvete, mund të vlerësohen si provë, nëse lidhen me prova të tjera që konfirmojnë vërtetësinë e tyre, si dhe në rastin kur rezulton se dëshmitari, qoftë dhe gjatë pyetjes në seancë, i nënshtrohet dhunës, kanosjes, premtimit për t`i dhënë para ose përfitime të tjera, me qëllim që të mos dëshmojë ose të bëjë dëshmi të rreme, si dhe kur rezultojnë rrethana të tjera që kanë dëmtuar sinqeritetin e përgjigjeve të tij. Në parim, ligji procedural penal parashikon se të gjitha provat duhet të jepen në prani të pandehurit, por përjashtimisht lejohet edhe përdorimi i deklaratave të dhëna në fazën paragjyqësore, përsa kohë respektohen të drejtat e mbrojtjes.
4. Vendimi për pushimin e procedimit nga prokurori nuk është vendim përfundimtar (Fjalë kyçe: Pushim procedimi nga prokurori, vendim përfundimtar, revokim vendimi, evidentim provash, të dhëna të reja)
Në vendimin nr.00-2024-809(115), datë 07.05.2024, KPGJL vlerëson se vendimi i prokurorisë për pushimin e procedimit nuk mund të quhet një vendim përfundimtar, por mund të revokohet në rastet e parashikuara në ligj dhe që kanë të bëjnë me evidentimin e provave apo të të dhënave të reja. Fakti i marrjes së një vendimi revokimi, nuk do të thotë që në përfundim të hetimeve, do të konkludohet patjetër për ekzistencën e veprës penale.
5. Riçelja e hetimit (Fjalë kyçe: Riçelje hetimi, hetim, angazhimi i ekspertëve, mbrojtja e të pandehurit, respektimi i parimit të barazisë së armëve dhe të kontradiktoritetit në gjykimin penal).
Në vendimin nr.00-2024-952(128), datë 23.05.2024, KPGJL çmon se gjykata e apelit nuk duhej të mjaftohet me përgjigjen e ekspertit të vetëm të dhënë gjatë gjykimit në shkallë të parë për të rrëzuar kërkesën e të pandehurit për ekspertimin e pamjeve filmike, si një ekspertim të pamundur për t`u kryer. Gjykata e Apelit duhet të vlerësojë mundësinë e riçeljes së hetimit, në funksion të shterimit të të gjithë hapësirës ligjore, që mundëson angazhimin e ekspertëve me njohuri të posaçme teknike në kryerjen e ekspertimit (qoftë nga një ose grup ekspertësh), më pas administrimin e kësaj prove në gjykim, si dhe nënshtrimin e saj debatit gjyqësor.
6. Interpretimi i drejtë i aspekteve procedurale dhe elementeve përcaktuese të një dënimi të përshtatshëm në përputhje me parimin e individualizimit të dënimit (Fjalë kyçe: Vendim i ekzekutueshëm, gjë e gjykuar, kushtet e bashkimit të çështjeve, caktim mase dënimi, dënim i përshtatshëm, mjet efektiv ankimi, akt absolutisht i pavlefshëm, thirrje e të pandehurit, prani e detyrueshme e mbrojtësit, gjykim i shkurtuar, afati i kërkesës për gjykim të shkurtuar, refuzim i gjykimit të shkurtuar, dekadencë)
Në vendimin nr.00-2024-1069(140), datë 11.06.2024, KPGJL çmon: 1.Çdo vendim dënimi që është gjë e gjykuar është gjithnjë i ekzekutueshëm, por jo anasjelltas, pasi jo çdo vendim i ekzekutueshëm është gjë e gjykuar. 2.Nuk gjendemi në kushte për bashkimin e çështjeve penale kur ndonëse të dyja çështjet ndodhen në të njëjtën shkallë, ato nuk ndodhen në të njëjtën gjendje; ndonëse të dyja çështjet ndodhen para të njëjtës gjykatë në kuptimin e shkallës së gjykimit, ato nuk ndodhen pranë të njëjtës gjykatë në kuptimin e trupit gjykues; nuk vërtetohet ekzistenca e asnjërit prej rasteve të parashikuara në nenin 92 të KPP për bashkimin e çështjeve. 3.Ushtrimi efektiv i mjetit të ankimit duhet parë i lidhur ngushtësisht me njoftimin e vendimit të arsyetuar. 