MBLEDHJA E RADHËS E K.E.D. DATË 17.02.2026

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), në përbërje të plotë të anëtarëve të tij dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të ftuar, në përputhje me pikën 2 të nenit 233 të Ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, zhvilloi të martën, më datë 17.02.2026, mbledhjen e radhës, sipas rendit të ditës të publikuar në njoftimin zyrtar të datës 12.02.2026.

Pas prezantimit të relacioneve të përgatitura nga relatorët, për kandidatët që kanë aplikuar për vendet vakante të shpallura nga Institucioni i Presidentit të Republikës dhe Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli vendosi t’u caktojë kandidatëve një afat disa ditor për paraqitjen e dokumentacionit shoqërues në lidhje me pretendimet e ngritura prej tyre gjatë kësaj faze të procedurës.

Kandidatët do të njoftohen individualisht për këtë vendimmarrje dhe duhet të depozitojnë pranë Këshillit dokumentacionin e kërkuar brenda datës 2 mars 2026.

Në vijim, Këshilli shqyrtoi informacionin e përcjellë nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave lidhur me ecurinë e dorëzimit të Deklaratave të Pasurisë dhe Interesave Private nga kandidatët, në kuadër të detyrimeve ligjore për transparencë dhe verifikim.