Buletini informativ elektronik nr. 6 - 2024

1. Jurisprudencë e përzgjedhur

 

Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë

 

1. Ligji i zbatueshëm për pezullimin dhe zgjidhjen e marrëdhënieve të punës së ushtarakëve të Forcave të Armatosura. (Fjalë kyçe: Ushtarak, Forca të Armatosura, pezullim nga detyra, ligj i posaçëm, ndjekje penale, vjedhje)

 

vendimin nr.00-2024-2542(252), datë 18.06.2024KAGJLvlerëson se për pezullimin dhe zgjidhjen e marrëdhënieve të punës së ushtarakëve zbatohen ligjet e posaçme nr.9171, datë 22.01.2004 “Për gradat dhe karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura”, shfuqizuar nga ligji nr.59/2014, ligji nr.8671, datë 26.10.2000 “Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, shfuqizuar me ligjin nr.64/2014 dhe ligji nr.9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. Kur pezullohet apo zgjidhet marrëdhënia e punës së ushtarakëve, gjykata ka detyrimin që të zbatojë ligjet e posaçme dhe jo dispozitat e Kodit të Punës, të ndryshuar.

 

2. Përgjegjësia e titullarit të autoritetit kontraktor për menaxhimin e fondeve publike dhe realizimin e procedurave të prokurimit publik. (Fjalë kyçe: Prokurim publik, negocim pa shpallje paraprake, kundërvajtje administrative, gjobë, fonde publike, shoqëri tregtare me kapital shtetëror)

 

vendimin nr.00-2024-2553, datë 18.06.2024, KAGJL vlerëson se administratori i një shoqërie tregtare me kapital shtetëror (me kapital të njësisë së vetëqeverisjes vendore) ka për detyrë që të zbatojë ligjin e prokurimit publik kur menaxhon fondet publike, si dhe ligjin nr. 9901/2008 “Për tregtarët dhe shoqërinë tregtare”, që rregullon organizimin dhe veprimtarinë e shoqërisë tregtare me kapital shtetëror. Fondet publike përfshijnë edhe ndihmat apo kreditë. Shmangia e procedurave të prokurimit nga ana e titullarit të autoritetit kontraktor, përbën shkak për marrjen e masave administrative ndaj tij.

 

3. Rastet e rikthimit në detyrë të punonjësve të përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit. (Fjalë kyçe: Punonjës i Policisë së Shtetit, ripranim në detyrë, përjashtim nga Policia e Shtetit, ligj i zbatueshëm)

 

vendimin nr.00-2024-2687(261), datë 20.06.2024, KAGJL vlerëson se legjislacioni që rregullon marrëdhëniet e punës të punonjësve të Policisë së Shtetit përcakton se, një punonjës i Policisë së Shtetit i përjashtuar nga detyra nuk mund të rikthehet në Policinë e Shtetit, përveçse kur akti i përjashtimit është revokuar ose shfuqizuar nga vetë organi publik ose kur është shfuqizuar apo deklaruar absolutisht i pavlefshëm me vendim gjyqësor të formës së prerë. Largimi i punëmarrësit nga detyra mund të bëhet vetëm në ato raste kur ky i fundit kryen shkelje të rregullave të disiplinës në punë gjatë ushtrimit të detyrës ose në rastet e ristrukturimit të institucioneve ose ndërmarrjeve, por jo kur punëdhënësi ka shkelur hapur ligjin në rastin e rekrutimit të tyre. Në rastin e fundit, për zgjidhjen e marrëdhënieve të punës duhet të ndiqet procedura dhe zbatohen afatet e njoftimit sipas Kodit të Punës.

 

4. Barra e provës në procedurat administrative tatimore për llogaritjen e TVSH së kreditueshme. (Fjalë kyçe: Llogaritje e TVSH, TVSH e kreditueshme, barrë prove, vlerësim tatimor)

 

vendimin nr.00-2024-2732(263), datë 27.06.2024, KAGJL vlerëson se aplikimi i tatimit te konsumatori përfundimtar bëhet sipas një skeme, ku furnizuesi i mallit, pasi deklaron TVSH e shitjeve, pakëson nga kjo TVSH, tatimin e paguar për blerjen e atyre furnizimeve që i kanë shërbyer veprimtarisë ekonomike, duke paguar në këtë mënyrë diferencën e TVSH. Në procedurat administrative të nisura kryesisht nga organi publik, barra e provës për të provuar ligjshmërinë e akteve administrative të nxjerra prej tij i takon si rregull organit publik. Parimi i përgjithshëm i barrës së provës mund të ndryshojë në varësi të parashikimeve që përmban ligji i posaçëm. Kur vlerësimi bëhet përmes kontrollit tatimor apo mënyrave alternative të vlerësimit, barra e provës, që shuma e këtij vlerësimi është e pasaktë, bie mbi tatimpaguesin. 

 

5. Kushtet e sigurimit të padisë si masë e përkohshme procedurale në gjykimin administrativ në apel. (Fjalë kyçe: Sigurim i padisë, masë e përkohshme procedurale, mjet aksesor, mjet kryesor, vlerësim paraprak, kontradiktoritet)

 

vendimin nr.00-2024-2782(274), datë 27.06.2024, KAGJL vlerëson se masat e përkohshme procedurale janë mjete ligjore që garantojnë efektivitetin e mjetit kryesor nga i cili ato varen, konkretisht të padisë apo të ankimeve në çdo shkallë të gjykimit. Sigurimi i padisë si institut juridik procedural nënkupton një vlerësim paraprak dhe sipërfaqësor të fakteve të çështjes nga gjykata, e cila kur arrin në përfundimin se, ka arsye të dyshohet se ekzekutimi i vendimit të themelit për të drejtat e paditësit (kërkuesit) do të shkaktonte një dëm të rëndë, të pakthyeshëm dhe të atëçastshëm për paditësin, pa cenuar rëndë interesin publik, e lejon marrjen e saj. Dyshimi i arsyeshëm i bazuar në shkresa për mundësinë e një dëmi të rëndë, të pakthyeshëm dhe të atëçastshëm për paditësin, si dhe mungesa e cënimit të interesit publik, janë kushte kumulative që përligjin sigurimin e padisë. Kërkesa për sigurimin e padisë duhet të shoqërohet nga provat shkresore, me qëllim që ato t`i nënshtrohen kontradiktoritetit, e jo të paraqiten për herë të parë me ankim në gjykatën e apelit. Paraqitja e provave në apel bëhet vetëm kur ankuesi pa fajin e tij, nuk ka pasur mundësi që t`i paraqesë ato në gjykimin në shkallë të parë. Provat e paraqitura me ankim në apel i nënshtrohen në çdo rast debatit gjyqësor në seancë gjyqësore.

 

6. Kushtet ligjore dhe diskrecioni i organeve tatimore për faljen e detyrimeve tatimore. (Fjalë kyçe: Detyrim tatimor, gjobë tatimore, shuarje e detyrimit tatimor, diskrecion i organit publik, juridiksion gjyqësor)

 

vendimin nr.00-2024-2907(302), datë 04.07.2024KAGJL vlerëson se mbetet në diskrecionin e organit publik tatimor që të vendos se cili subjekt është përfitues nga ligji për faljen e detyrimeve tatimore, në përputhje me parashikimet dhe kushtet ligjore që duhen plotësuar sipas tij. Kushtet që pengojnë subjektet të përfitojnë nga falja e detyrimeve tatimore janë: (i) Ekzistenca e tepricës kreditore për tatimpaguesin dhe mosparaqitja e kërkesës prej tij për rimbursim apo për t`u kredituar nga administrata tatimore brenda datës 31.12.2013; (ii) Mungesa e procesit gjyqësor midis tatimpaguesit dhe administratës tatimore për detyrimin tatimor, gjobat dhe kamatëvonesat. Kur një mosmarrëveshje administrative bëhet pjesë e juridiksionit gjyqësor për shqyrtim, ajo nuk mund të trajtohet më brenda juridiksionit administrativ.

