Buletin Tematik nr. 13 - Gjykimi i shkurtuar

“Ecuria e qëndrimeve të Gjykatës së Lartë”

Nga analiza e vendimeve të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë rezulton se instituti i gjykimit të shkurtuar nuk trajtohet si një e drejtë absolute procedurale, por si një mekanizëm i kushtëzuar, i lidhur ngushtë me garantimin e të drejtës së mbrojtjes, parimin e barazisë së armëve dhe standardet kushtetuese të procesit të rregullt ligjor.

Në radhë të parë, Kolegji vendos theksin te ndërlidhja midis gjykimit të shkurtuar dhe cilësimit juridik të veprës penale. Në vendimin nr. 00-2021-739, Gjykata e Lartë sanksionon detyrimin procedural të gjykatës që, kur në përfundim të shqyrtimit gjyqësor konstaton nevojën për ndryshim të cilësimit juridik, të revokojë më parë vendimin për zhvillimin e gjykimit të shkurtuar, duke i bërë me dije të pandehurit dhe mbrojtjes mundësinë e këtij ndryshimi dhe duke garantuar ushtrimin efektiv të së drejtës së mbrojtjes. Kjo qasje konsolidohet më tej në vendimin nr. 00-2022-29 (34), ku Kolegji, duke iu referuar shprehimisht vendimit nr. 4/2012 të Gjykatës Kushtetuese, arrin në përfundimin se gjykimi i shkurtuar është i papajtueshëm me situatat kur ekziston mundësia reale e rëndimit të pozitës së të pandehurit, përmes ndryshimit të cilësimit juridik.

Më tej, në vendimin nr. 00-2023-1078 (191), Kolegji trajton pasojat e gjykimit të shkurtuar në shkallën e dytë, në raport me parimin e mosrëndimit të pozitës së të pandehurit. Theksohet se ndryshimi i një vendimi pafajësie të dhënë pas gjykimit të shkurtuar nuk mund të bazohet vetëm në një vlerësim të ndryshëm të të njëjtave prova, por kërkon përsëritje substanciale të shqyrtimit gjyqësor, me administrim të drejtpërdrejtë të provave të nevojshme dhe garantim të debatit kontradiktor. 

Në vendimin nr. 00-2023-1735 (285), Kolegji Penal është shprehur se detyrimi për rimarrjen e provave deklarative në apel vlen jo vetëm në rastet e gjykimit të zakonshëm, por edhe kur pafajësia e të pandehurit është deklaruar në përfundim të gjykimit të shkurtuar. Kolegji ka theksuar se, edhe në këtë procedurë të posaçme, dyshimi mbi besueshmërinë e provave deklarative nuk mund të tejkalohet ndryshe veçse përmes marrjes së drejtpërdrejtë të tyre, në prani të kontradiktoritetit të palëve dhe para një gjykate të paanshme.

Në vijim, vendimi njësues nr. 00-2024-2161 (167), konsolidon një qëndrim mbi ndalimin absolut të gjykimit të shkurtuar për veprat penale që parashikojnë dënim me burgim të përjetshëm, pavarësisht nga subjekti i veprës (gra apo të mitur) ose nga fakti nëse ligji penal material përjashton dhënien konkrete të këtij dënimi. Ky standard rikonfirmohet edhe në vendimin nr. 00-2025-1402 (221), ku Kolegji qartëson se ndalesa procedurale e nenit 403/2 të KPP lidhet ekskluzivisht me rrezikshmërinë abstrakte të veprës penale dhe nuk mund të relativizohet nga dispozita të Kodit Penal që rregullojnë individualizimin e dënimit.

Për më tepër, në vendimin nr. 00-2025-1032 (163), Gjykata e Lartë analizon të drejtën për kërkesë për gjykim të shkurtuar në seancën paraprake, duke refuzuar një interpretim formalist të neneve 403 dhe 405/7 të KPP. Theksohet se mosparaqitja e të pandehurit në seancën paraprake nuk mund t’i atribuohet atij dhe nuk mund të sjellë humbjen e kësaj të drejte, kur ai nuk është njoftuar personalisht dhe mungesa nuk rezulton si pasojë e vullnetit të tij të lirë.

Së fundi, vendimi njësues nr. 00-2025-2162 (275), shënon konsolidimin e praktikës mbi përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor në apel, duke sqaruar se gjykimi i shkurtuar në shkallë të parë nuk e pengon gjykatën e apelit të marrë prova të reja dhe të zhvillojë një shqyrtim të plotë, për sa kohë respektohen garancitë procedurale dhe ruhet përfitimi i uljes së një të tretës së dënimit në rast të deklarimit fajtor.

