Juridiksioni gjyqësor lidhur me mosmarrëveshjet për shpërblimin e dëmit jopasuror(Fjalë kyçe: Dëmi jashtëkontraktor,ligj i pasacëm,juridiksion gjyqësor)
Në vendimin nr.00-2022-1722, datë 20.07.2022, ku shqyrtohet çështja e juridiksionit për padinë e shpërblimit të dëmit pasuror dhe jopasuror (biologjik, moral dhe ekzistencial), si pasojë e një aksidenti, KCGJL thekson se, sipas parimit të kontradiktoritetit, gjykata e shkallës së parë është e detyruar që të bazojë vendimin vetëm në fakte dhe çështje juridike të debatuara nga palët ndërgjyqëse, që i bëhen me dije atyre, në mënyrë që secila prej tyre të ketë mundësi të mbrohet dhe të ndikojë ligjërisht në përmbajtjen e vendimit gjyqësor. Në zbatim të vendimit njësues nr. 1, datë 26.11.2010 të Kolegjeve të Bashkuara, juridiksioni gjyqësor prezumohet, për sa kohë që ligji i posaçëm nuk parashikon ndjekjen e rrugës administrative.
Fillimi i ecjes së afatit të parashkrimit për paditë e shpërblimit të dëmit jokontraktor(Fjalë kyçe: afat parashkrimi, e drejta e padisë, dëmi jashtëkontraktor)
Në vendimin nr.00-2022-917(44), datë 01.02.2023, KCGJL çmon se afati i parashkrimit për paditë e shpërblimit të dëmit jokontraktor është 3-vjeçar. Afati i parashkrimit të padisë fillon nga dita kur subjektit i ka lindur e drejta e padisë. Sipas nenit 120 të Kodit Civil, për kërkimin e shpërblimit të dëmit jokontraktor, parashkrimi i padisë fillon nga dita kur i dëmtuari ka ditur ose duhej të dinte për dëmin e pësuar dhe për personin që e ka shkaktuar. Këto dy kushte duhet të ekzistojnë në mënyrë kumulative. Parashkrimi i padisë për paditësat ka filluar të ecë nga momenti kur janë dëmtuar dhe vënë në dijeni për personin që u ka shkaktuar dëmin.
Afati i parashkrimit të padisë së dëmit jashtëkontraktor, kur paguan siguruesi(Fjalë kyçe:dëmi jashtëkontraktor, afati i padisë)
Në vendimin nr.00-2023-1135(169), datë 27.03.2023, për shumën e paguar nga Byroja Shqiptare e Sigurimit për dëmin material që i është shkaktuar mjetit nga aksidenti i ndodhur, KCGJL vlerëson se ndodhemi përpara institutit të shpërblimit të dëmit jashtëkontraktor, për të cilin afati i ngritjes së padisë është 3 vjet. Për nisjen e afatit të parashkrimit të padisë në këtë rast duhet marrë në konsideratë dita kur paditësi (byroja) i ka paguar detyrimin ligjor personit të tretë. Personi i dëmtuar nga përdorimi i mjetit motorik ka të drejtë të kërkojë shpërblimin e dëmit nga fondi i kompensimit.
Shpërblimi i dëmit jopasuror nuk kërkon ekzistencën e fajit (Fjalë kyçe: dëmi jopasuror, sigurim i detyrueshëm,elementi faj)
Në vendimin nr.00-2023-1970(246), datë 20.04.2023, për shpërblimin e dëmit jopasuror nga aksidenti i shkaktuar, KCGJL çmon se dëmshpërblimi jepet jo vetëm kur ekziston faji nga ana e drejtuesit të mjetit. Togfjalëshi “nga përdorimi i mjetit” i përdorur në ligjin nr. 10076, datë 12.02.2009, “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, lidhet me sigurimin e detyrueshëm për përgjegjësinë ndaj dëmeve të shkaktuara palëve të treta nga përdorimi i mjetit. Nga interpretimi i fjalëpërfjalshëm i normës nuk kërkohet asnjë element tjetër, sikundër mund të jetë “faji” i drejtuesit të mjetit.