 

7. Rastet e mbajtjes së pagës së punëmarrësit nga punëdhënësi kur shkakton dëm në punë. (Fjalë kyçe: Dëm, mbajtje page, përgjegjësi administrative)

 

vendimin nr.00-2024-2885(291), datë 04.07.2024KAGJL vlerëson se, kur gjykata trajton dëmet që ka shkaktuar punëmarrësi gjatë zbatimit të kontratës së punës, ka detyrimin që të hetojë mbi dëmin, kushtet e përgjegjësisë, subjektet e përfshira, vëllimin e përgjegjësisë, mënyrën e realizimit të dëmshpërblimit, si dhe të mbajë në konsideratë përdorimin e lirë të pagës nga punëmarrësi në zbatim të nenit 122 të Kodit të Punës dhe afatet e parashkrimit për zhdëmtimin sipas nenit 203 të Kodit të Punës. Mbajtja e pagës së punëmarrësit apo gjobitja e tij nga punëdhënësi për dëmet e shkaktuara duhet të burojë nga ligji dhe të jetë e mirëpërcaktuar në kontratën kolektive apo individuale të punës. Në të tilla raste, gjykata duhet të identifikojë dhe diferencojë përgjegjësinë administrative nga përgjegjësia e punëmarrësit për dëmet që i ka shkaktuar punëdhënësit.

 

8. Kushtet për shpërblimin e drejtë ndaj ish–pronarit për shpronësimin faktit në interes publik. (Fjalë kyçe: Shpërblim i drejtë, shpronësim faktik, përgjegjësi jashtëkontraktore, interes publik)

 

vendimin nr.00-2024-2917(290), datë 04.07.2024KAGJL vlerëson se shpërblimi i drejtë ndaj ish–pronarit për shpronësimin faktit (de facto) të pronës në interes publik, përcaktohet sipas ligjit nr.8510, datë 15.07.1999 “Për përgjegjësinë jashtëkontraktore të organeve të administrates shtetërore“ dhe Kodit Civil, pasi gjykata vlerëson nëse plotësohen kumulativisht katër elementët, (i) ekzistenca e dëmit; (ii) paligjshmëria e veprimit ose mosveprimit; (iii) faji në shkaktimin e dëmit; (iv) lidhja shkakësore midis veprimit ose mosveprimit dhe pasojës së ardhur. Afati për ngritjen e padisë në këto raste është 3-vjeçar.

 

9. Pavlefshmëria e aktit të marrjes së tokës në pronësi (AMTP). (Fjalë kyçe: AMTP e pavlefshme, akt i pavlefshëm administrativ, tokë jobujqësore)

 

vendimin nr.00-2024-2916(299), datë 04.07.2024, KAGJL vlerëson se dhënia me AMTP pa kundërshpërblim e një sipërfaqe toke shtetërore që nuk ka figuruar “tokë bujqësore” më datë 01.08.1991, përbën shkak për pavlefshmërinë e AMTP. Në kushtet kur Komisioni i Ndarjes së Tokës së Fshatit Vilë-Bashtovë ka ndarë tokën që nuk ka qenë objekt i ligjit nr.7501/1991, pasi ligji e përjashtonte ndarjen e tokave jobujqësore, AMTP objekt gjykimi është nul dhe nuk mund të sjellë asnjë pasojë apo efekt juridik.

 

10. Heqja dorë nga statusi i gjyqtarit me veprime konkludente. (Fjalë kyçe: Gjyqtar, komandim si gjyqtar, veprime konkludente, shkarkim nga detyra, heqja dorë nga statusi i gjyqtarit, rikthim në detyrë, magjistrat)

 

vendimin nr.00-2024-3030(310), datë 11.07.2024, KAGJL vlerëson se pasiviteti i paditësit për afro pesë vjet nga ndërprerja e komandimit si drejtor i AKKP (shkarkimit nga detyra) dhe për mbi dy vjet nga mbarimi i afatit tre vjeçar të komandimit, me të drejtë është vlerësuar nga KLGJ si heqje dorë nga detyra e gjyqtarit. Ndonëse ligji i zbatueshëm i kohës nuk kishte një rregullim të posaçëm për institutin e heqjes dorë të gjyqtarit nga funksioni përsa i përket procedurës dhe formës, me veprime konkludente paditësi ka hequr dorë nga detyrimi kushtetues për të ushtruar funksionin e gjyqtarit në vendim e punës ku ishte emëruar, ndaj nuk mund të gëzonte as më datë 18.02.2013 e as sot, të drejtën e rikthimit në detyrën e gjyqtarit. Në zbatim të ligjit nr. 84/2016, paditësi nuk ka depozituar as formularin e deklarimit të pasurisë pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ç`ka passjell automatikisht pamundësinë e tij për t’u rikthyer në detyrë, ndonëse në kohën kur duhej të paraqiste dokumentet në organet e rivlerësimit, ai nuk kishte një vendim të formës së prerë që t`a rikthente në detyrë, por pretendonte se e kishte automatikisht statusin e magjistratit. 

 

11. Momenti i fillimit të vlefshmërisë së titullit ekzekutiv. (Fjalë kyçe: Titull ekzekutiv, vlefshmëria e titullit ekzekutiv, urdhër ekzekutimi, gjobë)

 

vendimin nr.00-2024-3125(315), datë 11.07.2024, KAGJL vlerëson se, për sa kohë që Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP) është organi më i lartë administrativ i shqyrtimit të kundërvatjes administrative, vendimi i dhënë prej saj është i ekzekutueshëm. Përderisa gjykata nuk ka disponuar për pezullimin e aktit administrativ, përmes sigurimit të padisë, atëherë akti i nxjerrë nga DPPPP përbën titull ekzekutiv dhe është i ekzekutueshëm. Në zbatim të nenit 510/e të Kodit të Procedurës Civile, si dhe nenit 104 të Kodit të Procedurave Administrative, gjobat e vendosura nga organi publik kompetent përbëjnë titull ekzekutiv që në momentin që i njoftohen kundërvajtësit.

 

12. Ligji i zbatueshëm për zgjidhjen e marrëdhënieve të punës së punonjësve të PMNZSH. (Fjalë kyçe: Ligj i zbatueshëm, ligj i posaçëm, punonjës i PMNZSH, zgjidhje e marrëdhënieve të punës, akt administrativ, punëmarrës, punëdhënës, dëmshpërblim me paga)

 

vendimin nr.00-2024-3434(350), datë 10.09.2024, KAGJL çmon se punonjësi i PMNZH nuk është punonjës i Policisë së Shtetit, por vetëm disa elementë të marrëdhënies së tij të punës njësohen me ato të punonjësve të Policisë së Shtetit. Për sa i përket procedurës dhe afateve të largimit nga puna të punonjësve të PMNZH, për sa kohë që nuk ka një parashikim të posaçëm ligji organik, gjen zbatim neni 4 i Kodit të Punës. Akti i largimit të punonjësit të PMNZSH nga detyra nuk është një akt administrativ që duhet të shfuqizohet nga gjykata, në mënyrë që të mund të vijohet me dhënien e dëmshpërblimit përkatës, pasi ky akt përbën vetëm shfaqjen e njëanshme të vullnetit të punëdhënësit për ndërprerjen e marrëdhënies së punës me punëmarrësin.