 

vendime të kolegjit penal që trajtojnë gjykimin e shkurtuar

 

  1. Vendimi nr. 00-2021-739, datë 04.11.2021 i Kolegjit Penal

(Revokimi i kërkesës për gjykim të shkurtuar kur konstatohet se duhet ndryshuar cilësimi juridik i veprës)

Maksima - Kur gjykata, në përfundim të shqytimit gjyqësor, konstaton se duhet të ndryshojë cilësimin juridik, ajo duhet të revokojë vendimin për zhvillimin e gjykimit të shkurtuar, duke i bërë me dije të pandehurit dhe mbrojtjes mundësinë e ndryshimit të cilësimit juridik dhe duke i garantuar të drejtën e mbrojtjes. Vetëm pas një procedure të tillë, gjykata mund të shpallë moskompetencën lëndore dhe t’ia dërgojë aktet gjykatës kompetente.

Fjalët kyçe - gjykata kompetente, parimi i barazisë së armëve, revokim i kërkesës për gjykim të shkurtuar, gjykim i zakonshëm, proces i rregullt ligjor, ndryshim cilësimi juridik.

Përmbledhja - Në çështjen në shqyrtim ekziston konflikti për kompetencë, pasi dy gjykata të ndryshme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës, nuk pranojnë të gjykojnë çështjen e paraqitur, konkretisht kërkesën për gjykimin e të pandehurit akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 i KP. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës ka pranuar kërkesën e të pandehurit për të proceduar me gjykim të shkurtuar në lidhje me veprën penale “Shpërdorim detyre”, por në fund gjykata ka konkluduar se veprimet e tij përbëjnë konsumim të një vepre penale më të rëndë dhe për këtë shkak ka shpallur moskompetencën lëndore duke i’a dërguar aktet gjykatës kompetente. Kolegji vlerëson se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës duke vepruar në këtë mënyrë i ka cenuar të pandehurit të drejtën e mbrojtjes në lidhje me veprën penale për të cilën, gjykata ka ndryshuar cilësimin juridik. Në rastin konkret, gjykata nëse në përfundim të shqytimit gjyqësor do të konstatonte se duhet të ndryshonte cilësimin juridik, ajo duhet të revokonte vendimin për zhvillimin e gjykimit të shkurtuar, duke i bërë me dije të pandehurit dhe mbrojtjes mundësinë e ndryshimit të cilësimit juridik dhe duke i garantuar të drejtën e mbrojtjes. Vetëm pas një procedure të tillë, gjykata mund të shpallte moskompetencën lëndore dhe t’ia dërgonte aktet gjykatës kompetente.

  1. Vendimi nr. 00-2022-29 (34), datë 27.01.2022 i Kolegjit Penal 

(Refuzimi i gjykimit të shkurtuar është i detyrueshëm kur ndryshimi i cilësimit juridik në rëndim të të pandehurit cenon të drejtën e mbrojtjes dhe standardet kushtetuese të procesit penal)

Maksima - Kur ekziston mundësia reale që, në përfundim të gjykimit, faktit penal t’i jepet një cilësim juridik më i rëndë se ai i ngritur nga organi i akuzës, veçanërisht për shkak të rrethanës cilësuese të bashkëpunimit, gjykata është e detyruar të refuzojë aplikimin e gjykimit të shkurtuar, pasi ndryshimi i cilësimit juridik në këtë rit procedural bie ndesh me të drejtën e mbrojtjes dhe me standardet kushtetuese të procesit të rregullt ligjor.

Fjalët kyçe – ndryshim cilësimi juridik, rrethanë cilësuese, rëndim i pozitës së të pandehurit, gjykim i shkurtuar, e drejta e mbrojtjes, vendim i Gjykatës Kushtetuese nr. 4/2012.

Përmbledhja - Në këtë çështje, u shqyrtua rekursi i paraqitur nga Prokuroria kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kundër vendimit të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, e cila në kushtet e konstatimit të pabazueshmërisë së vendimit të Gjykatës për Krime të Rënda vetëm sa i përket mosaplikimit të ritit procedural të "gjykimit të shkurtuar", dhe në pamundësi për të "rikthyer" situatën në gjendjen e mëparshme përsa kohë gjykimi i çështjes është realizuar normalisht me procedurën e "gjykimit të zakonshëm", kishte ulur masën përfundimtare të dënimit në aplikim të nenit 406/1 të KPP, si opsion në favor të të pandehurit. Çështja kishte të bënte me akuzën për veprën penale të “trafikimit të narkotikëve”, mbetur në tentativë, ku ishte provuar se i pandehuri kishte ndërmarrë veprime konkrete për eksportimin e një sasie të konsiderueshme lënde narkotike jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet pikës së kalimit kufitar Kapshticë, veprimtari që ishte ndërprerë për shkaqe të pavarura nga vullneti i tij. Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, pas zhvillimit të gjykimit të zakonshëm, kishte arritur në përfundimin se vepra penale ishte kryer në bashkëpunim, duke i dhënë faktit penal një cilësim më të rëndë nga ai i parashtruar fillimisht nga prokuroria, dhe për këtë arsye kishte refuzuar kërkesën e të pandehurit për gjykim të shkurtuar. Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, ndonëse kishte lënë në fuqi cilësimin juridik dhe deklarimin fajtor të të pandehurit, kishte vlerësuar se refuzimi i gjykimit të shkurtuar nga gjykata e shkallës së parë ishte i pabazuar dhe, si “riparim” të kësaj shkeljeje procedurale, kishte aplikuar zbritjen e një të tretës së dënimit sipas nenit 406 të KPP. Kolegji Penal, duke analizuar shkaqet e rekursit, vlerësoi se qëndrimi i Gjykatës së Apelit binte ndesh me standardet e detyrueshme të përcaktuara në vendimin nr. 4/2012 të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit, në gjykimin e shkurtuar, ndryshimi i cilësimit juridik të veprës penale në rëndim të pozitës së të pandehurit cenon të drejtën e mbrojtjes dhe e bën këtë rit procedural të papajtueshëm me qëllimin e tij kushtetues. Kolegji theksoi se, në kushtet kur gjykata e shkallës së parë kishte konstatuar ekzistencën e rrethanës së bashkëpunimit, refuzimi i gjykimit të shkurtuar ishte i drejtë dhe në përputhje me jurisprudencën kushtetuese. Në këtë kontekst, Kolegji Penal çmoi se Gjykata e Apelit nuk kishte pasur bazë ligjore për të aplikuar zbritjen e dënimit. Për rrjedhojë, u prish vendimi i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda dhe u la në fuqi vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