4.Akti procedural absolutisht i pavlefshëm nuk mund të bëhet i vlefshëm dhe e vetmja rrugë është kthimi i procedimit në fazën ku është shkaktuar pavlefshmëria dhe ribërja e aktit nga e para. Në rastet kur KPGJL nuk ka konstatuar asnjë rast pavlefshmërie absolute që lidhen me thirrjen e të pandehurit dhe pjesëmarrjen e mbrojtësit në gjykimin e shkallës së parë, asnjë vendimmarrje e saj përsa lidhet me garantimin e thirrjes së të pandehurit dhe pjesëmarrjen e mbrojtësit kur ajo është e detyrueshme, nuk mund të rivlerësohet nga gjykata e apelit në rigjykim. 5.Afati për të paraqitur kërkesën për gjykim të shkurtuar është afat ligjor dhe prekluziv dhe ajo duhet të bëhet para fillimit të shqyrtimit gjyqësor. 6.Fakti që vendimi i ndërmjetëm i gjykatës së shkallës së parë për refuzimin e gjykimit të shkurtuar mund të jetë objekt kontrolli në një gjykatë më të lartë, nuk do të thotë apriori që ky vendim është i gabuar dhe për pasojë i pandehuri duhet të përfitojë uljen e dënimit.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë
1. Dëmshpërblimi paraprak nuk shuan detyrimin e punëdhënësit për respektimin e afatit të njoftimit – vendim njësues (Fjalë kyçe: Zgjidhje e kontratës me afat të pacaktuar, respektimi i afatit të njoftimit, kontratë pune, vendim njësues)
Në vendimin njësues nr.00-2023-5686(724), datë 12.12.2023, KCGJL çmon se afati i njoftimit në rastin e zgjidhjes së kontratës së punës me kohëzgjatje të pacaktuar nga punëdhënësi, nuk konsiderohet i respektuar në kuptim të neneve 141 dhe 143 të Kodit të Punës(KPu), kur punëdhënësi i paguan punëmarrësit paraprakisht, në formë dëmshpërblimi, shumën korresponduese të pagave të këtij afati. Ky dëmshpërblim nuk zëvendëson dhe as shuan detyrimin ligjor të punëdhënësit për të vijuar marrëdhënien juridike të punës me punëmarrësin deri në fund të afatit të njoftimit, pavarësisht të drejtës së tij për të mos e zënë në punë punëmarrësin gjatë kësaj periudhe, sipas nenit 129 të KPu.
2. Përmbaruesi gjyqësor nuk gëzon legjitimitet pasiv procedural për padinë për shpërblim dëmi sipas nenit 608 të Kodit Civil (Fjalë kyçe: Legjitimimi pasiv i përmbaruesit, përmbarues gjyqësor, shpërblim dëmi, veprim përmbarimor)
Në vendimin nr.00-2024-704(25), datë 24.01.2024, ku pala paditëse ka pretenduar kthimin e shumës që përmbaruesi ka marrë nga llogaria e tij për interes të kreditorit, KCGJL çmon se legjitimimi pasiv procedural për kthimin e pasurisë për të cilën është dëmtuar paditësi i përket personit që e ka përfituar atë, që është kreditori ose debitori dhe jo përmbaruesi. Paditësi nuk legjitimohet të kërkojë shpërblimin e dëmit sipas nenit 608 të KC ose kthimin mbrapsht të kësaj shume për aq kohë sa nuk e ka kundërshtuar në rrugë gjyqësore veprimin përmbarimor. Restituimi, që i është marrë në mënyrë të padrejtë si pasojë e pagimit të padetyruar, gjen mbrojtje nga nenet 653 e vijues të KC. Për mungesë të legjitimimit pasiv procedurial të përmbaruesit, kjo padi nuk mund të ngrihet.
3. Miratimi i mëvonshëm i veprimit juridik të kryer nga përfaqësuesi pa tagra (Fjalë kyçe: Miratim i mëvonshëm i veprimit juridik, përfaqësim pa tagra, veprim juridik në kundërshtim me tagrat, dëmi i shkaktuar)
Në vendimin nr.00-2024-376, datë 24.01.2024, KCGJL shprehet se miratimi i mëvonshëm i veprimit të kryer nga përfaqësuesi pa tagra ka efekte prapavepruese, pasi e ligjëron veprimin juridik nga koha që është kryer. Kjo situatë juridike i jep të drejtë paditësit të përfitojë atë që ai duhet të përfitonte në kohën kur është kryer veprimi juridik, në të njëjtat kushte sikur e paditura të kishte vepruar realisht si përfaqësuese me tagra në interes të tij. Paditësi ka të drejtë të kërkojë nga e paditura jo vetëm vlerën që ajo ka përfituar personalisht nga kontrata e kryer si përfaqësuese e tij, por edhe dëmin e shkaktuar që përkon me diferencën midis vlerës reale të sendit në kohën e kryerjes së veprimit juridik dhe vlerës së tij të shitur sipas kontratës.