 

13. Rastet e shkeljeve shumë të rënda që çojnë në largimin nga shërbimi civil. (Fjalë kyçe: Akt administrativ, largim nga shërbimi civil, shkelje shumë e rëndë, mospërmbushje e rëndë e detyrave funksionale, diskrecion i organit publik, akt administrativ proporcional)

 

vendimin nr.00-2024-3576(356), datë 19.09.2024, KAGJL çmon se largimi i nëpunësit nga shërbimi civil bëhet për shkelje shumë të rënda disiplinore, e vetëm në rastin kur nëpunësi kryen veprime të kundërligjshme që cenojnë rëndë parimet e shërbimit civil. Përbën shkelje shumë të rëndë në shërbimin civil plotësimi i pasaktë dhe jokorrekt i dokumenteve financiare, kalimi i fondeve në mënyrë të gabuar në llogarinë e një subjekti, vonesa në likuidimin e shumave monetare ndaj subjekteve, përpilimi i dokumentacionit financiar dhe hartimi i pasqyrave financiare në kundërshtim me ligjin, kundërshtimi i detyrave të ngarkuara nga eprorët, mospërmbushja e detyrave të ngarkuara në kohë, si dhe mosinformimi i eprorëve mbi problematikat e hasura gjatë ushtrimit të detyrës. Këto shkelje shumë të rënda janë të papranueshme dhe nuk i përshtaten profilit të një nëpunësi publik me status dhe për rrjedhojë sjellin si pasojë largimin e tij të ligjshëm nga shërbimi civil.

 

14. Pasojat e pavlefshmërisë së lejes së legalizimit ndaj kontratës administrative për kalimin e parcelës ndërtimore. (Fjalë kyçe: Leje legalizimi, pavlefshmëri e lejes së legalizimit, parcelë ndërtimore, kontratë administrative, formimi i trupës gjyqësore, vendim i pavlefshëm, gjykim i pavlefshëm)

 

vendimin nr.00-2024-3554(357), datë 19.09.2024, KAGJL vlerëson se kur pala paditëse pretendon pavlefshmërinë e lejes së legalizimit, gjykata kompetente duhet të shtrijë hetimin gjyqësor edhe ndaj kontratës së kalimit të parcelës ndërtimore (pa/vlefshmërisë së saj), pasi kjo e fundit është pasoja thelbësore e lejes së legalizimit. Kontrata e lidhur për kalimin në pronësi të parcelës ndërtimore pas lejes së legalizimit është një kontratë administrative, ndaj shqyrtimi gjyqësor i saj në shkallë të parë duhet të bëhet nga një trupë e përbërë prej tre gjyqtarësh. 

 

15. Ndalimi i kandidimit për ngritje në detyrë të magjistratit për më shumë se tre pozicione të lira. (Fjalë kyçe: Magjistrat, ngritje në detyrë e magjistratit, pozicione të lira, vlerësim i kandidaturave, normë publike ndaluese, e drejtë publike)

 

vendimin nr.00-2024-3546(353), datë 19.09.2024, KAGJL vlerëson se neni 48(6) i ligjit nr. 96/2016 është një normë publike ndaluese, që parashikon se magjistrati mund të kandidojë për ngritje në detyrë, por jo më shumë se në tre pozicione të lira në proces. Kryerja e veprimeve administrative në kundërshtim me normën publike ndaluese sjell si pasojë pavlefshmërinë e këtyre veprimeve. KAGJL çmon se magjistrati nuk mund të kandidojë për një pozicion të katërt (të pestë apo më shumë) për ngritje në detyrë, e pasi të mbarojë afati i kandidimit të katërt, të heqë dorë nga një prej tre kandidimeve të mëparshme që ishte në proces e sipër dhe kësisoj të mbetet me tre kandidime të vlefshme. Në kushtet kur paditësi ka paraqitur kandidimin e tij të katërt në shkelje të ndalimit ligjor për jo më shumë se tre pozicione, ky aplikim i tij është nul dhe nuk mund të sjellë asnjë pasojë juridike, pasi bie ndesh me një dispozitë ndaluese ligjore.

 

16. Afati për të kërkuar zgjatjen e autorizimit për ndërtimet e objekteve gjeneruese të energjisë elektrike pa koncesion. (Fjalë kyçe: Autorizim, afat i autorizimit, zgjatja e afatit të autorizimit, revokim i autorizimit, forcë madhore, impiant i energjisë elektrike pa koncesion, diskrecion i organit publik)

 

vendimin nr.00-2024-3981(362), datë 23.09.2024, KAGJL çmon se, sipas VKM nr.1701/2008, mbajtësi i autorizimit për ndërtimin e objekteve gjeneruese të energjisë elektrike pa koncesion njofton me shkrim ministrinë përgjegjëse për energjinë, jo më vonë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë para përfundimit të afatit të përcaktuar në autorizim, kur ai e ka të qartë se nuk mund të jetë në gjendje të përmbushë detyrimin në afatin përkatës. Ky afat duhet të përmbushet përpara përfundimit të afatit të përcaktuar në autorizim dhe mosrespektimi i tij mund të sjellë edhe revokimin e autorizimit. Mosmarrëveshjet midis organeve të pushtetit qendror dhe vetëqeverisjes vendore mbi vlerën që duhet të paguhej nga paditësi si taksë e ndikimit në infrastrukturë, nuk mund të përbëjnë forcë madhore për të justifikuar mosrespektimin e afateve, brenda të cilave paditësi duhet t`i kërkonte organeve kompetente zgjatjen e autorizimit për ndërtimin e parkut fotovoltaik. Pranimi i kërkesës për zgjatjen e afatit të autorizimit mbetet në diskrecionin e organit publik, Këshillit të Ministrave, edhe pse mund të propozohet nga ministria përgjegjëse për energjinë. 

 

17.Gjykimi fillestar i mosmarrëveshjeve për shfuqizimin e akteve nënligjore normative. (Fjalë kyçe: Akt normativ nënligjor, juridiksion fillestar, kompetencë funksionale, formim i trupës gjyqësore, trupë me pesë gjyqtarë)

 

vendimin nr.00-2024-3804(401), datë 03.10.2024, KAGJL vlerëson se paditë për kundërshtimin e akteve normative nënligjore janë në kompetencën funksionale të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë dhe shqyrtohen prej saj në juridiksion fillestar. Kur Gjykata Administrative e Apelit konstaton se gjykata e shkallës së parë ka shqyrtuar një akt normativ nënligjor në mungesë të kompetencës funksionale, ajo nuk e kthen për rishqyrtim çështjen në shkallë të parë, por prish vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe urdhëron regjistrimin e çështjes pranë saj, duke vijuar gjykimin në juridiksion fillestar me trupë të përbërë prej 5 gjyqtarësh. 

 

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë

 

1. Kushtet për kryerjen e veprës penale në bashkëpunim. (Fjalë kyçe: Deklarim i bashkëtëpandehurve, marrëveshje paraprake për bashkëpunim)

vendimin nr.00-2024-644(99), datë 11.04.2024, KPGJL argumenton se në përcaktimin e rrethanës së bashkëpunimit nuk është e domosdoshme ekzistenca e një marrëveshje paraprake, por mjafton edhe ajo e paparashikuar që mund të shfaqet gjatë kryerjes së veprës penale, me kushtin që secili prej autorëve të jetë i ndërgjegjshëm për veprimet e të tjerëve. Nëse gjykata çmon se deklarimet e bashkëtëpandehurve të gjykuar veçmas nga i pandehuri nën gjykim nuk janë marrë konform ligjit, në kushtet e zhvillimit të gjykimit të zakonshëm, duhet ti riparojë këto shkelje, duke i marrë provat në përputhje me ligjin procedural penal, e në vijim, këto prova duhet dhe mund të vlerëson nga gjykata në unitet me provat e tjera.