  1.  Vendimi nr. 00-2023-1078 (191), datë 30.06.2023 i Kolegjit Penal 

(Mosrëndim i pozitës së pandehurit)

Maksima - Gjykata e apelit, në rast se ndryshon një vendim pafajësie të dhënë pas gjykimit të shkurtuar dhe deklaron fajtor të pandehurin, nuk mund ta bëjë këtë vetëm mbi bazën e një vlerësimi të ndryshëm të të njëjtave prova, pa respektuar kushtet dhe garancitë procedurale të parashikuara nga neni 427/4 i KPP dhe pa cenuar përfitimet e fituara nga i pandehuri nga gjykimi i posaçëm.

Fjalët kyçe - gjykim i shkurtuar, përsëritje e shqyrtimit gjyqësor, mosrëndim i pozitës së të pandehurit, ndryshim i vendimit të pafajësisë, rihapje e hetimit gjyqësor.

Përmbledhja - Në këtë çështje, u shqyrtua rekursi i të gjykuarit X kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë, e cila kishte ndryshuar vendimin e shkallës së parë dhe e kishte deklaruar fajtor për veprën penale të “drejtimit të automjeteve në mënyrë të parregullt”, sipas nenit 291 të KP. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pasi e kishte gjykuar çështjen me gjykim të shkurtuar, vendosi pushimin e çështjes penale. Prokurori e ankimoi vendimmarjen dhe Apeli e ndryshoi vendimin duke e shpallur fajtor të pandehurin dhe i aplikoi uljen 1/3 të dënimit si pasojë e këtij riti. Në rekurs, i gjykuari pretendoi se apeli kishte rënduar pozitën e tij mbi të njëjtat fakte e prova, pa kryer një përsëritje reale të shqyrtimit gjyqësor, duke keqinterpretuar nenin 427/4 të KPP në raport me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Kolegji konstatoi se gjykimi në shkallë të parë ishte zhvilluar mbi bazën e akteve të fashikullit, pa fazën e marrjes së provave, ndërsa në apel, ndonëse prokurori nuk kishte kërkuar përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor, gjykata vendosi kryesisht “përsëritjen”, por e realizoi vetëm me administrimin e akteve të fashikullit dhe pa e transformuar realisht në shqyrtim të drejtpërdrejtë provash, ndërkohë që në përfundim e ndryshoi vendimin e pafajësisë dhe e shpalli fajtor të pandehurin. Kolegji arriti në përfundimin se ky zbatim i nenit 427/4 të KPP ishte i gabuar, pasi “përsëritja e shqyrtimit gjyqësor”, e lexuar sistematikisht me nenet 403 e vijues dhe në dritën e standardeve kushtetuese dhe të GJEDNJ për gjykim të drejtë, nuk mund të mbetet formale. Kur pozita e të pandehurit rëndohet në apel pas një vendimi pafajësie, kërkohet rihapje substanciale e hetimit gjyqësor me administrim të drejtpërdrejtë të provave të nevojshme dhe garantim të debatit kontradiktor, që ndryshimi i vendimit të mos mbështetet në rivlerësim të të njëjtave prova. Për këtë arsye, Kolegji prishi vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë dhe la në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

  1.  Vendimi nr. 00-2023-1735 (285), datë 31.10.2023 i Kolegjit Penal

(Rishqyrtimi gjyqësor në funksion të rimarrjes së provave deklaruese)

Maksima - Rishqyrtimi gjyqësor në apel, në funksion të rimarrjes së provave të karakterit deklarativ, mbi bazën e të cilave është vendosur pafajësia e të pandehurit në përfundim të gjykimit të shkurtuar në shkallë të parë, është absolutisht i domosdoshëm, pasi dyshimi mbi besueshmërinë e tyre, si në gjykimin e zakonshëm ashtu edhe në gjykimin e shkurtuar, mund të tejkalohet vetëm përmes marrjes së drejtpërdrejtë të provës në prani të kontradiktoritetit të palëve para një gjykate të paanshme.

