Detyrimi i thirrjes së të pandehurit në gjykim garanton parimin e kontradiktoritetit (Fjalë kyçe: njoftim efektiv, e drejta për tu mbrojtur, gjykim në mungesë, pavlefshmëri absolute)
Në vendimin nr.1209(244), datë 29.09.2022, KPGJL arsyeton se detyrimi i thirrjes së të pandehurit në gjykim garanton parimin e kontradiktoritetit dhe atë të së drejtës së të pandehurit për t’u mbrojtur dhe në rast se procesi gjyqësor zhvillohet duke mos realizuar njoftimin efektiv sipas neneve 140 dhe 141 të KPP, atëherë procesi konsiderohet absolutisht i pavlefshëm.
Kundër vendimit të gjykatës së apelit, që ka lejuar rivendosjen në afat të së drejtës së ankimit, nuk bëhet ankim së bashku me vendimin përfundimtar (Fjalë kyçe: mjet efektiv ankimi, rivendosje në afat, vendim i paankimueshëm, njoftimi i të pandehurit)
Në vendimin nr. 1422(225), datë 15.09.2022, KPGJL arsyeton se kundër vendimit të gjykatës së apelit, që ka lejuar rivendosjen në afat të së drejtës së ankimit (rekurs), nuk bëhet ankim së bashku me vendimin përfundimtar, pasi ai do të jepet nga Gjykata e Lartë dhe vendimi i saj nuk mund të ankimohet. Në këtë situatë, vendimi i gjykatës së apelit që lejon rivendosjen në afat të së drejtës së ankimit ngelet i paankimueshëm dhe kjo nuk përbën një shkelje të së drejtës për një mjet efektiv ankimi, pasi ky vendim mund të shihet si vendim i ndërmjetëm që jepet gjatë gjykimit për të siguruar zhvillimin e gjykimit në mënyrë të rregullt. Gjykata e apelit nuk mund të disponojë dhe as të riparojë të metat e një vendimi absolutisht të pavlefshëm të gjykatës së shkallës së parë, që nuk ka respektuar dispozitat për njoftimin e të pandehurit.
Afati të parashkrimit të ekzekutimit të dënimit fillon kur vendimi penal i huaj është përfundimtar (Fjalë kyçe: afat parashkrimi, vendim penal i huaj, ekzekutim dënimi)
Në vendimin nr.1411(257), datë 06.10.2022, KPGJL arsyeton se një vendim penal i huaj që të zbatohet në Republikën e Shqipërisë duhet të jetë përfundimtar. Afati i parashkrimit të ekzekutimit të dënimit fillon të ecë në momentin që vendimi penal i huaj është bërë i parevokueshëm/përfundimtar dhe jo në momentin e marrjes së vendimit për bashkimin e dënimeve në një të vetëm, pasi ky nuk përbën vendim gjyqësor të formës së prerë por ka vlerë vetëm për efekt të ekzekutimit të vendimit gjyqësor.
Njoftimi i vendimit për të pandehurin në rastin e mungesës së vullnetshme(Fjalë kyçe: gjykim në mungesë, mungesë e vullnetshme, njoftim vendimi)
Në vendimin nr. 95 (22), datë 19.01.2023, KPGJL, thekson se është i vërtetë fakti që në rastin e mungesës së vullnetshme, i pandehuri konsiderohet i pranishëm, por kjo nuk do të thotë se mjafton dijenia e mbrojtësit (qoftë ky edhe mbrojtësi i zgjedhur) për të konsideruar të njoftuar vendimin edhe për të pandehurin. Njohja me arsyet përse gjykata ka marrë një vendim të caktuar, duhet parë e lidhur me ushtrimin e të drejtave të tij në mënyrë efektive, përfshi këtu edhe të drejtën e ankimit ndaj vendimit gjyqësor.
Momenti i llogaritjes së afatit të parashkrimit të dënimit (Fjalë kyçe: afati i parashkrimit të dënimit, ekzekutim vendimi)
Në vendimin nr.00-2023-993(181), datë 13.07.2023, KPGJL çmon se momenti i fillimit të ecjes së afatit të parashkrimit të dënimit të dhënë për të pandehurin nuk llogaritet nga data kur është lëshuar urdhri i ekzekutimit të vendimit, por nga data kur vendimi i dënimit ka marrë formë të prerë. Dënimi i dhënë duhet të konstatohet i shuar, kur nga momenti që vendimi ka marrë formë të prerë deri në datën kur është paraqitur kërkesa në gjykatë ka kaluar afati 20 vjet i parashkrimit të ekzekutimit të këtij vendimi.
Akti i njoftimit të akuzës apo vendimi i dërgimit të çështjes në gjyq nuk janë veprime hetimore(Fjalë kyçe: veprime hetimore)
Në vendimin nr.00-2023-1242(226), datë 25.07.2023, KPGJL vëren se për qëllim të përcaktimit të nismës së prokurorit për dërgimin e çështjes në gjyq, akti i njoftimit të akuzës apo vendimi i dërgimit të çështjes në gjyq nuk mund të konsiderohen në kuptim të nenit 324/4 të KPP si veprime hetimore dhe, si të tilla, t’i nënshtrohen eventualisht sanksionit procedural të papërdorshmërisë. Me termin “veprime hetimore” duhet të kuptohen të gjitha ato veprime që janë ose mund të përbëjnë objekt prove, në lidhje me mjetet e provës dhe mjetet e kërkimit të provës, pra jo me të gjithë morinë e akteve të tjera që kryhen gjatë fazës së hetimeve paraprake në një procedim penal të caktuar.
Shënim: Duke marrë parasysh që faqja e Gjykatës së Lartë është ende në përpunim, linqet e vendimeve përkatëse nuk janë bashkëlidhur materialit të mësipërm.