4. Shpërblimi për vjetërsi në punë në rastet e pushimit kolektiv (Fjalë kyçe: Kontratë pune, pushim kolektiv, shpërblim për vjetërsi në punë)
Në vendimin nr.00-2024-883(106), datë 07.03.2024, KCGJL konkludon se edhe në rastin e pushimit kolektiv, kur kontrata e punës konsiderohet se përfundon për arsye që kanë të bëjnë me punëdhënësin, punëmarrësit i lind e drejta e kërkimit të shpërblimit për vjetërsi në punë, njëlloj si në rastin e zgjidhjes së kontratës nga punëdhënësi pa shkaqe të arsyeshme apo në mënyrë të menjëhershme e të pajustifikuar. Kushti që përmbajnë nenet 146 dhe 155 të KPu, për përfitimin e shpërblimit për vjetërsi në këto raste, është kohëzgjatja minimale e vjetërsisë në punë prej tre vjetësh.
5. Legjitimimi substancial në padinë për njohjen e bashkëpronësisë (Fjalë kyçe: Legjitimimi substancial, bashkëpronësi, padi njohje)
Në vendimin nr.00-2024-1332(150), datë 27.03.2024, KCGJL vlerëson se legjitimimi substancial (legitimatio ad causam) nënkupton marrëdhënien subjektive mes palëve ndërgjyqëse ndaj së drejtës subjektive për mbrojtjen e të cilës është vënë në lëvizje procesi gjyqësor. Nëse gjatë gjykimit vërtetohet se e drejta subjektive që rrjedh nga marrëdhënia juridiko-civile me të cilën lidhet konflikti i takon edhe palës tjetër mbi të njëjtën pasuri që pretendon edhe pala e paditur, atëherë e vetmja mënyrë për të zgjidhur këtë mosmarrëveshje është gjykimi i pretendimeve për njohjen e pronësisë me palë kundërshtare sipas nenit 32 të KPC si dhe neneve 2 e vijues të ligjit nr.9235/2004, si ligji në fuqi në kohën kur është ngritur padia.
6. Natyra e dëmit të shkaktuar si rezultat i vendimit të masës së sigurimit të padisë (Fjalë kyçe: Shpërbim dëmi, masë sigurimi, dëm real efektiv)
Në vendimin nr.00-2024-1865(159) datë 03.04.2024, KCGJL shprehet se, duke mbajtur në konsideratë natyrën e veçantë të dëmit të shkaktuar nga masa e sigurimit, të drejtat e cenuara, formën e fajësisë së realizimit të veprimit procedurial nga pala kërkuese, konkretisht me pakujdesi apo me faj të rëndë, gjykata përcakton masën e dëmit real të pësuar. Ky dëm është pasojë e humbjes së pasurisë, por edhe të mosrealizimit të atyre të ardhurave, që diheshin se do të nxirreshin në kushtet e zakonshme të ushtrimit të të drejtave të pezulluara nga masa, shpenzimet e kryera për të eleminuar dëmtimet e tjera gjatë kohës që ekziston masa e sigurimit të padisë, etj. Pra, dëmi nga masa e sigurimit ka të bëjë me një dëm real efektiv dhe jo me një dëm ose fitim të munguar hipotetik.
7. Kërkimi i pagesave të tjera që nuk janë pjesë e çmimit të përcaktuar në kontratë (Fjalë kyçe: Çmimi i kontratës, kamata ligjore, vonesa e debitorit, kamatëvonesa, vlefshmëria e kontratës)
Në vendimin nr.00-2024-1715(201), datë 24.04.2024, për kthimin e shumës së paguar për sipërfaqen e zhveshur nga pronësia (diferencë që rezulton për shkak të pagesës me bankë dhe jo të asaj që pasqyrohet në kontratën e shitjes), KCGJL vlerëson se palët kanë përcaktuar çmimin në kontratë, duke pranuar pagesën e tij të plotë po në kontratë. Pagesat e tjera të kryera nga blerësit nuk janë pjesë e çmimit, pasi pronësia kalon me pagesën e çmimit të kontratës së shitjes në përputhje me nenin 705 të KC. Përcaktimi në një deklaratë noteriale i një vlere më të madhe të paguar për sendin në ndryshim nga çmimi i kontratës, jo vetëm që nuk ka aftësi të impaktojë çmimin e kontratës, por do të cenonte vlefshmërinë e kontratës. Përqindja e kamatave të arrira ose kamatëvonesave është e parashikuar në ligj dhe kjo masë zbatohet në çdo rast kur palët nuk kanë përcaktuar në kontratë vlerën e kamatëvonesës sipas nenit 481 të KC. Kamatat ligjore duhen përllogaritur nga dita e marrjes së vendimit formë të prerë.