Fjalë kyçe - deklarim fajësie në apel, rishqyrtim në apel, rimarrja e provave deklarative, besueshmëria e provës, proces i rregullt ligjor.

Përmbledhja – Në këtë çështje, u shqyrtua rekursi i paraqitur nga i pandehuri X kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë, e cila kishte ndryshuar vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin dhe e kishte deklaruar atë fajtor për veprën penale të “Kultivimit të bimëve narkotike”, në bashkëpunim. Gjykata e shkallës së parë, nën ritin e gjykimit të shkurtuar, kishte arritur në përfundimin se përgjegjësia penale për kultivimin e bimëve narkotike ishte provuar vetëm ndaj të pandehurit Y, ndërsa për X kishte vendosur pushimin e çështjes, për mungesë provash lidhur me ekzistencën e bashkëpunimit dhe me aplikimin e parimit in dubio pro reo. Në ndryshim nga ky qëndrim, Gjykata e Apelit Tiranë, pas pranimit të apelit të prokurorit, kishte rivlerësuar ndryshe provat deklarative të administruara në shkallë të parë dhe pa rimarrë drejtpërdrejt këto prova, kishte deklaruar fajtor edhe të pandehurin X. KPGJL vlerësoi se Gjykata e Apelit ka zbatuar gabim nenin 427/4 të KPP, i cili parashikon detyrimin për përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor në rastet kur, mbi bazën e një vlerësimi të ndryshëm të provave, synohet deklarimi fajtor i një të pandehuri të shpallur më parë i pafajshëm. Sipas Kolegjit, ky detyrim nuk përmbushet me një lexim formal të deklarimeve të marra gjatë hetimeve ose gjykimit në shkallë të parë, por kërkon marrjen e drejtpërdrejtë të provave deklarative nga Gjykata e Apelit, për të mundësuar një vlerësim të plotë të besueshmërisë së tyre. Në këto kushte, Kolegji Penal arriti në përfundimin se vendimi i Gjykatës së Apelit është marrë në kundërshtim me nenin 427/4 të KPP dhe standardet e nenit 6 të KEDNJ, duke e bërë atë proceduralisht të pavlefshëm.

  1.  Vendimi njësues nr. 00-2024-2161 (167), 04.07.2024 i Kolegjit Penal 

(Edhe për subjektet gra dhe të mitur nuk lejohet kërkesa për gjykim të shkurtuar për veprat penale për të cilat parashikohet dënim me burgim të përjetshëm)

Maksima - 1. Ndalimi i parashikuar nga neni 403, pika 2 i KPP, zbatohet edhe për subjektet ndaj të cilëve ligji penal ndalon dhënien e dënimit me burgim të përjetshëm. 2. Kur akuza është për një vepër penale që përmban dënimin me burgim të përjetshëm, por është cilësuar e mbetur në tentativë, nuk zbatohet procedura e gjykimit të shkurtuar. 3. Nëse gjykatat në përfundim të gjykimit të zakonshëm, i japin faktit një cilësim tjetër juridik për një vepër penale që nuk parashikon dënimin me burgim të përjetshëm, duhet të zbatojnë nenin 406/1 të KPP në lidhje me masën e dënimit edhe nëse akuza është ngritur për një vepër penale që parashikon dënim me burgim të përjetshëm dhe gjyqtari i seancës paraprake e ka dërguar në gjyq për këtë akuzë. Ky përfundim zbatohet, me kusht që të plotësohen elementet e mëposhtme: a. Të jetë paraqitur kërkesë për gjykim të shkurtuar nga i pandehuri në përputhje me parashikimet e paragrafit të parë të nenit 403 të KPP, e shoqëruar me kërkimin e tij për ndryshimin e cilësimit juridik të faktit, për një vepër penale që nuk parashikon dënim me burgim të përjetshëm. b. Të çmohet që çështja mund të zgjidhej në gjendjen që janë aktet, duke mbajtur në konsideratë edhe pikën 7 të nenit 405 të KPP.”

Fjalët kyçe - burgim i përjetshëm,i mitur, vrasje në rrethana të tjera cilësuese, gjendje që janë aktet, vepër e mbetur në tentativë, gjyqtar i seancës paraprake, gjykim i shkurtuar, vrasje me dashje.

Përmbledhja - Në këtë çështje, KPGJL vlerësoi me rëndësi njësimin e praktikës si pasojë e praktikave të ndryshme të Kolegjit Penal në drejtim të zbatimit të nenit 403/2 të KPP, për veprat penale që parashikojnë dënim me burgim të përjetshëm kur të akuzuar janë persona ndaj të cilëve ligji ndalon dhënien e një dënimi të tillë. KPGJL ka evidentuar se çështja e zbatimit apo jo të kësaj dispozite për veprat penale që parashikojnë dënim me burgim të përjetshëm kur të akuzuar janë persona ndaj të cilëve ligji ndalon dhënien e një dënimi të tillë (gra dhe të mitur), ka qenë e diskutueshme dhe ka sjellë qëndrime të ndryshme jo vetëm midis Kolegjeve të Gjykatës së Lartë por edhe në praktikën e gjykatave më të ulëta. Si rrjedhim, KPGJL vendosi njësimin e praktikës.