2. Zbatimi i parimit të reciprocitetit vlerësohet nga Ministri i Drejtësisë në marrëdhëniet me një shtet që ka vendosur rezervën ligjore për moszbatimin e normës ndërkombëtare. Gjykata pranon kërkesën për ekstradimin e shtetasve shqiptarë edhe në rast se ndjekja penale dhe dënimi janë parashkruar sipas ligjit penal shqiptar - Vendim njësues. (Fjalë kyçe: Rezervë ligjore, moszbatim i normës ndërkombëtare, parim i reciprocitetit, ekstradim, ndjekje penale e parashkruar, dënim i parashkruar, zbatim i konventës)

vendimin nr.00-2024-1611(125), datë 22.05.2024KPGJL njëson praktikën duke vendosur se: 1. Në marrëdhëniet juridiksionale me një shtet që ka vendosur rezervën ligjore në normën ndërkombëtare për moszbatimin e saj për çështje që janë në juridiksionin e atij shteti, parimi i reciprocitetit dhe zbatimi i tij është një kusht që vlerësohet nga Ministri i Drejtësisë, si autoriteti kompetent i shtetit të kërkuar. Gjykata vlerëson kushtet për lejimin e ekstradimit në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjin për marrëdhëniet juridiksionale me jashtë. 2. Gjykata, pranon kërkesën për ekstradimin e shtetasve shqiptarë edhe në rast se ndjekja penale dhe dënimi janë parashkruar sipas ligjit penal shqiptar.

3. Aktiviteti i subjekteve tregtare në fushën e tregtisë së produkteve me pakicë nuk përfshihet në sferën e funksionit publik. (Fjalë kyçe: Cilësim ligjor i faktit penal, funksion publik, aktivitet privat, shpërdorim detyre)

vendimin nr.00-2024-1028(136), datë 04.06.2024, KPGJL çmon se aktiviteti i zakonshëm i subjekteve tregtare në fushën e tregtisë së produkteve me pakicë (supermarkete) duke qenë një marrëdhënie private, qëndron jashtë sferës së funksionit publik dhe si pasojë kualifikimi i fakti penal të atribuuar punonjësve të këtyre subjekteve private nuk mund të jetë ai i  "Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën".

4. Gjykata kompetente për shqyrtimin e kërkesës për rishikim është gjykata që ka kompetencën lëndore për rigjykimin e çështjes kryesore në momentin e paraqitjes së kësaj kërkese. (Fjalë kyçe: Gjykatë kompetente, rishikim vendimi, momenti i paraqitjes së kërkesës për rishikim)

vendimin nr.00-2024-1042, datë 06.06.2024, KPGJL thekson se verifikimi formal i pranueshmërisë së kërkesës për rishikim (që në thelb është një kërkesë që paraprin fazën e rigjykimit të çështjes nëse pranohet), do të ndjekë “fatin” e çështjes kryesore, e si rrjedhojë edhe ky kërkim do të shqyrtohet nga gjykata që ka kompetencën lëndore për rigjykimin e çështjes në momentin e paraqitjes së kërkesës për rishikim, nëse kjo kërkesë do të pranohet. Në parim, kompetencën lëndore për gjykimin e veprës penale “Trafikimi i të miturve”, kryer në bashkëpunim, e ka gjykata e juridiksionit të përgjithshëm, referuar ndryshimeve të KPP. Në vijim, në përcaktimin e gjykatës kompetente nga pikëpamja tokësore, çmohet se duhet zbatuar parashikimi i nenit 76 të KPP, që përcakton rregullat e përgjithshme në lidhje me kompetencën.

5. Kompetencat e gjyqtarit të seancës paraprake. (Fjalë kyçe: Seancë paraprake, roli i gjyqtarit të seancës paraprake)

vendimin nr.00-2024-1165(149), datë 27.06.2024, KPGJL ka vlerësuar se gjyqtari i seancës paraprake, referuar nenit 328, pika 1, shkronja “dh” të KPP, mund të vendosë pushimin e çështjes vetëm kur prima facie del se i pandehuri nuk e ka kryer veprën penale ose nuk provohet që e ka kryer ai, ndërsa në rastin kur gjyqtari i seancës paraprake bën vlerësim të provave “përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”, atëherë ai merr kompetencat e gjykatës që do të shqyrtojë çështjen në themel, në kundërshtim me dispozitat procedurale që rregullojnë rolin e gjyqtarit të seancës paraprake. 

6. Ilegjitimiteti i kërkesës “Shuarja e dënimit me burgim të përjetshëm”. (Fjalë kyçe: Burgim i përjetshëm, shuarje dënimi, gjë e gjykuar, gjyqtar i ekzekutimit të dënimit)

vendimin nr.00-2024-1577(187), datë 16.07.2024, KPGJL vlerëson se është e paligjshme paraqitja e kërkesës “Shuarje dënimi me burgim të përjetshëm” para gjyqtarit të vendit të ekzekutimit të dënimit me pretendimin se çështja e llojit/masës së dënimit mund të shqyrtohet përsëri bazuar në argumentin se nuk kërkohet rigjykimi i çështjes (ku nuk ka pretendime për fajësinë dhe provat) por vetëm shuarja e dënimit të paparashikuar në ligjin e vendit të kryerjes së veprës penale.

7. Zëvendësimi i prokurorit (me tagër drejtuesi) në ankimin e çështjes penale. (Fjalë kyçe: Prokuror i shkallës së parë, prokuror i apelit, prokuror çështje, drejtuesi i prokurorisë, ankim, vendim gjyqësor)

vendimin nr.00-2024-1294(183), datë 16.07.2024, KPGJL interpreton se prokurorët e shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, të cilët ndjekin si hetimin ashtu edhe gjykimin e çështjes, si dhe prokurorët e apelit të juridiksionit të përgjithshëm, të cilët ndjekin gjykimin e çështjes, përfshirë këtu edhe ato raste kur prokurori i çështjes është zëvendësuar me vendim nga drejtuesi i prokurorisë ku ushtron funksionet ky prokuror, kanë të drejtën ekskluzive që të ushtrojnë ankim ndaj një vendimi gjyqësor, me të cilin nuk pajtohen dhe që e vlerësojnë jo në përputhje me ligjin. Mundësia për të bërë ankim ndaj vendimit të gjykatës së shkallës së parë përbën arsye serioze që lidhet me detyrën sipas ligjit, që justifikon zëvendësimin e prokurorit me qëllimin që ankimi të ushtrohet nga një prokuror tjetër qoftë apo drejtuesi i prokurorisë në mënyrë që prokuroria të ketë mundësi të shfrytëzojë këtë mjet procedural për kontrollin e mëtejshëm gjyqësor të vendimmarrjes së gjykatës. Nëse ankimi ndaj çështjes penale nuk është ushtruar nga prokurori që ka patur çështjen, ai mund të ushtrohet nga një prokuror tjetër (qoftë dhe drejtuesi i prokurorisë) me kushtin që, prokurorit tjetër t'i jenë dhënë tagra të ushtrimit të funksionit në çështjen konkrete nga drejtuesi i prokurorisë, i cili është dhe prokurori më i lartë në raport me prokurorin e çështjes.

8. Kohëzgjatja e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”. (Fjalë kyçe: Arrest në shtëpi, arrest në burg, paraburgim, detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, kohëzgjatje, afat)

vendimin nr.00-2024-1625(195), datë 24.07.2024, KPGJL interpreton se masat e sigurimit janë të ndryshme dhe nuk mund të përjashtojnë njëra-tjetrën për shkak të kalimit të afatit maksimal në zbatimin e tyre. Për secilën masë sigurimi, afatet llogariten të ndara. Afatet e pezulluara të paraburgimit nuk duhet të llogariten në tërësinë e afatit për efekt të kalimit të afatit të qëndrimit në masën e sigurimit “arrest në shtëpi”. Nëse zbatimi i masës “arrest në shtëpi” është ndërprerë, afati përkatës do të pezullohet dhe eventualisht do të bashkohet me pjesën tjetër nëse në një moment të mëtejshëm vijohet me rifillimin e zbatimit të tij. Efektet e secilës masë janë të lidhura vetëm me njoftimin përkatës të vendimit që e ka caktuar atë. Zgjatja e afatit të hetimeve ka si qëllim zgjatjen e afateve për kryerjen e veprimeve hetimore dhe jo për vijimin e masës së sigurimit përsonal. Kohëzgjatja maksimale e parashikuar nga neni 267 i KPP, i referohet secilës masë, që mund të caktohet dhe zbatohet. Për rrjedhojë logjike, masa e sigurimit personal "arrest në shtëpi", do t'i nënshtrohet respektimit të afatit tërësor, që në rastin a quo, në referim të nenit 267 dhe 262/2/b të KPP, konsiston në 18 muaj.