Masa e dëmshpërblimit jopasuror në rastet e vdekjes nga aksidenti (Fjalë kyçe:dëmi jopasuror, vlera e dëmshpëblimit, lloji i dëmit)
Në vendimin nr.00-2023-3247(435), datë 05.07.2023, për dëmin jashtëkontraktor të shkaktuar nga humbja e jetës së viktimës nga aksidenti, KCGJL shprehet se dëmshpërblimi që mund të përfitojnë familjarët në rast të vdekjes së personit në aksident nuk mund të kalojë maksimumin e dëmshpërblimit të përcaktuar për secilin nga llojet e dëmshpërblimeve, konkretisht të dëmshpërblimit jopasuror të akorduar në rastet e aksidenteve rrugor. Ligji parashikon se vlerat maksimale për shpërblimin e dëmit pasuror dhe jopasuror janë në varësi të llojit të dëmit të pësuar. Të gjitha këto vlera zbatohen duke mbajtur në konsideratë personin e dëmtuar drejtpërdrejt nga aksidenti dhe për rrjedhojë bëhet ndarja e këtyre vlerave midis familjarëve për secilën figurë, pa kaluar kufirin maksimal të mbulimit dhe jo të jepet vlera maksimale e dëmshpërblimit prej secilit prej familjarëve sikurse është vepruar në rastin konkret nga gjykatat e faktit.
Ligji i zbatueshëm në kohë për përllogaritjen e masës së dëmshpërblimit edhe në rastet e aksidentev (Fjalë kyçe: dëm jopasuror, masa e dëmshpërblimit, ligji i zbatueshëm)
Në vendimin nr.00-2023-3102(472), datë 19.07.2023, për shpërblimin e dëmit jashtëkontraktor, KCGJL vlerëson se ligji i zbatueshëm për të përcaktuar masën e dëmshpërblimit në aksidentet automobilistike është ligji që gjen zbatim gjatë kohës kur ndodh ngjarja e paligjshme. Rregullorja nr. 53/2009 e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare “Për trajtimin e dëmeve që mbulohen nga kontrata e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit” zbatohet me efekt prapaveprues edhe për çështjet që janë në shqyrtim nga shoqëritë e sigurimit apo edhe për çështjet që janë në gjykim në momentin e hyrjes në fuqi të saj.
Kushtet për përcaktimin e përgjegjësisë civile sipas neneve 609 dhe 622 të Kodit Civil (Fjalë kyçe: Dëmi jashtëkontraktor, përgjegjësi civile, lidhje shkakësore)
Në vendimin nr.00-2023-3264(492), datë 26.07.2023, për shpërblimin e dëmit jashtëkontraktor, KCGJL shprehet se ekzistenca e përgjegjësisë civile sipas nenit 622 të Kodit Civil provohet nga lidhja shkakësore mes dëmit dhe sjelljes së personit që e ka shkaktuar atë. Përgjegjësia civile në rastin e veprimtarive të rrezikshme për nga natyra e tyre prezumohet, pavarësisht nëse janë kryer apo jo veprime të kundërligjshme me apo pa faj. Ndërkohë, neni 609 i Kodit Civil përcakton se, për pranimin e përgjegjësisë civile jashtëkontraktore, duhet të vërtetohet lidhja shkakësore materiale ndërmjet sjelljes (veprimit a mosveprimit) së paligjshme me faj dhe dëmit të shkaktuar.
Aksesi në gjykatë parashikohet nga ligji dhe nuk është në diskrecion të gjykatës (Fjalë kyçe: Shpërblim dëmi, momenti i regjistrimit të kërkesëpadisë, e drejta e ankimit, kundërshtimi i vendimit të gjykatës, diskrecion i gjykatës)
Në vendimin nr.00-2023-3482(515), datë 20.09.2023, për shpërblimin e dëmit pasuror dhe jopasuror, kur ngjarja aksidentale ka ndodhur pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 10076/2009, nëse gjen zbatim rregullorja nr.53/2009 mbahet në vëmendje momenti i regjistrimit të kërkesë padisë në gjykatë sepse është ligji ai që përcakton rastet dhe mjetet e ankimit ndaj vendimeve gjyqësore, duke mos e lënë këtë çështje në diskrecion të gjykatës.
Shënim: Duke marrë parasysh që faqja e Gjykatës së Lartë është ende në përpunim, linqet e vendimeve përkatëse nuk janë bashkëlidhur materialit të mësipërm.