  1.  Vendimi njësues nr. 00-2025-2162 (275), datë 06.11.2024 i Kolegjit Penal 

(Nëse çështja është gjykuar në shkallë të parë me procedurën e gjykimit të shkurtuar, parashikimi i nenit 427/4, të KPP nuk e pengon gjykatën e apelit të përsërisë shqyrtimin gjyqësor edhe përmes marrjes së provave të reja)

Maksima – 1.Parashikimi i nenit 427, pika 4, të KPP nuk e detyron Gjykatën e Apelit që në çdo rast kur apelohet vendimi i pafajësisë, të përsërisë shqyrtimin gjyqësor. Kur gjykata vendos përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor, e vlerëson këtë disponim në raport me nevojën e verifikimit të fakteve ose provave të çështjes në gjykim, nëse në apel janë ngritur çështje të vlerësimit të gabuar të provave nga gjykata e shkallës së parë. 1.1. Vendimmarrja e Gjykatës së Apelit për përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor kushtëzohet nga kërkimi i prokurorit në apel për vlerësim të gabuar të provave nga gjykata e shkallës së parë, por kur Gjykata e Apelit e çmon të domosdoshme, mund të marrë prova të tjera edhe kryesisht, me qëllim garantimin e kontrollit efektiv rishikues. 2.Gjatë gjykimit në shkallë të dytë, në përputhje me nenin 427, pika 4 të KPP, gjykata ka detyrimin të përsërisë shqyrtimin gjyqësor duke marrë provat deklarative që janë të nevojshme në drejtim të përcaktimit të fajësisë ose pafajësisë së të pandehurit. 3.Nëse çështja është gjykuar në shkallë të parë me procedurën e gjykimit të shkurtuar, parashikimi i nenit 427, pika 4, të KPP nuk e pengon Gjykatën e Apelit të përsërisë shqyrtimin gjyqësor edhe përmes marrjes së provave të reja. Të pandehurit i takon e drejta e përfitimit të uljes së një të tretës së dënimit, në rastin e dhënies së vendimit të fajësisë nga ana e Gjykatës së Apelit.

Fjalë kyçe – përsëritje shqyrtimi gjyqësor, apelim vendimi, vendim pafajësie, marrje provash të reja, kontroll efektiv rishikues, gjykim i shkurtuar.

Përmbledhja – Në këtë çështje, evidentohet se, në rekursin e paraqitur nga i gjykuari, ngrihen shkaqe që lidhen me zbatimin e ligjit procedural të një rëndësie themelore për njësimin dhe zhvillimin e praktikës gjyqësore, paraqiten pretendime për shkelje procedurale gjatë gjykimit të çështjes pranë Gjykatës së Apelit, në zbatimin e nenit 427 të KPP “përsëritja e shqyrtimit gjyqësor” dhe në veçanti për zbatimin e nenit 427/4 të KPP, në lidhje me detyrimin e Gjykatës së Apelit për të përsëritur shqyrtimin gjyqësor, kur i pandehuri është deklaruar i pafajshëm, e në pamundësinë që kjo gjykatë të vendosë për deklarimin fajtor vetëm mbi vlerësimin ndryshe të provave të marra në gjykimin e shkallës së parë. Gjithashtu konstatohet se vendimi i Gjykatës së Apelit ka trajtuar disa nga çështjet që lidhen me zbatimin e nenit 427/4 të KPP, që lidhen me interpretimin e termit “Përsëritje e shqyrtimit gjyqësor”, masën e përsëritjes së shqyrtimit gjyqësor, kuptimin e vlerësimit të gabuar të provës e mundësinë e përsëritjes së shqyrtimit gjyqësor në gjykimin në apel pa kërkesë të prokurorit. KPGJL konstatoi se për çështje të zbatimit të nenit 427/4 të KPP ka praktika të ndryshme nga ana e gjykatave të apeleve, si dhe kuptime të ndryshme në lidhje me praktikat e  KPGJL, konkretisht në lidhje me zbatimin e nenit 427/4 të KPP, nëse përmbajtja e këtij rregullimi e detyron Gjykatën e Apelit, që në çdo rast kur apelohet vendimi i pafajësisë të përsërisë shqyrtimin gjyqësor tërësisht apo pjesërisht, nëse vendimi për përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor, kushtëzohet nga shkaqet e paraqitura në apel nga prokurori, e se cilat prova mund të merren gjatë gjykimit në apel në rast të përsëritjes së shqyrtimit gjyqësor, sipas nenit 427/4 të KPP, si dhe në rast se çështja është gjykuar në shkallë të parë me procedurën e gjykimit të shkurtuar, nëse duhet të zbatohet parashikimi i pikës 4 të nenit 427 të KPP në lidhje me përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor dhe marrjen e provave të reja dhe nëse ruhet përfitimi nga gjykimi i shkurtuar. Si rrjedhim, KPGJL vendosi njësimin e praktikës gjyqësore lidhur me zbatimin e nenit 427/4 të KPP, pas ndryshimeve ligjore që ka pësuar kjo dispozitë, me hyrjen në fuqi të ligjit nr. 35/2017, datë 30.03.2017.