9. Kushtet e refuzimit të ekstradimit. (Fjalë kyçe: Kërkesë për ekstradim, parim specialiteti, koha e kërkimit të garancive, burgim i përjetshëm, punë e detyruar)

vendimin nr.00-2024-1408(199), datë 25.07.2024, KPGJL interpreton se termi “etj” në kërkesën për ekstradim përbën shkelje të parimit të specialitetit duke lënë mundësinë që pas ekstradimit i dyshuari të akuzohet dhe për vepra të tjera penale. Garancitë në respektim të rregullit të specialitetit duhen dhënë që në fillim të procesit të ekstradimit. Gjykatat nuk duhet të mjaftohen vetëm me garanci formale të dhëna nga aktet e dosjes por duhet të kërkojnë garanci për mosprocedim për vepër tjetër penale, për dënimin që mund të jepet, mundësinë e rishikimit të tij apo lirimit parakohe me kusht si dhe natyrën e mënyrën si mund të zbatohet sanksioni i dyfishtë penal (punë e detyruar) i panjohur nga legjislacioni shqiptar (që gjykatat duhet ta kishin analizuar). Verifikimin për ekzistencën e mekanizmit të rishikimit të dënimeve me burgim të përjetshëm në shtetin kërkues për ekstradim (jo anëtar i BE-së) e kanë autoritetet shqiptare.

10. Mosdeklarimi, fshehja, deklarimi i pasaktë ose i rremë nga subjekti deklarues në formularin e vetëdeklarimit të çdo dënimi të formës së prerë, mase sigurimi personal, që provohet “përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”, përbën paraqitje të rrethanave të rreme para organeve shtetërore. (Fjalë kyçe: Formular vetdeklarimi, paraqitje e rrethanave të rreme, deklarim i pasaktë, deklarim i rremë, subjekt deklarues, shkak ndalues emërimi)

vendimin nr.00-2024-1462(207), datë 17.09.2024, KPGJL arsyeton se qënia i dënuar i subjektit apo ndaj të cilit janë marrë masa sigurimi ose është dënuar me vendim jopërfundimtar për kryerjen e krimeve të parashikuara nga ligji nr. 138/2015, vlerësohet nga organi kompetent nëse përbën apo jo shkak ndalues për zgjedhjen ose emërimin e tij në organet e zgjedhura shtetërore, institucionet e pavarura dhe atyre të krijuara me ligj, të administratës publike etj., apo shkak për largimin e tij nga këto funksione publike. Ndërsa mosdeklarimi, fshehja, deklarimi i pasaktë ose i rremë nga subjekti deklarues në formularin e vetëdeklarimit të çdo dënimi të formës së prerë, mase sigurimi personal, që provohet “përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”, përbën paraqitje të rrethanave të rreme para organeve shtetërore. 

11. Gjykata nuk mund të vendosë apriori mospranimin e ankimit duke cenuar aksesin në gjykatë kur nuk ka evidentuar të metat formale të ankimit. (Fjalë kyçe: Të meta formale ankimi, tagra përfaqësimi, akses në gjykatë)

vendimin nr.00-2024-1523(219), datë 24.09.2024, KPGJL arsyeton se gjykata nuk mund të vendosë apriori mospranimin e ankimit dukë cenuar aksesin në gjykatë kur nuk ka evidentuar të metat formale të ankimit (për mungesë të tagrave të përfaqësimit) dhe duke mos i dhënë kështu mundësi palës për plotësimin e tyre.

Kolegji civil i Gjykatës së Lartë

 

1. Kushtet e lëshimit të garancisë bankare për garantimin e shlyerjes së detyrimit. (Fjalë kyçe: Garanci bankare, shlyerje detyrimi, vlefshmëri veprimi)

vendimin nr.00-2024-4003(156),datë 27.03.2024KCGJL vlerëson se garancia bankare përbën një akt të njëanshëm me qëllim që të sjellë efekte juridike, që udhëhiqet nga dy parime bazë, të zbatueshme dhe në rastin objekt gjykimi: nga parimi i autonomisë dhe nga ai i përputhshmërisë së plotë. Kolegji vëren se në interpretim të tyre, pas kalimit të afatit të përcaktuar të garancisë bankare, ajo humb vlefshmërinë e saj dhe banka nuk ka më asnjë lloj detyrimi apo përgjegjësie për të kryer pagesa ndaj subjektit përfitues. Për këtë arsye, përcaktimi i afatit brenda të cilit garancia bankare është e vlefshme përbën element thelbësor të këtij akti, dhe kalimi i këtij afati e shkarkon bankën për të shlyer detyrimet që lindin jashtë kësaj periudhe të përcaktuar. Në rastin konkret, kur detyrimi i personit të tretë ndaj palës paditëse është paguar më shumë se sa vlera e faturuar nga pala paditëse e nuk ekziston më edhe për këtë arsye, padia e paraqitur është rrëzuar si e pambështetur në ligj dhe në prova.

2. Ndalimi i shqyrtimit nga gjykata kryesisht i vendimit të KKKP që ka marrë formë të prerë. (Fjalë kyçe: Padi njohje, vendim deklarativ, fuqi provuese, parimi i disponibilitetit, vendim i KKKP, parimi i sigurisë juridike, vendim i formës së prerë)

vendimin nr.00-2024-1899(241) datë 09.05.2024, KCGJL çmon se vendimi i gjykatës së rrethit, që shërben për të vërtetuar faktin juridik të pronësisë ka karakter deklarativ. Fakti i vërtetuar me këtë vendim gjyqësor nuk mund t’i kundrejtohet personave që nuk kanë qenë palë në gjykim dhe që kundërshtojnë ekzistencën e tij. Në interpretim të nenit 391 të KPC, sipas të cilit vendimi nuk ka fuqi provuese kundër personave fizikë a juridikë që nuk kanë qenë thirrur në rast se e kundërshtojnë faktin e vërtetuar në vendim, KCGJL arrin në konkluzionin se gjykata e apelit ka shkelur parimin e disponibilitetit pasi pa e patur objekt gjykimi vendimin e KKKP, ka vlerësuar dhe shqyrtuar kryesisht vlefshmërinë e këtij vendimi duke e konstatuar të pavërtetë. Parimi i sigurisë juridike dikton rregullin që ajo çfarë është vendosur në vendimin e Komisionit që ka marrë formë të prerë nuk duhet të diskutohet apo të vihet në pikëpyetje, për më tepër kryesisht nga gjykata pa e patur objekt kërkim.