8. Vendimi penal që zgjidh rastësisht një fakt që lidhet me një çështje civile, administrative ose penale nuk ka efekt detyrues në asnjë proces tjetër (Fjalë kyçe: Shpërblim dëmi, aksident automobilistik, vendim civil, efektet e vendimit penal)
Në vendimin nr.00-2024-2082(229), datë 30.04.2024, KCGJL çmon se vendimi penal do të ishte i detyrueshëm për gjykatën civile nëse nga vepra penale, për të cilën është konkluduar kryerja e saj, përveç kryerjes së saj nga paditësi, do të kishin ardhur pasoja civile, pasoja këto që do kërkoheshin përpara gjykatës civile. Për sa kohë vepra penale e kryer nga paditësi referuar këtij vendimi gjyqësor penal nuk ka asnjë lidhje me objektin e shqyrtimit në këtë gjykim civil, ky vendim gjyqësor penal, sikundër shprehimisht përcakton vetë ligji, nuk ka asnjë efekt detyrues për gjykatën civile.
9. Pagimi i shpenzimeve gjyqësore në rastin e pushimit të gjykimit (Fjalë kyçe: Shpenzime gjyqësore, vendim jopërfundimtar, deklaratë mbrojtjeje, vendim pushimi, shpenzime të parapaguara)
Në vendimin nr.00-2024-1809(234), datë 02.05.2024, KCGJL vlerëson se i padituri ka kërkuar pagimin e shpenzimeve gjyqësore në ngarkim të paditësit nëpërmjet deklaratës së mbrojtjes dhe mbi këtë bazë nuk është e nevojshme, që të kërkojë shpenzimet gjyqësore në mënyrë të shprehur në seancë gjyqësore. Përderisa këto shpenzime janë pasqyruar në deklaratën e mbrojtjes, ato konsiderohen se janë kërkuar nga i padituri gjatë gjykimit, pavarësisht nëse vendimi i dhënë nga Gjykata do të jetë përfundimtar apo jopërfundimtar sikurse është vendimi i pushimit.
10. Kompensimi i orëve shtesë të kryera tej orarit normal të punës, i ditëve të pushimit javor dhe festave zyrtare kur zgjidhet kontrata e punës (Fjalë kyçe: Kontratë pune, dëmshpërblim, zgjidhje e kontratës së punës, kompensim për orët shtesë, kompensim i ditëve të pushimit javor, kompensim i festave zyrtare)
Në vendimin nr.00-2024-2668(343), datë 05.06.2024, KCGJL vlerëson se Gjykata nuk duhej të rrëzonte padinë për kërkimin e kompensimit të orëve shtesë të kryera tej orarit normal të punës, gjatë ditëve të pushimit javor dhe festave zyrtare. Ky kërkim që nuk kushtëzohet nga konkluzioni i gjykatës për kërkimet e tjera, rregullohet nga neni 91 i KPu, mund të ngrihet në çdo rast nga punëmarrësi, pavarësisht kushteve se si është zgjidhur kontrata e punës mjafton që kërkimi i këtyre pagesave të mos jetë parashkruar dhe një pretendim i tillë të mos ngrihet nga pala e paditur.
2. Jurisprudencë e GJEDNJ kundër Shqipërisë
1. Mospranim i pretendimit për shkeljen e parimit të gjykimit të drejtë dhe për gjykimin brenda afatit të arsyeshëm (Fjalë kyçe: Afat i arsyeshëm, gjykim penal në afat të arsyeshëm, mjet efektiv ankimi, dëshmitarë, gjykim i drejtë)
Në çështjen Caka kundër Shqipërisë, kërkesa nr.31948/13, vendim i datës 21 maj 2024, për mosgjykimin e çështjes penale brenda një afati të arsyeshëm, mungesën e mjeteve efektive të ankimit në këtë drejtim, si dhe pamundësinë e kërkuesit për t`i drejtuar pyetje dëshmitarëve gjatë procesit penal, GJEDNJ çmon se kërkesa është e pabazuar, pasi në tërësi është zhvilluar një gjykim i drejtë penal. GJEDNJ vëren se njëri prej dëshmitarëve kishte ndërruar jetë gjatë rigjykimit, ndërsa për dy të tjerët përfaqësuesit ligjorë të kërkuesit kishin kërkuar revokimin e urdhrave të prokurorisë për thërritjen e tyre në proces. Për më tepër, përfaqësuesit ligjorë të kërkuesit nuk kanë kërkuar bashkëpunim ndërkombëtar në çështjen penale për të siguruar prezencën e dëshmitarëve të mbetur nga jashtë vendit. GJEDNJ çmon se kërkuesi ka hequr dorë nga e drejta për t`i shtruar pyetje dëshmitarëve. Ndërkohë, zgjatja e procesit penal në tre shkallët e gjyqësorit për 3 vjet e 11 muaj vlerësohet nga Gjykata në përputhje me KEDNJ. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-234503
2. Mospranim i pretendimit për shkeljen e të drejtës së pronës dhe për gjykimin brenda afatit të arsyeshëm (Fjalë kyçe: Afat i arsyeshëm, gjykim në afat të arsyeshëm, mjet efektiv ankimi, e drejtë prone, shterim i mjeteve të brendshme të ankimit)