  1. Vendimi nr. 00-2025-1032 (163), datë 26.06.2025 i Kolegjit Penal 

(E drejta për gjykim të shkurtuar dhe pasojat procedurale të mungesës së të pandehurit të panjoftuar në seancën paraprake)

Maksima - Refuzimi i kërkesës për gjykim të shkurtuar për shkak të mosparaqitjes së të pandehurit në seancën paraprake nuk mund t’i atribuohet atij, kur ky i fundit nuk është njoftuar personalisht për zhvillimin e seancës dhe kur mbrojtësi i zgjedhur ka njoftuar gjykatën për pamundësinë e pjesëmarrjes. Në këto rrethana, mohimi i gjykimit të shkurtuar përbën zbatim të gabuar të ligjit procedural penal dhe cenon të drejtën për një proces të rregullt ligjor.

Fjalët kyçe - refuzim i gjykimit të shkurtuar, e drejta për t`u mbrojtur, gjykim në mungesë, mungesa e të pandehurit në seancë paraprake, mosnjoftim i të pandehurit për seancën, proces i rregullt ligjor.

Përmbledhja -  Çështja ka të bëjë me gjykimin penal ndaj të pandehurit X, i dënuar për veprat penale të “Prodhim dhe shitje e narkotikëve” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve shpërthyese dhe municionit”. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat e ka deklaruar fajtor dhe e ka dënuar me 5 vjet burgim, vendim i lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Tiranë. Në rekurs, i gjykuari ka kundërshtuar kryesisht refuzimin e kërkesës së tij për aplikimin e gjykimit të shkurtuar, duke pretenduar se kjo e drejtë i është mohuar në mënyrë të kundërligjshme, për shkak se seanca paraprake është zhvilluar në mungesë të tij, pa u njoftuar personalisht, ndërkohë që mbrojtësi i zgjedhur kishte njoftuar gjykatën me e-mail për pamundësinë e pjesëmarrjes. Nga aktet rezulton se i pandehuri nuk ka marrë dijeni personalisht për seancën paraprake, ndërsa njoftimi është kryer nëpërmjet familjarëve. Po ashtu, rezulton se mbrojtësi i zgjedhur ka dërguar një kërkesë për shtyrje seance me e-mail pak minuta para zhvillimit të saj, kërkesë e cila, për arsye objektive, nuk i është bërë e ditur gjyqtarit të seancës. Në këto rrethana, Kolegji çmon se mosparaqitja e kërkesës për gjykim të shkurtuar në seancën paraprake nuk mund t’i faturohet të pandehurit dhe se refuzimi automatik i kësaj kërkese, pa një analizë konkrete mbi mundësinë e zgjidhjes së çështjes në gjendjen e akteve, nuk përputhet me standardet kushtetuese dhe ato të GJEDNJ për garantimin e një procesi të rregullt ligjor. Gjithashtu, Kolegji vëren se gjykatat më të ulëta kanë bërë një interpretim formalist të neneve 403 dhe 405/7 të KPP, duke mos vlerësuar në mënyrë të balancuar të drejtën e të pandehurit për të përfituar nga një procedurë e posaçme, veçanërisht në kushtet kur mungesa e tij në seancën paraprake nuk ka qenë pasojë e vullnetit të tij të lirë dhe të informuar. Për këto arsye, Kolegji Penal arrin në përfundimin se vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë duhet të prishet dhe çështja të kthehet për rishqyrtim në këtë gjykatë, me tjetër trup gjykues.

 

  1. Vendimi nr. 00-2025-1402 (221), data 23.09.2025 i Kolegjit Penal 

(Ndalimi absolut i gjykimit të shkurtuar për veprat me burgim të përjetshëm)

Maksima - Ndalimi i gjykimit të shkurtuar për veprat penale që parashikojnë dënim me burgim të përjetshëm është absolut dhe lidhet vetëm me natyrën dhe rrezikshmërinë e veprës penale, jo me subjektin apo veçoritë personale të autorit. Ky ndalim nuk cenohet nga dispozitat që përjashtojnë gratë nga burgimi i përjetshëm.

Fjalët kyçe - gjykim i shkurtuar, rrezikshmëri vepre, arsyetim vendimi, burgim i përjetshëm, masë dënimi, vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare.

