Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), me pjesëmarrjen e anëtarëve të tij dhe anëtarëve zëvendësues, si dhe të përfaqësuesve nga subjektet e ftuara sipas pikës 2 të nenit 233 të ligjit nr. 115/2016, zhvilloi ditën e hënë datë 20.01.2025, mbledhjen e radhës ku në rendin e ditës ishte parashikuar prezantimi nga ana e relatorit i ecurisë së procesit të verifikimit të disa kandidatëve të cilët kanë konkuruar për t’u zgjedhur anëtar të Gjykatës Kushtetuese në vendin vakant të shpallur nga Kuvendi i Shqipërisë.
Relatorja e kësaj vakance e zgjedhur me shortin elektronik të datës 15.01.2025, prezantoi përpara anëtarëve të KED, disa nga gjetjet në lidhje me kandidatët që kanë aplikuar për vendin vakant.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pasi shqyrtoi aktet dhe procedurën e ndjekur për verifikimin e këtyre kandidaturave si edhe dokumentacionin e përgatitur nga relatori lidhur me plotësimin e kushteve ligjore për kandidim, për kandidatët e përcaktuar në rendin e ditës, pasi dëgjoi edhe mendimin e Avokatit të Popullit, lidhur me procedurën e ndjekur në verifikimin e këtyre kandidaturave, vendosi:
Ndalimin e kandidimit të kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, për vendin vakant i shpallur në datën 30.09.2024 nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për shkak të dorëheqjes së gjyqtares Elsa Toska. si më poshtë:
- Eris Hysi
- Sinan Tafaj
- Klodian Rado
- Gentian Zyberi
Vendimet e plota dhe të zbardhura do të publikohen të arsyetuara në faqen elektronike të Gjykatës së Lartë, në pjesën e caktuar për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.
Kandidatët për të cilët është vendosur ndalimi, kanë patur mangësi të një apo disa kushteve të parashikuara nga Kushtetuta, ligji dhe aktet nënligjore.
KED është duke vijuar me procedurat e komunikimit të vendimeve, për të cilat mund të ketë edhe ankime nga ana e kandidatëve.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në zbatim të Kushtetutës dhe ligjit, fton institucionet publike që kanë lidhje me sistemin e drejtësisë, organizatat e shoqërisë civile me veprimtari në mbrojtjen e të drejtave të njeriut ose të krijuara për mbrojtjen e interesave të përdoruesve të sistemit të drejtësisë, të paraqesin opinionet e tyre në lidhje me kandidaturat pranë KED, në zbatim të ligjit nr.115/2016 dhe ligjit për Gjykatën Kushtetuese, neni 7/b pika 2, etj..
Mbledhja e radhës e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi do të njoftohet sapo të vendoset.