3Momenti i fillimit të fazës së ekzekutimit të detyrueshëm dhe afatet e parashkrimit. (Fjalë kyçe: Dorëzania, titull ekzekutiv, kërkesë për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit, afat parashkrimi)

Në vendimin nr.00-2024-3525(246), datë 09.05.2024, KCGJL çmon se kur për efekt të nenit 600 të Kodit Civil barazohen kuptimi i kërkesëpadisë dhe kërkesës për lëshim urdhri ekzekutimi, për rastin kur dorëzania përbën titull ekzekutiv, do të thotë se kreditori për të parandaluar ecjen e afatit 6 mujor ose një vjeçar duhet t’i drejtohet gjykatës me kërkesë për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit brenda 6 muajve ose një viti, sipas nenit 600 të Kodit Civil. Në zbatim dhe të vendimit njësues civil nr.106, datë 02.03.2023 në rastin konkret, kolegji konstaton se pavarësisht se kreditori ka respektuar afatin e parë 6 mujor të parashkrimit duke kërkuar lëshimin e urdhrit të ekzekutimit brenda 6 muajve nga momenti kur detyrimi i dorëzanësit është bërë i kërkueshëm, ai nuk ka respektuar afatin e dytë 6 mujor, pasi kërkesën për fillimin e ekzekutimit të detyrueshëm e ka paraqitur 5 vjet më vonë nga momenti i lëshimit të urdhrit të ekzekutimit. Për rrjedhojë, dorëzania konsiderohet e shuar, për shkak se ka kaluar afati 6 mujor i parashkrimit i parashikuar për fazën e ekzekutimit të detyrueshëm të këtij detyrimi ndaj dorëzanësit. 

4. Vlefshmëria e aktmarrëveshjeve për kalimin e pjesës ideale të pasurisë së paluajtshme apo të drejtave reale mbi to. (Fjalë kyçe: Pavlefshmëri absolute, akt noterial, tagër përfaqësimi, veprim juridik i pavlefshëm)

vendimin nr.00-2024-2141(285), datë 15.05.2024, KCGJL vlerëson se aktmarrëveshja e disponimit për kalimin e pjesës ideale të pasurisë së paluajtshme në favor të paditësit vuan nga një sërë shkaqesh pavlefshmërie me karakter absolut. Së pari, veprimi juridik nëpërmjet të cilit palët kanë për qëllim tjetërsimin e pasurive të paluajtshme apo të drejtave reale mbi to, duhet të kryhet nga noteri, që verifikon ekzistencën e kësaj të drejte dhe informon palët lidhur me gjendjen juridike aktuale të pasurisë apo të drejtës reale. Një verifikim i tillë nuk mund të realizohet nëse noteri mjaftohet vetëm me vërtetimin e nënshkrimit të palëve, në një akt privat të realizuar jashtë zyrës noteriale. Së dyti, veprimi juridik i kryer në emër të të përfaqësuarit nga një përfaqësues i papajisur me tagra përfaqësimi apo në kapërcim të këtyre tagrave, përfaqëson një veprim juridik të pavlefshëm e për rrjedhojë të paefektshëm. Ky veprim juridik mund të bëhet efektiv vetëm nëse miratohet më vonë nga i përfaqësuari. KCGJL konkludon se për sa kohë veprimi juridik është në kundërshtim me ligjin, prej tij nuk mund të burojnë të drejta që gëzojnë mbrojtje në rrugë gjyqësore.

5. Mbivendosje e kërkimeve në padi lidhur me kontratën e huasë. (Fjalë kyçe: Kontratë huaje, pavlefshmëri e titullit ekzekutiv, pavlefshmëria e veprimit juridik)  

vendimin nr.­­­00-2024-2316(338), datë 30.05.2024KCGJL vlerëson se, për sa kohë ka mbivendosje të shkaqeve të padisë, ashtu sikundër dhe kërkimeve te saj, gjykata duhet të kishte sqaruar këtë moment procedural. Kontrata e huasë përbën një veprim juridik që, për çdonjërën nga palët e saj, nuk ka pengesë për të kërkuar nga gjykata anulimin si të pavlefshëm, brenda afatit ligjor të parashkrimit. Lëshimi i urdhrit të ekzekutimit për kontratën noteriale të huasë nuk e pengon paditësin të kontestojë këtë veprim juridik dhe të kërkojë anulimin e tij si të pavlefshëm nga gjykata, duke përdorur si mjet padinë sipas nenit 94 të Kodit Civil. Nga ana tjetër, paditësi, si palë debitorë në një procedurë ekzekutimi, ka si mjet mbrojtje edhe padinë për pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv, sipas nenit 609 të Kodit të Procedurës Civile, padi e cila ka në thelb kontestimin e debitorit për fuqinë ekzekutive të titullit ekzekutiv. 

 

6. Shpërblimi për përdorimin e pjesës së bashkëpronarëve. (Fjalë kyçe: Bashkëpronësi, bashkëpronarë, përdorim i pronës, frutet e sendit)

vendimin nr.00-2024-2608(378), datë 19.06.2024,KCGJL vlerëson se në çështjen konkrete të paditurit nuk kanë mohuar thjesht përdorimin e pronës nga bashkëpronarët e tjerë, por edhe titullin e bashkëpronësisë së tyre. Në këto kushte të paditurit janë të detyruar të shpërblejnë bashkëpronarët paditës për të gjithë kohën mbasi kanë ardhur në dijeni se nuk janë pronarë të vetëm. Pra, kur i padituri bashkëpronar refuzon të drejtën e bashkëpronësisë së bashkëpronarëve paditës, edhe pse ka ardhur në dijeni të kësaj të drejte, detyrohet të shpërblejë bashkëpronarin jopërdorues për gjithë kohën e përdorimit të pjesës së tyre, pasi konsiderohet posedues i paligjshëm me keqbesim i pjesës së këtyre bashkëpronarëve. Në këtë situatë ai mbart të njëjtat detyrime si dhe poseduesi i paligjshëm me keqbesim në padinë e rivendikimit dhe nuk mund të mbrohet nga neni 202 i Kodit Civil.

 

7. Kushtet e verifikimit të ligjshmërisë së titullit të pronësisë për kërkimin e lirimit dhe dorëzimit të sendit. (Fjalë kyçe: Padi rivendikimi, lirim sendi, titull pronësie) 

 

vendimin nr.00-2024-2834(393), datë 26.06.2024, KCGJL çmon se, me qëllim që të justifikohet ligjërisht, kërkimi për njohjen apo rivendosjen e një të drejte të shkelur ose të mohuar duhet të bëhet vetëm prej atij që i përket kjo e drejtë. Në rastin konkret, me padinë e rivendikimit mbi palën paditëse rëndon barra e provës për të provuar të drejtën e pronësisë dhe veçanërisht mënyrën e fitimit të saj. Referuar vendimit unifikues civil nr. 1/2009 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, pronësia mbi pasurinë e paluajtshme kalon në çastin e realizimit të veprimit juridik (lidhjes së kontratës së tjetërsimit). Është pikërisht ky i fundit dhe jo regjistrimi që i bëhet aktit në ZVRPP që vërteton ligjshmërinë e titullit të pronësisë. Çertifikata e pronësisë dhe kartela e pasurisë nuk përfaqësojnë titull pronësie dhe për pasojë kusht të ligjshmërisë së pronësisë mbi sendin. Kolegji vlerëson se vetëm pas kryerjes së një hetimi të gjithanshëm, jo vetëm mbi ligjshmërinë e titullit të pronësisë së palës paditëse, por edhe në raport me ekzistencën ose jo të paligjshmërisë së posedimit të palës së paditur, gjykata mund të disponojë në mënyrë përfundimtare rreth pranimit të padisë së rivendikimit për lirimin e dorëzimin e sendit. 