Përmbledhja - Në këtë çështje, e pandehura është deklaruar fajtore nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprën “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” (neni 79/c i KP, me dënim maksimal burgim të përjetshëm). Gjykata pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar dhe, pas uljes së 1/3 së dënimit, e dënoi përfundimisht me 14 vjet burgim, vendim i lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Tiranë, e cila argumentoi se ndalimi i gjykimit të shkurtuar sipas nenit 403/2 të KPP nuk zbatohet për gratë, për sa kohë ato nuk mund të dënohen me burgim të përjetshëm. KPGJL, pasi shqyrtoi rekurset e Prokurorisë dhe të të pandehurës, çmoi se gjykatat e faktit kanë zbatuar gabim nenin 403 të KPP, duke theksuar se ndalesa procedurale është absolute dhe lidhet vetëm me natyrën e veprës (fakti që ligji parashikon burgim të përjetshëm si sanksion maksimal) dhe jo me subjektin apo rrethanat individuale të autorit, ndërsa neni 32 i KP, që përjashton gratë nga dënimi me burgim të përjetshëm, nuk prek këtë regjim procedural, pasi rregullon një çështje tjetër dhe nuk krijon përjashtim nga ndalesa e nenit 403/2 të KPP. Për rrjedhojë, lejimi i gjykimit të shkurtuar përbën shkelje thelbësore të ligjit procedural penal. Njëkohësisht, Kolegji konstaton se Gjykata e Apelit nuk i është përgjigjur në mënyrë të plotë shkaqeve të apelit që kërkonin zbatimin e dënimit nën minimumin ligjor, duke u mjaftuar me referime të përgjithshme për individualizimin e dënimit, pa analizuar konkretisht rrethanat lehtësuese të pretenduara nga e pandehura dhe pa shpjeguar pse nuk mund të aplikohej neni 53 KP, çka cenon nenin 383 të KPP dhe parimin e individualizimit të dënimit. Për rrjedhojë, Kolegji prishi vendimin e Gjykatës së Apelit dhe urdhëroi kthimin e çështjes për rigjykim me procedurë të zakonshme, me administrim të plotë të provave dhe debat të plotë gjyqësor, para një trupi tjetër gjykues.

 

vendime të gjednj që lidhen me standardin e gjykimit të shkurtuar

 

  1. Scoppola kundër Italisë (nr. 10249/03, vendimi i Dhomës së Madhe i datës 17 shtator 2009)

Maksima – Kërkesa për zhvillimin e procedimit sipas gjykimit të shkurtuar përbën heqje dorë të qartë dhe të vullnetshme nga disa garanci procedurale të nenit 6 të Konventës, e cila është e pranueshme vetëm nëse shteti vepron në mirëbesim, respekton zgjedhjet procedurale të mbrojtjes dhe nuk cenon pritshmëritë legjitime të të pandehurit.

 

Fjalë kyçe – neni 6 i KEDNJ, gjykim i shkurtuar, heqje dorë nga garancitë procedurale, përfitime procedurale, ligji penal më i favorshëm, ripërsëritja e shqyrtimit gjyqësor, rëndim i pozitës së të pandehurit.

 

Përmbledhja - Në çështjen “Scoppola kundër Italisë” (nr. 10249/03, vendimi i Dhomës së Madhe i datës 17 shtator 2009), GJEDNJ vlerësoi se, duke kërkuar gjykimin e shkurtuar, aplikanti kishte hequr dorë në mënyrë të qartë dhe të ndërgjegjshme nga një sërë garancish procedurale, përfshirë të drejtën për seancë publike, për paraqitjen dhe administrimin e drejtpërdrejtë të provave dhe për thirrjen e dëshmitarëve, në këmbim të përfitimeve konkrete që legjislacioni i brendshëm i garantonte në aspektin e dënimit. Gjykata theksoi se një heqje dorë e tillë është në përputhje me nenin 6 të Konventës vetëm nëse shteti vepron në mirëbesim dhe merr realisht parasysh zgjedhjet procedurale të mbrojtjes, duke mos i zhveshur ato nga përmbajtja e tyre thelbësore. Në këtë kuadër, gjykata sqaroi se dispozitat që rregullojnë pasojat penale të gjykimit të shkurtuar, ndonëse të përfshira në KPP, kanë natyrë materiale dhe bien nën fushëveprimin e parimit të ligjit penal më të favorshëm. Gjykata çmoi se rëndimi i pasojave penale ndaj aplikantit, përmes zbatimit të mëvonshëm të një ligji më të ashpër, i hoqi atij përfitimin thelbësor që kishte motivuar zgjedhjen e ritit të gjykimit të shkurtuar, duke cenuar pritshmërinë e tij legjitime dhe sigurinë juridike. Si rrjedhojë, procesi penal, i marrë në tërësi, u konsiderua i padrejtë në kuptim të nenit 6 të Konventës.

 

  1. Dan kundër Republikës së Moldavisë (nr.2, aplikimi nr. 57575/14, datë 10 nëntor 2020)

 

Maksima - Kur Gjykata e Apelit vendos mbi fajësinë e të akuzuarit, ajo nuk mund të mbështetet vetëm në rivlerësimin e deklarimeve të dhëna më parë, por duhet të sigurojë rimarrjen e drejtpërdrejtë të provave deklarative vendimtare, për sa kohë vlerësimi i besueshmërisë së dëshmitarëve është një detyrim kompleks dhe thelbësor për garantimin e procesit të rregullt ligjor, sipas nenit 6 të Konventës.