Në çështjen Alimuçaj kundër Shqipërisë, kërkesa nr.54282/11, vendim i datës 21 maj 2024, për mosgjykimin e çështjes brenda një afati të arsyeshëm, si dhe cenimin e të drejtës së pronës, GJEDNJ çmon se kërkesa është e papranueshme, pasi kërkuesi nuk ka shfrytëzuar të gjithë mjetet efektive të ankimit, duke i parashtruar ato për herë të parë përpara Gjykatës. Kërkuesi nuk ka shteruar mjetet e posaçme ligjore sipas KPC për gjykimin në afat të arsyeshëm dhe nuk ka përdorur mjetet e brendshme ligjore për mbrojtjen e pronës, duke përfshirë këtu edhe ankimin kushtetues individual. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-234502
3. Mospranim i pretendimit për shkeljen e të drejtës së pronës dhe për zbatimin e vendimit përfundimtar për kompensimin e pronës (Fjalë kyçe: E drejtë prone, shterim i mjeteve të brendshme të ankimit, vendim përfundimtar, kompensim prone)
Në çështjen Kuçi dhe të tjerë kundër Shqipërisë, kërkesa nr.46106/15, vendim i datës 11 qershor 2024, për cenimin e të drejtës së pronës, për shkak të mosekzekutimit të vendimit përfundimtar për kompensimin e saj, GJEDNJ çmon se kërkesa është e pabazuar, pasi kërkuesit nuk kanë shteruar mjetet e brendshme efektive të ankimit përpara se t`i drejtoheshin Gjykatës. GJEDNJ vlerëson se kërkuesit kanë pasur mundësinë ligjore që të kërkonin vlerën e kompensimit dhe kthimin e sendit nga të tretët, por nuk kanë përdorur mjetet e brendshme ligjore. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-235116
4. Mospranim i pretendimit për shkeljen e të drejtës për t`u informuar mbi arsyet e arrestimit (Fjalë kyçe: Arrestim në flagrancë, masë sigurimi, paraburgim, e drejta për t`u informuar mbi arrestimin, gjykim i shpejtë i masës së sigurimit)
Në çështjen Keta kundër Shqipërisë, kërkesa nr.9227/19, vendim i datës 11 qershor 2024, për shkeljen e të drejtës për t`u informuar mbi arsyet e arrestit dhe shqyrtimin e përshpejtuar të masës së sigurimit, GJEDNJ çmon se kërkesa është e pabazuar, pasi kërkuesi është informuar menjëherë pas arrestimit në flagrancë për veprën penale që i ngarkohej. Gjykata e Apelit Tiranë ka dhënë arsye të mjaftueshme për arrestimin e kërkuesit dhe vendosjen e tij në paraburgim. Së fundi, periudha prej rreth tre muajsh brenda të cilës Gjykata e Lartë ka shqyrtuar rekursin e kërkuesit për masën e sigurimit, nuk mund të cilësohet si shkelje e “gjykimit të shpejtë” të saj. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-235118
5. Shkelje e të drejtës së pronës dhe të drejtës për zbatimin e vendimit gjyqësor të formës së prerë (Fjalë kyçe: E drejtë prone, vendim përfundimtar dhe i formës së prerë, ekzekutim i vendimit gjyqësor, titull ekzekutiv)
Në çështjen Kalemi kundër Shqipërisë, kërkesa nr.59222/15, vendim i datës 11 qershor 2024, për shkeljen e të drejtës së pronës dhe të drejtës për të pasur një vendim gjyqësor të ekzekutuar, GJEDNJ çmon se kërkesa është e bazuar, për sa kohë që shteti nuk ka ndërmarrë masat e mjaftueshme për zbatimin e vendimit të dhënë nga gjykata përgjatë periudhës shtator 2011 - nëntor 2015. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-234123
6. Shkelje e të drejtës për kompensimin e pronës së prishur si ndërtim pa leje dhe mospranim i pretendimit për cenimin e gjykimit në afat të arsyeshëm (Fjalë kyçe: E drejtë prone, kompensim prone, ndërtim pa leje, proporcionalitet, gjykim në afat, afat i arsyeshëm)
Në çështjen Zela kundër Shqipërisë, kërkesa nr.33164/11, vendim i datës 11 qershor 2024, për shkeljen e të drejtës së pronës dhe të drejtës për t`u gjykuar brenda afatit të arsyeshëm, GJEDNJ çmon se kërkesa është e pabazuar, pasi dhënia e gjashtë vendimeve në tre shkallët e gjyqësorit të zakonshëm dhe në Gjykatën Kushtetuese përgjatë periudhës prej rreth tetë vitesh, nuk mund të konsiderohet në kundërshtim me afatin e arsyeshëm sipas KEDNJ. Sa i takon të drejtës së pronës, GJEDNJ vlerëson se ka shkelje, pasi barra e provës për prishjen e ndërtimit duhet të ndahej midis kërkuesit dhe shtetit, për sa kohë që kërkuesi ka qenë në mirëbesim, ka pasur leje ndërtimi për të ndërtuar shtëpi, e ka regjistruar pronën në kadastër dhe prona e ndërtuar prej tij në kundërshtim me lejen e ndërtimit është toleruar me vite nga autoritetet shtetërore. GJEDNJ vlerëson se kërkuesit duhet t`i ishte akorduar kompensim për prishjen e pronës si ndërtim pa leje, me qëllim që ndërhyrja të ishte proporcionale. Në rastin kur pronarëve u prishet një ndërtim, atyre duhet t`u jepet kompensim i arsyeshëm në përputhje me vlerën e pronës dhe me interesin publik që mbrohet në këtë rast, Vlera e kompensimit nuk mund të jetë vlera e pronës në treg. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-234121
7. Mospranim i pretendimit për shkeljen e nenit 3, të protokollit 1, të KEDNJ, për përfundimin e mandatit të deputetit për shkak të papajtueshmërisë dhe konfliktit të interesit (Fjalë kyçe: E drejta për t`u zgjedhur, mandat deputeti, përfundim i mandatit të deputetit, papajtueshmëri, konflikt interesi, proporcionalitet, përfitim fondesh publike)
Në çështjen Kokëdhima kundër Shqipërisë, kërkesa nr.55159/16, vendim i datës 11 qershor 2024, për shkeljen e të drejtës së jetës private dhe familjare dhe cenimin e nenit 3, të protokollit 1, të KEDNJ, për shkak të përfundimit të mandatit të deputetit për papajtueshmëri dhe konflikt interesi, GJEDNJ çmon se kërkesa është e pabazuar, pasi kërkuesi nuk ka ndërmarrë masat e nevojshme për të shmangur në kohë konfliktin e interesit në përputhje me legjislacionin e brendshëm. GJEDNJ çmon se ndërprerja e mandatit të deputetit të kërkuesit është një masë proporcionale, për sa kohë që kompania ku zotëronte aksionet kërkuesi si deputet, ka vazhduar që të marrë pagesa nga fondet publike prej kontratave të lidhura para fitimit të mandatit. Nisur nga jurisprudenca kushtetuese në një rast të ngjashëm, GJEDNJ çmon se ndërprerja e mandatit të kërkuesit ka qenë e parashikueshme prej tij dhe në përputhje me parimin e proporcionalitetit. Sipas GJEDNJ, konflikti i interesit duhet të ishte zgjidhur nga kërkuesi brenda 2 muajve nga lindja e tij, ç`ka nuk ka ndodhur, pasi shitja e kuotave në subjektin tregtar nga deputeti është realizuar pas 6 muajsh. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-234125
8. Shkelje e të drejtës për zbatimin e vendimit gjyqësor të formës së prerë (Fjalë kyçe: E drejtë prone, vendim përfundimtar dhe i formës së prerë, ekzekutim i vendimit gjyqësor, titull ekzekutiv)
Në çështjen Tona kundër Shqipërisë, kërkesa nr.78957/11, vendim i datës 4 korrik 2024, për shkeljen e të drejtës për të pasur një vendim gjyqësor të ekzekutuar, GJEDNJ çmon se kërkesa është e bazuar, pasi autoritetet shtetërore kanë dështuar që të regjistrojnë pronësinë e njohur nga gjykata për kërkuesin në kadastër, si dhe nuk kanë proceduar me kalimin fizik të parcelave në favor të tij, me qëllim që t`i posedonte dhe dispononte lirisht ato. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-234605
9. Shkelje e të drejtës së pronës dhe të drejtës për zbatimin e vendimit gjyqësor të formës së prerë (Fjalë kyçe: E drejtë prone, vendim përfundimtar dhe i formës së prerë, ekzekutim i vendimit gjyqësor, titull ekzekutiv)
Në çështjen Maçi kundër Shqipërisë, kërkesa nr.21051/10, vendim i datës 4 korrik 2024, për shkeljen e të drejtës së pronës dhe të drejtës për të pasur një vendim gjyqësor të ekzekutuar, GJEDNJ çmon se kërkesa është e bazuar, pasi autoritetet shtetërore nuk kanë treguar kujdesin e duhur për të zbatuar në kohë vendimin e KKKP të vitit 1996 sipas dispozitivit. Sa i takon vendimit gjyqësor të formës së prerë të vitit 2004, për të cilin autoritetet shtetërore kanë marrë pjesë në procesin gjyqësor, ai nuk mund të diskutohej me caktim ekspertësh dhe matje në terren, por duhet të ishte zbatuar prej shtetit, duke regjistruar pronën në kadastër. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-234604
10. Garantim i aksesit në Gjykatën Kushtetuese, kur ankimi kushtetues individual rrëzohet për shkak të barazisë së votave apo mosformimit të shumicës vendimmarrëse dhe shkelje e të drejtës për të patur një vendim gjyqësor të arsyetuar (Fjalë kyçe: Akses në Gjykatën Kushtetuese, ankim kushtetues individual, shumicë vendimmarrëse, barazi votash, arsyetim i vendimit gjyqësor)