 

8. Kriteret formale të padisë dhe të ekzistencës ose jo të institutit të gjësë së gjykuar. (Fjalë kyçe:Kontratë dhurimi,gjë e gjykuar, prapësime)

 

vendimin nr.00-2024-3003(396),datë 26.06.2024KCGJLvlerëson se një padi nuk mund të merret në shqyrtim kur në situatën faktike, nuk njihet apo nuk evidentohet cënimi i një të drejte ose i një interesi që mund të pretendohet kundrejt palës tjetër ose mungojnë kushtet e tjera proceduriale në referencë të nenit 299 të Kodit të Procedurës Civile. Në analizë të objektit të mosmarrëveshjes del se gjëja e gjykuar ka të bëjë jo vetëm me pretendimet e ngritura në padi, por edhe me prapësimet e të paditurit si mjet mbrojtës me të cilën ai ka kundërshtuar në atë gjykim pretendimet e paditësit. Këto prapësime nuk mund të ngrihen nga pala në një gjykim tjetër nëpërmjet mjetit procedurial padi, për aq kohë sa kanë qënë lëndë shqyrtimi e kanë gjetur përgjigje në vendimin përfundimtar.

9. Padia për kërkimin e trashëgimit i nënshtrohet ligjit të kohës, kur ka vdekur trashëgimlënësi. (Fjalë kyçe: Pasuri trashëgimore, çelja e trashëgimisë, pavlefshmëri e testamentit, parashkrimi i padisë) 

vendimin nr.00-2024-3378(421), datë 10.07.2024, KCGJL vlerëson se, ligji i zbatueshëm për padinë e kërkimit të trashëgimisë, si pasojë e kërkimit të pavlefshmërisë, i referohet normës juridike në kohën e kryerjes së veprimit juridik, pra (lëshimit të testamentit). Në rastin konkret pavarësisht nga koha e ngritjes së padisë në bazë të nenit 318 të Kodit Civil në fuqi, trashëgimia rregullohet sipas ligjit të kohës kur është çelur. Gjithashtu si moment për fillimin e afatit të parashkrimit të padisë në rastin konkret do të konsiderohet koha e çeljes së trashëgimisë, e cila konsiderohet koha e vdekjes së trashëgimlënësit.

10. Interesat e shtetit në gjykim përfaqësohen ligjërisht nga Avokatura e Shtetit edhe pa praninë e organit që administron pasurinë. (Fjalë kyçe: Bashkëndërgjyqësia e detyrueshme, personi i tretë, njohja e kthimit të pronës, pronë publike) 

vendimin nr.00-2024-3274(443),datë 19.07.2024KCGJL çmon se organi shtetëror, që ka në administrim pasurinë, nuk mund të jetë pjesë e bashkëndërgjyqësisë së detyrueshme, pasi objekti i padisë dhe natyra e marrëdhënies juridike objekt gjykimi nuk i kundrejtohet këtij subjekti. Nisur nga veçantia e çështjes objekt gjykimi, ligji i posaçëm i ka deleguar Avokaturës së Shtetit të drejtën e përfaqësimit e të mbrojtjes së të drejtës së pronësisë së shtetit mbi pasurinë, e drejtë kjo e cila tejkalon tagrat e kufizuara të administrimit, që gëzojnë organet kompetente shtetërore mbi to. Në kushtet e pjesëmarrjes së saj në procesin e kthimit e të kompesimit të pronave si në rrugë administrative dhe gjyqësore interesat e shtetit në mbrojtjen e të drejtës së tij të pronësisë konsiderohen të përfaqësuara, gjë që bën të panevojshme thirrjen si person të tretë në proces të organit, që e administron pasurinë shtetërore.

11. E drejta e parablerjes së ish-pronarit në raport me bashkëpronarët. (Fjalë kyçe: E drejta e parablerjes, ish-pronar, bashkëpronar, përfaqësim ligjor, trashëgimtar, kthim fizik i pronës, përfaqësim pa tagra)

vendimin nr.00-2024-3280(460), datë 24.07.2024, KCGJL çmon se e drejta e parablerjes për ndërtesat e ndodhura brenda truallit të ish-pronarit përbën një të drejtë ligjore që mundëson kthimin fizik të posedimit të pasurisë truall te subjekti ish-pronar ose trashgimtarët e tij. Ky parashikim përbën një rast të përfaqësimit ligjor të të drejtës së të gjithë bashkëpronarëve pa qënë e nevojshme që ata të shfaqin në mënyrë të shprehur në një akt prokure vullnetin për kërkimin e kthimit të sendit. Pagesa e çmimit të blerjes së ndërtesës vetëm nga një prej bashkëpronarëve nuk mund të sjellë lindjen e të drejtës së pronësisë mbi pasurinë truall ose ndërtesë vetëm në emër të tij. Për aq kohë sa bashkëpronarët e tjerë nuk kanë hequr dorë nga kjo e drejtë, bashkëpronari vepron jo vetëm në emër e për llogari të tij por në emër e për llogari të gjithë bashkëpronarëve.

12. Gjykata kompetente për kërkime të ndërvarura lidhur me dëmin jashtëkontraktor. (Fjalë kyçe: Gjykata administrative, kompetencë lëndore, përgjegjësia jashtëkontraktore e organit, mosveprim i organit administativ, pavlefshmëri e aktit administrativ)

vendimin nr.00-2024-3294, datë 24.07.2024, KCGJL shprehet se kompetente në shqyrtimin e padisë për shpërblimin e dëmit jashtëkontraktor, kur është një kërkim i ndërvarur nga kërkimi kryesor i pavlefshmërisë së aktit administrativ, është gjykata administrative. Ky qëndrim pajtohet me vendimin njësues nr.154, datë 22.09.2023 të KAGJL, ku thuhet se “në rastin kur paligjshmëria e veprimit apo mosveprimit administrativ pretendohet si shkak thelbësor i dëmit dhe si e tillë përbën edhe vetë shkakun e padisë për dëmshpërblim, atëherë padia për shpërblimin e dëmit jashtëkontraktor, ndonëse proceduralisht është e pavarur, në kuptimin material ndërvaret nga fati i padisë për paligjshmërinë e veprimit apo mosveprimit administrativ”.

13. Radha e mjeteve të njoftimit të akteve procedurale. (Fjalë kyçe: Rregullat e njoftimit, nëpunës gjyqësor, njoftimi me shpallje, akte publike)

vendimin nr.00-2024-3488(479), datë 11.9.2024, KCGJL thekson se rregullat e njoftimit të akteve procedurale veprojnë sipas një rregulli vijues përjashtimor, që do të thotë se nuk mund të kalohet tek mjeti i mëpasshëm i njoftimit, pa provuar mjetin e njoftimit pararendës. Njoftimi me shpallje publike është rruga e fundit e njoftimit, pasi të jenë shteruar dhe të kenë dështuar format e tjera të parashikuara nga KPC lidhur me njoftimin e akteve.

 

2. Jurisprudencë e GJENDJ kundër Shqipërisë

1. Cenim i të drejtës për të patur një vendim gjyqësor të ekzekutuar brenda afatit të arsyeshëm. (Fjalë kyçe: Afat i arsyeshëm, ekzekutim në afat të arsyeshëm, vendim gjyqësor, rikthim në detyrë, pagim page)

çështjen Shkjezi kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 82151/17, vendimi i datës 24 tetor 2024, për moszbatimin e vendimit gjyqësor të formës së prerë brenda afatit të arsyeshëm, GJEDNJ vlerëson se kërkesa është e bazuar sepse autoritetet shtetërore nuk kanë treguar kujdesin e duhur për zbatimin e vendimit gjyqësor në kohë. Afati prej më tepër se 4 vitesh që i është dashur autoriteteve shtetërore për zbatimin e vendimit gjyqësor, nuk konsiderohet afat i arsyeshëm nga GJEDNJ. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-237511

3. Pasqyrimi i aktiviteteve të Gjykatës së Lartë

Në datat 1 – 2 tetor 2024 Kryetari i Gjykatës së Lartë z. Sokol Sadushi mori pjesë në ceremoninë tradicionale të hapjes së vitit gjyqësor të Anglisë dhe Uellsit në Londër. Kryetari Sadushi pati një takim të veçantë me Baroneshën Sue Carr of Walton-on-the-Hill, Lady Justice e Anglisë dhe Uellsit, e cila shprehu gatishmërinë e saj për shkëmbime të frytshme mes dy sistemeve ligjore. https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/media/kryetari-i-gjykates-se-larte-z.-sokol-sadushi-ne-ceremonine-e-hapjes-se-vitit-gjyqesor-te-anglise-dhe-uellsit 