 

Fjalë kyçe – neni 6 i KEDNJ, gjykim në apel, ndryshim i vendimit të pafajësisë, rimarrja e provave, prova deklarative, besueshmëria e dëshmitarëve, proces i rregullt ligjor, barazia e armëve.

 

Përmbledhja - Në çështjen “Dan kundër Republikës së Moldavisë” (nr.2, aplikimi nr. 57575/14, datë 10 nëntor 2020), GJEDNJ konstatoi shkelje të nenit 6 të KEDNJ, pasi dënimi i dhënë si pasojë e gjykimit në apel, ishte vendosur pa rimarrë ato prova deklarative, të konsideruara thelbësore për çështjen por vetëm duke rivlerësuar deklarimet e dhëna në shkallë të parë, në të cilin aplikuesi u shpall i pafajshëm. Vlerësimi thjesht i këtyre provave, u konsiderua nga kjo gjykatë si absolutisht i pavlefshëm për të garantuar një proces të rregullt ligjor, duke konsideruar kompleksitetin dhe delikatesën e gjykimit mbi bazueshmërinë e këtyre provave, që bëhet i mundur nga garancia e oralitetit që karakterizon procesin penal akuzator. Sipas GJEDNJ, edhe në gjykimin e çështjes prej Gjykatës së Apelit, në rastin kur mban përgjegjësinë për të vendosur mbi fajësinë apo pafajësinë e të akuzuarve, duhet që të jetë në gjendje të dëgjojë në mënyrë të drejtpërdrejtë dëshmitarët në funksion të vlerësimit të besueshmërisë së tyre, përsa kohë që ky vlerësim përbën një detyrim kompleks, i cili normalisht nuk mund të konsiderohet i realizuar me një lexim të thjeshtë të deklarimeve të tyre.

 

  1.  Lorefice kundër Italisë (nr. 63446/13, datë 29 qershor 2017)

 

Maksima - Kur Gjykata e Apelit ndryshon nje vendim pafajësie, duke rivlerësuar në mënyrë vendimtare besueshmërinë e dëshmitarëve akuzues, ajo nuk mund të mbështetet vetëm në leximin e procesverbaleve të regjistruara, por duhet të sigurojë një vlerësim të drejtpërdrejtë të mjeteve provuese vendimtare. 

 

Fjalë kyçe – neni 6/1 KEDNJ, gjykim në apel,  ndryshim i vendimit të pafajësisë, reformatio in peius, rimarrja e provës, prova deklarative, besueshmëria e dëshmitarëve, dëgjimi i drejtpërdrejtë.

 

Përmbledhja - Në çështjen “Lorefice kundër Italisë” (kërkesa nr. 63446/13, vendim i datës 29 qershor 2017), GJEDNJ shqyrtoi ankimin e kërkuesit, i cili pretendoi se dënimi i tij në apel ishte rezultat i një procedure të padrejtë, pasi Gjykata e Apelit e dënoi duke ndryshuar vendimin e pafajësisë të dhënë në shkallë të parë, pa dëgjuar sërish dëshmitarët kryesorë të akuzës, por u mjaftua me shqyrtimin e deklaratave sipas procesverbalit të regjistrimit të tyre. Gjykata e Strasburgut theksoi se zbatimi i nenit 6 ndaj procedurave të apelit varet nga roli real i Gjykatës së Apelit. Kur ajo është thirrur të shqyrtojë çështjen, të vendosë mbi fajësinë ose pafajësinë dhe të japë një vendim të ri në themel, kërkohet për arsye të drejtësisë së procesit, një vlerësim i drejtpërdrejtë i mjeteve provuese vendimtare. Në rastin konkret, Gjykata e Apelit kishte rrëzuar vlerësimin e shkallës së parë mbi besueshmërinë e dëshmitarëve, element ky thelbësor për përfundimin e fajësisë. Për gjykatën, ky është një lloj vlerësimi që, për nga natyra, nuk kryhet në mënyrë adekuate vetëm përmes leximit të deklarimeve të regjistruara, pasi besueshmëria është një proces kompleks që kërkon kontakt të drejtpërdrejtë me burimin e provës. Duke vlerësuar se nuk kishte asnjë pengesë objektive për rimarrjen e dëshmive të dëshmitarëve, GJEDNJ konstatoi shkelje të nenit 6/1 të Konventës. 

 

 

Abonohu në buletinin informativ elektronik

 

Abonohu në buletinin informativ elektronik, duke plotësuar formularin në linkun https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/buletini dhe njihu me përmbajtjen e tyre në linkun https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/buletini 

 

 

Njihu me jurisprudencën në JUDIX

 

Abonohu në JUDIX për t`u njohur me jurisprudencën e përzgjedhur të Gjykatës së Lartë, duke plotësuar të dhënat në linkun: https://judix.gjykataelarte.gov.al/ 

 

 

Kontakto

 

Tel: +355 4 2257304;

 

Fax: +355 (4) 228837;

 

Email: info@gjykataelarte.gov.al

 

Adresa postare: Rruga: "Ibrahim Rugova", nr. 20, 1001, Tiranë, Shqipëri.