Në çështjen Meli dhe Swinkels Family Brewers N.V. kundër Shqipërisë, kërkesat nr.41373/21 dhe nr.48801/21, vendim i datës 16 korrik 2024, për cenimin e aksesit në Gjykatën Kushtetuese, për shkak të rrëzimit të kërkesës prej mosformimit të shumicës vendimmarrëse, si dhe shkeljen e të drejtës për të patur një vendim gjyqësor të arsyetuar, GJEDNJ çmon se kërkesa për pjesën e parë është e pabazuar sepse kur anëtarët e Gjykatës Kushtetuese ndahen në barazi votash apo nuk arrijnë dot shumicën vendimmarrëse sipas ligjit vendas, kërkesa rrëzohet dhe vendimi i dhënë është përfundimtar me efektin e gjësë së gjykuar. Në këto raste, vendimi i dhënë përmban diskutimet e zhvilluara në seancën plenare për pretendimet e ngritura, rezultatin e votimit, si dhe pasojat e tij. Sa i takon pretendimit të dytë, edhe pse kemi një vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese, ajo nuk ka identifikuar bazën juridike për rrëzimin e pretendimeve të kërkuesve dhe si rrjedhojë kemi shkelje të parimit të arsyetimit të vendimit gjyqësor.https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-235014
11. Shkelje e të drejtës për t`u gjykuar brenda afatit të arsyeshëm në dy procese gjyqësore civile të lidhura (Fjalë kyçe: Afat i arsyeshëm, proces gjyqësor civil i lidhur, mjet efektiv ankimi)
Në çështjen Papakostandini kundër Shqipërisë, kërkesat nr.7568/08, vendim i datës 18 korrik 2024, për shkeljen e të drejtës për t`u gjykuar brenda afatit të arsyeshëm, GJEDNJ çmon se kërkesa është e bazuar, pasi zgjatja e procesit të parë gjyqësor civil prej 12 vjetësh e 5 muajsh dhe procesit të dytë civil prej 11 vjetësh, bie ndesh me parimin e gjykimit brenda afatit të arsyeshëm. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-235035
12. Shkelje e të drejtës për zbatimin e vendimit gjyqësor të formës së prerë brenda afatit të arsyeshëm (Fjalë kyçe: Vendim përfundimtar dhe i formës së prerë, ekzekutim i vendimit gjyqësor, titull ekzekutiv, afat i arsyeshëm, ekzekutim brenda afatit të arsyeshëm)
Në çështjen Spahiu dhe të tjerë kundër Shqipërisë, kërkesat nr.79452/17, vendim i datës 18 korrik 2024, për shkeljen e të drejtës për të patur një vendim gjyqësor të ekzekutuar brenda afatit të arsyeshëm, GJEDNJ çmon se kërkesa është e bazuar, pasi autoritetet shtetërore nuk kanë ndërmarrë masat e duhura për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore brenda afatit të arsyeshëm. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-235034
3. Aktivitetet e Gjykatës së Lartë
Në datat 24 - 26 qershor 2024 u mbajt konferenca e përbashkët e kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore dhe Lindore në Prishtinë, Kosovë, ku i pranishëm ishte anëtari i Gjykatës së Lartë z.Asim Vokshi. Në konferencë u trajtuan tematika si pavarësia e gjyqësorit, çështjet e prapambetura dhe vonesat, aksesi në drejtësi, respektimi i gjyqësorit nga publiku, si dhe inovacioni në reformimin e gjykatave. https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/media/konferenca-e-kryetareve-te-gjykatave-te-larta-te-evropes-qendrore-dhe-lindore-(24-26-qershor-2024-prishtine-kosove)
Në datën 10 korrik 2024, në ambientet e Gjykatës së Lartë, u mbajt një takim i përbashkët midis delegacionit të Gjykatës Supreme të Kosovës të kryesuar nga Fejzullah Rexhepi, kryetar i saj dhe anëtarëve të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë. Delegacioni kosovar u prit nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi dhe gjyqtarët Ilir Panda, Sokol Binaj, Asim Vokshi. Fokusi i diskutimeve ishin ndryshimet në Kodin e Procedurës Civile të Republikës së Kosovës, si dhe rritja e bashkëpunimit të ndërsjellë apo shkëmbimit të përvojës midis dy Gjykatave të Larta. https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/media/takim-i-delegacionit-te-gjykates-supreme-te-republikes-se-kosoves-dhe-gjykates-se-larte-te-republikes-se-shqiperise.
