MBLEDHJA E RADHËS E K.E.D. DATË 15.10.2024

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), me pjesëmarrjen e anëtarëve të tij të përhershëm dhe atyre zëvendësues, të Avokatit të Popullit, si edhe përfaqësuesve nga subjektet e ftuara sipas pikës 2 të nenit 233 të ligjit nr. 115/2016, zhvilloi ditën e martë, datë 15 tetor 2024, mbledhjen e tij të radhës, bazuar në rendin e ditës të shpallur në njoftimin e datës 2 tetor 2024.

Në mbështetje të materialeve të përgatitura dhe raportimit të bërë nga Kryetari i KED z. Sokol Ngresi, anëtarët e këshillit u njohën dhe diskutuan në lidhje me krijimin e vakancës së parakohshme në KED si rezultat i dorëheqjes së anëtares së Gjykatës Kushtetuese zj. Elsa Toska, e cila është gjithashtu anëtare e KED, duke konstituuar njëkohësisht edhe anëtaren zëvendësuese Zj. Marjana Semini, si anëtare e përherëshme e këshillit, nga Gjykata Kushtetuese.

Sikurse ishte parashikuar në rendin e ditës, anëtarët e KED u njohën edhe me prezantimin e kryer mbi krijimin e sistemit të hedhjes së shortit elektronik nëpërmjet sistemit ICMIS për përcaktimin e relatorëve që zgjidhen për shqyrtimin e kandidaturave si dhe me faqen zyrtare të KED.

Këshilli diskutoi edhe mbi kërkesën e Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, si edhe mënyrën e bashkëpunimit më këtë komision.