Në datën 3 tetor 2024 Gjykata e Lartë u vizitua nga një grup i veçantë gjyqtarësh dhe prokurorësh, anëtarë të Shoqatës Gjermane të Gjyqtarëve. Vizitorët u mirëpritën nga Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë z. Ilir Panda, gjyqtari z. Sokol Ngresi, ndihmësmagjistratja znj. Alda Sadiku dhe juristi i Qendrës së Dokumentacionit z. Oltion Musaj dhe u njohën me mënyrën se si funksionon gjyqësori në Shqipëri, si dhe historikun e tij. https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/opendaygjykata/german-association-of-judges-(shoqata-gjermane-e-gjyqtareve)-viziton-gjykaten-e-larte 

Në 4 tetor 2024 Kryetari i Gjykatës së Lartë z. Sokol Sadushi mori pjesë në punimet e Konferencës së Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Bashkimit Evropian në Athinë. Pjesëmarrja e Gjykatës së Lartë në këtë konferencë të nivelit të lartë u bë me ftesë të Presidentit të Rrjetit Anders Eka dhe Kryetares së Gjykatës së Lartë të Greqisë Znj. Ioanna Klapa-Christodoulea. Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë ka statusin e anëtarit vëzhgues në Rrjetin e Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Bashkimit Evropian prej nëntorit 2016. https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/media/kryetari-i-gjykates-se-larte-z.-sokol-sadushi-merr-pjese-ne-punimet-e-konferences-se-kryetareve-te-gjykatave-te-larta-te-be 

Në datën 7 tetor 2024 Presidenti i Shoqatës Botërore të Juristëve z. Javier Cremades dhe delegacioni i drejtuar prej tij zhvilluan një takim me Kryetarin e Gjykatës së Lartë z. Sokol Sadushi dhe disa anëtarë të trupës gjyqësore. Kjo vizitë ishte një mundësi e shkëlqyer për të thelluar bashkëpunimin dhe shkëmbimin e eksperiencave mes gjyqtarëve dhe juristëve nga e gjithë bota, nëpërmjet pjesëmarrjeve të herëpasherëshme në kongreset dhe samitet e zhvilluara nga shoqata. https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/media/presidenti-i-shoqates-boterore-te-juristeve-viziton-gjykaten-e-larte

Në datat 9 – 11 tetor 2024 anëtari i Gjykatës së Lartë z. Asim Vokshi mori pjesë në konferencën vjetore dhe asamblenë e përgjithshme të Institutit Evropian të së Drejtës. Konferenca mblodhi bashkë gjyqtarë, akademikë, profesionistë, përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian dhe të institucioneve ndërkombëtare, si dhe përfaqësues të industrisë, për të diskutuar mbi projektet e institutit. Gjykata e Lartë është anëtare e Institutit që prej vitit 2013 me statusin e vëzhguesit, ndërkohë që gjyqtari Asim Vokshi është edhe individualisht anëtar i institutit.

Në datën 11 tetor 2024 anëtarët e Gjykatave të Larta të Shqipërisë dhe Kosovës u bënë bashkë në Durrës, në një tryezë të përbashkët me temë: “Funksioni rishikues i Gjykatës së Lartë si mjet për zbatimin e njësuar të ligjit – Përvojat respektive”. Aktiviteti u organizua nga Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë dhe kishte në qendër të diskutimeve tema që lidheshin me gjykimin në Gjykatën e Lartë, sfidat e përbashkëta të shkëmbimit të praktikave më të mira, si edhe perspektivat krahasuese mbi zbatimin e njesuar të ligjit. https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/media/gjykata-e-larte-e-shqiperise-dhe-gjykata-supreme-e-kosoves-ne-tryeze-te-perbashket-pune

Në datat 17 - 18 tetor 2024, në kuadër të projektit për të drejtat e njeriut dhe mjedisin e qëndrueshëm në Evropën Juglindore, anëtari i Gjykatës së Lartë z. Sokol Ngresi mori pjesë në konferencën rajonale të organizuar nga Këshilli i Evropës në Budva, në Malin e Zi. Konferenca trajtoi tema si të drejtat thelbësore mjedisore të njeriut, ligji dhe praktika procedurale mjedisore, duke ofruar gjithashtu një prezantim të mekanizmave ekzistues në këtë fushë. Z. Ngresi paraqiti një material të detajuar mbi kuadrin e brendshëm ligjor dhe disa nga problematikat që janë trajtuar nga sistemi ynë gjyqësor, shoqëruar me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë.

Në datën 25 tetor 2024, Kryetari i Gjykatës së Lartë z. Sokol Sadushi dhe Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë z. Ilir Panda morën pjesë në takimin e dytë vjetor të forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit. Ky aktivitet i veçantë bën bashkë gjyqtarë nga Gjykatat Kushtetuese të Bullgarisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Turqisë dhe Shqipërisë. https://gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/media/kryetari-i-gjykates-se-larte-z.-sokol-sadushi-merr-pjese-ne-takimin-e-dyte-vjetor-te-forumit-te-gjykatave-kushtetuese-te-ballkanitv 

4. Statistika

 

Vendime të dhëna nga Gjykata e Lartë për muajin shtator 2024

 

Kolegji Administrativ ka dhënë 220 vendime, nga të cilat 199 janë vendime themeli, 4 kompetencë/juridiksion, si dhe 17 pezullim ekzekutimi/revokim pezullimi/kërkesa të ndryshme.

 

Kolegji Civil ka dhënë 167 vendime, nga të cilat 153 janë vendime themeli, 1 kompetencë/juridiksion, si dhe 13 pezullim ekzekutimi/revokim pezullimi/kërkesa të ndryshme.

 

Kolegji Penal ka dhënë 172 vendime, nga të cilat 157 janë vendime themeli, 4 kompetencë/juridiksion, si dhe 11 pezullim ekzekutimi/revokim pezullimi/kërkesa të ndryshme.

 

Në total për muajin korrik 2024 janë dhënë 559 vendime gjyqësore.

 

5. Formati i rekursit në Gjykatën e Lartë

 

Gjykata e Lartë këshillon përdorimin e formatit të miratuar të rekursit, që gjendet në linkun: https://gjykata-media.s3.eu-central-1.amazonaws.com/format_rekursi_5207_1_3d 

 

6. Informacion mbi zgjidhjen e çështjeve gjyqësore

 

Gjykata e Lartë këshillon aksesimin e rubrikës njoftime për publikun, për t`u njohur me vendimmarrjet e përditshme të trupave gjyqësore të çdo kolegji të Gjykatës së Lartë në linkun: https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/publiku 

 

7. Vizitat në Gjykatën e Lartë (Gjykata e Hapur/Open court)

 

Gjykata e Lartë mundëson pjesëmarrjen e çdo të interesuari (qytetar, studiues, praktikant i së drejtës, student apo nxënës shkolle) në seanca gjyqësore apo që dëshiron të vizitojë institucionin, duke afruar veprimtarinë e saj të përditshme me publikun. Ky akses mundësohet përmes aplikimit të thjeshtë elektronik, duke plotësuar modulet (emër, mbiemër, email dhe përmbajtjen e mesazhit/arsyet e vizitës). Aplikoni duke vizituar linkun: https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/akrediti 

 

Kontakto:

 

Tel.: +355 4 2257304;

 

Fax: +355 (4) 228837;

 

Email: info@gjykataelarte.gov.al;

 

Adresa postare: Rruga: "Ibrahim Rugova", nr. 20, 1001, Tiranë, Shqipëri.