Në datën 11 korrik, 2024 Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë u vizitua nga një delegacion me gjyqtarë dhe prokurorë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Delegacioni u prit nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi dhe gjyqtarët Ilir Panda, Artur Kalaja, Margarita Buhali, Albana Boksi, Asim Vokshi. Bisedimet midis palëve u përqendruan në organizimin dhe funksionimin e sistemit gjyqësor, sfidat e përbashkëta me të cilat përballen gjyqtarët, pavarësisht vendit ku e ushtrojnë detyrën e tyre, si dhe arritjet e përpjekjet e vazhdueshme për të dhënë drejtësi me transparencë dhe integritet. https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/media/vizita-e-delegacionit-nga-shtetet-e-bashkuara-te-amerikes-ne-gjykaten-e-larte
Në datën 15 korrik 2024, Gjykata e Lartë në bashkëpunim të ngushtë me fondacionin gjerman IRZ, prezantoi databazën e vendimmarrjeve të saj me emrin JUDIX. Qëllimi i kësaj baze të dhënash është publikimi i vendimeve të Gjykatës për praktikantët e së drejtës mbi bazën e kritereve shkencore me titull, fjalë kyçe, përmbledhje, maksimë, etj. JUDIX është arkiva elektronike e vendimeve të përzgjedhura të Gjykatës, që synon lehtësimin e kërkimit të tyre nga të gjithë përdoruesit e interesuar të Gjykatës. Së shpejti, publiku i gjerë do të ketë mundësi që të aksesojë JUDIX. Aktiviteti u përshëndet nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner, si dhe Drejtori i Projektit "Ballkani Perëndimor" në IRZ Stefan Pürner. https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/media/prezantimi-i-bazes-se-te-dhenave-te-vendimmarrjes-se-gjykates-se-larte-judix
4. Statistika
Vendime të dhëna nga Gjykata e Lartë për muajt prill - qershor 2024
Kolegji Administrativ ka dhënë 681 vendime, nga të cilat 621 janë vendime themeli, 11 kompetencë/juridiksion, si dhe 49 pezullim ekzekutimi/revokim pezullimi/kërkesa të ndryshme.
Kolegji Civil ka dhënë 901 vendime, nga të cilat 850 janë vendime themeli, 27 kompetencë/juridiksion, si dhe 24 pezullim ekzekutimi/revokim pezullimi/kërkesa të ndryshme.
Kolegji Penal ka dhënë 649 vendime, nga të cilat 627 janë vendime themeli, 7 kompetencë/juridiksion, si dhe 15 pezullim ekzekutimi/revokim pezullimi/kërkesa të ndryshme.
Në total për muajit prill - qershor 2024 janë dhënë 2231 vendime gjyqësore.
5. Formati i rekursit në Gjykatën e Lartë
Gjykata e Lartë këshillon përdorimin e formatit të miratuar të rekursit, që gjendet në linkun: https://gjykata-media.s3.eu-central-1.amazonaws.com/format_rekursi_5207_1_3d
6. Vizitat në Gjykatën e Lartë (Gjykata e hapur/Open court)
Gjykata e Lartë mundëson pjesëmarrjen e çdo të interesuari (qytetar, studiues, praktikant i së drejtës, student apo nxënës shkolle) në seanca gjyqësore apo që dëshiron të vizitojë institucionin, duke afruar veprimtarinë e saj të përditshme me publikun. Ky akses mundësohet përmes aplikimit të thjeshtë elektronik, duke plotësuar modulet (emër, mbiemër, email dhe përmbajtjen e mesazhit/arsyet e vizitës). Aplikoni duke vizituar linkun: https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/akrediti
Kontakto:
Tel.: +355 4 2257304;
Fax: +355 (4) 228837;
Email: info@gjykataelarte.gov.al;
Adresa postare: Rruga: "Ibrahim Rugova", nr. 20, 1001, Tiranë, Shqipëri.