Anëtar i Gjykatës së Lartë
Ervin PUPE u lind në Tiranë, më 21 Shkurt 1973. Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë. Ka kryer studimet e larta në Drejtësi në vitet 1991-1995 dhe më pas studimet pasuniversitare në fushën e së drejtës civile në vitet 2001-2003 në Fakultetin e Drejtësisë së Universitetit të Tiranës.
Në vitet 2003-2005 ka kryer studimet pasuniversitare në të drejtën europiane pranë I.E.U.G të Universitetit të Gjenevës (Zvicër). Ai ka marrë Gradën shkencore “Doktor” në shkencat juridike në profilin e së Drejtës Civile në vitin 2009 dhe titullin shkencor “Profesor i asociuar” në vitin 2015. Në vitin 1995 ka ushtruar profesionin e juristit pranë Drejtorisë Juridike të ish-Ministrisë së Punës dhe Emigracionit. Në shkurt të vitit 1996 emërohet pedagog me kohë të plotë, pranë departamentit të së drejtës civile në Fakultetit të Drejtësisë së Universitetit të Tiranës, si lektor/bashkëlektor në lëndët “E Drejta Private e Bashkimit Europian” dhe “E Drejta e Detyrimeve dhe e Kontratave”. Pas vitit 2013 ka qënë pedagog në dispozicion në lëndën e së drejtës civile (detyrime) në programin e trajnimit fillestar dhe ekpert ligjor në programin e trajnimit vazhdues për gjyqëtare e prokurorë, pranë Shkollës së Magjistraturës.
Nga shtatori i vitit 2013 ka drejtuar Shkollën e Avokatisë pranë Dhomës së Avokatëve të Shqipërisë, deri në mars të viti 2020. Nga viti 2007 deri në mars 2020 ka ushtruar profesionin e avokatit si dhe ka qënë disa herë ekpert i së drejtës brenda dhe jashtë vendit i kontraktuar nga organizma si Instituti Europian i Tiranës, Observatorit për të Drejtat e Fëmijëve, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim dhe Bashkëpunim në Europë (OSCE), ICSID - International Centre for Settlement of Investment Disputes, ABA ROLI (American Bar Association – Initiative Rule of Law).
Është autor i disa përmbledhjeve e cikleve të leksioneve në fushën e së drejtës kontraktore, të së drejtës civile të krahasuar, të së drejtës së Bashkimit Evropian, etj., autor i disa shkrimeve në revista shkencore kombëtare e ndërkombëtare, si dhe pjesëmarrës e referues në shumë konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Po kështu ai është autor, bashkëautor, apo redaktor shkencor në disa raporte ekspertize ligjore si dhe në manuale profesionale në fushën e profesionit të avokatit.
Me dekretin Nr.11453 datë 11.03.2020, Presidenti i Republikës e emëroi Z. PUPE, Gjyqtar të Gjykatës së Lartë, nga rradhët e juristëve të spikatur.